Tiranë, 26. 09. 2015: Në Shqipëri biznesi më fitimprurës është politika. Hyn pa një kacidhe dhe bëhesh miliarder për të mos e lëshuar më vendin e politikanit. Kështu ka ndodhur gjatë këtyre 25 viteve demokraci. Politikanët tanë, në të shumtën e rasteve, janë bërë të “fuqishëm” në pasuritë e tyre, sa arrijnë të blejnë votat, madje edhe partitë. Kush merret me këto pasuri? Shteti ka krijuar një institucion për deklarimin dhe verifikimin e pasurive. Por kush i emëron këta njerëz? Kush e kontrollon në fund të fundit këtë strukturë? Qeveria! Atëherë si mund të pres unë që ky institucion vërtet funksionon? Kush e ka verifikuar deklarimin qesharak të pasurisë së Berishës, Nanos, Bashës, Metës, Ramës apo dhe deputetëve që aktualisht na përfaqësojnë?
***
Shteti është dhe duhet të jetë në mbrojtje të lirisë së individit. Prandaj dhe është krijuar si i tillë. Por shteti mund të shndërrohet në një “përbindësh” kur tenton të përqendrojë pushtetin. Në këtë rast, kontrolli ynë mbi qeverinë është absolutisht i domosdoshëm. Qeveria nuk është padroni ynë. Ajo është dhe duhet të jetë mjeti me të cilin çdo individ realizon lirinë e tij. Nga ana tjetër, Atdheu është bashkim i njerëzve të lirë që mendojnë e punojnë për të realizuar lirinë e tyre. Atdheu nuk mund të jetë pronë e qeverive, por qeveritë janë e duhet të jenë në shërbim të tij. Kjo do të thotë që qeveria nuk mund të më “joshë” mua si popull, duke kërkuar patriotizmin tim në pagesën e taksave në një kohë kur pabarazia në shpërndarjen e të mirave është në kulm. Unë e respektoj shtetin. Kam 25 vjet që paguaj çdo taksë që ai më ka vënë mbi shpatulla. Dhe unë kam shkuar drejt varfërisë në një kohë kur politikanë, të vjetër e të rinj, sot konsiderohen me pasuri përrallore. Nuk e di nëse paguajnë taksa. Dikush mund të thotë se jetojmë në kapitalizëm ku ka pabarazi. Po, kapitalizmi ka pabarazi që vjen për shkak të shpërblimit sipas punës … Nuk është kjo pabarazia që e sjell sistemi, për shkak të fitimit që merr nga puna që bën. Më së shumti, në perceptimin popullor, kjo pabarazi në shpërndarje rrjedh nga keqpërdorimi i pushtetit.
Kush e ka verifikuar deklarimin qesharak të pasurisë së Berishës, Nanos, Bashës, Metës, Ramës apo dhe deputetëve që aktualisht na përfaqësojnë? Askush!
===================================
Mendimi im personal, por besoj se shpreh dhe një mendim të një grupi më të gjerë njerëzish, politikanët janë njerëzit më të pasur! Dhe ky është një paradoks i madh që nuk ka lidhje me kapitalizmin, por me ne si shoqëri. Le ta analizojmë qoftë dhe sipërfaqësisht problemin.
Dikur e kam thënë se në Shqipëri biznesi më fitimprurës është politika. Hyn pa një kacidhe dhe bëhesh miliarder për të mos e lëshuar më vendin e politikanit. Kështu ka ndodhur gjatë këtyre 25 viteve demokraci. Politikanët tanë, në të shumtën e rasteve, janë bërë të “fuqishëm” në pasuritë e tyre, sa arrijnë të blejnë votat, madje edhe partitë. Kush merret me këto pasuri? Shteti ka krijuar një institucion për deklarimin dhe verifikimin e pasurive. Por kush i emëron këta njerëz? Kush e kontrollon në fund të fundit këtë strukturë? Qeveria! Atëherë si mund të pres unë që ky institucion vërtet funksionon? Kush e ka verifikuar deklarimin qesharak të pasurisë së Berishës, Nanos, Bashës, Metës, Ramës apo dhe deputetëve që aktualisht na përfaqësojnë? Lexuesi i nxituar sërish mund të thotë: “Po ky është ligji, ç’t’i bëjmë”? Po ligjin kush e miraton? Si mund të mendojmë se të gjitha “përfoljet” që OSBE-ja paraqiti kinse në publik, ishin thjesht dashakeqësi e tyre apo thashetheme të shtypit shqiptar? Dhe nëse ishin të tilla, ato tregojnë për një perceptim popullor. Dhe politika në fund të fundit është perceptim. Më ç’të drejtë ti mund të burgosësh një këpucar a berber dhe ndërkohë nuk ke bërë as më të voglin hap për të kundërshtuar publikisht me fakte deklaratat e OSBE-së? Kush mund të më thotë se sa para ka marrë në jetën e tij një politikan i lartë, që nuk ka bërë asgjë, veç të qenët deputet dhe sot ka së paku disa shtëpi e vila? Kush do t’ua bëjë llogarinë e të ardhurave të marra ndër vite, me pasurinë aktuale? Si do ta justifikojnë ata këtë pasuri? Ka një ligj që i detyron zyrtarët e lartë të deklarojnë pasuritë e tyre dhe të afërmve të tyre. Po a nuk ishte ky ligj që duhej të vepronte dhe për Ndokën apo Prengën apo …? Pse duhet pritur dorëheqja apo arrestimi që institucioni i deklarimit të pasurive të shikonte se ish-deputetët kanë miliarda në pasurinë e tyre? Zoti Berisha, që u deklarua si njeriu më i ndershëm që nuk i paska borxh kurrkujt në këtë jetë, a na e ka treguar pasurinë e tij apo të fëmijëve të tij? Sigurisht, borxh ndonjë individi nuk i ka, pasi ia ka shpërblyer me pushtetin që i kemi dhënë ne dhe që ai e ka përdorur për përfitime personale, por borxh na i ka ne popullit. Po të njëjtën gjë do të thosha edhe për dy bashkëqeverisësit, Rama dhe Meta. Kush do t’i krahasojë deklarimet e tyre me pasuritë e vërteta që ata disponojnë dhe që janë të dukshme? Kush do t’i bëjë ndonjëherë llogaritë për vilat e tyre luksoze? Pale, nëse flasim dhe për transfertat e parave në bankat e huaja.
Politikanët tanë nuk kanë as sensin e pushtetarit të përgjegjshëm dhe as sensin e kapitalistit të zakonshëm. Kapitalisti, fitimet e tij i investon sërish në vend me synim fitimin më të madh, duke qenë i ndërgjegjshëm se duhet të paguajë taksa. Këta politikanët tanë i kanë fshehur pasuritë nën emra fëmijësh, nipash e mbesash, që më së shumti nuk shkojnë në investime, por në depozitime, në shpenzime luksi dhe qejfesh të patatueshme!!! Mund të këtë dhe hiperbolizime për pasuritë e X apo Y politikani. Në popull flitet shumë, por pikërisht për këtë duhet zbardhur gjithçka.
Asnjë politikan i lartë, majtas apo djathtas, nuk ka të drejtën morale të kërkojë patriotizmin te ne, kur ata vetë as që duan t’ia dinë për këtë lloj patriotizmi.
Po si zgjidhet problemi? Kush do ta vërë ndonjëherë në vend drejtësinë? Kush do t’i konfiskojë pasuritë e politikanëve të fituara me postin publik? Unë them se këtë do të duhet ta bëjmë ne vetë. Ne të kërkojmë në mënyrë plebishitare krijimin e grupeve të pavarura që të merren me deklarimet dhe krahasimet e pasurisë të pushtetarëve gjatë 25 viteve. Populli duhet të shikojë me sy, në mënyrë transparente, gjithçka ka të bëjë me këta “përthithës të pasurive publike”. Nëse nuk do ta bëjmë ne këtë, nuk duhet të presim nga drejtësia, e cila ashtu si edhe politika është e “patatueshme” në pasurinë e saj.