KIMETE BERISHA: HASHIM THAҪI – SHQIPTARI I DYTË QË NËNSHKROI MARRËVESHJE ME SERBINË!

Prishtinë, 28. 06. 2013 – Mbas Esat Pashë Toptanit i cili në vitin 1914 e nënshkroi “Marrëveshjen e Nishit” me kryeministrin e Mbretërisë serbe, Nikolla Pashiqin dhe e shpalli Republikën e Shqipërisë Qendrore, Hashim Thaçi është shqiptari i dytë në historinë shqiptare, që u ulë dhe e nënshkroi marrëveshjen e parë me Serbinë, që nuk është marrëveshje definitive, por është “Hyrje në marrëveshje” me Serbinë.
Titulli i marrëveshjes së arritur më 19 Prill 2013 është ky: “Marrëveshja e parë e parimeve që i prijnë normalizimit të marrëdhënieve”. Pra, titulli i marrëveshjes është cilësuar si “marrëveshje e parë”, që paralajmëron se do të ketë shumë marrëveshje të tjera mes Kosovës dhe Serbisë. Nuk përmendet pajtimi i shumëpritur i Hashim Thaçit me Serbinë.
1. Do të ketë një Asociacion/Komunitet të komunave me shumicë serbe në Kosovë. Anëtarësimi në të do të jetë i hapur edhe për komunat e tjera, të cilat përmenden në marrëveshje.
Këtu përfundon shteti multietnik, dhe Kosova ndahet në vija etnike. Që ky Asociacon është Autonomi për serbët, dëshmon pika 1 e marrëveshjes që thotë se “anëtarisimi në të do të jetë i hapur për komunat e tjera…”. Për cilat komuna do të jetë i hapur Asociacioni, dhe cilat komuna përmenden në marrëveshje: Shtërpca, Graçanica, Parteshi, Novobërda, Kllokot/Vrbovci, Ranillugë, pra të gjitha komunat e Kosovës me shumicë serbe mund t’i bashkangjiten këtij Asociacioni serb. Nuk dihet, nuk është precizuar se a kanë drejtë edhe komunat tjera, me shumicë shqiptare që t’i bashkangjiten komunave serbe, nëse duan natyrisht. Autonomia serbe nuk është vetëm Veriore, por është e hapur që të zgjerohet në të gjithë Kosovën.

2. Komuniteti/Asociacioni do të krijohet përmes statutit. Shpërndarja e tij do të ndodhë vetëm përmes një vendimi të palëve pjesëmarrëse. Garancitë juridike do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues (përfshirë 2/3 e shumicës së trupit vendimmarrës)
Asociacioni i komunave serbe do të krijohet përmes statutit. Garancitë juridike do të sigurohen përmes ligjit në fuqi dhe ligjit kushtetues. Në këtë pikë nuk precizohet se në bazë të cilit Ligj dhe në bazë të Kushtetutës së cilit shtet do të krijohet ky Asociacion i komunave serbe. Shpërbërja e këtij asociacioni varet nga vet komunat, pra autoriteti qëndror, Hashim Thaçi, nuk ka të drejtë ta shpërbëjë këtë Asociacion, që është rregulluar asisoji që të jetë “shtet” në veti. Nëse Asociacioni krijohet në bazë të Kushtetutës së Kosovës, pse atëherë i lejohet këtij Asociacioni të jetë mbi Kushtetutën e Kosovës, pra, të jetë vet Kushtetuta, dhe Kushtetuta të mos ketë të drejtë të vendos për të!
3. Strukturat e Asociacionit/Komunitetit do të themelohen mbi po të njëjtat baza sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, si për shembull, kryetari, zëvendëskryetari, Asambleja, Këshilli.
Pika 3 është “lojë fjalësh” dhe pikë false, që do të thotë se kinse i njejti model që ka ekzistuar për themelimin e Asociacionit të Komunave të Kosovës, do të shfrytëzohet për themelimin e Komunave serbe. Ani çka? Kjo nuk thotë bash asgjë, është pike e natyrës teknike.
4. Në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Europiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligji i Kosovës, komunat pjesëmarrëse do të kenë të drejtë të bashkëpunojnë gjatë ushtrimit të fuqive të tyre kolektive përmes Komunitetit/Asociacionit. Asociacioni/Komuniteti do të ketë qasje të plotë në fushat e zhvillimit ekonomik, arsimit, shëndetësisë, urbanizmit dhe planifikimit rural.
Pra, serbët do të jenë autonom në të gjitha aspektet.
5. Asociacioni/Komuniteti do të ushtrojë edhe përgjegjësi të tjera shtesë, varësisht se si delegohen nga autoritetet qendrore.
Pse nuk janë specifikuar qartë dhe saktë përgjegjësitë e tjera shtesë, që mund t’u delegohen komunave serbe nga autoritetet qendrore! Pse nuk thuhet saktë që obligimet shtesë mund t’u jepen serbëve nga autoritetet qendrore të Kosovës. Nga cilat autoritete qendrore, nuk precizohet! Dhe, si mund të ketë Kosova autoritet përmbi Komunat serbe, të cilat vet krijohen, dhe vetëm veten mund ta shpërbëjnë. Pra, autoritetet qëndrore që përmenden këtu në këtë pikë, mund të jenë të cilitdo shtet, edhe të Serbisë, edhe të Kosovës, sepse (lexojeni) u mungon cilësori, mbiemri.
6. Komunitetit/Asociacioni do të ketë një rol reprezentimi në autoritetet qendrore dhe për këtë qëllim do të ketë një ulëse në këshillin konsulent të komuniteteve. Në përputhje me këtë,është paraparë një funksion monitorues.
Pika 6-të flet për një ulëse të një serbi Autonom të Asociacionit të Komunave serbe në këshillin konsulent të komuniteteve. Kjo pikë është konfuze dhe e paspjegueshme. Është pikëfalso, e parëndësishme dhe një lojë primitive fjalësh.
7. Do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës. Të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kornizës së Policisë së Kosovës. Pagat do të jepen vetëm nga Policia e Kosovës (PK).
Strukturat paralele do të integrohen në Policinë e Kosovës. Kjo pikë tregon se Autonomia e veriut është në kuadër të Kosovës, pra nuk është Veriu Autonomi në kuadër të Serbisë, por Autonomi në kuadër të Kosovës, prandaj ata serbët do të marrin paga nga Policia e Kosovës. Kjo pikë dëshmon parapërgatitjen e Komunave Serbe për të shpallur Autonominë.
8. Anëtarëve të strukturave serbe të sigurimit do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat ekuivalente kosovare.
Cilëve anëtarë të strukturave serbe? Këtyre strukturave që janë tani? Strukturat joligjore do të zyrtarizohen, për të përgatitur terrenin e sigurt për Autonominë e Komunave serbe të Veriut.
9. Do të ketë një komandant Rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe (Mitrovica e veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq) . Komandat i këtij rajoni do të jetë një serb i Kosovës, i nominuar nga Ministria e Brendshme, nga një listë që do të sigurohet nga katër kryebashkiakët, në emër të Komunitetit/Asociacionit. Përbërja e PK’së në veri do të reflektojë përbërjen e popullatës së katër komunave. (Do të ketë edhe një komandant tjetër rajonale për komunat e Mitrovicës, Skenderajt dhe Vushtrrisë). Komandanti rajonal i katër komunave në veri do të bashkëpunoj me komandantët e tjerë rajonalë.
Këtu për herë të parë në këtë pikën 9-të përmendet Mitrovica veriore, dhe zyrtarizohet ndarja e Mitrovicës në dy pjesë. Policia e Veriut serb do të jenë serbe. Pra, shteti multietnik nuk vlen për pjesën veriore të shtetit të Kosovës.
10. Autoritetet gjyqësore do të jenë të integruara dhe do të operojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës. Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.
Edhe gjykatësit do të jenë ekskluzivisht serb. Veriu e ka policinë e Kosovës, por ushtrinë ka të Serbisë! Në marrëveshje nuk shkruan që Veriu është i Kosovës.
11. Një sektor i kësaj Gjykate të Apelit, e përbërë nga stafi administrativ dhe gjyqësor, do të qëndrojë përherë në veri të Mitrovicës (Gjykata e Qarkut në Mitrovicë). Shumica e secilit panel të sektori të mësipërm do të përbëhet nga gjykatës serbë të Kosovës. Vendqëndrimi i gjykatësve respektivë do të varet nga natyra e rasteve në të cilat janë të përfshirë.
Veriu i Kosovës do ta ketë Gjykatën serbe të Qarkut në Mitrovicë, me gjyqtarë serb. Është e ndaluar me marrëveshje që të ketë gjyqtarë të nacionaliteteve tjera. Anipse, në Veri ka edhe shqiptarë. Veriu në këtë marrëveshje konsiderohet puro-serb, toleranca për ndonjë etnitet tjetër është nën zero. Kjo është marrëveshja më raciste, më diskriminuese, më amatore dhe më primitive që është parë e lexuar ndonjëherë. Shqiptarët paramendohen si të vdekur dhe pa të ardhme në veriun serb. Çfarë do të bëhet me shqiptarët e vdekur? A do të lejohen varret e tyre në veri, apo do të kërkohet zhvarrimi masiv i tyre?!
12. Zgjedhjet komunale në komunat e veriut do të organizohen në vitin 2013, me ndihmën e OSBE’së, në përputhje me ligjin e Kosovës, dhe me standardet ndërkombëtare.
Pra, zgjedhjet serbe do të bëhen në PËRPUTHJE me ligjin e Kosovës, pra Ligji me të cilin do të mbahen ato zgjedhje është i njejtë si i Kosovës. Këtu nuk thuhet saktë se zgjedhjet serbe do të bëhen me ligjin e Kosovës, por thuhet në përputhje me ligjin e Kosovës, pra ai ligji që do ta shfrytëzojnë serbët për zgjedhjet e veta, do të jetë krejt i njejtë si ligji i Kosovës.
13. Diskutimet lidhur me energjinë dhe telekomin do të intensifikohen nga të dyja palët, dhe do të përfundojnë deri më 15 qershor.
Pika 13-të e marrëveshjes paralajmëron marrëveshje të reja, dhe bisedime të reja. Pse duhet të zhvillohen këto bisedime për telekomin dhe energjinë, nëse të gjitha armiqësitë shekullore përfundojnë me këtë marrëveshje primitive, siç kujtonte Hashimi? Nëse ne jemi shtet, dhe nëse sipas Hashim Thaçit sot Serbia na ka pranuar si “shtet”, atëherë pse ne si shtet i pavarur duhet të bisedojmë për energjinë dhe për telekomin tonë? Kjo marrëveshje, me këtë pikë, dëshmon në të ardhmën e afërt shpalljen e Autonomisë serbe të Veriut, dhe krijimin e parakushteve deri te shpallja e saj.
14. Është arritur pajtimi që asnjëra palë të mos e bllokojë, apo inkurajojë të tjerët për të bllokuar progresin e anës tjetër në rrugëtimin drejt BE’së.
Kjo pikë varet nga ndërgjegja e palëve. Bllokada për anëtarësim nuk është e thënë të bëhet me deklarata publike. Publikisht Serbia mund të qëndrojë indiferente dhe e heshtur ndaj përpjekjeve të Kosovës për anëtarësime në organizata ndërkombëtare, por mund të inkurajojë fshehur nga publiku, në mënyrë krejt miqësore shtetet e saj mike, Rusinë, e Kinën që të bllokojnë Kosovën. Pra, kjo pikë është absolutisht infantile dhe qesharake.
15. Me ndihmën e BE, nga të dy palët do të krijohet një Komitet i Implementimit.
BE-ja do të mund të implementojë të gjitha pikat e marrëveshjes përveç pikën 14 që është pikë e ndërgjegjes dhe sështë obligative.
Ministrja e integrimeve e quajti këtë marrëveshje “të shenjtë” si akt i zgjedhjes së Papës nga engjëjt.
Euforia e Çollakut të bënte të ikje sa më parë nga Kosova, nga ky vend i udhëhequr nga njerëzit e kënaqësive dhe krimit.
Çollaku në çastin që kryeministrat i vunë inicialet e tyre në marrëveshje, shkroi në twitter se “s’di a do të na e dinë gjeneratat e reja, fëmijët, e ardhmja, se çfarë bëmë ne sot për ta”.
Merre ti me mend!
Kryeministri e di çfarë ka nënshkruar, por tha se është marrëveshje historike. Kjo marrëveshje është “Hyrje në Marrëveshje”.
Për Veriun e Kosovës u pyet dhe vendosi Serbia.
Kryeministrin e Kosovës, në fund, do ta hudhin siç i kanë hudhur të gjithë ata që bënë marrëveshje me Serbinë armike. Sepse, për të fituar “lirinë e tij” pranoi që ta falë gjakun e shqiptarëve të vrarë për Liri.
Bëri marrëveshje me Serbinë, pa asnjë parakusht, pa kërkuar falje Serbia për krimet e bëra.
U pajtua me Serbinë, pa e pranuar fajin Serbia.
U pajtua, u çmend nga kënaqësia që Serbia po pranon që të “pajtohet” me të, as nuk kërkoi nga Serbia të “pagjeturit” e as zbulimin e varrezave masive.
E fali Serbinë, nuk ngriti padi për gjenocid kundër Serbisë.
Nuk kërkoi nga Serbia t’ia paguajë Kosovës dëmet e luftës.
Pse Hashim Thaçi nxitoi me panikë që të pajtohet me Serbinë!
Për ta fituar lirinë e vet.
Sot me Serbinë është pajtuar vetëm kryeministri me djemtë dhe vajzat e tij.
Populli nuk është pajtuar me Serbinë.
Qe e sheh, do të dalë një Ismail Qemajl që do të ta dëshmojë.

………………………………..

Slloba i Vogël (Ivica Daçiq) nderon sllobën e Madhë!!!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura