XHEVAT BISLIMI: 30 VITE MË PARË PROTESTUAM NË BURG, KUNDËR REGJIMIT ANTIPOPULLOR-FASHIST QË VRAU BIJTË E POPULLIT SHQIPTAR – REXHEP MALAJN E NUHI BERISHËN

Viti, 21. 01. 2014 – (Në 30 – vjetorin e qëndresës dhe rënies heroike të Heronjve Rexhep MALAJ e Nuhi BERISHA) – Tridhjetë vite më parë, ditën që kishin qëndruar dhe luftuar me armë në dorë kundër policisë dhe ushtrisë serbo-jugosllave, ditën kur dy nga drejtuesit, ideatorët dhe projektuesit e Luftës së Armatosur, R. Malaj e N. Berisha, kishin rënë në Prishtinë duke luftuar burrërisht dhe duke paralajmëruar Luftën Ҫlirimtare dhe FITOREN e Kosovës shqiptare, bashkë me shumë bashkëveprimtarë, isha i burgosur në burgun e Prizrenit. Lajmin e morëm në mbrëmjen e 12 janarit (1982). Në këtë burg (në pjesën ku isha unë) ishte edhe Mentor Kaçi (Gjakovë), Shemsi Reçica (Lypjan), Jakup Halimi (Viti), Pajazit Jashari (Besianë), Xhevat Haziri (Viti), Ali Latifi – Munolli (Besianë)… (I lus ata shokë që kanë kujtesë më të mirë se unë t’i plotsojnë edhe emrat tjerë!)
Menjëherë u mblodhëm dhe po bisedonim për këtë ngjarje që na tronditi, por edhe na mbushi me krenari dhe besim në Fitoren e çështjes për të cilën po përpiqeshim dhe po vuanim burgjeve të Jugo’serbisë. Rexhep Malaj me qëndresën dhe pathyeshmërinë e tij në torturat çnjerëzore të UDB-së, në burgjet dhe gjykakat pushtuese kishte bërë vend në zemrën e çdo veprimtari atdhetar dhe të mbarë popullit shqiptar. Njeriu me zemër, me shpirt, me mendje e me veprimtari atdhetare ishte bërë simbol i guximit, i qëndresës dhe vetemohimit për rininë shqiptare. Emri i tij kalonte gojë më gojë nëpër dhomat dhe çelitë e burgjeve të mbushura deng me rini, intelektuale dhe punëtore e katundare shqiptare. Nuk ishin të pakta edhe vajzatë dhe gratë e burgosura. Secili nga ne do të donte të kishte guximin, mendjemprehtësinë dhe qëndresën e pathyeshmërinë e të papërsëritshme të Rexhep Malës.

Nuk e di saktë e kujt ishte ideja që të bënim një protestë me shkrim dhe me grevë urie… Më duket se ishte Shemsiu, por kjo s’ka rëndësi, sepse ishin të gjithë një goje për të protestuar. U bënë nja tri-katër fjali dhe u nënshkrua nga 18 (nëse nuk kam harruar) të burgosure politikë. Aty thuhej (po e parafrazoj një fjali): Ne te burgosurit shqiptarë protestojmë kundër regjimit antipopullor që vret bijtë e popullit tonë… Me duket që e shkroi Shemsi Reçica. Kur e lexoi u pajtuam të gjithë me tekstin. Vetëm baca Jakup, i cili kishte qenë punëtor në Zvicër, tha nuk pajtohem. Dua ta shtoni aty “regjim fashist që vret bijtë e popullit shqiptar”. Dhe kështu u bë. U shkrua “regjimi antipopullor-fashist që vret bijtë e popullit shqiptar”.
Kjo letër-protestë iu dërgua Kryesisë së Kosovës, Sekretariatit për Jurisprudencë, etj. (Nuk me kujtohen saktë organet tjera të cilave iu drejtua…). Letra-protestë u nënshkrua nga 18 shokë që ishim në atë pjesë të burgut të Prizrenit. Të nesërmen kjo shkresë, me të cilën shpallej edhe greva e urisë, iu dorëzua drejtorisë së burgut. Menjëherë u bë bastisja dhe nisi marrja në pyetje, kërcënimet dhe shantazhet e të gjithë atyre që kishin nënshkruar dhe kishin hyrë në grevë urie.
Nese me kujtohet mirë pas trysnisë, kërcënimeve, keqtrajtimit dhe shantazheve të bëra u tërhoqën (u “dorëzuan”) vetëm dy nga të nënshkruarit. Shkresa dhe greva jonë i kishte befasuar organet e burgut dhe ato të UDB-së në Prizren e më gjërë. U egërsuan shumë dhe u dukej e pabesueshme që një grusht të burgosurish kishin guxuar të bënin një shkresë me atë përmbajtje dhe të protestonin hapur edhe në burg kundër “regjimit antipopullor-fashist që vret bijtë e popullit shqiptar”.

– Punim i ish të burgosurit Sylë Mujaj –

Ndër gardianët e burgut që shquhej për urrejtje dhe egërsi ndaj nesh ishte njëfarë Alushi, që hiqej si “turk”. Më duket edhe tash po e bënte të njëjtën punë në atë burg të Prizrenit (No koment !)! Për hakmarrje dhe ndëshkim, të nesërmen na shpërndanë nëpër burgje të ndryshme hetuese. Mua dhe Xhevat Hazirin na dërguan në burgun e Pejës. Me sa di unë kjo ishte e vetmja protestë e organizuar në këtë mënyrë në burgjet e asaj kohe kundër “regjimit fashist”, siç e thoshte me loçkë të zemrës baca Jakup dhe siç na “detyroi” ta shkruanim edhe ne letrën-proteste…

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura