YLLI POLOVINA: KUR NATO NUK BOMBARDON DITËN E PASHKËVE ORTODOKSE, 11 PRILL 1999 (20)

Tiranë, 23 Qershor 2019: Shkrimi i njëzetë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” dhe “Pashtriku.org”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës. Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.

***
Shqipëria u sulmua nga Italia fashiste në 7 prill 1939, pikërisht në ditën e Festës së Pashkëve Katolike. Vatikani heshti jo vetëm për pabesinë që iu bë një vendi sovran dhe anëtar të Lidhjes së Kombeve, por edhe ngjarjes së saj të shenjtë.
Dy vite më pas mbretëria e Jugosllavisë u agresua prej nazistëve gjermanë pikërisht në ditë Pashke.
Kur në 1999 ngjarjet në Ballkan kapën fund marsin dhe hynë në muajin prill çështja nëse NATO do ta vijonte bombardimin e Jugosllavisë së mbetur edhe gjatë ditës së Pashkëve Ortodokse, u bë mjaft e ndjeshme.
Atë mot Pashkët Katolike u festuan në 4 prill, e diel, ato Ortodokse ranë një javë më pas, të dielën e 11 prillit.
E rikujtojmë lexuesin se deklarata e Havier Solanës në 31 mars 1999, një javë pasi makina ushtarake e Aleancës së Atllantikut të Veriut, NATO, jo vetëm nuk do ta pakësonte apo zbuste sulmin me bombardime nga ajri, toka dhe deti kundër Sllobodan Millosheviçit, por në të kundërt, do ta shumonte dhe kryente pa pushim, në çdo orë dhe ditë, përfshi edhe festën e Pashkëve Ortodokse, krijoi trazim dhe hodhi në kundërveprim veçanërisht rusët.
Për ta ishte një rast i mirë jo thjesht vetëm për të mbrojtur lidhjet e tyre etnike dhe shpirtërore me serbët, por edhe për t’i treguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës se edhe ata qenë një shumëfuqi.
Ato çaste vendi i tyre, i pas sovjetikëve, ishte më aktivi për t’i qëndruar në krah Sllobodan Millosheviçit dhe për ta shpëtuar atë nga shkatërrimi politik. Rusia nuk mund të përdorte tjetër mjet, prej pafuqisë ushtarake, veç diplomacisë. Këtë “armë” e zotëronte mirë dhe nëpërmjet saj mund të bashkonte rreth vetes jo vetëm ish-komunistë, por edhe deri disa tipa antikomunistësh që kishin mëri të vjetër ideologjike ndaj vendeve demokratike.

Kështu nisi aksioni më i madh anti NATO që nga fillimi i ndërhyrjes së saj në mbrojtje të çështjes së lirisë së Kosovës, shpërtheu kundërmësymja e 31 marsit, e ditës kur në orët e drekës edhe Ibrahim Rugova me një konferencë të shkurtër shtypi në Prishtinë dhe të nesërmen në duarshtrëngimin e detyruar me Sllobodan Millosheviçin, do ta përsëriste para tërë botës kërkesën për ndërprerjen e bombardimeve.
Kundërmësymja diplomatike ishte fort e harmonizuar. Disa orë më pas nga konferenca-blic e Presidentit të Kosovës hyri në veprim përfaqësuesi i Jugosllavisë së mbetur pranë Organizatës së Kombeve të Bashkuara, ambasadori Vladislav Jovanoviç. Ai deklaroi se shqiptarët e Kosovës po largoheshin nga shtëpitë dhe vendbanimet “jo nga gjoja dhuna serbe”, por prej bombardimeve të qëllimshme të avionëve të NATO-s.
Sipas tij Aleanca e Atllantikut të Veriut, për të justifikuar agresionin ndaj Jugosllavisë, po krijonte një gjendje humanitare artificiale.
Kjo ishte ato çaste edhe teza kryesore e Millosheviçit, të cilën, siç e kemi bërë të ditur në shkrimet e mëparshme, ai e bëri të ditur edhe në prani të Ibrahim Rugovës dhe të ndihmësit të tij Adnan Merovci në Beograd në mesditën e 1 prillit 1999.
Kështu në një pikë me prani të madhe të medias botërore, Nju Jork dhe OKB, Vladislav Jovanoviç e konsideroi krizën e refugjatëve kosovarë si të sajuar.
Pas kësaj deklarate, gjithnjë në kundërveprim ndaj asaj të Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s Havier Solana, Jovanoviç i dha një intervistë stacionit televiziv amerikan CNN, shkoi edhe më tej në nivelin e e kundërshtimit. Ai tha se në lidhje me Kosovën qeveria e tij nuk po bënte asgjë më tepër se luftën kundër terrorizmit, siç ato kohë e bënin shumë vende të Perëndimit, përfshi edhe SHBA.
Terroristët brenda vendit tonë, saktësoi Vladislav Jovanoviç, nuk janë gjë tjetër veç njerëzit e UÇK-së, të kësaj ushtrie ilegale separatiste.
Jovanoviç i mëshoi pikëpamjes se administrata e Shteteve të Bashkuara të Amerikës SHBA po bashkëpunonte me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës për të përhapur ndikimin e NATO-s në Ballkan.
Agjencitë kryesore italiane të lajmeve, ANSA dhe Adnkronos, por edhe të tjerat, që i shpërndanë me shpejtësi veprimet e forta të përfaqësuesit të përhershëm të Jugosllavisë së OKB, nuk u mjaftuan me citimin e fjalëve të tij, por u përpoqën ta mirinformojnë publikun vendas me një fakt: “Dhjetra mijra shqiptarë ditët e fundit kanë shkuar si refugjatë në Maqedoni” dhe “shumë prej tyre i kanë referuar CNN-it për vrasje që janë kryer nga ushtria serbe, prej njësive të policisë paraushtarake, po ashtu që ato kanë kryer plaçkitje, dëbime të detyruara si edhe vënie flake banesave”.
Ky reagim i parë i medias italiane, i cili u vlerësua shumë në Ambasadën Shqiptare në Romë dhe për këtë brënda asaj dite u vu në dijeni Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë, qe shenjë shumë e mirë se alternativa e Perëndimit do të ecte drejt epërsisë së saj të bindjes së opinionit publik ndërkombëtar jo vetëm për shkak të forcës ushtarake, por edhe të çështjes humane që kish marrë përsipër.
Italia qe mbartësja më e madhe në europerëndim e pacifizmit dhe e kundërshtimit të luftës, por njëkohësisht ishte një vend me opinon demokratik të zhvilluar, ku kultura e lirisë i mbante aktive grupet shoqërore në favor të shqiptarëve të Kosovës.
Edhe pse me gjashtë orë diferencë, kundërsulmi i ambasadorit Vladislav Jovanoviç që nga Nju Jorku u harmonizua me bashkëkombësit e tij në Beograd. Të mbledhur për të ndjekur një koncert rrok në 31 mars serbët mbanin nëpër duar parrulla të shkruara për të denoncuar “agresionin kriminal të NATO-s kundër një vendi sovran”.
Ndërkohë këtë ditë të 31 marsit pati ndodhur edhe një ngjarje, e cila konfirmonte mësymjen mediatike dhe diplomatike të Moskës kundër asaj që pati deklaruar dhe nisur realisht të vepronte: në Romë kishte ardhur për një vizitë ish-kryeministri rus Egor Gaidar.
Me këtë rast agjencia italiane e lajmeve Adnkronos vinte në dukje se “As Millosheviçi nuk mund ta injoronte çfarë po ndodhte në opinionin publik serb” dhe se tashmë ai e dinte që vërtet në ditët e para të sulmit të NATO-s prestigji i tij u rrit, por pas kapërcimit të javës së parë gjërat po rrokulliseshin në të anasjellë: popullariteti i tij si njeri i fortë dhe që ja dilte të mbronte vendin e vet, po binte. Taksa 5 përqind që kishte vënë për shkak të gjendjes nën bombardime, por edhe vetë arsyet psikologjike të pësimit nga lufta, mund të çonin në bllokim të prodhimit industrial, pra në një kolaps ekonomik.
Kjo do të jepte pasoja sociale dhe me kohë do të provokonte rënim të pushtetit të Millosheviçit, pse jo edhe përpjekje për ta hequr qafe nga brenda.
Ishte momenti kur të dyja palët, NATO dhe Jugosllavia e Sllobodanit, po luftonin kundër kohës dhe fitimtar do të qe cili ishte më e shpejtë dhe më agresiv në veprimet e veta.
Ish-kryeministri rus i vitit 1992 dhe në motin 1993 ministër i Ekonomisë, pati mbërritur në 31 mars në Romë gjatë një “misioni paqeje” të kryer vrullshëm në Beograd po atë ditë, ndërsa 24 orë më parë kishte qenë në Budapest.
Gaidar, i cili qe i shoqëruar edhe nga dy ish-ministra të tjerë pas sovjetikë, do të takonte në Selinë e Shenjtë Sekretarin e Shtetit të saj, kardinalin Anxhelo Sodano (Angelo Sodano). Biseda do të bëhej në studion private të këtij të fundit. Do të ishte i pranishëm edhe vetë ministri i Jashtëm i Vatikanit, monsinjor Zhan Luis Toran (Jean Luis Tauran).
Ndërkohë në 30 mars Vatikani kishte mbledhur urgjentisht të gjithë ambasadorët e saj të akredituar nëpër vendet e NATO-s.
Objektivi: të sillte paqen në Kosovë, çfarë donte të thoshte edhe pushimin e luftimeve të armatosura, ndërprerjen e pastrimit etnik të shqiptarëve si edhe, bashkë me këto, mosngritjen më në ajër të avionëve të NATO-s për të bombarduar nyjet strategjike ushtarake të Jugosllavisë së mbetur.
Egor Gajdar, me të mbërritur në kryeqytetin italian, shpalli nismën e re diplomatike: për hir të mbarëvajtjes së Pashkëve Ortodokse, kisha serbe, ajo ruse, por edhe Kisha Katolike e Vatikanit, patën bërë gati një thirrje për ndërprerje të bombardimeve kundër Jugosllavisë.
Gaidar me këtë rast pati vlerësuar “Rolin që të tre Kishat mund të luajnë në këtë lojë të vështirë diplomatike dhe se kjo ka shumë rëndësi sepse, për shkak të autoritetit moral që kanë, mund të jetë vendimtare”. Egor Gaidar pohoi se qe i pashpresë se njëra nga të dy palët ose të dyja bashkë, NATO dhe Sllobodan Millosheviçi, mund t’ia dalin të merren vesh. Janë shumë të vendosur në pozicionet e tyre”.
Në 31 mars 1999, e cila prej Sllobodan Millosheviçit shpresohej të qe pika e kthesës së favor të tij të përballjes me Aleancën e Atllantikut Verior, do të përpiqej të jepte edhe një goditje tjetër. Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, delegacioni rus kërkoi që në tematikën e punimeve të saj të futej edhe çështja e Kosovës.
Kjo u përkrah nga përfaqësuesit e Italisë, të Ukrainës, të Qipros dhe të Greqisë, çfarë ndikoi që Asambleja të miratonte, me një shumicë absolute, një rezolutë sipas të cilës të organizohej një konferencë ndërkombëtare mbi ndihmat humanitare për refugjatët dhe viktimat civile të sulmeve të NATO-s.
Delegacioni rus që bëri propozimin, i cili nga Asambleja priste më shumë mbështetje për Sllobodan Millosheviçin, gjithsesi bëri të kënaqurin dhe ripërsëriti urimin që në Jugosllavi më në fund të kishte paqe. Që kjo nismë diplomatike të niste mbarë, sipas delegacionit rus në Asamblenë e Këshillit të Evropës, gjesti i parë garant që duhej bërë ishte ndërprerja e bombardimeve.
Ja pse në këtë strategji merrte epërsi Festa e Pashkëve.
Egor Gajdar në 31 mars pasdite në Romë bënte pjesë në një “dërgatë të vullnetit të mirë” për paqen, por ndërkohë në prapashpinë të fushatës së tij parlamenti rus në të njëjtën kohë me të bënte të kundërtën: kërcënonte me përdorim force.
Këshilli i Federatës Ruse, e cila qe Dhoma e Lartë e Parlamentit, i kërkoi zyrtarisht qeverisë në Kremlin që të anullonte embargon e bërë ndaj Beogradit për shitjen e armëve. Shkuan edhe më tej në formulim: “Tani është momenti i duhur t’i dërgojmë armë Jugosllavisë”.
Parlamentarët rusë shpalleshin po ashtu shumë të dëshiruar që në mbështetje të Serbisë të dërgoheshin vullnetarë ushtarakë dhe civilë dhe për ta lehtësuar këtë lëvizje të miratoheshin ligje operativë mospengues dhe madje nxitës.
Në të njëjtën kohë ministri rus i Mbrojtjes, Igor Sergejev, kishte deklaruar se e patën informuar zyrtarisht Turqinë me qëllimin e tyre për të dërguar në Mesdhe një luftanije rikonjicioni detar. Ajo duhej të ishte afër “rajonit të konfliktit në Jugosllavi”.
Ndërkohë, me në sipërfaqe delegacione të vullnetit të mirë për paqe, nga poshtë vijonte kërcënimi i nëndheshëm rus. Ai qe ndjerë në Malin e Zi. Burime shërbimesh të fshehta konfirmonin të dhëna rreth një plani për grusht shteti nga armata serbe dhe marrje të pushtetit nga njerës të Beogradit. Sipas lajmeve, kjo gjendje e re qe bërë e dukshme nga që qeveria malazeze po armatoste masivisht njerës të saj, duke i veshur me uniforma policie. Këta patën nisur stërvitjen për të përballuar një sulm të papritur të ushtrisë jugosllave.
Ndërkaq në Beograd Millosheviçi po udhëhiqte edhe veprime shantazhi kundër Italisë, edhe pse mes vendeve të Perëndimit, atë e kishte më të afërt për ndonjë mirëkuptim. Dy gazetarë italianë qenë arrestuar nga policia. Të dy ishin kundër veprimeve të dhunës të trupave speciale serbe dhe qenë shprehur kundër politikës së ndjekur nga Millosheviçi.
Këta gazetarë ishin Luçiano Guli i gazetës “Il Giornale” dhe Vitorio Del’ Uva i “Mattino”. Guli jepte edhe një intervistë të gjatë, ku tregonte për dhjetë orët e ndalimit e të hetimit të tij në polici.
Dy gazetarët më pas qenë liruar.
Ndërkaq në mëngjesin e 1 prillit prej një turme demonstruesish serbë u hodhën gurë drejt ambasadës italiane në Beograd.
Por një ditë më parë në median italiane u përhap edhe lajmi se për mbledhjen e provave për krimet më të fundit serbe në Kosovë po punonte një avion pa pilot. Ai kishte mbërritur në 27 mars në Tuzlla të Bosnjës dhe në fund të asaj jave do të ngrihej në ajër për të gjetur vendet e kryerjes së masakrave dhe të gjitha krimeve të tjera.
Avioni i quajtur Predador arrinte të fotografonte edhe sa pasagjerë kishte të hipur në një makinë.
Në vitet 2007 dhe 2008, kur pas përfundimit të mandatit tim të shërbimit në Romë, u riktheva në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë, në vijim të pasqyrimit të motit 1999 si periudhë kulmore e luftës së shqiptarëve dhe të bashkësisë demokratike ndërkombëtare për çlirimin e Kosovës, do të botoja librat “Një kolonel midis Tiranës dhe Prishtinës” si edhe “Lamtumirë kallashnikov”.
Qenë kryesisht rrëfime të jashtëzakonshme të dy bashkëkombësve nga Shqipëria, kolonelit Dilaver Goxhaj, i cili u bashkua vullnetarisht me UÇK dhe u bë një nga nënshefat e shtabit të përgjithshëm të saj dhe analisti gjeopolitik Arjan Konomi, i emigruar në Itali, i cili u shndërrua në figurën qendrore më të spikatur të mbrojtjes së lirisë së Kosovës në median fqinje.
Këtyre dëshmive të fundit, përherë duke mos u dhënë hapësirë kryesore në këtë cikël shkrimesh (por vetëm në sfond si ilustruese), do t’u rikthehemi herë pas here sepse bëjnë pjesë në vlerat e vyera të historisë kombëtare. Kjo nuk ua sfumon shërbimin që kryejnë: informimin e lexuesve pas njëzetë vjetësh që lufta e Kosovës ka përfunduar.
***
Tani le të rikthehemi tek rrjedha e domosdoshme e rrëfimit, asaj që përjetova dhe regjistrova drejt për së drejti gjatë punës në Ambasadën tonë në Romë.
Pra, a e bombardoi NATO Jugosllavinë e mbetur në ditën e Pashkëve Ortodokse, në 11 prill 1999?
Gjithë javën para të shtunës (10 prill) në mbrëmje, kur zyrtarisht do të niste riti i festimeve, veçanërisht në Beograd kishte frikë dhe zemërim ndaj Aleancës së Atllantikut të Veriut. Po ashtu edhe shumë lutje.
Pashkët Ortodokse kishin territorin e hegjemonisë së tyre dhe kryeqyteti jugosllav nuk ishte i vetmi. Qe Moska, Sofia, Athina. Bombat që do të binin në Beograd do t’i ndjenin virtualisht edhe qendrat e tjera të Krishtërimit pas bizantin.

Në prag të mesnatës së të shtunës për të dielë kryepeshkopi serb Pavllo, i shoqëruar nga mijra besimtarë, i erdhi rrotull tri herë rresht Katedrales, pa harruar të deklaronte se “Feja në ringjalljen e saj dhe në fitoren e jetës mbi vdekjen është një burim optimizmi edhe nën goditjet brutale të rendit të ri botëror, i ri në fjalë, por i vjetër në barbarinë e vet”.
Në të djathtë të altarit, përreth një qiriri të madh, rrinte një flamur serb. Pranë ishte një delegacion atamanësh kozakë me uniforma, ardhur posaçërisht për të deklaruar solidaritetin e tyre: “Jemi me ju. Gjaku sllav rrjedh në venat tona”.
Qe i pranishëm në ceremoni edhe një dërgatë nga bashkia e qytetit italian të Venecias. Ai kishte sjellë me vete tre letra të kryetarit të asaj bashkie, filozofit të majtë Masimo Kaçari (Massimo Cacciari). Njëra ishte për patriarkun Pavllo, e dyta për Ibrahim Rugovën dhe e treta për Sllobodan Millosheviçin. U ofronte të treve dëshirën që në Venecie të mbahej një konferencë paqeje për Kosovën.
Por letrën për Rugovën hierarkët e krishterë serbë nuk e pranuan, duke u justifikuar se dërguesit le t’ja jepnin në dorë vetë Millosheviçit.
Nëpër mesnatë dhe gjatë orëve të tjera, përfshi edhe orët e ditës së të dielës, beogradasit nëpër rrugë shkëmbenin vezë të kuqe me njeri-tjetrin dhe bënin ritin e përplasjes mes tyre kush ishte më e forta. Në Sheshin e Republikës këndoi Gjeorg Ballasheviç. I kishte këngët të adresuara kundër NATO-s.
Pasi e mbaroi koncertin e vet, në podium hipën Arkan me të shoqen. Tamam si për t’u kujtuar beogradasve që edhe ajo festë Pashkësh nuk binte erë gjak prej avionëve të NATO-s, por edhe sepse qe vrarë gazetari disident i regjimit të Sllobodan Millosheviçit, Sllavko Çuruvija.
Ndërkohë një gazetar italian që, duke ndjekur festimet, po udhëtonte nga Dedinja për t’u rikthyer në Beograd, rrugës pa disa dyqane frutash, të cilat ishin djegur dhe xhamat e tyre thyer:
Ishin të shqiptarëve.
Pati ndodhur ajo që serbët nuk e besonin. NATO nuk kish bombarduar që prej natës së kaluar, kur nisi riti zyrtar i festimeve. Tani ishte ora njëzetë e së dielës, 11 prill 1999. Duheshin dhe pak orë që cikli i plotë i kremtimit të Pashkëve Ortodokse të mbyllej, por fiks në 20.00 filluan të fishkëllenin sirenat e alarmit.
Avionët bombardues të Aleancës të Atllantikut të Veriut po riktheheshin. Jo vetëm në Serbi, por gjithkund nëpër Ballkan dhe eurokontinent u përhapën me këtë rast fjalë se pushimi mbi njëzetë orësh i NATO-s qe shkaktuar prej motit të keq, por ata që e kuptonin më mirë logjikën demokratike nga ajo diktatoriale të Hitlerit në prill 1941, shpjegonin se ishte vendim politik tolerant i asaj makine të fuqishme ushtarake që të bënte një pezullim pa e pushuar ciklin e vendosjes së drejtësisë ndaj një diktatori kundër një populli.
Në fund të fundit Krishti duhej të ishte me të gjithë.
(VIJON…)
Ylli Polovina – Tiranë, më 21 maj 2019
_____________
YLLI POLOVINA: SI NDODHI QË NUK MUNDA T’I THEM HAVIER SOLANËS ‘FALEMINDERIT ÇFARË BËTË PËR SHQIPTARËT E KOSOVËS!’ (19)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8853

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura