ADIL FETAHU: INDIFERENCA (IDIOTIKE) NDAJ RËNIES DEMOGRAFIKE!

Prishtinë, 9 prill 2018: Gënjejmë vetvetën dhe na konsiderojnë të tjerët, për “natalitet të lartë”. Shpesh dëgjojmë nga njerëz të painformuar mirë, por edhe nga asi që ia mbajne vetes se dijnë gjithçka, apo nga mjete të ndryshme të informimit, për numrin e shqiptarëve: 7,5 milionë në Ballkan, e mbi 15 milion në gjithë botën; për natalitetin e lartë dhe pretendimet se deri në vitin 2050 apo 2060, do t’ua kalojmë të gjithë popujve tjerë të Ballkanit,- e broçkulla tjera kësofare, pa bazë as analizë të realitetit. Sepse, po të analizosh me kujdes të dhënat e statistikave demografike, figura na del jo ajo e pretendimeve optimiste e të rrejshme, por shumë pesimiste dhe brengosëse për të ardhmën e kombit. Nga populli më i madh në Siujdhesën Ballkanike (Ilirikumi), jemi tkurrë e shndëruar në popull më të vogël se fqinjët tanë sllavë e grekë.
Politikani e shkrimtari Ben Blushi, në romanin e tij “Hëna e Shqipërisë”(2014),duke trajtuar në mënyrë letrare, por me argumente dhe prognoza mjaft reale problemin e demografisë së shqiptarëve, thekson se në vitin 1800, në Ballkan kishte 180 mijë Serbë, 630 mijë Grekë dhe afro 700 mijë Shqiptarë. Njëqint vjet më vonë (1900), kishte 3 milionë Serbë, 2,6 milionë Grekë dhe 1,5 milion Shqiptarë! Në vitin 2100 Shqipëria do të ketë 1 milion banorë më pak, parashikon Blushi, në bazë të analizës së faktorëve që ndikojnë në rënien e popullsisë së Shqipërisë. Absurdi është se të tjerët na konsiderojnë, edhe na “besojmë” se kemi shtimin më të lartë të popullsisë, e nga ana tjetër dy popujt fqinjë na kanë kaluar për disa miliona!

Studjuesja Elena Kocaçi-Levanti, në librin e saj “Planet për zhdukjen e Shqiptarëve”, duke iu referuar burimeve të hueja (Ami Bou), thotë se në gjysmën e parë të shekullit 19, Shqipëria etnike ka pasur 180 mijë km/katrore dhe 1,5 milion banorë (pa llogaritur Shqiptarët e Greqisë), kur Serbia kishte 900 mijë banorë, me gjithë shqiparët e asimiluar (fq.174). Me trendin e shtimit të popullsisë që kishte atëherë, sot populli shqiptar duhej të kishte 30 milionë banorë. Por, shtetet fqinje: Greqia, Serbia, Mali Zi, Bullgaria, me pushtimin e territorit e të popullit, me vrasjet, dëbimet dhe asimilimin që kanë kryer gjatë kohës, kanë bërë që populli shqiptar të ngelet në çdo pikëpamje, pra edhe në pikëpamje demografike.
Profesori Banisllav Sinadinovski, që kohëve të fundit njihet si një intelektual i cili ka ngjallur ndjenjen e përkatësisë kombëtare shqiptare të ortodoksëve në Maqedoni, pohon se në atë shtet, me identitet të kontestuar nga të gjithë, janë së paku 70-75 mijë shqiptarë ortodoksë nga rrethi i Mavrovës, të shpërndarë në gjithë Maqedoninë, e më se tepërmi në Shkup, të cilët janë asimiluar krejtësisht, në rrethana e periudha të ndryshme, dhe tash nuk guxojnë të deklarohen se janë me prejardhje shqiptare! Vitin e kaluar Sinadinovskin e patën rrahur persona të maskuar, për shkak se kishte deklaruar publikisht origjinën e vet shqiptare dhe kishte kërkuar hapjen e një kishe ortodokse shqiptare.
Po, sa është numri i shqiptarëve autoktonë të asimiluar në Serbë, apo Malazezë, e të mos flasim për arvanitët dhe ortodoksët e Çamërisë, të cilët janë asimiluar, nën presionin e kishës dhe të shtetit grek. Shqiptarët e shpërngulur dhe asimiluar në Turqë, janë “kapitull” i veçantë.
Tranzicioni po e ha demografinë shqiptare
Në qoftë se për periudhën e kaluar, deri në pavarësinë e Shqipërisë dhe deri në çlirimin (dhe pavarësimin) e Kosovës, fajin për tkurrjen tonë territoriale dhe demografike e kishin shtetet fqinje dhe fuqitë e mëdha të Evropës, për periudhën pas këtyre datave fajin e kemi vet na shqiptarët, respektivisht elitat tona politike e shtetërore. Të paktën, për sa u përket këtyre dy shteteve shqiptare, sepse Shqiptarët që janë nën Serbi, Greqi, Maqedoni e Mal të Zi, gjithnjë janë të shtypur e të diskriminuar në çdo pikëpamje dhe nën presion, ose për t’u shpërngulur dhe emigruar, ose për t’u asimiluar. Dhe, nëse procesi i asimilimit, përveç shqiptarëve ortodoks në Greqi, në vendet tjera fqinje ku kanë shkollat në gjuhën shqipe, është pothuajse i pamundur, shtetet përkatëse me masa shtypëse e diskrimunuese, po i detyrojnë të shpërngulën, dhe ata po emigrojnë kryesisht në shtetet e zhvilluara të Perëndimit, ku po integrohen shpejtë, me mundësi potenciale që brezi i dytë ose më së largu i treti, të asimilohen plotësisht. Sidoqoftë, për shkaqe dhe në mënyra të ndryshme, substanca demografike shqiptare po tkurret me shpejtësi. Mjerisht, emigrim enorm të popullsisë shqiptare kishte dhe vazhdon të ketë edhe nga shtetet e pavarura shqiptare: nga Shqipëria dhe nga Kosova. Në një analizë të Bankës Botërore “Treguesit e zhvillimit në botë”, për ecuritë demografike në Ballkan, për periudhën 2010-2020, vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë kishte paraparë shtim natyror të popullsisë; për Kosovën 0,7% në vit, ndërsa për Shqipërinë 0,2%. Për Maqedoninë kishte paraparë 0,0, dmth. numër i barabartë i lindjeve dhe vdekjeve, dhe këtë “barazim” vetëm në saje të popullatës shqiptare në Maqedoni, që ka normë më të lartë të shtimit natyror. Por, Maqedonia tërë kohën ka manipuluar dhe i ka fshehur të dhënat statistikore nga regjistrimet e popullsisë. Asnjëherë nuk i ka publikua të dhënat e plota nga regjistrimi i fundit, ndërsa sipas regjistrimit të vitit 2002, ka pasur 2022547 banorë, prej të cilëve: Maqedonë 1297981, Shqiptarë 509083, Turqë 77959, Romë 53879, Serbë 35939, Boshnjakë 17018, Vëllehë 9695, dhe të tjerë 20993. Për Serbinë. Banka Botërore kishte paraparë se do të ketë rënie të shtimit natyror të popullsisë 0,2% në vit, Kroacia 0,3%, ndërsa rënien më të madhe do ta ketë Bosnje-Hercegovina 0,4%. Por prognoza optimiste e Bankës Botërore nuk doli e saktë, sepse në të dy shtetet shqiptare pati rënie rapide të shtimit natyror të popullsisë. Dhe kjo po ndodhë për shkak të politikave të gabuara të qeverive të të dy vendeve, që kanë pllakosur popullin me varfëri dhe papunësi. Sipas të dhënave të Kombeve të Bashkuara, në proporcion me numrin e banorëve, Shqipëria zë vendin e parë në botë përkah numri i emigrantëve (në Greqi, Itali, e gjetkë). Shkaqet e këtij emigrimi janë të natyrës ekonomike, sociale dhe politike. Por, emigrimi po e lëndon substancën tonë kombëtare dhe po ndikon në ngecjen e zhvillimit të gjithmbarshëm, sepse po emigron kontigjenti më produktiv në të gjitha aspektet.
Nataliteti ka rënë në mënyrë rapide
A. Në Republikën e Shqipërisë
Nuk është vetëm emigrimi shkak i rënies së numrit relativ dhe absolut të popullsisë së Shqipërisë. Faktori i dytë, por edhe më i rëndësishëm dhe më brengosës, është rënia permanente e natalitetit, respektivisht rënia e shtimit natyror të popullsisë, dmth. raporti midis numrit të fëmijëve të lindur (gjallë) dhe numrit të personave të vdekur, gjatë vitit. Kjo rënie mund të ilustrohet me të dhëna të statistikave: për numrin e lindjeve, vdekjeve, kurorëzimeve, shkurorëzimeve, regjistrimit të nxënësve në shkolla e fakultete, etj,
Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, INSTAT, në periudhën 2012 deri 2017, Shqipëria ka pasur këto shifa të lindjeve e vdekjeve, respektivisht të shtimit natyror të popullsisë:

Viti Lindje Vdekje Shtimi natyror
2010 34061 20107 13954
2011 34285 20012 14273
2012 35473 20870 14603
2013 35750 20442 15308
2014 35760 20656 15704
2015 32712 22418 10297
2016 31733 21388 10345
2017 30869 22232 8637
Siç shihet nga tabela më sipër, në raport me vitin 2010, në vitin 2017 shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë ka rënë për 5317 banorë më pak, gjithnjë me tendencë të rënies së vazhdueshme, që shihet nga të dhënat për tre vjetët e fundit. Përveç rënies së numrit të lindjeve, në pakësimin e popullsisë po dikton emigrimi. Derisa në vitin 2017 kishte 30869 lindje, në të njëjtën kohë kanë emigruar 39910 veta. Figura e rënies së shtimit natyror të popullsisë do të jepë pasqyrë katastrofale po të krahasojmë shënimet me statistikën e vitit 1990. Atë vit në Shqipëri ishin lindur 82135 fëmijë, kishin vdekur 18193 persona, ndërsa shtimi natyror vjetor ishte 63982 banorë, që do të thotë se shtimi natyror i popullsisë së Shqipërisë prej vitit 1990 deri 2017, ka rënë më se shtatë herë (63892:8637=7,..). Në një shkrim të kësaj fushe, kam lexuar se shkallën kaq të lartë të rënies së shtimit natyror të popullsisë, Franca nuk e ka arritur për 200 vjet, sa e ka arritur Shqipëria për më pak se 30 vjet!! A nuk është kjo jo vetëm për t’u brengosur, por edhe për t’u alarmuar të gjitha strukturat e shoqërisë shqiptare dhe i gjithë kombi shqiptar?!
Një problem tjetër demografik dhe social në familjet shqiptare është trendi i rritjes së numrit të divorceve. Statistika shënon se në Republikën e Shqipërisë në vitin 1990 kishte 9 divorce nga 100 martesa, kurse në vitin 2016 ky numër arriti 24,7 divorce në 100 martesa. Ja të dhënat statistikore për divorcet:
Viti 2012 2013 2014 2015 2016
Martesa 22891 23820 23769 24997 22562
Divorcet 3561 3747 4220 5255 5582
Përqindja 15,6 15,7 17,8 21,0 24,7
Shkaqet e divorceve janë të shumta, por duket se shkaku kryesor është emigracioni, ndonëse në këtë fenomen ndikojnë edhe shkaqe tjera: dhuna, alkooli, droga, varfëria, tradhtia bashkëshortore, hedonizmi, narcisoizmi, mendjemadhësia, demokratizimi i shoqërisë dhe pozita e avancuar e femrës në shoqëri, diferencat në arsim, etj. Veçse pasojat sociale të divorceve janë të mëdha, sidomos për fëmijët e prindërve të divorcuar.
Rënia e shtimit demografik, përcillet edhe në të gjithë treguesit tjerë. Të dhënat për regjistrimin e nxënësve dhe studentëve në arsimin fillor, të mesëm dhe të lartë në Shqipëri, japin këtë pasqyrë:
Viti shkollor 2012/2013 2013/2014 2014/2015 2015/2016 2016/2017
Të regjisrur gjithsejt: 719509 704782 665994 622156 596624
Arsimi 9-vjeçar:
-cikli i ulët, fillor 198897 195720 188371 179564 174836
-cikli lartë,arsimi bazë 191940 181354 175037 163935 153264
Arsimi i mesëm: 154425 151937 140042 130380 127114
a)gjimnazet 130137 124619 112775 104952 101995
b)shkollat profesionale 24288 27318 27267 25428 25119
Arsimi pas të mesmes,
(jo i lartë) 1686 1952 2017 1521 1803
Arsimi i lartë 172561 173819 160527 146756 139607
Prej vitit shkollor 2012/2013, deri në vitin 2016/2017, dmth brënda pesë vjetëve, numri i përgjithshëm i nxënësve dhe studentëve të regjistruar ka rënë për 122805 veta, dhe kjo rënie ka vijuar në të gjitha kategoritë dhe shkallët e arsimit.
Në kushte të tilla të ecurive demografike, rritje ka shënuar vetëm kategoria e popullsisë së moshuar, që ka arritur shkallën mbi 18% të totalit të popullsisë. Në vitin 2017 Shqipëria kishte 546000 të moshuar mbi 65 vjeçë, me tendencë të rritjes së përhershme në numrin e përgjithshëm të popullsisë, që është një tregues i pafavorshëm demografik nga aspekti i ngarkesës ekonomike dhe sociale të shtetit dhe të shoqërisë shqiptare. Aq më tepër që shteti nuk është i përgatitur për përkujdesjen e numrit të madh të nevojtarëve të moshuar, ndërsa kujdesi joformal, nga familja, po përballet me sfidat e kohës. Për shkak të ecurive demografike të pafavorshme, mosha mesatare e popullsisë po rritet me shpejtësi. Bie fjala, në vitin 2015 mosha mesatare e popullsisë në Shqipëri ishte 34 vjeç, në vitin 2016 ajo arriti në 35 vjeç. Sipas shkencës së demografisë, një popull zhduket në qoftë se numri i të moshuarëve të grupmoshës mbi 60 vjeçë arrinë të jetë 2,5 herë më i madh se numri i banorëve të grupmoshës deri 19 vjeçe. Në vitin 2017 raporti në mes këtyre dy grupmoshave në Shqipëri ka qenë 743047 : 642637 në favor të grupmoshës së të rinjëve deri 19 vjeç, dmth. diferenca midis këtyre dy grupmoshave ekstreme është mjaft e vogël, gjithsejt 104410 veta, dhe me tendencën e rëniës së natalitetit, shumë shpejtë mund të arrijmë në shkallën e rrezikshme të zhdukjes, si komb e si popull. Historia mbanë “mend” zhdukjen e shumë popujve në botë.
B. Në Republikën e Kosovës
Rënie e madhe e numrit të lindjes së fëmijëve, rrjedhimisht edhe rënia e shtimit natyror të popullsisë është shënuar edhe në Kosovë. Në harkun kohor prej 15 vjetëve (2002-2016), shtimi natyror i popullsisë së Kosovës ka rënë më se dyfish. Derisa në vitin 2002 shtimi ishte me 30482 fëmijë, në vitin 2016 ky shtim ka rënë në 14921. Shkaqet e kësaj rënie të madhe të shtimit natyror të popullsisë, janë pothuajse të njëjta sikur ato në Shqipëri, dhe gjithandej ku jetojnë shqiptarët, por përafërsisht të njëjta janë edhe në gjithë rajonin: emigrimi i të rinjëve, martesat e vonshme, më pak lindje për shkak të punësimit të femrave dhe ambicjeve të tyre për karrierë, hedonizëm e jetë më komode, mungesa e kushteve dhe kujdesit social për fëmijët, etj.
Planifikimi i familjes është një relikt i socializmit, që ka kuptimin për Kinën e stërpopulluar, por jo për Shqipërinë dhe Kosovën, të cilave po iu pakësohet popullsia me të shpejtë. Këtë relikt, të planifikimit të popullsisë e zbatonte Serbia në Kosovë, për të zvogëluar natalitetin, ashtu që edhe shtesat fëmijënore nuk ua paguante për fëmiun e katërt e tutje. Dhe kjo ishte një masë raciste, ndërsa gratë shqiptare i quanin “makina për lindjën e fëmijëve”, që thoshin se po bëhet
me qëllim të rritjes së kombit dhe pushtimit të territoreve! Për inatë të këtij racizmi serb, poeti boem, i ndjeri Mirko Gashi, botoi një poezi, me këto vargje: “Kur më lindi gëzimi i parë / E mbolla një lis/, Kur më lindi gëzimi i dytë/ e mbolla edhe një lis/, Kur më lindi gëzimi i tretë/ i stërmbushur me gëzim/ E mbolla edhe një lis/; Lis pas lisi e plis pas plisi/ Bëhet pylli e rritet fisi/, Do të vie koha/ Edhe Adriatiku do të jetë i vogë për t’i larë mnelat e fëmijëve tanë/. Kështu poeti ynë i kundërvihej politikës raciste që Sërbia zbatonte kundër natalitetit të shqiptarëve. Por,atë që nuk mundi ta bënte politika raciste serbe kundër natalitetit tonë, këtë po e bëjmë na vet, me politikën tonë të shtirur si modernë, me planifikim të familjes, me martesa të vonuara, me lindje sa më pak fëmijë, me pushim 9 mujor për lehonat, me mosstimulim material-financar për fëmijët e lindur, pa shtesa fëmijënore, pa sigurim shëndetësor; shteti po ndikon negativisht në politikën popullative dhe po shkakton rënien drastike të natalitetit. Ja si paraqitet tabela e ecurive demografike të Kosovës në periudhën 2002 – 2016:
Viti Lindur gjallë Persona të vdekur Shtimi natyral Kurorëzime Shkurorëzime
2002 36136 5654 30482 18280 –
2003 31994 6417 25577 17034 –
2004 35063 6399 28664 16989 1293
2005 37218 7207 30011 15732 1445
2006 34187 7479 26708 15825 1480
2007 33112 6681 26431 16824 1558
2008 34399 6852 27547 17950 1026
2009 34240 7030 27210 20209 1555
2010 33751 7234 26517 18289 1453
2011 27626 7111 20515 16619 1469
2012 27743 7317 20426 17169 1328
2013 29327* 7135 22192 14664 1040
2014 25929 7634 18295 16239 1243
2015 24594 8202 16392 16274 1268
2016 23416 8495 14921 *)Për vitin 2013, janë llogaritur edhe lindjet jashtë Kosovës
Nga të gjitha parametrat, rezultatet na dalin negative në raport më vitin fillestar krahasues. Kështu, në raport me vitin 2002, në vitin 2016, kemi 12720 lindje më pak; kemi 2841 vdekje më shumë; shtimi natyror i popullsisë është për 15561 veta më pak; janë 2006 kurorëzime më pak. Vetëm shkurorëzimet oscilojnë gati në vlera të njëjta.
A po rrëshqasim në humnerë demografike me këto shifra? A duhet të qëndrojmë indifferent ndaj këtyre ecurive? Edhe prej ditës së sotme sikur të merrën masa për ndaljen e këtij trendi, humbjet e deritashme nuk mund të kompensohen kurrë, ndërsa efektet e masave në këtë fushë nuk japing rezultate shpejtë. Nga rënia e natalitetit dhe procesi i migrimit të grupmoshave të reja, na shfaqet fenomeni i plakjes së popullsisë, me të cilin do të përballet Kosova, e pa përgatitur me fondet pensionale, shëndetësore, sociale etj.
Është karakteristikë me statistikën e nxënësve dhe studentëve të Kosovës, të regjistruar në arsimin publik dhe privat. Përkundër rënies aq të madhe të natalitetit, rënia e numrit të nxënësve të regjitruar është shënuar vetëm në shkollat fillore, dhe kjo pasqyron realitetin e rënies së natalitetit, ndërsa në shkolla të mesme dhe në arsimin universitar ka shënuar rritje. Kjo mund të shpjegohet me papunësinë e madhe që mbretëron në Kosovë, prandaj rinia duke mos pasur mundësi punësimi, po vazhdon arsimimin në shkolla të mesme dhe universitete publike e private, me shpresë se pasi t’i kryejnë ato, do të gjejnë punë, apo si njerëz të arsimuar do të gjejnë punë edhe në shtete të jashtme.
Ja ecuritë statistikore, të numrit të fëmijëve, nxënësve dhe studentëve në arsimin publik dhe privat, të regjistruar në vitet shkollore 2007/2008 – 2016/2017
Niv.arsimit 2007/2008 2008/2009 2009/2010 2010/2011 2011/2012
Parashkollor 24864 23826 24033 24655 24945
Fiillor dhe i
mesëm i ulët 325544 319154 306299 302253 294419
I mesëm i lartë 91536 96765 104806 108503 109513
Fill. i mes/ult.special 722 752 791 807 782
I mes.i lartë special 169 83 94 96 133
Ars.universitar 25840 29051 37839 45725 49844
Gjithsejt: 468675 469631 473862 482041 479636
2012/2013 2013/2014 2014/2015 2015/2016 2016/2017
Parashkollor 26431 26768 25928 27508 29473
Fillor, mes/ultë 266677 280523 273649 263779 255093
Mesëm i lartë 107303 100437 83743 87647 90941
Fillor dhe i mesëm
special 720 635 307 254 203
I mesëm/lartë spec. 146 147 138 103 68
Universitar 65305 52159 69220 120429 123988
Gjithsejt: 486582 450969 452985 499920 499766
Trendi negativ i zhvillimeve demografike përcillet në të gjitha sferat e zhvillimit ekonomik dhe shoqëror.Të dhënat e regjistrimit të nxënësve në shkollat fillore kanë shënuar rënie për 70451 nxënës më pak në vitin shkollor 2016/2017, në krahasim me dhjetë vjet më parë (2007/2008). Në qoftë se marrim si numër mesatar 300 nxënës për një shkollë, po del se për 10 vjet kemi afro 234 shkolla më pak! Në arsimin universitar kemi shtim pesëfish të numrit të studentëve të regjistruar, dhe ky shtim është bërë në saje të hapjes së pakontrolluar të universiteteve publike dhe private në të gjitha qendrat e qyteteve, dhe në shumicën e qytezave të Kosovës, në të cilat nuk arrihet dije e nivelit të dëshiruar, sepse nuk kanë kushte objektive, kritere mësimore as personel pedagogjik të nevojshëm e të kualifikuar.
Serbinë po e godet “murtaja e bardhë”
Sado brengosëse që janë zhvillimet demografike në Shqipëri, në Kosovë e në gjithë trojet shqiptare, megjithatë në krahasim me fqinjët tanë, akoma qëndrojmë ku e ku më mirë, sidomos në pikëpamje të grupmoshave të popullsisë më të re. Të gjithë fqinjët tanë qëndrojnë më keq, dhe janë alarmuar se i ka përfshirë “murtaja e bardhë”. Në Serbi, qysh moti Akademia e Shkencave dhe Arteve, shkencëtarë të demografisë dhe Kisha Ortodokse Serbe janë alarmuar dhe i bëjnë thirrje popullit dhe shtetit, të ndërmarrin masa për të stimuluar lindjen e sa më shumë fëmijëve, sepse kombi po u rrezikohet, e bashkë me te edhe shteti dhe territori. Ata të gjitha ecuritë i vëjnë në konotacion politik e territorial, prandaj thonë se nëse vazhdon rënia e popullsisë me këtë trend, populli serb do të mbetet të jetojë nëpër enklava në shtetin e vet. Atje ka emigrimi i të rinjëve, si proces nuk është i shprehur sikur te shqiparët, prandaj shkaku kryesor i depopullimit në Serbi është rënia e natalitetit, martesat e vonshme, dhe një prej shkaqeve dhe fenomeneve më të theksuara dhe më të kritikuara nga kisha serbe, është numri enorm i madh i abortimeve (afro 300 mijë abortime në vit). Nga ana tjetër, janë më se 250 mijë “djemë” të pamartuar deri në moshën 40 vjeçare. Prandaj, kisha dhe shteti u bëjnë apel: lindni sa më shumë fëmijë nga martesat e jashtë martesave. Janë 300 shkolla me vetëm nga një nxënës. Dhe ajo që është më brengosëse për Serbinë, është procesi i plakjes së popullsisë. Nga 7.186.862 banorë, sipas regjistrimit të popullsisë në vitin 2011, mbi moshën 60 vjeçe janë 1.778.730 banorë, ndërsa në grupmoshën 0 – 19 vjeçe janë 1.427.272 banorë. Sipas “matrices” demografike, një popull mund të zhduket në qoftë se numri i të moshuarëve mbi 60 vjeçë është dyfish e gjysëm më i madh se numri i grupmoshës së popullsisë deri 19 vjeçe. Sipas të dhënave të ministrisë përkatëse, në vitin 2017 në Serbi ka pasur 65.000 lindje, ndërsa 104.000 persona kanë vdekur, gjë që bilanci negativ është për 39000 banorë në vit. Mosha mesatare e popullsisë është 43 vjeçe.
Të alarmuar nga depopullimi, Qeveria e Serbisë, në strategjinë e saj, ka ndërmarrë një varg masash ekonomiko-sociale për stimulimin e natalitetit. Me një ligj për mbështetjen finnciare të familjeve me fëmijë, i cili hyn në fuqi më 1 korrik 2018, ka përcaktuar se për fëmiun e parë, nënës do t’i paguhen 100 mijë dinarë, për fëmiun e dytë do t’i paguhen nga 10 mijë dinarë dy vjet rresht, për fëmiun e tretë nga 12 mijë dinarë, ndërsa për fëmiun e katërt 18 mijë dinarë gjatë 10 vjetëve të ardhshme. Këtu strategjia serbe ka bërë një hile të qellimshme, duke ndalë stimulimin për më shumë se 4 fëmijë, sepse me këtë do të stimulonte lindjet edhe te Shqiptarët (e Luginës së Preshevës), apo te Boshnjakët e Sanxhakut, të cilët mund të lindin më shumë se katër fëmijë!
Fushatën e aksionit për stimulimin e natalitetit, të cilën para disa ditëve e paralajmëroi kryetari i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, menjëherë “e mbësheti” edhe ministri i mbrojtjes, Aleksandar Vullin, duke thënë se edhe ushtria do ta jep kontributin e vet në këtë drejtim. Shkagjinjtë e shumtë në rrjetet sociale, gadishmërinë e ministrit të mbrojtje e komentuan si mundësi që Vullini ta caktojë nga një ushtar për secilën familje, “për t’iu ndihmuar të lindin sa më shumë fëmijë”!.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura