YMRET RESHITI: KËSHILLË NE VEND TË ‘PISKAMËS’!

Rahovec, 31 gusht 2017: Deklarata e presidentit të Serbisë Vuçiq, me të cilën e fton popullin serb për dialog të brendshëm karshi çështjes së Kosovës i ngjanë më tepër një copëze letre me fraza epike, se sa një deklarate të mirëfilltë politike. Në fjalimin e tij epik për Kosovën apo nyjën gordiane, Vuçiq flet për luftën, të keqën që me mish e shpirt po e lufton Serbia “brenda kokës së saj” sikur ka harruar porosinë që NATO ia dha përmes bombardimit të Serbisë. “Nuk tolerojmë asnjë luftë që e nisni dhe që shpresoni që të tjerët do ta përfundoj për ju “-ishte porosia. Flet për zemërgjerësinë e Serbisë e cila mbeti duarthatë duke “i falur” territore të tjerëve por asnjëherë nuk shpjegon se nga kush i mori ato territore. Flet për forcën historike të Serbisë, e cila kur ishte koha nuk pati kaçik për ta mbajtur në këmbë as Beogradin me rrethinë, sikur të mos t’i ndihmonte Rusia dhe fuqitë evropiane, ndërsa tash në hyrje të Serbisë tabelat do të shënonin “Karsilama”. Serbia e tij e aq “fortë” edhe tren merr nga Moska për ta “sulmuar” Kosovën! Flet për mësimin e gjeografisë sipas Ambrose Bierce dhe dialogun sipas Shimon Peresit gjersa vazhdon Nishin ta quan Nish shqip dhe jo Jedan. Flet për urtësinë si “virtyt” të Serbisë trime edhe pse historia serbe noton nëpër gjakun e popujve të pa fajshëm jo serb. Flet për dialogun si të ishte toka dhe ajri, pa vra mendjen se kur qenka zbuluar dialogu te ky popull i civilizuar. Flet për perspektivën ekonomike të Serbisë, por nuk thotë asnjë fjalë për mjerimin ekonomik, dëmet dhe vuajtjet që Serbia ia ka sjellë popujve fqinjë me luftërat që i ka bërë. Flet për fitoret historike dhe çmimin e madh të atyre fitoreve, të cilat fitore Serbisë ia kanë sjellë të tjerët ndërsa çmimin e atyre fitoreve në emër të Serbisë e kanë paguar shtrenjtë popujt jo serbë. Flet po për çfarë nuk flet Vuçiqi. Flet për shumëçka dhe për asgjë. Si zakonisht edhe ky si një romantik i vonuar shkruan edhe një kotësirë serbe të radhës.

Ta ridimensionosh mitin
Përmes fjalimit folklorik, tipik ballkanikë, Vuçiqi shfaqë dëshirën e tij të flaktë për ta shëruar shpirtin serb nga gënjeshtra shekullore, me një rrëfim të ri epik. Ai në vend se ta ftojë popullin serb për ta “braktisur” mitin, ai përpiqet që ta ri dimensionoj mitin. Ai dëshiron që serbët e ditëve të sotshme ta shohin mitin me korniza më të tkurrura( rrudhura) se sa profili klasik. Ai nuk kërkon që ta “braktisin” mitin për Kosovën tek shpirti serb, sepse populli serb jetëgjatësinë e tij dhe të gjitha përfitimet në Ballkan i ka arritur pikërisht falë këtij miti. Miti për Kosovën ka qenë thirrja më heretike për sakrifikimin e shqiptarëve, nën siglën e mbrojtjes së ortodoksisë në Ballkan, e që në fakt ka qenë rritja dhe zgjerimi i sllavizmit. Miti për Kosovën ka qenë arma më e fortë diplomatike serbe për t’i shkatërruar dhe mposhtur shqiptarët, dhe për t’ua gllabëruar tokat. Për shqiptarët miti serb për Kosovën paraqet tragjedinë e tyre biblike ndërsa për serbët mallkimin e tyre më të madh. Vuçiqi përmes epikës së tij, si një romantik i vonuar, dëshiron ta relativizon “dhembjen shpirtërore” të popullit “hyjnor” serbë se, miti për Kosovën do të rrojë edhe nëse e humbin gjysmën e Kosovës. Me rëndësi është që t’iu marrin prapë toka shqiptarëve. Sipas tij, miti edhe i tkurrur ( rrudhur) do të rroj tutje për t’i helmuar shpirtrat e njomë të gjeneratave serbe me nacional shovinizëm, për “tokë e shenjtë ” dhe për betejën ” historike” që kurrë nuk kanë qenë serbe.
Asgjë e re, asgjë e vjetër
Krejt meditimet epike të Vuçiqit përmblidhen në një të vërtet komike. Në shpirtin gënjeshtar serb, Vuçiqi romanizon: “të mos i lejojmë vetes të humbasim ose t’i japim dikujt atë që është e jona, por, gjithashtu, të mos presim se do të na bjerë në dorë ajo çka kemi humbur prej kohësh”. Ky parafrazim epik nuk është shenjë e ndryshimit të Serbisë për njohjen e shtetit të Kosovës. Kjo është ambicia serbe për ndarjen e Kosovës, të cilën e paralajmëron me ri dimensionimin e mitit për Kosovën. Vuçiqi, si një romantik amator kërcënon se, nëse nuk pranohet ky ri dimensionim d.m.th. ndarja e Kosovës, atëherë ai në vend se të japë zgjidhjen përmes dialogut, ai do jep vetëm dialogun si zgjidhje për nyjën gordiane të Kosovës . Prandaj kotësirës së tij epike më së miri i përshtatet thënia e një proverbi japan: “Gjëmoi mali ,polli një mi”. Romantiku i vonuar Vuçiq, në rrëfimin e tij epik, të rrotullon e të rrotullon rreth nyjës gordiane të Kosovës. Të tund e të shkund dhe në fund të trishton me zgjidhjen që ta ofron – dialogun. Dialogun dhe jo zgjidhjen përfundimtare për nyjën e Kosovën – kërcënon Vuçiq, nëse nuk e pranojmë mitin serb të ri dimensionuar. Ofron dialogun të cilën edhe Serbia e Milosheviqit, Gjingjiqit, Nikoliqit dhe Daçiqit para tij e ofruan por nuk ofruan zgjidhjen përfundimtare. Dialog që sipas tij paraqet debat të kotë, pa kufi dhe pa rezultat. Kjo qasje vërtet paraqet defekt serioz anatomik! Prandaj edhe unë i them- flisni zotëri Vuçiq flisni, se keni çka t’i thoni popullit serb. Populli serb ka nevojë me fol vet më vete sepse ka problem të madh “psikik” me përjetimin e realitetit, të zhveshur nga imagjinatat epike. Historia na ka mësuar se shpesh herë nga çmenduria kolektive serbe kanë pësuar shumë popuj të pafajshëm të Ballkanit. Vërtet populli serb ka nevojë për një monolog historik, që ta tund e ta shkund përfundimisht nga imagjinata e të jetuarit brenda mitit. Populli serb duhet ta kuptojë se nuk jetohet në mite, 700 vite prapa histori kundrejt botës, por, duhet t’i kthehet realitetit kohor dhe t’i përqafoj vlerat që ofron bota moderne. Shumë mirë e keni kuptuar zotëri Vuçiq se “heshtja” ju ka sjellë para një realiteti që nuk mund ta sfidoni, prandaj, edhe paralajmëroni serbët se, fajtorë do të jemi pse heshtëm dhe jo pse folëm për njohjen e Kosovës, kur u thoni : ” Në fund të fundit heshtja është fundi.” Heshtja në të gjitha gjuhët e botës d.m.th. pranim! Më mirë sot se pas 100 viteve. Mos pritni kotë që shqiptarët t’i gëzohen monologut të munguar serb. Harrojeni! Vetëm ndonjë trutharë ose drogaxhi shqiptarë që ka mbush mushkëritë tym hashashi mund t’i duartrokasë vogëlsisë sate.
Në vend të “piskamës”
Frazat e tua epike zotëri Vuçiq paraqesin një vogëlsi të cilën mund ta ofron vetëm shpirt ngushtësia serbe, përkundër mundësive të mëdha që iu ofron sot bota – civilizimin. Por, kush është bota karshi juve, sa të përulni krenarin tuaj dhe të kopjoni ca nga civilizimi botëror? Prandaj vazhdoni me krenari ta jetoni “ëndrrën” primitive edhe sot. Të jetosh në mite apo jo, nuk është breng e shqiptarëve por zgjedhje që u takon ta bëjnë vetë serbët. Serbët tash e 700 vite jetojnë me mite por shqiptarët mbijetuan. Tani e tutje shqiptarët do të jetojnë të merituar si çdo popull i lirë, i botës. Ta dini mirë ju dhe populli serbë. Kosovën nuk na dhatë ju – serbët por e morëm vet. E humbët sepse nuk ishte e juaja. E morëm sepse ishte pronë e jona. Mos vajtoni kot se Kosovën e fituat me luftë dhe e humbët në paqe. Përkundrazi, Kosovën e humbët në luftë dhe tani përmes paqes po dëshironi ta ktheni nën kthetrat tuaja për aq sa mundeni, në emër të ri dimensionimit të mitit dhe të një farë “dialogu të ri”. Dialogun me Kosovën do ta bëni vetëm për një gjë. Ta njihni si shtet. Ndryshe dialogu me ju për tema tjera është tradhti kombëtare për ata zyrtarë kosovarë! Kosova është shtet i pavarur edhe pse ju mund të mos e pranoni kurrë këtë fakt por s’mund ta ndryshoni si realitet. Nuk luftohet koha siç po përpiqeni ju ta bëni, por as jashtë kohës nuk jetohet siç po kërkoni të jetojmë ne. Për Kosovën nuk është jetike nëse na njihni ju apo jo. Pse kaq hipokrizi në kokat tuaja që njohja e Kosovës për ju të jetë kaq jetike?! Në vend të arsyes, pse juve iu pëlqen gjithmonë ta zgjidhni “piskamën”. Aktin e njohjes së Kosovës merreni si çlirim shpirtëror nga ai mëkat shekullor që ia keni bërë vetës. Njohja e Kosovës është vetëm një kërkim falje tepër e butë në krahasim me krimet dhe tragjeditë që ia keni sjellë popullit autokton shqiptarë në emër të ati miti! Mos harroni se miti juaj epik nuk është më i vjetër se strajcat që i shkarkuar në Ballkan, pas atij rrugëtimi të gjatë nga Karpatet. Kujtesa jonë popullore ende i ka të freskëta imazhet e kolonave të paraardhësve tuaj, me rob e me bagëti, tek sa i ngulitnit çadrat si kërpudha nëpër truallin autokton shqiptarë, duke e konsideruar si “tokën e premtuar”. Nëse dikush iu ka premtuar tokë të shqiptarëve, ju garantoj se nuk ka qenë Zoti. Sigurisht ka qenë djalli. Prandaj, ju themi: vafshi në djall me mitet tuaja!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura