Tiranë, 12. 7. 2016: Nuk e di kujt i intereson që, në këtë vapë përvëluese vere dhe çmendurie politike për “Drejtësi apo gjysmë-drejtësi, të rihapë, për të disatën herë, një debat kundër figurës së Skënderbeut. Mua nuk më shqetësojnë zërat që përpiqen të sfumojnë një emër, një figurë dhe një mit tonin. Askush prej tyre, madje as të gjithë zërat në kor kundër Skënderbeut si figurë, nuk do ta gudulisnin dot as të pasmen e kalit të tij, e jo më ta çmitizonin vetë Atë… Skënderbeu është aty në histori për të na treguar se shqiptarët janë sa trima, aq edhe humanitarë, sa të mençur aq edhe luftëtarë. Është aty për t’i kujtuar Europës se pa luftën e tij në mbrojtje të Krishterimit, sot ndoshta gjysma e saj do shihte telenovelat turke pa patur nevojën e përkthimit. Skënderbeu është aty në historinë e Europës për t’i treguar asaj se shqiptarët janë populli që ka sakrifikuar më shumë për të.
Por le të vijmë te fakti i ditëve të fundit.
Kush dhe përse interesohet për të ringritur sërish një erë antikombëtare?
Kujt i intereson kjo në këto momente?
Dikush mund të thotë se një historian turk dhe një shqiptar e kanë krahasuar Skënderbeun me terroristët e sotëm.
E kjo fundja mund të jetë ose jo e vërtetë, po çfarë pune prish?
Kjo është më shumë se një budallallëk dhe më shumë se një keqdashje. Po sulltanët e mesjetës, me cilin mund të krahasohen?
Po ku është parë e dëgjuar që të trajtohen figura historike nën paralelizma jashtëkohorë? Por ja që këta pseudo-historianë marrin në sy rrezikun profesional për të bërë deklarata të tilla. Përse?
Para disa vitesh (jo fort larg) disa individë të tillë u munduan të hapin një “debat” mbi figurën e Skënderbeut, duke e anatemuar, përçmuar dhe denigruar. Bënë edhe libra, edhe emisione televizive, ku “opinionistët tanë të gjithëditur” u përpoqën të na mbushnin mendjen se Skënderbeu nuk vlen të mitizohet. Por në ato vite, kur gjithçka përçudnohej me synim shkatërrimin e ndërgjegjes kombëtare, qëllimi kuptohej qartazi, dhe pse vishej nën petka “specialistësh”.
Duhet të ishe vërtetë miop që të mos shikoje atëherë se si Serbia apo Greqia u përpoqën (dhe vazhdojnë ta bëjnë këtë) për të “argumentuar” se Skënderbeu na qenkësh sllav apo grek!!!
Pse qenkan kaq të dëshiruar për ta përvetësuar këtë figurë gjigante dy nga vendet fqinje më dashakeqet në historinë tonë?
Nëse Skënderbeu do ishte terrorist, cili vend do të donte ta kishte si hero të vetin në kohën tonë?
Ndaj argumenti që hidhet është jo vetëm antihistorik, por mbi të gjitha antikombëtar.
Asokohe Lufta e Kosovës dhe bërja e saj një shtet më vete ishte një ngjarje e jashtë zakonshme që nuk mund të pranohej lehtësisht nga dashakeqët e popullit shqiptar. Për të prishur imazhin e bashkimit, imazhin e qëndresës së një populli u gjet të sulmohej figura e Skënderbeut. Po sot çfarë e ka shtyrë sërish këtë çështje që të dalë në pah me një forcë më të dobët, por gjithsesi të ndjeshme në jetën e vendit?
Pyetjet vijnë njëra pas tjetrës.
Kush e ftoi “historianin” turk në Shqipëri?
Përse Ministria e Kulturës nuk ka një deklaratë zyrtare për këtë?
Përse nxitoi dhe një tjetër “historian” shqiptar t’i bashkohej këtij sulmi?
A do ketë edhe “të tjerë” që do vazhdojnë ta amplifikojnë këtë temë me opinione, debate e publicitete?
Nëse gjejmë përgjigje për këto pyetje, kemi gjetur përgjigjen e pyetjes kryesore:
Kujt i intereson zhbërja e ndërgjegjes sonë kombëtare në këto momente mjaft vendimtare për të ardhmen tonë?
Bashkimi Europian sot më shumë se kurrë ka nevojë për t’u qasur me më shumë tolerancë ndaj Ballkanit Perëndimor. Shqiptarët janë padyshim pika më e fortë e tij. Të shtrirë në katër shtete shqiptarët janë populli që ka jetuar dhe jeton me një Flamur, një Hero e një Gjuhë. Heroi është Skënderbeu! Shqiptarët të bashkuar brenda Bashkimit Europian (por pse jo, edhe jashtë tij) janë padyshim një forcë zhvilluese, stabilizuese, por edhe toleruese. Një forcë e tillë përballoi dikur Perandorinë Turke.
Ndaj nuk shqetësohem për zërat e turkut apo të pseudoshqiptarit. Shqetësohem nëse këto zëra do bashkohen nën një orkestrim antishqiptar brenda apo jashtë Shqipërisë. Mendoj se është detyrë e shtetit shqiptar që të mos lejojë askënd të denigrojë simbolin e shqiptarëve. Sepse Skënderbeu është një simbol që identifikon unitetin shqiptar, forcën dhe vitalitetin e një populli. Nuk e di nëse Ministria e Arsimit dhe Sportit ka ndonjë projekt për të riparë historinë tonë kombëtare. Nxënësit e sotëm dinë fare pak për të. Skënderbeu është arsyeja që sot jemi një komb, kemi këto troje që, edhe pse të ndara nga trungu (sepse nuk patëm sërish një Skënderbe, kur Europa na i shpërbleu sakrificën tonë për të duke na “ngrënë” troje).
Arsyeja e të qënit shqiptar është padyshim edhe Skënderbeu! Por nën idenë e liberalizmit, të gjoja lirisë, të rinjtë shqiptarë nuk dinë ose dinë fare pak për atë periudhë lavdie kombëtare. Nëse lejojmë të na zhbëjnë ndërgjegjen tonë kombëtare, kemi zhbërë të ardhmen tonë. Ndaj nuk duhen parë si lajthitje që hera-herës shfaqen në truallin tonë politik të tilla pikëpamje denigruese. Është detyrë e gjithsecilit të kuptojë në radhë të parë vlerën e jashtë zakonshme, fatin që na dhuroi ajo kohë, për të qenë krenarë edhe sot. Nëse kjo tingëllon patetike, mos bëni më moral me tezën: “Mos pyet se ç’bën vendi për ty, por ç’bën ti për vendin”!