YMER HALIMI: POROSIA (NGA DITARI I NJË EPOKE, 29 PRILL 1998)

Pashtriku.org, 23. 05. 05. 2013- Dje ishim në Likoc me N. Zariqin, dërguam ca gjëra ushqimore edhe barna. E pashë komandant Mujë Krasniqin, që kishte një gjendje të rendë, dhe siç thuhet “dukej si i vdekur, por frymonte”. Ishte i plagosur nga dora shqiptare e shërbimit serb. Takova, në ambulancë, jashtë spital, edhe kirurgun e UÇK-ës, dr. Fadil Bekën. Më sqaroi gjendjen që e kishte Muja, pas operacionit ditë më parë. Fadili e tha hapur: Duhet sa më parë për ta bërë operacion, se gjendja po i përkeqësohet. Ishte kërkesa që të jetë një kirurg i rryer i abdomenit dhe propozoi: prof. dr. Besim Elezin, nga Tirana, ose prof. dr. Riza Binishin. Më porositi që të angazhohem. Më t’u kthyer në Prishtinë kontaktova me dr. Shpëtim Robajn. Ai tha: Diçka në operacion sa duket nuk shkoi në mënyrën e duhur. Dhe gjithsesi duhet pasur një ekip mjekësh me eksperiencë. Shpëtimit i tregova propozimin e dr.Fadilit. Tha: “Po të bëhej ajo do të ishte mirë, por mundësisht disi ta bëjmë pa e lënduar ekipin e parë të operacionit”….
Krimet nuk përfliten çdo ditë, por nuk harrohen kurrë!
Lëkundjet politike në Kosovë, në mes të shqiptarëve dhe serbëve, kanë arritur shkallë maksimale, që prej pushtimit të Kosovës në vitin 1912 e deri sot. Akuzat dhe mohimet përherë janë si koncepte të kundërta, por akuzat serbe për shqiptarët janë sajim i qëllimshëm. Serbët janë të zhgënjyer që nuk arritën t’i realizojnë qëllimet politike mbi shqiptarët, pastrimin e territorit sipas porosive të paraardhësve të tyre, të Garashaninit, Çubriloviqit, Ivo Andriqit, apo më saktë platformës së Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë dhe idesë së Kishës Ortodokse Serbe.

I pavdekshmi – Komandant Mujë Krasniqi – Kapuqi.

Kjo megjithatë u shkoi përdore shumë, pas viteve 1878, kur Evropa bënte sehir përballë një krimi shtetëror serb mbi një popullatë duarthatë shqiptare, të pazonjë, të papërgatitur për të mbrojtur veten dhe territoret e saj etnike! Sot shteti serb, përkundër një periudhe të një klime paksa relaksuese të marrëdhënieve mes këtyre dy popujve, që ishte për një kohë të shkurtër, ka shfaqur një urrejtje të papërmbajtur, sa na quajnë “shiftar”, “turq”, “arnaut” dhe assesi me emrin e vërtetë “Albanci”. Kjo urrejtje disi mohon etninë dhe autoktoninë tonë në këtë vend.
Kjo propogandë sa më shumë kohë që po kalon, veprimet brenda kombeve po i bënë më koherente dhe, nuk po lënë hapësirë për fqinjësi e lëre për bashkëjetesë. Kjo trysni serbe, sot mbi shqiptarët, ka shkallë të padurueshme. Shqiptarët, apriori, akuzohen për dhunime, shkatërrim varrezash, ngacmime fqinjësh e po çfarë jo! Madje, edhe për gjëra banale, kur as mundësia teorike nuk qëndron që shqiptarët të ishin aty, dhe prapë ata akuzohen. Edhe afinitetin homoseksual të Martinoviqit, (i cili ishte vetëlënduar me shishe në rektum, edhe mjekoligjorët serbë e vërtetuan vetëlëndimin) politikanët serbë e servuan mbi shqiptarët. Po ashtu, ai personalisht nuk akuzoi askënd. Por, serbët për devijant seksual botuan libër me qindra faqe, serbisht e anglisht, duke drejtuar gishtin drejt shqiptarëve. Në një rast krejt të thjeshtë, një udhëheqës kosovar, nga Lidhja e Rinisë së Kosovës, për rastin e dhunimeve tha: “Dy herë ka më shumë dhunime në Beograd brenda një dite se në Kosovë brenda një viti”. Statistika ishte e saktë. Dhunimet, edhe një i vetëm nuk arsyetohet, por krahasimi ia vlente. Kjo serbët i vuri ne siklet. Në politikë veprimet nuk i përgjigjen edhe momentit, por ato do reflektojnë tek pas një kohe, për veprime shtesë. Prandaj siç thuhet: për të kuptuar atë që mund të ndodhë është e nevojshme arsyeja. Është intuita që rrëfen konfrontimin e pashmangshëm mes serbëve dhe shqiptarëve. Shqiptarët e duan lirinë, e serbët pastrim etnik. Megjithatë, propaganda serbe po na dërgon te ky konfrontim i tmerrshëm. Evropa ua lejoi serbëve pastrimin etnik në Bosnje, e pse jo në Kosove!? Kjo vetëm mbetet të shihet.
Por, për gjithë civilizimin evropian, Kosova është diçka e veçantë: shqiptarët në Kosovë, edhe pse ishin dhe janë në shumicë, janë viktimë e pakicës serbe. Serbët e Kosovës janë të privilegjuar në çdo rrafsh jete, më shumë se çdo racë tjetër në Evropë. Kjo kështu ka filluar që prej kohës së kolonizimit, që shteti serb e bëri në Kosovë e viset shqiptare në përgjithësi. Serbët shqiptarëve ua merrnin tokat, shtëpitë, bagëtitë dhe dhunshëm i dëbonin për Turqi. Serbët, pa pasur asnjë përgjegjësi para ligjit, i vrisnin shqiptarët dhe i trajtonin e i trajtojnë si racë inferiore në sferën e tyre të jetës dhe assesi si të barabartë, dhe Evropa ishte në mbështetje serb.
Por, saktë, serbët, përkundër të gjithave enorme që kanë në Kosovë, ndjehen të pasigurt më shumë se kudo tjetër. Krejt natyrshëm, se bënë bëjnë krime sistematike mbi shqiptarët, herë më shumë e herë më pak. Kjo ka peshë psikologjike, aq më parë kur po shohin se shqiptarët po zgjohen. Është e kuptueshme, krimet nuk përfliten çdo ditë, por nuk harrohen kurrë. Edhe pse shqiptarët këto nuk i sistemuan e nuk i sistemojnë në mënyrën e duhur, në arkiva të tyre, megjithatë brenda familjeve i rrëfejnë, po si raca izraelite e shpërndarë nëpër botë, që e kujtojnë vuajtjen izraelite me mija vite dhe e përcjellin porosinë te brezat që: uratën e bukës, uratën e gjumit, uratën për Zotin, kudo që janë, ta bëjnë me gjuhë e shpirt izraelit. Edhe shqiptarët i shpjegojnë rrënjët e tyre me dhjetëra e dhjetëra breza që jetuan në këtë vend, para të gjithëve dhe përcjellin kujtimin për vuajtjet dhe ëndrrën e bashkimit kombëtar, prej së Evropa na copëtojë.
Megjithatë shqiptarëve, disi, u mungoi shpirti unik, ai “Zoti i tyre”. Në kisha, në xhamia, predikimet për Zotin i kishin në serbisht, bullgarisht, greqisht, arabisht apo turqisht, dhe shumë shqiptarë u serbizuan, bullgarizuan, greqizuan po edhe u turqizuan. Përfytyrimin për botën bënë duke i derdhur energjitë në kulturën e të gjithë fqinjëve, dhe fqinjët i konsiderojnë disi si pjesë e tyre, se derdhën gjakun për ta bërë Greqinë, Bullgarinë, Serbinë. Por fqinjët ua kthyen me armiqësinë më të egër të mundshme.
Qëllimin e shtetit serb, unë e mësova si fëmijë nga fjalët e axhallarëve të mi (1956). Jo pak herë e pat dëgjuar duke thënë: “Këta qyfarë nuk po na rrahin për pushkë…! Kanë qëllim tjetër, duan që të na heqin nga kjo tokë, kërkojnë të na përcjellin për Turqi”. Dikush nga ata që maltretonin asokohe, bajagi për armët, i kishin dhënë një porosi axhës Dakë: “Merrni vesikat e ikni se këtu vështirë se jetohet”. Në atë kohë, axhës Smajl, kushëririt tonë të parë, ia kishin sjellë “vesikat” për t’i shpërngulur për Turqi. Dhe, shkaku i vesikave atë e kishin lënë paksa më qetë. Si shembull. Por, u vendos që vesikat të digjen se ne nuk jemi turq. “Këtu do të mbesim” – u tha. Dhe kështu ndodhi. Vesikave u iku koha, thoshte axha Avdullah, se ne tash kemi armën më të fortë, e kemi shkollën e fëmijëve tanë. Ai e pohonte: “Në këtë të keqe të këtij socializmi, shkollën që na e lejuan u bë mirë”, se në Jugosllavinë e kralit po u gjet libri shqip bëhej tmerri.
Por sot, gjerat janë ndryshe. Që nga koha e lindjes së shtetit shqiptar, shqiptarët jashtë Shqipërisë Londineze e ruanin dhe e ruajnë në shpirtin e tyre ëndrrën më të lakmuar, atë që Evropa ua mohoi dhe mohon: që të jetojmë bashkë si të gjitha kombet. E kërkojnë lirinë, dhe brezave u lanë porosi të mos e harrojnë vuajtjen dhe qëllimin.
Megjithatë, pata rastin që nga axha im, Azemi ta mësoj edhe këtë: “Mashkullin e gjakut tënd nuk ke të drejtë për asgjë ta vrasësh, ama për asgjë, por kur ai bëhet krah me shkaun (serbin) po, edhe vëlla po ta kesh”. Do të thotë se tradhtia e kombit është më e rëndë se çdo tradhti tjetër që njeriu mund ta bëjë. E besoj, nuk është pak ta ngulitësh në kokë këtë porosi si fëmijë tetëvjeçar.
Mjekësia jonë në shërbim të Luftës Çlirimtare
Dje ishim në Likoc me N. Zariqin, dërguam ca gjëra ushqimore edhe barna. E pashë komandant Mujë Krasniqin, që kishte një gjendje të rendë, dhe siç thuhet “dukej si i vdekur, por frymonte”. Ishte i plagosur nga dora shqiptare e shërbimit serb. Takova, në ambulancë, jashtë spital, edhe kirurgun e UÇK-ës, dr. Fadil Bekën. Më sqaroi gjendjen që e kishte Muja, pas operacionit ditë më parë. Fadili e tha hapur: Duhet sa më parë për ta bërë operacion, se gjendja po i përkeqësohet. Ishte kërkesa që të jetë një kirurg i rryer i abdomenit dhe propozoi: prof. dr. Besim Elezin, nga Tirana, ose prof. dr. Riza Binishin. Më porositi që të angazhohem. Më t’u kthyer në Prishtinë kontaktova me dr. Shpëtim Robajn. Ai tha: Diçka në operacion sa duket nuk shkoi në mënyrën e duhur. Dhe gjithsesi duhet pasur një ekip mjekësh me eksperiencë. Shpëtimit i tregova propozimin e dr.Fadilit. Tha: “Po të bëhej ajo do të ishte mirë, por mundësisht disi ta bëjmë pa e lënduar ekipin e parë të operacionit”.
Si zakonisht, u konsultuam me Kryetarin e Kryqit të Kuq të Kosovës, prof. I.Dedushajn. Informacionin e gjendjes i dhashë drejtpërsëdrejti edhe dekanit të FM-së, Hashim Maloku. Në mbrëmje kontaktuam edhe me rektorin, Z. Kelmendin. Mbeti që nesër para orës tetë të takohemi në kafenenë “Top Kapi” në “Bregun e Diellit” që ishte aty pranë Fakultetit të Mjekësisë. Dhe ishin thirrur ca profesorë eminentë të mjekësisë, po edhe profesor R. Binishi. Edhe udhëheqja e Fakultetit. Aty ishte edhe Rektori, Z. Kelmendi. Në atë kafene mbretëronte një gjendjeje mosbesimi në vetveten tonë. Si t’ia dalim!? Por, ishte edhe një detyrim. Ishte një çast i veçantë i secilit nga ne. Mbretëronte gjysmë heshtje, po si ndriçimi i kafenesë që ishte i paktë. Zërat që llafosnin ishin gjysmëzërash. Është një kohë e fillimit të vështirë, e pa parashikuar! Udhëtimi për në Drenicë jepte një shkallë pasigurie të madhe. Duhet kaluar nëpër postblloqe të policisë, ku edhe maltretonin. Dhe po u kuptua nga pushteti serb, se dikush ka operuar në Drenicë “terrorist”, siç thonë ata, atëherë cilat janë pasojat?! Tmerri vet. Në anën tjetër, askush askujt nuk mund t’i japë një urdhër për të shkuar, përveç një sugjerim. Për një çast u ndalën llafet. Propozova: “Kushdo që shkon në Likoc, qëllimshëm adresova, po edhe profesor Riza, do të shkojë me gruan time, Dritën, dhe vajzën e vogël, Ilirianën. Edhe ato do të vijnë me ju për Drenicë, se kur të kalohet nëpër postblloqet e policisë serbe, do të duket si një udhëtim miqësor”. Ky u duk një mendim i habitshëm! U vendos. Pa humbur kohë, Shaban Hoxha shkoi e mori Dritën edhe Ilirianën, u pajisën me gjithë ato që duhej të merrnin me vete, së bashku me anasteziologun dr. Shpëtimin e profesor Binishin u nisen për të shkuar për në Likoc. Ishte një rast i detyrimit moral. Ishte një rast që na thërriste, ishte një rast që më e lehtë dukej vuajtja personale sesa mos kryerja e porosisë. Të pranishmit u treguan tepër të përgjegjshëm. Ishte një rast që duhej kap; çasti i duhur i historisë. Por në mua kumbonte porosia “është nder me të ra hise me luftua për atdhe”. Porosi dhe detyrim.
Më pas, derisa shkuam në zyrat e Kryqit të Kuq të Kosovës, profesor I. Dedushajt i rrëfeva këtë porosi e detyrim: “Është nder me të ra hise me luftua për atdhe”. Kur familja jonë pesëdhjetanëtarëshe ishte e shpërbërë, në konakun tonë shekullor, baba im ishte i vetmi nga brezi i axhallarëve që ende jetonte. Në një çast, derisa ne të dy e shikonim në TV, se si votohej për ndërrimet kushtetuese në Kuvendin e Kosovës, asokohe, nën trysninë e politikës së Serbisë, ku aty shihej edhe lavdia edhe tradhtia akademike, ende pa përfunduar mirë duarngritja, baba m’u drejtua me një tonë urdhërues: “Bir, është nder me të ra hise me luftue për atdhe, se shkojnë breza e breza e kjo nuk u takon. Lum atij brezi që i takon. Lufta është e vështirë, o biri im, por pasha të madhin Zot, sot pa e kap pushkën me luftue, po u ba kjo, me ty përkrah biro! Ju nuk e dini çka është shkau (serbi), ju nuk e dini çka është liria! Mos u mashtroni bir për asgjë, se serbët janë ata që na e kanë thithë gjakun me pamuk”. U ngritë në këmbë dhe doli në oborr. Ndoshta edhe me lot në sy, por për këta lot nuk jam edhe aq i sigurt? Megjithatë mosha ia lejonte. Si ta kuptosh një votim të tillë, veç si abuzim i të ardhmes me kombin tonë.
Por, porosinë më të shpejtë e shkrova me ngjyrë të kaltër, jo në fletë të pastër e as fletë fletoreje, por mbi shkronjat e librit te Kadaresë “Prilli i thyer”, që e kisha më afër, se u frikësova mos po m’i ik gjë kësaj shprehjeje. Ndoshta e kërkonte hakmarrjen për shokët që iu kishin vrarë pranë këmbëve të tij në Tivar; ndoshta i kujtoheshin torturat kur shtëpinë ua kishin e rrethuar xhandarmëria dhe ushtria, në një muzg nate në vjeshtë të 1924, e ai si shtatëvjeçar e kishte pa babën e vete si vdiste i rrethuar nga armiqtë e tij. Ndoshta i kujtohej rasti kur familjarisht, i gjithë katundi, i kishin kaluar në pyll net të tëra në dimër plot acar; apo e kujtoi kur farefisin tonë, siç thoshte, “mixhën Man e bacën Ramadan”, ua kishin mbyllur derën dhe i kishin djegur për së gjalli, ndoshta e ëndërronte lirinë në dimensionin e saj, ndoshta e kërkonte lavdin e historisë, apo hakmarrjen. Çfarëdo që të ketë menduar, kjo: “Është nder me të ra hise me luftue për atdhe”, është moto, që asnjëherë nuk bën të harrohet. Por, kjo luftë, siç kërkonte ai, nuk bëhet vetëm më armë, bëhet në çdo kohë. Me prof. I. Dedushajn derisa e përshkuam rrugën e “Dubrovniku”, llafosem shumë gjëra nga e kaluara, por mua mendja më thërret tek udhëtimi i ekipit për Likoc. Ndoshta edhe pa arsye. Por, dita ishte plotë diell.
___________
Sot, kur koncipoj për publikim këtë shkrim të hershëm, pyes: kush ka të drejtë të shkelë mbi vuajtjen e këtij populli me kaq lehtësi, duke shpërdoruar shtet e pushtet?!

(Autori është Profesor në Fakultetin e Mjekësisë në UP dhe ish-deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës – në vitin 2007.)

======================
YMER HALIMI: SHTETI I KRIMIT DHE VESI
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=849

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura