YLLI POLOVINA: SHQETËSIMI I PASKAL MILOS NGA NJË SHTREMBËRIM LAJMI RRETH NJË DEKLARATË TË TIJ PARA GAZETARËVE ITALIANË NË KUKËS (6)

Tiranë, 8 mars 2019: Ylli Polovina, Sekretar i Parë në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë në Romë nga 8 dhjetori 1997 deri në 3 mars 2002.
Shkrimi i gjashtë i ciklit me kujtime, ekskluzivisht për “Illyria” dhe “Pashtrikun”, kushtuar 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s dhe çlirimit të Kosovës

***
Në parlament në 19 maj 1999 kryeministri italian kishte thënë mes të tjerash se “Tani ka një krizë të opinionit publik italian. Ai ndihet i lodhur nga lufta”.
Duke shqiptuar këto fjalë Masimo D’Alema nuk bënte demagogji për të mbrojtur qeverinë dhe përkrahjen që jepte për NATO-n, çfarë ishte plot vetëdëmtim për të. Ai deklaronte një të vërtetë. Më tepër se një javë më parë, në 10 maj, një sondazh vërtetonte se që nga prilli në maj mbështetja e opinionit publik italian për luftën në Kosovë e Jugosllavi kishte rënë 7 përqind.
Rezultati përfundimtar i rënies në pikiatë tashmë qe: më shumë ishin kundër se pro saj.
Ja pse që nga mesi i majit 1999 në territorin italian duhej të vozitje kundër një shumice popullore. Me pak fjalë, jo vetëm lufta me armë, bomba nga ajri dhe raketa, por edhe ajo me fjalë, me faqe gazetash dhe pamje televizive, me libra e çdo gjë tjetër që materializohej në germa, do të zhvillohej në këtë terren tashmë të pafavorshëm jo vetëm për qeveritarët vendas, por edhe për ne punonjësit me ndikim modest të Ambasadës Shqiptare në Romë.
Sigurisht për ne, kjo nuk ishte gjë e paditur. Ne e ndjenim gropën që po krijohej para se të shpalleshin sondazhet. Që në fillim, madje që në periudhën e para luftës, i kishim pasur kundër tërë komunistët radikalë. Por edhe shumë prej të moderuarve. Këta, të ashpër e të butë, qenë shpërndarë në disa parti, ku radikalët identifikoheshin lehtë për shkak se qëndrimi kundër UÇK dhe anti NATO qe vijë partie. Ndërkaq për të moderuarit kundër luftës, të cilët ndodheshin edhe mes të Partisë Demokratike të së Majtës, duhej të ishe i vëmëndshëm t’i kuptoje vetëm nga nuancat e formulimeve. Këta përpiqeshin të mos i nënshtroheshin kursit të partisë së tyre, PDS, i cila në parim ishte pro Atllantik, por bënte flirte nostalgjike me Revolucionin e Tetorit dhe familjen e madhe sllave.
Këta mospërkrahës të ashpër e të butë mes komunistëve dhe ish-të tillëve, nuk qenë pak, sepse dikur, tre dekada më parë, PKI, mëma e tërë kësaj diaspore të përndarë në copra, ishte partia më e madhe komuniste në Evropë.

– Paskal Milo –

Ndërkohë, dhe këtë duhet ta themi, në mbështetje nuk kishim një forcë gjigande, globale, me autoritet shumë të madh: Vatikanin. Selia e Shenjtë dhe Papa Vojtila mosmiratimin e tyre nuk e kishin me shqiptarët, por me vetë Luftën. Ata qenë vendosmërisht kundër saj, sepse përherë kishin përkrahur rrugën e paqes për të gjitha konfliktet, doemos edhe për zgjidhjen e krizës së Kosovës.
Dihet, Kisha e Krishterë është “shteti i dytë” në Itali, me një rrjet të dendur të strukturës së saj tepër funksionale, të shtrirë jo vetëm këtu, por në të gjithë botën.
Kështu tashmë qe bërë çështje e mprehtë dhe tepër delikate mënyra se si do të mbrohej kauza e luftës me armë ndaj Sllobodan Millosheviçit dhe regjimit të tij. Po të zbehej dhe fikej ajo, Kosova do të rikthehej në fatin e trishtë të mëparshëm, nën Serbi.
Ndodheshim në një rrethanë të tillë kur në mbrëmjen e 20 majit, saktësisht në ora 20.10, ndërsa ndodhesha në shtëpi dhe po regjistroja në videokasetë edicionin informativ të RAIUO dhe TG5, më mori në telefon ambasadori. Ishte pothuaj i alarmuar. Që nga Tirana e pati telefonuar Ministri dhe vënë detyrën urgjente që Ambasada të përgënjeshtronte një lajm të porsashfaqur në teletekstin e RAI-t.
Ministri Milo i pati shpjeguar shkurtër ambasadorit Çuçi se në një konferencë shtypi me gazetarë italianë në qytetin e Kukësit ai nuk qe shprehur aspak ashtu siç këta e patën formuluar dhe përhapur.
Unë ndërkohë e kisha ndjekur këtë lajm të teletekstit të radiotelevizionit publik italian dhe nuk më ishte dukur alarmues, por, kur m’u ritheksua, u bëra më i vëmëndshëm ndaj tij dhe detyrës që po më jepej. Nuk ishte aspak koha që në raportet e qeverisë shqiptare me atë italiane, e cila po bënte stërmundime të vërteta për të drejtpeshuar në favor të luftës së armatosur, të depërtonin keqkuptime apo mospëlqime.
Duhej të qenë të pacënueshme, veçanërisht para opinionit publik. Do të më jepet rasti në shkrimet e ardhshme të ciklit të dëshmoj me prova të plota informative për betejën e nëndheshme që është kryer në Itali për t’i kompromentuar jo vetëm raportet e qëndrueshme shtetërore mes Romës dhe Tiranës, por përgjithësisht njollosur edhe vetë imazhin e shqiptarëve.
Ishte një luftë paralele, shumë më e ndërlikuar se ajo e avionëve të NATO-s, të cilët po ja dilnin mposhtjes ushtarake të Sllobodan Millosheviçit, kurse herë pas here humbej në terrenin e imazhit.
I bindur se në Tiranë kishin shumë të drejtë të shqetësoheshin dhe se mua, si i ngarkuar për median, më binte detyrë të përqendrohesha në ngjarjen e re, i thashë ambasadorit se për të mundur të realizoja përgënjeshtrimin, pune që ia pata dalë në të gjitha rastet e mëparshme, ai duhej t’i lutej ministrit që t’i dërgonte me domosdo tekstin e plotë të tërë konferencës për shtyp.
Duhej të dija dhe zbuloja me saktësi, nëqoftëse pat ndodhur, manipulimi i deklaratës së ministrit Paskal Milo.
Ambasadori ra dakord me çfarë kërkova dhe e mbylli telefonin, duke më siguruar se për çdo zhvillim të ri të kësaj çështjeje do të më informonte dhe nxiste angazhimin për të çaktivizuar gënjeshtrën, pra dhe në atë mpik lufte çdo incident të mundshëm mes dy qeverive.
Rreth orës njëmbëdhjetë të natës Leontiev Çuçi, përherë në pritjen për tekstin e plotë të konferencës së tij për shtyp me gazetarët italianë në Kukës, e kishte marrë në telefon Paskal Milon, por ky ishte i qetë. “S’ka gjë, s’ka gjë”, i qe përgjigjur dhe bisedën e shkurtër e kishte mbyllur me fjalët “Tani jam në një mbledhje”.
Sidoqoftë të nesërmen që në mëngjes ia raportova ambasadorit dinamikën e asaj ngjarjeje dhe menjëherë ia nisëm Tiranës. As pas kësaj nuk erdhi ndonjë reagim.
Çfarë pati ndodhur?
Lajmi i akuzuar për manipulim nga ana e medias italiane në disfavor të ministrit të Jashtëm Shqiptar, qe shfaqur në teletekstin e RAI-it në orën 19.05 të 20 majit.
Përmbajtja e tij ishte: “Tiranë: Italia të koordinojë me vendet e NATO-s.
Italia duhet të koordinojë përpjekjet e saj për paqen në Kosovë me vendet e tjera të NATO-s.
E tha ministri i Jashtëm shqiptar Paskal Milo.
Eksponenti i qeverisë së Tiranës ka shtuar se “qëndrimet individuale rrezikojnë të kryejnë çarje që mund të shfrytëzohen nga Millosheviçi”.
Në Tiranë me të drejtë batutën e fundit të lajmit mund ta merrnin si diversion të kryer nëpërmjet nënkuptimit: për çështjen e zgjidhjes së krizës së Kosovës me anë të luftës apo të paqes qeveria e Tiranës është kundër asaj të Romës.
Për fat, por edhe sepse nuk u besua shumë varianti i formuluar, ky lajm mbeti vetëm në faqet operative, të lëvizshme të teletekstit të RAI-t dhe nuk zuri vend në faqet përmbledhëse, të cilat ndiqeshin më shumë.
Ndërkohë këtë lajm teleteksti i Mediasetit, grupit të fuqishëm privat të Silvio Berluskonit, nuk e dha fare.
Ky lajm, në të vërtetë i formuluar dhe i shpërndarë nga ANSA, Agjencia Italiane e Lajmeve, nuk u transmentua me fjalë nga asnjë medie elektronike.
Po ashtu në shtypin e të nesërmes, në 21 maj, për të nuk kishte asnjë referencë.
Kështu efekti i tij në opinionin publik italian qe pothuaj një hiç. Fatet e blofeve ndonjëherë janë të paracaktuara.
Bashkë me çështjen e luftës dhe të paqes si mjete për të zgjidhur krizën e Kosovës, këtë mesmaj ishte mpleksur fort, deri në mosshthurrje, edhe një debat e intrigë e madhe: ajo e ikjes dhe e rikthimit të rrezikuar të refugjatëve kosovarë.
Kjo qe lufta tjetër paralelele, pothuaj më shumë se vetë lufta me armë. Kosova qe zbrazur dhe ndërsa në ajër ndiheshin superiorë anglo-amerikanët, në terren ngadhënjimit mund t’i gëzohej Millosheviçi. Nëpërmjet operacionit ushtarak serb “Patkoi” apo edhe si pasojë e pasigurisë së krijuar prej bombardimeve të NATO-s, Kosova ishte bërë tokë pa banorë, territor pa popull. Fatet e shteteve nuk i bëjnë trojet tokësore, por mbi të gjitha njerëzit.
Nuk kishte disfatë më të madhe për Aleancën Atllantike dhe demokracitë e Perëndimit, për tërë shqiptarët kudo ndodheshin e sidomos për Kosovën sesa boshatisja e kësaj të fundit, shndërrimi në tokë fantazmë.
Vasha Cubrilloviç me memorandumin e tij famëkeq të dëbimit të shqiptarëve nga Jugosllavia monarkiste qe shumë më pak nga plani ogurzi millosheviçian.
Kur Ismail Kadare në një intervistë të tij në shtypin e huaj këto kohë, për të cilën do të flasim në rastin më të pritshëm, keqtrajtimin që i kanë bërë politikat shtetërore të Beogadit fatit të kosovarëve i ka krahasuar dhe madje barazuar me atë të hebrenjve, kishte parasysh mbi të gjitha këtë greminë që u hap papritur në pranverë 1999.
Ja pse këto çaste kishte mjaft rëndësi jo vetëm si do të mbanin qëndrim vendet demokratike të Aleancës Atllantike për ta penguar këtë zhvillim ogurzi, por sidomos Ibrahim Rugova, presidenti i bashkëkombësve të Kosovës. Ai qe një njeri shumë kompleks dhe me një doktrinë, të cilën nuk e deshifroje dot lehtë. I akuzuar jo vetëm prej rivalëve të tij të UÇK-së, por i dyshuar edhe prej fuqive perëndimore si marrëveshës i tërthortë me Sllobodan Millosheviçin, i padëshirë për luftë të armatosur ndaj tij, po ashtu me qejfmbetje të përhapura për të në Tiranë, por edhe në Berlin apo Uashington, i parë si “ballist” (kolaboracionist) ndaj të cilit duhej kryer distancimi politik, rebus dhe mister karakterial e veçanërisht në temperament çfarë pengonte fushëpamjen cili qe në të vërtetë, mjegull e heshtur paqartësie herë pas here, Ibrahim Rugova ishte bërë “problemi”.
Askush nuk kishte aq fuqi, përveç personalisht atij, të kthjellonte vetveten, të paktën ta bënte më të kuptueshëm për opinionin publik. Ngjarjet që vinin njëra pas tjetrës dhe ngjanin me dallgët e fryra që mund të përmbysnin gjithçka, jo përherë ta jepnin mundësinë për ta kuptuar veprimin e ditës, por edhe atë të pritshëm të presidentit kosovar.
Me sa duket ky çast, si të qe eklips hëne, erdhi sidomos kur Ibrahim Rugova takoi Karol Vojtilën, Papa Palin II.
Në 10 prill, dy javë shkuar që nga shpërthimi i sulmit ajror të NATO-s, gazeta “La Repubblica” njoftoi se një nga “diplomatët” e Vatikanit, udhëheqësi i Shoqatës Sant’Egidio, Monsinjor Vinçenso Palia, kishte shkuar në Beograd dhe prej andej dëshironte të zbriste deri në Prishtinë.
Një nga qëllimet e misionit të tij qe ta sillte Ibrahim Rugovën për një vizitë në Romë, ku gjatë disa ditëve ky të bisedonte me eksponentët e qeverisë italiane në mënyrë që të zgjidhej kriza midis NATO-s dhe Jugosllavisë së mbetur me një autonomi shumë të gjërë të Kosovës.
Gazeta ngulte këmbë se kjo platformë e Palias qe edhe e vetë Vatikanit, pra edhe e Papës. Ajo shkruante se monsinjori nuk ia kishte dalë dot të shkonte në Prishtinë dhe që nga Beogradi pati biseduar në telefon me Ibrahim Rugovën.
Hollësi si ndaj ofertës së Selisë së Shenjtë (autonomi shumë e gjërë brenda Jugosllavisë së mbetur) kishte reaguar presidenti kosovar, “La Repubblica” nuk jepte. Nuk i gjeje ato as në burimet e tjera mediatike italiane, megjithëse prej ambasadës tonë pati ngulmim të madh.
Nuk regëtiu asgjë edhe kur pas dy ditësh Vinçenso Palia u rikthye në Romë. Terr i plotë.
Një hollësi që e kapëm pa na ikur nga sytë: “La Repubblica” në titullin e shkrimit të 10 prillit 1999, edhe pse në trup të tij e mjegullonte, lajmëronte se “superdiplomati” i Vatikanit qëllim kryesor të udhëtimit të tij në Beograd nuk kishte të siguronte bisedime në Romë të politikanëve italianë me Ibrahim Rugovën, por një takim të këtij me Papa Palin II.
Ato, dihej, që bëheshin vetëm “kokë më kokë”.
Misteri u shtua edhe më shumë.
Ndërkaq ngjarjet që ndodhën prej mesit të prillit dhe hynë vërtikshëm në muajin maj pasuan një rrugë tjetër, detaje të së cilës do t’ja kujtojmë lexuesit nëpër shkrimet e ardhshme, por fakt është se takimi i Ibrahim Rugovës me Papa Palin II, pesë ditë pasi presidenti kosovar kishte mbërritur tashmë si pothuaj refugjat në Romë, ishte ai, çasti më i favorshëm i vëzhgimit të atij “planeti” jo pak misterioz, politikanit ish-mysliman, i cili ishte konvertuar në katolik.
Qe vërtet çasti i pritur i “eklipsit”.

(VIJON)
__________

YLLI POLOVINA: TAKIMI RUGOVA – MILO NË ROMË (MAJ 1999) DHE FILOZOFIA E BISEDAVE TË RUGOVËS ME MILLOSHEVIQIN DHE MLLUTINOVIQIN (PRILL 1999) (1)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8445
***
YLLI POLOVINA: MAJ 1999, ROMË-PARIS, VIJOSLLAV SHESHELJ DHE VUK DRASHKOVIÇ ME ISMAIL KADARENË PËRBALLË (2)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8458
***
YLLI POLOVINA: SHKËLQIMI I EDI RAMËS NË STUDION ‘PORTA A PORTA’ TË BRUNO VESPËS, 18 MAJ 1999 (3)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8486
***
YLLI POLOVINA: 19 MAJ 1999, ANGAZHIME RRETH LUFTËS NË KOSOVË! (4)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8499
***
YLLI POLOVINA: TAKIM SHUMË I NGUTSHËM ME KËSHILLTARIN POLITIK TË AMBASADËS GJERMANE (5)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=8514

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura