YLLI POLOVINA: BOMBARDIMET E NATOS TË NDALEN, 31 MARS 1999: NJËLLOJ SI IBRAHIM RUGOVA ASHTU EDHE KËNGËTARI SERB NË ITALI GORAN KUZMINAÇ! (17)

Tiranë, 3 Qershor 2019: Ylli Polovina, Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002. 

Shkrimi i shtatëmbëdhjetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” dhe portalin “Pashtriku.org”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës
***
Rreshtat e fundit të herës së shkuar, ndërsa përpiqeshim të argumentonim se ndërsa më 31 mars dhe 1 prill 1999 Ibrahim Rugova kërkoi publikisht ndërprerjen e sulmeve ajrore të NATO-s dhe zgjidhjen e krizës së Kosovës nëpërmjet rrugëve politike dhe diplomatike, shqiptarët masivisht kishin një prirje tjetër, të kundërtën.
Ata dëshironin intensifikimin e bombardimeve, atë të mundjes ushtarake të Sllobodan Millosheviçit.
Prandaj edhe në shkrimin e mëparshëm e informuam lexuesin se edhe personeli i Ambasadës tonë në Romë u mobilizua në këtë drejtim. Në 1 prill 1999 në stacionin “RadioRadio”, emitent radifonik që mbulon të gjithë Romën dhe krahinën e Lacios, nga ora 14.00 deri 14.25, mori pjesë në një bisedë për Kosovën edhe diplomatja Venera Domi. Në emisionin televiziv “Mobydik” kontribuoi Ilenia Mëhilli, korespodente e jashtme e ATSH-së në Romë. Tek programi “Pinokio” ra në sy për vendosmërinë e tij poeti nga Gjakova, por me banim në Zvicër, Diamant Abrashi. Dy herë rresht kjo studio e televizionit publik italian u lidh me kryeministrin kosovar në mërgim Bujar Bukoshi.
Herës së shkuar vumë në dukje po ashtu se në orën 18.30 për shtatë minuta kishte dhënë një intervistë në Radio Vatikani edhe Ismail Kadare.

Ndërkaq, duke e zgjeruar informimin për rolin e dukshëm të bashkëkombësve pro ndërhyrjes së NATO-s, shtojmë se në orën 17.00 deri 19.00 diplomati Visar Zhiti kreu një intervistë të gjatë në Radio “Incontro”, e cila edhe sot vijon të jetë me emër në Romë dhe krahinën e Lacios.
Pritej që në debat të merrte pjesë edhe një gazetare serbe, rezidente prej vitesh në kryeqytetin e Italisë, bijë e një ish-ministri të Titos, por në momentet e fundit ajo telefonoi dhe tha se “nuk kishte mundësi të vinte për shkak se ishte në punë”.
Dy gazetarë të radios e intevistuan Zhitin dhe ai për mbi 35 minuta shpjegoi hoillësishëm të vërtetën mbi Kosovën dhe hodhi poshtë me argumente pothuaj të gjitha tezat filoserbe që qarkullonin atë kohë në median italiane.
Pastaj diplomatit iu bënë 15 telefonata, ku tre qenë shqiptarë dhe pjesë tjetër italianë. Ata e cilësuan shumë të kualifikuar intervistën dhe të mbushur me informacion të padëgjuar.
Që të gjithë mbështetnin çështjen e Kosovës dhe nuk pati asnjë dëgjues që u shfaq kundër bombardimeve të NATO-s.
Pothuaj në të njëjtën kohë, por në veri të Italisë, në qytetin e madh të Milanos, televizioni i tij lokal “Lombardia” trasmentoi një emision për Kosovën me të ftuar serbë dhe shqiptarë. Arbëreshi Demetrio Patituçi dhe veprimtari i njohur i rajonit, Astrit Çela, argumentuan çështjen e drejtë të popullit kosovar. Emisioni pati shumë jehonë në shikues të Milanos.
Ndodhi edhe një pjesëmarrje tjetër e zëshme. Ky ishte regjisori kosovar prej më shumë se dy dekadash në Romë: Gjon Kolndrekaj. Ai qe bashkëpunëtor i RAI-t, Radio Televizionit Italian. Ndërsa në orën 12.30 të 1 prillit mori pjesë në emisionin “Faktet tuaja” të kanalit të parë, një mbrëmje më parë ishte i ftuar në studion e Bruno Vespës, programin e shumënjohur “Porta a Porta”, në të cilin përveç disa politikanëve vendas qenë të pranishëm edhe përfaqësues serbë. Madje ishte edhe ambasadori i Jugosllavisë në Romë, Miodrag Lekiç.
Pasi foli një futbollist serb i një skuadre italiane shumë të njohur, Gjon Kolndrekaj tha se nuk ishte dakord me të për një pjesë të atyre çfarë sapo pati shqiptuar. Pastaj shtoi: “Mbrëmë kam dëgjuar në telefon motrën time që banon në Pejë dhe më tha se e kishin evakuar me të gjithë familjen. Këtë e kishin bërë thjesht duke shkuar policët tek banesa e saj dhe i patën thënë: “Brenda dy orësh ju duhet të ikni nga shtëpia”.
“Por në qoftë se ne nuk ikim, çfarë do të na ndodhë?”, kishte pyetur ajo. Policët i kthyen përgjigjen: “Asgjë, do t’ju djegim bashkë me shtëpinë tuaj”.
Gjon Kolndrekaj duke iu drejtuar moderatorit të njohur të emisionit, tha: “Dua të them diçka, Bruno”. Pastaj kumtoi fjalët: “Babai im, i cili ka një vit që nuk jeton më, gjithë jetën ka punuar për të ndërtuar atë shtëpi. Ai ishte sipërmarrës dhe në shumë vende të Jugosllavisë ka ndërtuar banesa. Dhe i thosha: “Baba, përse e bën këtë?” Përherë më përgjigjej: “Unë kam ndjej frikë, më terrorizon parandjenja se diçka mund të ndodhë” dhe kujtonte saktësisht ato që u kishin ngjarë para Luftës së Dytë Botërore. Unë ia ktheja: “Baba, bota ka ndryshuar, ne jetojmë në një kohë të përparuar, të telekomunikacionit”, “E megjithatë, ma kthente, unë kam shumë frikë, ndjej terror”.
Kur Bruno Vespa bëri një gjest për t’i komunikuar regjisorit kosovar se tani duhej ta ndërpriste rrëfimin e tij sepse emisioni qe në përfundim dhe duhej të merrnin fjalën edhe të ftuar të tjerë, sidomos serbë, Kolndrekaj iu lut: “Më lër pak të flas Bruno, të shpreh ndjenjat e mia, e kam pritur këtë rast, sepse ka fëmijë që kanë ikur nëpër lartësi malesh dymijë e pesëqind metra, ku ka akull, është minus dhjetë, ndërsa ata nuk kanë çfarë të hanë”.
Pastaj Kol Gjondrekaj iu kthye me polemikë një politikani italian që mbronte palën serbe (kryetarit të Partisë Lidhja e Veriut, Umberto Bosit).
Në të njëjtën kohë u kujtoi të pranishmëve si edhe telespektatorëve të shumtë të këtij programi, rregullisht të ndjekur nga pesë deri gjashtë milion për edicion, se prej mërgatës shqiptare të pesë shekujve më parë të zbarkuar në Itali, arbëreshët, këtij vendi dhe populli i kishin dalë si përfaqësues të nderuar kryeministri i fillim shekullit Francesko Krispi apo politikani i popullit Antonio Gramshi.
Këmbëngulim: I mbyllur dhe tashmë edhe i mbajtur peng prej policisë së Sllobodan Millosheviçit Ibrahim Rugova nuk mund të dinte shumicën e ngjarjeve të rrokullisura nëpër botë dhe ca më pa pak të kish dijeni si zhvillohej hollësisht dinamika e çështjes së ndërhyrjes me sulme ajrore të Perëndimit. Doemos ai nuk mund aspak ta njihte nga afër edhe mobilizimin në median italiane të bashkëkombësve të tij.
Njeriu i fortë dhe arrogant i Beogradit pikërisht në këto çaste jo më kot u kujtua që në Prishtinë e kishte një kartë, të cilën mund ta përdorte kundër NATO-s.
Në të vërtetë Prishtinën trupat paraushtarake serbe dhe ato të policisë e jo fort dukshëm ato të Ushtrisë Popullore të Jugosllavisë, nuk e mësynë mëkot vrullshëm në mëngjesin e 31 marsit 1999.
Kjo ditë qe e mërkurë dhe në të diçka pati ndodhur.
Sekretari i Përgjithshëm i Aleancës Atllantike, Havier Solana, i pati deklaruar që nga Brukseli televizionit të madh informativ amerikan CNN se NATO ishte mjaft e vendosur për të ndaluar vrasjet e shqiptarëve në Kosovë si edhe për të dëmtuar sa më shumë makinën serbe të luftës.
Ishte një qëndrim jo vetëm aspak në zbutje, por edhe më i ashpër se më parë.
Ndërkaq “Washington Post” bënte të ditur se lista e objektivave që duheshin goditur me raketa dhe bomba, do të shtoheshin, tashmë duke përfshirë edhe ndërtesat qeveritare në zemër të Beogradit.
Ju kujtohet nga shkrimet e mëparshme se Adnan Merovci në librin e tij “Në hap me Rugovën” dëshmon se Millosheviçi në mesditën e 1 prillit 1999, me përballë Ibrahim Rugovën dhe atë, shante me çdo lloj fjalori të pistë të mundur Bill Klintonin, Toni Blerin, Zhak Shirakun apo Gerhard Shrëderin.
Qe efekt i deklaratave të Solanës dhe, siç do ta shonim më poshtë, edhe i njerësve të tij në krye të NATO-s.
Zëdhënësi i Aleancës Atllantike, Jamie Shea, e kishte përsëritur kumtin paralajmërues të shefit të vet, duke saktësuar se “ajo do ta shtrijë volumin dhe ritmin e operacioneve me qëllim që të maksimalizojë efektshmërinë e fushatës (së bombardimeve). Shea pati saktësuar prerë se “Çdo strukturë apo njësi që po përdoret aktualisht për të planifikuar, konceptuar dhe drejtuar fushatën ushtarake jugosllave kundër kosovarëve, do të jetë shenjë”.
Zëdhënësi Jamie Shea po ashtu nuk e kish kursyer akuzën se Millosheviç po përpiqej të eliminonte identitetin e shqiptarëve të Kosovës dhe se për këtë qëllim “Forcat jugosllave prej atyre të dhënave që po mësojmë, po shkatërrojnë arkivat e popullit kosovar, dokumente pronësie, çetifikata lindjeje, dokumente financiare dhe të çdo lloji tjetër”. Referuar romanit “1984″ të autorit anglez George Orwell, ai pati theksuar se “Ky është një skenar oruellian për ta privuar një popull nga e kaluara e tij, larguar prej ndjenjës së bashkësisë dhe çdo elementi tjerër, me të cilët formohet historia”.
Ndërkaq në mbështetje të deklaratës së fortë të 31 marsit 1999 të Havier Solanës kishte folur edhe zëdhënësi ushtarak i NATO-s, oficeri i lartë i Forcave Ajrore David Wilby. Ky pati shpërndarë një komunikatë të fundit për shtyp të Aleancës, sipas të cilës, sapo qenë goditur në Jugosllavi një aeroport për helikopterët në Novi Sad, një aeroport tjetër avionësh luftarakë në Nish si edhe një bazim ushtarak në Prishtinë.
Ky bombardim i fundit në kryeqendrën e Kosovës do të thotë se ka qenë pothuaj paralel me çastin kur Ibrahim Rugova jepte konferencën e tij të shkurtër për shtyp dhe ku kërkoi ndërprerjen e bombardimeve. Ndoshta ato shpërthime, të dëgjuara patjetër deri në dhomat e banesës së tij në lagjen Velanie kanë qënë në mos shtysa, sfondi i shtrëngimit pse duhej deklaruar përfundimi i atyre gjëmimeve.
Ndërkaq Wilby pati raportuar për opinionin publik ndërkombëtar atë 31 mars se deri ato çaste kishin shkatërruar, në ajër dhe në tokë, 30 aeroplanë luftarakë jugosllavë.
Këtë intensifikim të fushatës operacionale të NATO-s e konfirmoi brenda 31 marsit edhe vetë agjencia jugosllave e lajmeve TANJUG. Ajo pohonte se raketa të Aleancës Atllantike patën goditur zonën industriale të Beogradit dhe instalimet ushtarake përreth Prishtinës. Kjo agjenci theksoi se NATO në 31 mars, përveç bombardimit të një strukture të forcave të saj ajrore në Kragujevaç, kishte lëshuar prej avionëve të saj edhe bomba thërrmuese në periferi të Pejës, duke goditur një lagje të banuar nga serbët.
Kështu dita e 31 marsit 1999 u bë “zjarr i kryqëzuar” mes denoncuesve dhe përkrahësve të Millosheviçit.
Në Hagë Gjykata Penale Ndërkombëtare për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi, nëpërmjet kryeprokurorit të saj, gjyqtarit kanadez Louise Arbour, gjatë një konference të posaçme për shtyp, shpalli zyrtarisht të akuzuar ultranacionalistin Arkan (Zheljko Raznjatoviçin) dhe lëshoi me këtë rast një urdhër-arresti.
Në Romë, ndërsa ndiqnim nga Ambasada zhvillimin e pleksur të ngjarjeve na bëri përshtypje “hyrja në lojë” këto momente e një Gorani të dytë, jo atij me mbiemrin Bregoviç, i cili ishte boshnjak dhe me bandën e vet të famshme muzikore kishte jo pak fansa në gadishullin Apenin.
Dalja tij kundër bombardimeve të NATO-s, kudo ku shpallej nëpër Ballkan, peshonte sadopak.
Por ndërsa hapeshin fjalë se për një koncert kundër luftës ai do të vinte edhe në Itali, në vend të dukjes së tij të hamëndësuar shkëndijoi si lajm një Goran tjetër. Ky qe serb dhe ndryshe nga Gorani mjaft popullor që banonte në viset e veta të lindjes, ky jetonte në Itali.
Siç Goran Bregoviç do të bënte në Selanik, bashkë me këngëtarin e shumënjohur grek Jorgos Dallaras apo një herë tjetër me këngëtaren Haris Aleksiu koncerte kundër ndërhyrjes së NATO-s (si edhe CD muzikore), Gorani i dytë, i cili e kishte mbiemrin Kozminaç, po ashtu nxorri një album të tij me dy melodi si thirrje për të njëjtin qëllim: avionët e Aleancës Atllantike të qëndronin në tokë e të mos ngriheshin për të sulmuar Jugosllavinë.
Për ndonjë rol të veçantë në jetën publike italiane të Goran Kozminaçit ndaj çështjes së Kosovës nuk dinim asgjë. Të paktën gazetat e shumta nuk kishin bërë fjalë ndonjëherë. Ai nuk gjeti ndonjë vend nëpër të përditshmet italiane si edhe në kanalet kryesore televizive as në 31 mars 1999, përveç se në kronikën informative ditore të agjencisë së lajmeve Adnkronos, me të cilën, siç ju kemi paraqitur në shkrimet e mëparshme, kisha vendosur raporte shumë të mirëkuptuara bashkëpunimi.
Goran Kuzminaç ishte mjek në profesion, pati lindur në qytezën e Zemunit, 15 km në afërsi të Beogradit. I emigruar në Itali pati rënë në sy për profilin e tij si kurues shëndetësor nëpërmjet muzikës, por edhe sepse herë pas here opinioni vendas e sillte ndërmend si kantautor të disa sukseseve si “Ehi ci stai” (Hej, je ti?) dhe “Stasera l’aria e’ fresca” (Këtë mbrëmje ajri është i freskët).
Goran Kuzminaç, i cili sapo pati nxjerrë albumin e tij të ri “Këndet e botës” me dy këngë me temën e luftës, i kishte deklaruar agjencisë Adnkronos, nga qyteti i Goricias ku po jepte koncert në mbrojtje të Serbisë dhe kundër Aleancës Atllantike, se “Kjo është një luftë e qëndrimit të dyfishtë, e dizinformimit dhe e shkatërrimit”. Po ashtu: “NATO duhet të ndalë bombardimet e Serbisë. Në rast se vazhdon këtë rrugë gjithçka do të marrë flakë dhe pastaj tepër e vështirë të frenohet”.
Gorani i dytë shpjegonte se në Serbi kishte të gjithë njerëzit e tij, prindërit, xhaxhallarët, kushërinjtë me të cilët përditë komunikonte me email. “Unë druaj, thoshte ai, që shtëpia ime është akoma në këmbë. Askush nuk e ka kuptuar këtë luftë, serbët nuk janë irakenë…Gabimet, vrasësit dhe bandat kriminale janë tek të gjitha krahët, si tek shqiptarët ashtu edhe tek serbët. Apo mos doni ta cilësoni “pastrim etnik” atë që anglezët kryejnë në Irlandën e Veriut?”
Goran Kuzminaç shprehej i bindur se ajo luftë nuk do të zgjidhte asgjë, madje serbët po e jetonin si një periudhë heroike të historisë së tyre. Ndërkohë shtonte: “Unë jetoj 30 kilometra larg bazës ajrore të Avianos, përnatë ndjej mbi kokën time avionët që nisen çdo njëzetë minuta për të bombarduar qytetin tim dhe kjo është e tmerrshme”.
Duke e mbyllur intervistën e vet me Adnkronos Kuzminaç lajmëronte se koncertin e tij kundër luftës ndaj atdheut të tij do ta vijonte në Romë në datën 7 prill. Por në median kryesore italiane as në 7 dhe as në 8 prill, si edhe në ditët e mëpastajme, nuk u gjet ndonjë gjurmë lajmi e këtij koncerti.
Në 7 prill në “La Stampa” Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Havier Solana, jepte një intevistë, ku mes të tjerash, deklaronte: “Objektivat e Aleancës janë të qarta dhe janë po ato të fillimit. Duam një Kosovë shumetnike, ku njerëzit mund të jetojnë të paqe dhe jo si në gjendjen e viteve të fundit. Për të arritur këtë objektiv Millosheviçi duhet të ndryshojë rrugë. Duhet të ndërpresë vrasjet, duhet të tërheqë trupat e tij ushtarake dhe të policisë nga Kosova, refugjatët duhet të kthehen dhe duhet të vendoset një forcë ndërkombëtare për siguri në Kosovë dhe për atë që njerëzit të mund të rikthehen në vendin që i përkasin. Ky dhe vetëm ky është pozicioni i përbashkët i Aleatëve”; “Koha për të vendosur trupat është e shkurtër, ca më tepër që Forcat e Veprimit të Shpejtë tashmë janë vendosur në Maqedoni. Por trupat e NATO-s do të vendosen në Kosovë vetëm pas një marrëveshjeje”; “Ne nuk duam të lehtësojmë presionet mbi Millosheviçin”.
Shtypi italian njoftonte gjithashtu se përveç Millosheviçit dhe Mirjanës, të shoqes, që po rrinin në Beograd, pjesa tjetër e familjes ndodhej në Kretë, tek disa miq grekë. Gazetat këtë e konsideronin edhe si tregues të gjendjes jo fort të sigurtë për jetën që ka rreth e rrotull presidenti jugosllav.
Në 8 prill në orën 8.40, në mbrojtje të çështjes së Kosovës në RadioRadio bëri një intervistë dhjetëminutëshe Visar Zhiti. Në orën 17.00 në radion lokale të Romës RadioFlesh isha unë që për temën e Kosovës dhashë një intervistë të shkurtër. Në orën 18.10, në edicionin e posaçëm informativ të Raiuno për Kosovën, ndërhyri dy herë me fjalën e saj Nermin Vlora Fallaski. Në orën 23.10 e deri më 00.30, në emisionin “Pinokio” të Raidue, foli disa herë dhe mbrojti çështjen e popullit kosovar analisti Arian Konomi.
Ishin shumë ata që mbështetnin intensifikimin e bombardimeve të NATO-s, mjaft pak e mbështetur platforma e Ibrahim Rugovës për ndërprerjen e tyre.
(VIJON)
Ylli Polovina – Tiranë, më 30 prill 2019

_______________________

YLLI POLOVINA: BEOGRAD, 1 PRILL 1999, IBRAHIM RUGOVA ME SYTË PËRDHE! (16)

https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=8806

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura