XHEMALEDIN SALIHU: FELIKS KANICI, SERBIA DHE SHQIPTARËT

(Preshevë, më 06 mars 2013) – Biografi e shkurtër e Feliks Kanicit – Feliks Filip Emanuel Kanici u lind në Budapest më 2 gusht 1829 dhe vdiq në Vjenë më 8 janar 1904. Kanici ishte udhëpërshkrues austrohungarez, arkeolog, etnolog dhe njëri ndër njohësit më të mirë të Evropës Juglindore. U lind në një familje fabrikantësh e ardhur nga Gjermania në shek 18. Studjoi artin në universitetin e Budapestit. Së pari u mor me muzikë, pastaj me art dhe u bë vizatues i mirë. Më së shumti pikturoi akuarel, ndërsa që nga viti 1858 udhëtoi në viset :Dallmaci, Hercegovinë, Mal i Zi, Serbi, Bullgari, Bosnjë dhe Maqedoni. Më së shumti mori shënime nga të dhënat dhe argumentet arkeologjike e gjeografike si dhe bëri shumë ilustrime arkitektonike të kishave, njerëzve etjerë. Duke udhëtuar u bë etnolog i Sllavëve të Jugut. Në Evropë u bë i njohur me punime etnologjike, sepse këto punime përshkruanin vise të panjohura për europianët. Më vonë puna e tij u çmua si punë etnologjike me vlerë. Feliks Kanici ishte këshilltar i mbretit hungarez, vitez i medalës austriake të Franjo Josifit, anëtar nderi i Akademisë së Shkencave të Mbretërisë Saksone, anëtar i Shoqatës Gjeografike-Antropologjike në Vien, Berlin, Drezden, Petrovgrad, Moskë, Pariz e tjerë.

Feliks Kanici (1829 – 19049)

Feliks Kanici, më së shumti u bë i njohur kur shkroi librin: “Serbia, toka dhe popullësia, nga koha e Romës deri në fund të shek. XIX, libri I e II, Beograd, 1985 / FELIKS KANIC: SRBIJA, ZEMLJA I STANOVNISTVO od rimskog doba do kraja XIX veka, knjiga I, II, Beograd, 1985/.
Kanici ishte njohës i mirë i Ballkanit, hulumtues dhe personi që më së miri njohu Serbinë.
Në këtë libër, enciklopedi, Kanici shkruan shumë mirë për Serbët, bile shpesh këta e quajnë shkencëtar kombëtar të tyre.
Kanici në Serbi qëndroi disa herë, duke filluar që nga viti 1856.
Vlen të përmendet se Kanici Shqiptarët i quan dhe i përshkruan si blegtor të vyeshëm, të cilët i kullotnin kafshët në malet e Serbisë Jugore dhe Lindore, pa marrë parasysh se kjo grupë etnike kishte gjuhë tjetër, organizim familjar dhe shoqëror krejt tjetër. Kanici edhe pse mirë i njohu kufijt dhe ndarjen administrative të Turqisë, ai kur doli në terren të gjeografisë politike, sikur gabimisht Kosovën dhe Metohinë, si pjesë të Serbisë së Vjetër e quajti Shqipëri, poashtu edhe Epirin me Janinën i quajti Shqipëri.
Vepra e tij kryesore është: “Serbia, toka dhe popullësia, nga koha e Romës deri në fund të shek. XIX, libri I e II, Beograd, 1985, Kanici në udhëtimin e tij nëpër Serbi, pa qëllim shkruan edhe për Shqiptarët /Arnautët/, vendbanimet shqiptare në Serbi dhe golgotën e tyre.
Këtu, do të shkruajmë për udhëtimet e tij më 1859, të shkruara në librin e përmendur, por më tepër do ndalemi në kapitullin XI, në të cilin Kanici shkruan për Rrethin e Jabllanicës Arnaute. Libri i përmendur ka dy pjesë, pjesa e parë e librit ka 18 kapituj, dhe e dyta ka 18 kapituj. Për Rrethin e Jabllanicës Arnaute shkruan në librin e dytë, në kapitullin XI.
Kanici e filloi udhëtimin nga Beogradi, duke vazhduar kah jugu i Serbisë së atëhershme.
Lumi i Katunit në komunën e Aleksincit deri më 1878 ishte kufiri serbo-turk. Pasi Kanici me suitën kaluan me lehtësi kufirin, vazhduan dhe arritën në lumin Nishavë.Pastaj hyn në Nish. Kanici Nishin e quan: Naisus romak, Nish slloven, Nysos bizantin, Nissa gjerman dhe ai mendon se Nishi e mori emrin nga Nishava, e cila kalon nëpër Nish. Kanici shkruan si e morën ushtria serbe Nishin nga Turqit. Kjo ndodhi më 1860.
Në këtë kohë në Nish jetonin 8.000 muslimanë /shqiptarë-autori/, në kohën e Turqisë , më vonë mbetën vetëm një numër i vogël prej tyre, sidomos me marrjen e Nishit nga Serbët.
Më 1896 Nishi kishte 21.056 banorë me 2.986 shtëpi, shumica ishte popullatë serbe po kishte edhe popullatë shqiptare: 45 familje dhe 1.114 banorë muslimanë.
Duke udhëtuar kah Vranja në Gorinë, Kanici dhe suita e tij hasën në Kullën e Demir Bajramit, një begu arnaut, i cili sundoi me fshatin.


Kulla e Demir Bajramit

Pa mbërri në Vranjë, në Miroshec, ku më vitin 1878, Serbët thyan shumë banda arnaute /Kanici/, të cilat ishin nisur për ta plaçkitur Leskocin.
Në Luginën e Veternicës, para vitit 1878 kishte shumë fshatra shqiptare, pas këtij viti nuk mbeti asnjë fshat dhe asnjë shqiptar.Të gjithë këta shqiptarë me forcë u larguan/ishin të detyruar/ në territorin e Turqisë., edhepse iu premtu se toka do t’i paguhet.
Duke udhëtuar Kanici ariti në Vranjën e Hysein Pashës. Është e njohur Lufta e Shqiptarëve me Hysein pashën në Vranjë.


Shtëpia e Hysein Pashës

Më vitin 1858 Vranja ishte selia e Mudirit, i cili ishte nën Pashallukun e Prizrenit. Ajo kishte 14 mëhallë, 1.000 shtëpi të krishterë, 600 shtëpi shqiptaro-muslimane dhe 50 shtëpi rome. Me hyrjen e ushtrisë serbe, shumë familje shqiptare u shpërngulën dhe ato u zëvendësuan më ato të krishtera.
Më 1905, Qarku i Vranjës kihte 88 komuna me 540 vendbanime dhe 230.700 banorë, si dhe kishte 6 rrethe: të Leskocit, të Pçinjës, të Vlasotincës, të Jabllanicës, të Masuricës dhe të Polanicës. Kanici vazhdoi udhëtimin dhe arrin në Vlladiçin Han. Aty Arnautët /Shqiptarët/ ishin të vendosur në anën e djathtë të Moravës, në 11 vendbanimë, të cilat ishin me shumicë popullatë shqiptare : Prekodollci, Zhitoragja, Allakinci, Masurica, Surdulica, Binovci, Kalabovca, Dlugojnica, Jellashnica, Vërbova dhe Kalimanci. Shqiptarët e këtyre vendbanimeve i bënë qëndresë ushtrisë serbe në krye me gjenaralin Belimarkovic, më 1878 dhe kur u thyan te Vlladiçin Hani, më me vullnet ikën për në Shqipëri, se sa të mbesin robë nën Serbi. Vendbanimet e tyre u popullëzuan me serbë nga Serbia e Vjetër.
Sipas Kanicit, Shqiptarët më tepër banuan në Surdulicë.
Kanici udhëton dhe më 9 shtator të vitit 1889 niset nga Nishi, vazhdon për në Prokuplje, Kurshumli deri në Prepolac.
Më 1858, Prokuplja kishte 500 shtëpi muslimane/shqiptare/, 300 shtëpi të krishtera, 10 shtëpi ebreite dhe 20 shtëpi rome, ndërsa më vitin 1877, qyteza kishte 629 shtëpi arnaute-çerkeze, 50 shtëpi turke dhe 36 shtëpi rome ndaj 325 familjeve serbe dhe 3 familjeve ebreite. Pos tjerave, Kanici përshkruan xhaminë e quajtur Inçar xhamija në Mëhallën Muslimane, për të cilën thotë se ishte përmendorja më e bukur në krejt qytezën.
Para Kongresit të Berlinit, më 1878, shqiptarët i mbrojtën shtëpitë e tyre, mirëpo ushtria serbe më e armatosur, më 15 e 16 janar 1878 i sulmoi trupat shqiptare, të cilat nga zullumi ikën në Sanxhak. Pas Kongresit, shqiptarët kërkuan që të kthehen, por në tokat dhe shtëpite e tyre ishin vendosur serbët të ardhur nga Rashka.

Serbët u vendosën në vendbanimet: Velika Pllana, Malla Pllana, Bresnica e Epërme dhe e Poshtme, Zdravinja, Konçiq, Mërshel, Omerovci, Joshanica e Poshtme dhe e Epërmë, Svirca,Dragusha e Poshtme dhe e Epërme, Pretezhana, Bepollini, Konjusha e Poshtme dhe Epërme,Bejashnica, Prekadini, Gojinovci, Toçana e Poshtme dhe e Epërme, Gjushinca, Obërtinca, Piskali, Arat e Gata, Plloçniku, Vllase, Tullarja, Klaudra, Bërbatovci, Tmava, Suvi Dolli, Viça, Resinci, Spanca, Gërgura, Vishesello, Bllaca, Tërbunja, Rashica, Kutlovaci, Stuballi, Sibnica, Çuçalle, Xhepnica, Maxharja, Popova, Prebreza, Vërbovci, Pridvorica, Shillomani, Megjuanja, Suvaja, Allabana, Pretreshnja, Reçica e Poshtme dhe e Epërme. Menjëherë në shumicën e vendbanimeve që u bënë serbe u ndërtuan kisha dhe shkolla. Poashtu shkruan Kanici, kur plasi kryengritja e Serbëve kundër Turqisë, e cila ndodhi gjatë vitit 1875, atëherë Muslimanët ikën dhe u vendosën në Sanxhak. Për Kurshumlinë, Kanici thotë se ishte fole arnaute, e ndërtuar në anën e djathtë të Toplicës. Serbët e ardhur deshën ta quajnë Bella Cërkva, por Arnautët nuk lejuan dhe i mbeti emri Kurshumli /sipas kurshum-plumb/. Studiusi dhe udhëpërshkruesi gjerman J.Han duke udhëtuar nga Beogradi për Selanik, më 1858, për Kurshumlinë thotë se kishte 50 shtëpi muslimane dhe 15 shtëpi të krishtera.


Fshati Dedince te Kurshumlija – Shtëpi Arnaute

Gjithë udhëtimin që e bënë Kanici nëpër Serbi, kur është fjala për Shqiptarët shkruan shumë keq, por nuk mund të ikte të dhënave për strukturën dhe numrin e banorëve në këto anë. Kanici i pershkruante Shqiptarët /Arnautët/ si vjedhës, plaçkitës, belaxhi, vrasës, mirëpo asnjëherë nuk përmendi ndonjë të dhënë apo dëshmi se çka kishin plaçkitur apo vjedhur ata në tokat e veta, apo të vrarë me numra të saktë. Pos përshkrimit të tokës dhe popullatës të Serbisë, Kanici shkruan krahas edhe për pushtimet e territoreve dhe ikjen e populates shqiptare. Sipas Kanicit iknin ata shqiptarë që patën bë zullume popullatës serbe, për çka nuk është e vërtetë. Ishte e kundërta, fakti se ushtria pushton tokat shqiptare e gjithmonë ushtritë janë pushtuese, ato bëjnë zullume në popullatën vendase dhe burgosin e vrasin popullatën e vendit. Ne këtë rast kishim të bëjmë me popullatën shqiptare. Janë të njohura golgotat e popullatës shqiptare gjatë këtyre pushtimeve e më vonë pas viti 1912.
XI.PREJ KURSHUMLISË NËPËR KOSANICË, PUSTA REKË DHE RRETHIN E JABLLANICËS ARNAUTE DERI NË LESKOC
“Nga Kurshumlia u nisa me inxhinierin Valenton dhe me një njohës të rrugëve, xhandarin Simon i përkushtuar pjesës së jugut të Luginës së Kosanicës…thotë Kanici.Vetëm prej pjesës ku është bë shpërngullja e popullatës Arnaute dhe e zëvendësuar me kolonistat e Serbisë së Vjetër, toka shihet më e punuar dhe e kultivuar. Që nga 13 deri më 30 janar 1878 këtu dhe në kodrat fqinje: Terha, Tërpeza dhe Hërtica e Ulët luftuan me të madhe njësitë e divizionit të Danubit dhe Shqiptarët, të cilët e kishin të qartë se me mbrojtjen e çdo pëllembe të tokës mbronin ekzistencën në këto troje, vazhdon Kanici …Luftë e madhe, e gjatë dhe e përgjakshme u bë në vendin ku më vonë themelohet fshati Bojnik, të cilin Arnautët e quanin Buje…Për këtë vend shkroi edhe Hani, më 1859 dhe sqaroi dëshirën e Shqiptarëve të rinjë për tu treguar edhe popullatës tjetër, me çka shihet qartë raporti i pasardhësve të Ilirëve të Vjetër ndaj rajës shumë të vyeshme. Edhe më mirë kjo shihet dhe duket qartë në kujtimet e gjalla në Bojnik. Aty jo vetëm Serbi i krishterë, por edhe Turku sundimtar e ndiente frymen e jetës shqiptare, atë papërkulshmërinë dhë këmbëngulësinë e Shqiptarëve, për tokat etnike. Kështu ishte e kuptueshme që serbët nuk mundën të ndërtojnë kishën nën presionin dhe shtypjen Arnaute në Bojnik. Arnautët luftarak u mbrojtën në Lumin e Thatë më 1878, mirëpo në dhjetor të vitit 1878 dhe janar të vitit 1879 qenë të detyruar të largohen nga Brijanja, Kacabaqa, Pridvorica dhe Bojniku nën presionin e ushtrise serbe. Më vonë atyre iu bashkangjitën gratë dhe fëmijët me pronën e lëvizshme. Menjëherë filloi popullësimi i këtyre vendeve me popullatë serbe nga vise të ndryshme. Kështu lindi fshati Kosançiqi, në të cilin u vendosën Serbët e Banatit. 
Nëse nga lumi i Shumanit, e cila te Lebani rrjedh për në veri e kalon si një vijë nëpër Dragovci-Bojnik kah mali Pasjaça. Këtu do ta kemi kufirin deri në Grashticë, rreth 2 orë në verilindje prej Prishtinës, ku jetojnë vetëm Shqiptarët. Në lindje të kësaj vije gjenden vetëm vendbanime të izoluara shqiptare, ndërsa në perëndim të saj nuk ka asnjë vendbanim të krishterë. Kanici thotë se Arnautët më mirë ndihen në vendbanimet malore dhe malet pjellore se sa në fusha.
Kur në janar të vitit 1878, trupat serbe depërtonin kah Medvegja, raja /mendon në serbët/ iu bashkangjiten trupave ushtarake serbe për ta shfryar tërë mllefin e akumuluar ndaj muslimanëve . Shqiptarët heroikisht e mbrojtën çdo pëllëmbë toke, por më 2 shkurt 1878 u mundën dhe u larguan nga tokat e tyre.
Edhepse këtë vit u nënshkrua marrëveshja dhe paqja, lufta nuk u ndal, ajo vazhdoi në kalljen e vendbanimeve arnaute që nuk u bindën trupave serbe dhe ndodhi shpërngulja e popullatës arnaute.
Edhepse u bë popullëzimi me popullatë serbe i vendbanimeve të braktisura në Qarkun e Toplicës, të cilat bëheshin nën presionin dhe planet e Beogradit/të motivuara/, prapseprap pati tentime që Arnautët të kthehen në vatrat e tyre shekullore. Nga ky aksion një shqiptar Sajid e njoftoi Kanicin gjatë udhëtimit si përcjellës se u kthyen dhe mbetën shumë familje në këto vendbanime: Vrapce, 5 familje, Svirce, 40 familje, Radinoc, 16 familje, Llapashtica, 3 familje, Kapit 22 familje, Tupallë, 35 familje, Sijarinë, 30 familje, Radevci: 20 familje, Ravna Banja: 20 familje, Gërbaci: 13 familje, Bllace: 14 familje. Pastaj në Dërvodel: 5 familje, në Nish dhe Leskoc dikund rreth 30 familje dhe sipas vlerësimit të Saidit në Serbi në ato vite kishte 4.ooo shqiptarë”. “Serbia, toka dhe popullsia, nga koha e Romës deri në fund të shek. XIX, libri I e II, Beograd, 1985, f. 318 – 347. Kanici shkruan për kolonizimin e këtyre territoreve dhe thote se ishte i vështirë procesi i kolonizimit të 7.500 kolonistave malazezë, edhepse sipas tij e pa përgatitur, ajo u realizua në kohën më të mirë të vitit dhe u bë më së miri.

Lidhur me vendbanimet shqiptare e shpërngulura po japim edhe mendimet e Jovan Cvijiqit, Jovan Haxhivasileviqit dhe burimin:Histori e popullit shqiptar
Në largësi prej mëmëdheut /afro 200 km/ ishin oazat arbanase në Perëndim të Leskocit, pastaj në Masuricë, në veri të Vranjës dhe në Peshter, afër Sjenicës. Këto vendbanime shqiptare janë të shënuara në të gjitha hartat e vjetra, dhe me të vërtetë ato ekzistonin deri në vitin 1878. Për shkak se Serbia, në këtë kohë e mori rajonin e Moravës Jugore, Arbanasit u shpërngulën, kryesisht në Luginën e Llapit, në Kosovë dhe Metohi/ashtu e quan Cvijiqi/ dhe kështu e përforcuan popullatën e atjeshme shqiptare. Në rrethinën e Leskocit dhe Vranjës tash nuk ka më oaza arbanase, edhepse ende figurojnë në disa harta etnografike”. /Jovan Cvijic, Balkansko poluostrvo, knj.2, Beograd, 2000, f. 189/.
“Të gjithë edhe ata pak Arnautë që patën mbetur në Serbi deri në gusht të vitit 1878, qeveria serbe sipas konkluzionit të Kongresit të Berlinit i shpërnguli përtej kufirit të ri të Serbisë, andej në jug të Ristocit. Mirëpo është e njohur se kufiri me Marrëveshjen e Kongresit të Berlinit u vua në Ristoc, në mes të Serbisë dhe Turqisë Otomane.
U ngritë parrolla në Serbi ”kush më tepër Shqiptarë shpërngul, aq më tepër merita për atdhe do të ketë”. Madje, vetë princi i Serbisë, Milan Obrenoviq, kishte urdhëruar ushtarakët serbë, duke u thënë se merita më të mëdha ndaj shtetit dhe kombit serb, do t’i ketë ai i cili do të arrijë të zhdukë e të shpërngulë më shumë shqiptarë”.
Kështu Serbia, në shpërnguljen e Shqiptarëve nuk zgjodhi mjete, përdori edhe dhunë. Shqiptarët u shpërngulen nga të gjitha viset e Serbisë Për shpërnguljen e Shqiptarëve nga Vranja kundërshtoi edhe Komandanti i Korit të Shumadisë gjenerali Belimarkovic.
Mirëpo, për atë kohë nuk dihet saktë numri i Shqiptarëve të shpëngulur, vetë dihet saktë se në rrethin e Prokuplesë ishin 2.054 shtëpi arnaute, 2.031 shtëpi serbe, 200 çerkeze dhe 74 shtëpi turke. Në rrethin e Kurshumlisë kishte: 572 shtëpi serbe, 1.956 turke-shqiptare, për të cilat Haxhivasileviqi thotë se ishin shqiptare, ndërsa në rrethin e Pusta Rekës kishte: 1.539 shtëpi arnaute, 638 serbe dhe 60 rome
Shtëpitë shqiptare kolonizoheshin me popullatë serbe, por edhe malazeze.Kthimin e popullatës shqiptare e kishin premtuar Safet Pasha dhe një deputet anglez. Për kthim u angazhua gjoja edhe deputeti rus në Stamboll, vetëm e vetëm që qeveria serbe mos të marrë kritika nga fuqitë e Europës.
Shqiptarët e shpërngulur nga Serbia më së shumti, sipas Haxhivasileviqit u vendosën në Kazanë e Prishtinës, Gjilanit, Vushtrisë dhe Preshevës, por arritën edhe deri në Prilep e Prizren”. /Jov/Hadzi Vasiljevic, ARBANASKA LIGA: Arnautska Kongra I Srpski narod u turskom Carstvu : (1878-1882), Beograd, 1909, f. 2/
“Sipas Haxhivasileviqit, në kohën e luftërave serbe turke, 1876-1878, tokat dhe vendbanimet shqiptare shtriheshin deri te Kopaoniku, Prokuplja, Leskoci, Surdulica, Vranja, Mali Rujan, por edhe deri në Nish., në rrethin e Prokuples dhe Dobricës. Në Prokuplje ishin këto vendbanime kah Nishi: Novo Sella, Devca e Poshtme dhe e Epërme, Klisurica, Xhigola dhe Kordnica. Në rrethin e Dobricës ishin këto vendbanime arnaute: Lukomir, Vllahova, Lugina e Veternicës, Toplica, Medvegja, Pusta Reka dhe Jabllanica. Pastaj në Masuricë, fshatrat: Zhitoragja, Masurica, Suvojnica, Allakinca, Dekutinca, Surdulica e tjerë”.
Të gjitha këto, Jovan Haxhivasileviqi i quan Arnautlluk. /Jov.Haxhi-vasileviq, Arnautski pokreti u XIX veku, Beograd, 1905, f. 6/
Shpërnguljet e mëdha më 1877/1878, sipas burimeve shqiptare
Në luftën ruso-osmane, Sërbia dhe Mali i Zi menjëherë u rreshtuan në anën e Rusisë me qëllim që të realizonin aspiratat ekspansioniste në drejtim të trojeve etnike shqiptare. Luftimet serbo-osmane u zhvilluan kryesisht në trevat shqiptare të Sanxhakut të Nishit që i takonin Vilajetit të Kosovës. Pas humbjeve të një pas njëshme dhe me tërheqjen e ushtrisë Osmane nga këto troje, Serbia para syve të fuqive të mëdha dhe me bekimin e tyre kryente spastrimin etnik. Si rezultat i dhunës, terrorit, masakrave dhe gjenocidit të ushtrisë serbe ndaj popullit autokton shqiptar me qindra e mijëra shqiptar u detyruan t’i braktisnin vatrat e tyre duke u vëndosur si muhaxher (refugjat) në brendi të Vilajetit të Kosovës dhe me gjerë. Në ketë kohë para tytave të soldateskes serbo-malazeze u shpërngulën rreth 160 mijë shqiptar. Kështu u spastruan etnikisht 640 vendbanime shqiptare të rrethit të Nishit, të Prokupjes, Leskocit, Vranjës, Kurshumlisë etj.


Shqiptarët e dëbuar në Selanik

Me këto akte anticivilizuese dhe antishqiptare, Serbia dhe Mali i Zi ngushtuan edhe më hapsirën kombtare shqiptare duke krijuar kështu parakushte për rrezikim të metejshëm të trojeve shqiptare në përgjithësi dhe të Kosovës në veçanti. (Burimi: Historia e Popullit Shqiptar – hartuar nën drejtimin e Institutit të Historisë)
Preshevë, më 06 mars 2013

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura