XHEVAT BISLIMI: FALEMINDERIT PRESHEVË, FALEMINDERIT KOSOVË LINDORE

 (Viti, 24. 01. 2013) – Me këto fjalë falënderimi do të duhej të paraqiteshin para mediave dhe në media (para opinionit publik) përfaqësuesit e institucioneve të të dyja kryeqyteteve, Tiranës dhe Prishtinës. Populli shqiptar i Kosovës Lindore me MONUMENTIN, që ua kushtoi bijve të tij dhe të mbarë kombit, e ringjalli çështjen e “harruar” të kësaj pjese të tokës shqiptare. Kosova Lindore me MONUMENTIN e saj dhe me veprimtarinë dhe ngjarjet që u zhvilluan për dhe rreth këtij MONUMENTI i tregoi botës demokratike, posaçërisht Europës, se nuk është Veriu i Kosovës dhe pakica serbe në Kosovë problemi që duhet trajtuar me kaq përkushtim e presion, por është Kosova Lindore dhe shqiptarët e atjeshëm që po shtypen, po ndiqen e përndiqen, po burgosen e po detyrohen t’i braktisin trojet dhe shtëpitë e tyre nga dhuna dhe terrori i organizuar shtetëror serb. Pakica serbe në Kosovë po “vuan” (dhe do të “vuaj”) nga të drejtat dhe statusi që kanë marrë në Kosovë për hatrin, kërkesat dhe interesat e Serbisë. Pretendimet dhe interesat e Serbisë janë aq të mëdha, aq të rënda, aq shoviniste dhe fashiste sa pakica serbe e Kosovës nuk ka kurriz t’i mbaj dhe jetësoj.

Prandaj, edhe Bashkimi Europian, institucionet dhe përfaqësuesit e tyre, do të duhej ta kishin parasysh këtë fakt tepër të rëndësishëm për dialogun dhe “normalizimin” e marrëdhënieve Kosovë – Serbi, si dhe për vetë bisedimet për anëtarësimin e Serbisë në Bashkimin Europian. Në të gjitha dokumentet e Bashkimit Europian, Këshillit të Europës, Asamblesë Parlamentare… vazhdon edhe më tej të përdoret “YLLI” dhe shpjegimet që “çdo referim për Kosovën në këtë dokument, qoftë për territorin e saj, për institucionet ose popullin e saj, duhet të kuptohet duke respektuar plotësisht Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, pa paragjykuar statusin e Kosovës” (Rezoluta 1912 (2013) e Asamblesë parlamentare). Por, a është vërtetë neutrale kjo Asamble, Këshilli i Europës (s’ka të bëjë me Bashkimin Europian) dhe Bashkimi Europian në marrëdhëniet e tij me Kosovën? Kjo rezolutë dhe të gjitha dokumentet tjera të këtyre institucioneve dëshmojnë dhe vërtetojnë NJËANSHMËRI. I vetmi institucion i Bashkimit Europian që njeh shtetin dhe pavarësinë e Kosovës është Parlamenti i Bashkimit Europian, i cili ka kohë që Kosovës i referohet edhe në dokumentet e tij si një shteti të pavarur.
“Nëse preken kufijtë në veri të Kosovës, atëherë do të preken edhe kufijtë në jug të Serbisë, por mund të hapen çështje edhe në Maqedoni, Mal të Zi, Vojvodinë dhe pjesë tjera të ish Jugosllavisë”, ka thënë Poselt, duke bërë ftesë të mbështetet dhe të forcohet integriteti territorial i Kosovës, dhe të harrohet ndryshimi i mëtejmë i territoreve të ish-Jugosllavisë. Në këtë frymë foli edhe Lunaçeku dhe shumë deputet e deputete të Parlamentit të BE-së. “Të drejtat që do të kenë serbët në veri, po ato të drejta do t’i gëzojnë edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës”, kështu ka deklaruar raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek. Dhe kjo nuk është pak, po të kihet parasysh se Kosova Lindore ishte harruar tash dhjetë vite! Për te nuk u bisedua as në parlamentet dhe qeveritë e shteteve tona shqiptare!! Ishte MONUMENTI Ai që ringriti dhe risolli Kosovën Lindore në vëmendjen e Europës dhe të botës.
Është e lehtë t’u thuhet atyre bashkatdhetarëve në Kosovën Lindore nga Prishtina, pse nuk qëndruat ose pse nuk e mbrojtët MONUMENTIN? Madje, pati të atillë që u thanë pse e ngritët pa lejen e Qeverisë serbe, etj., etj..!! Por, para se t’u kërkosh të qëndrojnë është dashur të kryhen ca DETYRA të shtëpisë… Nuk besoj se ka ndonjë njeri normal që nuk e di akoma se në Kosovë nuk po qëndrojnë serbët (pakica serbe), por po qëndron Serbia me tërë fuqinë e saj institucionale, politike, ekonomike, diplomatike, fetare, financiare, policore… Nuk duhet të harrojmë se ishte një kohë, ishin do vite kur edhe në qytetet e Kosovës së sotme rrëzoheshin monumente, ndiqeshin, vriteshin, burgoseshin, helmoheshin, dhunoheshin shtëpitë dhe familjet tona…, kurse ne (një milion e gjysmë) ndiznim qirinj… Dhe, ajo që nuk duhet ta harroj asnjë shqiptar është: Pa shtetin shqiptar (edhe ashtu siç e kishin lodhur), pa Tiranën vështirë se do të bëhej dhe fitohej Lufta Antipushtuese dhe Çlirimtare e UÇK-së. Por, edhe për këtë mbështetje vendimtare të Tiranës nuk është pjesa e pushtuar ajo që duhet ta falënderoj pjesën e lirë të kombit. Do të duhej që pjesa e lirë e kombit të jetë falënderuese dhe gjithmonë në mbështetje të pjesës së robëruar të kombit. Në fund të fundit është detyrë e pjesëve të pushtuara të kombit të qëndrojnë, por detyrë mbi detyrat tjera e pjesëve të lira (në këtë rast e dy shteteve shqiptare) është organizimi, përkrahja dhe mbështetja me të gjitha forcat për pjesët e robëruara të tokave tona. Prandaj, edhe njëherë faleminderit Preshevë, faleminderit Kosovë Lindore, do të duhej dhe duhet të thonin përfaqësuesit e dy shteteve tona shqiptare dhe, tash e tutje, të ofrojnë gjithë përkrahjen, ndihmën dhe mbështetjen e nevojshme për Kosovën Lindore dhe për secilën pjesë të robëruar të kombit shqiptar. MONUMENTI i Preshevës dhe Lëvizja e shqiptarëve të Kosovës Lindore, si çështje që kërkon zgjidhje politike, mund të “shfrytëzohet” edhe për përmirësimin e pozitës së Kosovës në marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe me miqtë tanë, që jo pak po bëjnë trysni e shantazhe për të lëshuar pe dhe hapësirë akoma për interesat serbe në Republikën e Kosovës…

– Autori është anëtar i Kryesisë së PDK-së.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura