ZHAN-ZHAK RUSO

ZHAN-ZHAK RUSO

Njeriu ka lindur i lirë, por kudo është në pranga – Ruso

Zhan-Zhak Ruso (Jean-Jacques Rousseau, Gjenevë, Zvicër, 28 qershor 1712 – Ermenovil, Francë, 2 korrik 1778) është filozof, shkrimtar, teoricien politik dhe kompozitor autodidakt zviceran-francez, i epokës së iluminizmit. Është pasardhës i një familjeje protestante të vendosur në Gjenevë në shekullin XVI. Ka përjetuar një fëmijëri të rëndë. Shpirt jo i qetë, pa shkollim sistematik. U vu në kërkim të identitetit dhe të sigurimit të ekzistencës. Punoi si ndihmës orëndreqësi (zanat i babait), gdhendës dhe skalitës. Në Torino punoi si lakej (shërbyes), këngëtar në korrin kishtar, mësues i muzikës, sekretar privat i ambasadorit të Francës në Venecie, përshkrues notash. I njohu të gjitha shtresat e shoqërisë. Me shumë mundime ngjitej nëpër kohën kur jetoi, të karakterizuar me etiketë të zbrazët dhe me parazitizëm shoqëror.

U edukua si kalvinist. Në vitin 1728, nën ndikimin e zonjës apo baroneshës Dë Varen (de Warens, 1699/1700 – 1762), bamirëse dhe dashnore e tij, Rusoi kaloi në katolicizëm, por më vonë përsëri u rikthye në protestantizëm. Me zonjën Dë Varen i kaloi vitet 1731-1740. EdhezonjaDë Varen ishte konvertuar në protestant nga pietizmi. Ajo ndikoi me të madhe në formimin e pikëpamjeve religjioze të tij, duke i bashkuar bindjet deiste, që i përjashtonin mësimet siç janë ferri dhe mëkati i paralindur, me një lloj sentimentalizmi kuietistik. Gjatë viteve të kaluara me të, Rusoi e plotësoi arsimimin e tij jo të plotë, duke lexuar shkrime të ndryshme, përfshi edhe veprat e Rene Dekartit, të Gotfrid Vilhelm Lajbnicit,të Xhon Lokut, të Blez Paskalit dhe të tjerëve.

Rusoi u inspirua: nga politikani, teoricieni i së drejtës dhe i shtetit dhe shkrimtari italian Nikolla Makiaveli (Niccoló Machiavelli, 1469-1527), nga filozofi francez Mishel Montenj (Michel Eyquem de Montaigne, 1533-1592), nga filozofi anglez Tomas Hobs (Thomas Hobbes, 1588-1679), nga filozofi anglez i cili studioi në Oxford, themelues i liberalizmit të bazuar në filozofi  Xoh Lok (John Locke, 1632-1704), nga filozofi dhe iluministi francez, vazhdimisht i nënshtruar përndjekjeve dhe burgosjeve për shkrimet kundër fanatizmit fetar dhe ancien régime Deni Didëro (Denis Diderot, 1713-1784).

Rusoi ushtroi ndikim mbi: filozofin gjerman Imanuel Kant (Immanuel Kant, 1724-1804); udhëheqësin e Revolucionit Francez Maksimilian Robespier (Maximilien Robespriere. 1758-1794); revolucionarin francez, filozofin politik Sen-Zhyst (Louis Antoine Léon de Saint-Just, 1767-1794); filozofin gjerman, të fajësuar për ateizëm, Johan Fihte (Johann Gottlieb Fichte, 1762-1814); filozofin gjerman Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831); shkrimtarin gjerman Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832); shkrimtarin dhe politikanin anglo-amerikan Tomas Pen (Thomas Paine, 1737-1809); filozofin, sociologun dhe matematikanin francez Ogyst Kont (Auguste Compte, 1798-1857); udhëheqësin politik të Venezuelës Simon Bolivar (Simón Bolivar, 1783-1830); filozofin, sociologun dhe ekonomistin gjerman me prejardhje hebraike Karl Marks (Karl Marx, 1818-1883); filozofin dhe sociologun gjerman Fridrih Engels (Friedrich Engels, 1820-1895); filozofin francez Zhak Derida (Jacques Derrida, 1930-2004); komparativistin dhe teoricienin letrar amerikan, me prejardhje flamane, profesor në Universitetin e Harvardit, Pol dë Man (Paul de Man, 1919-1983); filozofin, kritikun dhe politikanin italian Benedeto Kroçe (Benedetto Croce, 1866-1952); filozofin italian me orientim marksist Galvano della Volpe (Galvano della Volpe, 1895-1968); sociologun, etnologun, filozofin dhe antropologun francez Klod Levi-Shtros (Claude Lévi-Strauss, 1908-2009); sociologun francez, profesor në Sorbonë, Emil Dyrkem (Emile Durkheim, 1858-1917); revolucionarin anarkist rus Mihail Bakunjin (Mihail Aleksandroviç Bakunjin, 1814-1876); prozatorin, dramaturgun dhe publicistin rus Leon Tolstoj (Lev Nikolaeviç Tolstoj, 1828-1910); filozofin moral dhe politik, amerikan, në traditën liberale Xhon Rauls (John Rawls, 1921-2002).

*   *   *

Në vitin 1741 vajti në Paris. Aty u njoh me një grua të thjeshtë, Tereza Levaser (Thérèse Levaseur).

Në vitin 1742 takon në Paris filozofin francez Deni Didëro (Diderot) dhe enciklopedistët, por shpejt largohet prej tyre. Nëpërmjet Didëroit, Rusoi hyri në rrethin e enciklopedistëve. Për enciklopedistët shkroi disa artikuj. Përpos njërit, artikujt e tjerë ishin me temë na lëmi i muzikës.

Në studimin e tij të parë “Traktat për artin dhe shkencën” (1749) Rusoi i përgjigjet negativisht pyetjes shpërblyese të Akademisë së Dizhonit (Dijon) lidhur me faktin nëse shkencat dhe artet kontribuojnë në përmirësimin e moralit. Punimi u shpëblye nga Akademia e Dizhonit. Rusoi sakaq fiton famë në Paris. Vepra u botua në vitin 1750. Në këtë punim  mbronte tezën se progresi teknik dhe të mirat materiale e prishin moralin njerëzor.

 Botimi i veprës “Traktat për shkencat dhe artet” (Discours sur les sciences et les arts, 1750) shënon suksesin e tij letrar të parë, të ndërlidhur me periudhën kur në Paris u shoqërua me enciklopedistët, e posaçërisht me Deni Didëroin.

  Në vitin 1754 u kthye në Gjenevë ku përsëri u bë kalvinist. Këtu jeton një kohë të gjatë në “martesë natyrore” me Terеza Lavaser (Therese Lawasseur, 1721-1801). U kurorëzuan në vitin 1768, pas shumë vitesh martese natyrore. Pesë fëmijët që lindën nga kjo martesë, për shkak të vështirësive ekonomike i vendosën në një jetimore apo në një spital për fëmijë të braktisur.

Po atë vit, d.m.th. në vitin 1754, në Eremitazhë (Eremitage), në veri të Parisit shkroi veprën „Traktat mbi prejardhjen dhe mbi bazat e pabarazisë midis njerëz“ (Discours sur l’origine et les fondements de l’inégalite parmi les hommes, 1755). Është një skicë për rrugën e zhvillimit të njerëzimit.  

Në vitin 1756, Rusoi u vendos afër Monmorensit (Montmorency). Këtu i shkroi veprat që do ta bëjnë të famshëm: romanin epistolar (në formë letrash) “Zhyli, ose Eloiza e re” (Julie, ou La Nouvelle Héloïse, 1764), veprën “Kontrata sociale ose parimet e të drejtës politike“ (Du contrat social ou Principies du droit politique, 1762) dheromanin „Emili ose mbi edukatën“ (Émile ou sur l’éducation. 1762).

Romani “Zhyli, ose Eloiza e re” është një rrëfim dashurie plot pasion, përzierje e prozës erotike-sentimentale të ndjenjave të sinqerta dhe e shqyrtimit moral, politik dhe shoqëror. Autori dënon shoqërinë, e cila për shkak të konvencioneve, i ndan të dashuruarit. Ky roman ka qenë i rëndësishëm për zhvillimin e para-romantizmit dhe të fiksionit të romantizmit.

Në romanin “Emili ose mbi edukatën” (Émile ou De l’Éducation, 1761/62) Rusoi mbron edukimin natyror të fëmijës pa gënjeshtrat e shoqërisë dhe të civilizimit, por edhe religjionin natyror. Sipas disa studiuesve, Emili është pasqyrim i vetë Rusoit, përkatësisht i të kundërtës së tij. Në këtë vepër Rusoi ka zhvilluar një program utopik për arsimim, në përputhje me natyrën dhe larg ndikimit të pamoralshëm të shoqërisë. Në kapitullin e njohur “Profesioni fetar i famullitarit të Savojës” (La Profession de foi du vicaire Savoyard), Rusoi i përmbledh idetë e veta religjioze. Ai ishte ithtar i një lloj deizmi, i cili – ndonëse i ngjashëm me deizmin e filozofëve të iluminizmit të cilët e pohojnë bindjen për ekzistimin e Zotit, të shpirtit dhe të jetës pas vdekjes – pohimin e vet e mbështet në ndjenjën e individit për raport personal me Zotin nëpërmjet ndërgjegjes, burim dhe inspirim i të cilit është Ai. Për këtë roman e dënuan, edhe rrethet katolike edhe ato protestante, kështu që vepra u dogj publikisht. Po kështu u dogj edhe “Kontrata sociale”.

Këto vepra ngjallën reagimin e ashpër të Francës zyrtare dhe të Parlamentit, ndërsa gjykata e Parisit lëshoi urdhër për djegien e tyre dhe për burgosjen e Rusoit. Ai u ikën përndjekjeve, pëson kriza të brendshme dhe fillon të dyshojë edhe te miqtë e vet më të afërt. Në vitin 1762, romani “Emili ose mbi edukatën” u përfshi në Index librorum prohibitorum (Indeksi i veprave të ndaluara). Vepra “Kontrata sociale” në Francë dhe në Gjenevë u ndalua. Rusoi u detyrua të vendoset në Nojshatel (Neuchâtel) të Zvicrës. Pas kësaj, u vendos në kantonin e Bernës.

 Në vitin 1765, filozofi skocez Dejvid Hjum (David Hume) e thërret në Angli. Atje shkruan gjashtë libra. Pas kthimit në Francë, e përfundon veprën e fundit “Ëndërrimet e shëtitësit të vetmuar” (Reveries du promeneur solitaire, 1782). Në këtë vepër vërehen edhe disa shenja skizofrenie.

*   *   *

Punimi “Letër d’Alamberit për tetarin” (Lettre à d’Alembert sur les spectacles, 1758) shënon ndarjen nga filozofët që ishin ithtarë të favoreve të civilizimit. Shënon ndarje edhe nga Volteri, i cili ishte adhurues i teatrit. Ky shkrim e dënon teatrin si një burim i së keqes ngase i ekzaltohet (i lartësohet) publikut. Rusoi i sulet sidomos komediografit francez, Molierit i cili – sipas tij – “përqesh virtytin dhe ngre lart dinakërinë”.

Edhe vetë Rusoi ka shkruar tekste për teatër dhe ka kompozuar muzikë për intermexo (intermezzo) operash: “Fallxhiu i fshatit” (Le Devin du village, 1752), “Pigmalioni” (Pygmalion, 1770).

*   *   *

Rusoi mbron religjionin natyror të bazuar në interpretimin personal jodogmatik të Ungjillit, i cili sipas tij, është i domosdoshëm për moralin.

Polemikat me pastorët (priftërinjtë protestantë) zviceranë dhe me Volterin si dhe nevoja për t’u arsyetuar nga sulmet gjithnjë më të ashpra, e shtynë Rusoin që të anojë kah zhanri autobiografik: “Rrëfime”, “Ëndërrimet e shëtitësit të vetmuar” dhe “Dialogë: Rusoi gjyqtar i Zhan-Zhakut” (Dialogues: Rousseau juge de Jean-Jacques, 1789) janë shprehje e meditimit më të sinqertë të shkrimtarit për veten dhe për epokën e vet. Vizioni i tij utopik për shoqërinë, i shprehur me një logjikë brilante por edhe me rrëfime kundërthënëse, herë-herë edhe me stil patetik, është në përputhje me kultin e natyrës dhe me ndjenjën autentike të padrejtësisë shoqërore. Veprën „Rrëfime“ (Confessions) e prfundon në vitin 1772. Është një lidhje e pazakonshme e mburrjes dhe e fajësimit të vetvetes.

Shkrimet autobiografike të Rusoit “Rrëfime” (Les Confessions, 1782 dhe 1789), që e kanë inspiruar shkrimin autobiografik modern dhe vepra e tij “Ëndërrimet e një shëtitësi të vetmuar” (Les Réveries du promeneur solitaire, 1782) janë pasqyrë e frymës që ka mbizotëruar kah fundi i shekullit XVIII, të njohur si Epokë e sensibilitetit.Këto dy vepra kanë ndikuar dukshëm mbi subjektivitetin dhe mbi introspektimin, karakteristika të shkrimit modern të mëvonshëm.

Veprat e tij “Traktat mbi prejardhjen dhe mbi bazat e pabarazisë midis njerëzve” (Discours sur l’origine et les fondements de l’inégalité parmi les hommes, 1754 / 1755) dhe “Kontrata sociale ose Parimet e së drejtës politike” (Du contrat social, ou Principes du droit politique, 1762) janë baza të mendimit politik dhe shoqëror bashkëkohor.

*   *   *

Rusoi i takon hapësirës së filozofisë perëndimore të shekullit XVIII. Tregoi interesim për filozofi politike, muzikë, arsim, letërsi, autobiografi. Shkolla filozofike e tij ka të bëjë me teorinë e kontratës sociale. Idetë e tij kanë të bëjnë me vullnetin e përgjithshëm (volonté géenérale).

Në kornizën e përgjithshme të optimizmit antropologjik të iluminizmit, Rusoi futi edhe pesimizmin shoqëror. U imponua në mënyrë radikale me një mënyrë tjetër të të menduarit, kështu që çdo gjë që botoi në vijim, në lëmin e doktrinave politike, të shkrimeve politike, të utopive pedagogjike dhe letrare-morale, përkatësisht në formë tekstesh lirike-narrative, paralajmëronte shfaqjen e një koncepti të ri mbi shoqërinë dhe mbi individin në të. Kontribuoi në modelimin e identitetit të ri, shoqëror dhe personal.

I frymëzuar nga humanisti holandez Hugo Groc (Hugo Grotius), nga juristi gjerman Samuel Pufenedorf (Samuel von Pyfendorf) dhe nga të tjerë, u mor me tema të caktuara. Duke mos e marrë parasysh realitetin e historik dhe në bazë të supozimeve të pabaza se njeriu primitiv ka qenë qenie e lirë dhe fatlume i cili ka jetuar në përputhje me instinktet e veta, pa prirje ose mëkate, Rusoi pohonte se pabarazitë midis njerëzve kanë lindur për arsye se instinktet e  njeriut nuk janë përputhur me zhvillimet shoqërore dhe pronësore.

Ishte filozofi më me ndikim i iluminizmit. Konsideronte se kultura bashkëkohore është negacion i natyrës, ndaj njerëzit duhet t’i kthehen natyrës – lirisë dhe barazisë. Pabarazia ka lindur me pronën private, ndërsa shteti, me kontratën.

Për Rusoin, si iluminist, edukimi ka qenë bazë e shoqërisë. Ndikimi i jashtëzakonshëm i Rusoit ndërlidhet me faktin se është i pari filozof i vërtetë i romantizmit

Ai për herë të parë përmend shumë tema që do të mbizotërojnë në jetën intelektuale të njëqind viteve të ardhshme, siç janë: lartësimi i ndjenjave dhe i pastërtisë shpirtërore dhe zvogëlimi i rëndësisë së intelektit; uniteti i humbur midis gjinisë njerëzore dhe natyrës; koncepti dinamik i historisë njerëzore dhe i niveleve të ndryshme të saj; besimi në teologji dhe mundësitë e rimëkëmbjes së lirisë së humbur.

*   *   *

Punimi i tij “Traktat për shkencat dhe artet” (Discours sur les sciences et les arts, 1750), i ndërtuar mbi tezën se qytetërimi e ka prishur karakterin e njeriut, i cili në krye të herës ka qenë i mirë; përparimi i teknikës shkon në dëm të asaj që është e moralshme – i pëlqeu Akademisë së Dizhonit (Dijon). Por, punimi “Traktat për prejardhjen dhe për bazat e pabarazive midis njerëzve” (Discours sur l’origine et les fondements de l’inégalité parmi les hommes, 1755)tanimë nuk ishte i pranueshëm.

Rreziku kryesor në të, i ngjishet pabarazisë shoqërore, së cilës individi i nënshtrohet tej mase. Mirëpo Rusoi është i vetëdijshëm se kurrfarë kthimi në gjendjen natyrore nuk është i mundur, për arsye se natyra njerëzore kurrë nuk ecën pas, ndaj të gjitha kritikat sipas të cilave Rusoi gjoja lëvdon njeriun e egër, përkatësisht njeriun natyror – kanë qenë të pabaza.

Kritika të tilla kundër Rusoit vinin sidomos prej Volterit dhe tërthorazi edhe prej Didëroit.

Midis filozofit anglez Tomas Hobs (Thomas Hobbes) dhe Rusoit ka dallim. Sipas Hobsit, njeriu për njeriun është ujk (homo homini lupus). Gjendje parësore e njeriut është luftë e të gjithëve kundër të gjithëve (bellum omnium in omnes). Në të vërtetë, njerëzit për nga natyra janë të barabartë, por në gjendjen natyrore, para se të ekzistonte shteti, çdo njeri ka dashur të ruajë lirinë e vet dhe me këtë rast të ketë pushtet ndaj të tjerëve.

Rusoi ndërkaq, mendon ndryshe: Njerëzit me të lindur janë të mirë, ndërsa e keqja është produkt i shoqërisë.

*   *   *

Duke parapëlqyer forcën e pasionit dhe të ndjenjës dhe duke mohuar elementet racionale, veprimtaria filozofike dhe letrare themelore e Rusoit qëndron kundruall iluminizmit. Megjithëkëtë, në veprën e tij gjithmonë është i pranishëm ideali iluminist i autonomisë morale dhe përsosja e shoqërisë në kuadër të pikëpamjeve sociale-politike të përgjithshme të kohës së tij.

Sipas Rusoit, njeriu, nga natyra është i mirë dhe nuk ka bërë kurrfarë mëkati paralindor, por atë e kanë prishur civilizimi dhe kultura. I tërë përparimi i shkencë, i artit, i teknikës dhe i ekonomisë do të thotë humbje e vetive njerëzore burimore, të lumturisë natyrore të shëndoshë dhe të harmonisë jetësore. Sedra natyrore virgjëre, nën ndikimin e arsyes, shndërrohet në egoizëm. Luksi, dobësia e karakterit dhe bastardimi i traditave janë pasojë e zhvillimit të artit. Shkencat dhe virtytet nuk mund të pajtohen për arsye se të gjitha shkencat kanë prejardhje të ulët: astronomia buron nga besëtytnia dhe nga astrologjia, retorika nga ambicia, gjeometria nga makutëria, fizika nga kërshëria e zbrazët, madje edhe etika burimin e ka në kryelartësinë njerëzore.

Duke folur me entuziazëm për gjendjen natyrore, Rusoi është i vetëdijshëm se flet për “një gjendje e cila nuk ekziston më, e cila  mbase kurrë s’ka ekzistuar dhe as që do të ekzistojë ndonjëherë”, por “për t’u gjykuar mirë gjendja e tashme, për të duhet pasur ide të drejta”.

Ligji natyror duhet të burojë nga gjendja natyrore apo nga njeriu natyror, të cilin shoqëria borgjeze e ka bërë të pabarabartë.  

Filozofiae Rusoit – Sipas Rusoit, njeriu nga natyra është i mirë. Kur lind, ai nuk bën kurrfarë mëkati, por pastaj atë e prish qytetërimi dhe kultura. Sipas tij, përparimi i shkencës, i artit, i teknikë dhe i ekonomisë ndikon në humbjen e  virtyteve njerëzore burimore, të lumturisë dhe të harmonisë natyrore të shëndoshë. Sedra e tij e pastër, nën ndikimin e arsyes shndërrohet në egoizëm. Epshet apo senzualiteti i tepërt, dobësimi i karakterit dhe bastardimi i traditave janë pasojë e zhvillimit të arit. Prona private i ka ndarë njerëzit në të pasur dhe në të varfër, ndërsa pushteti i ka ndarë në të fortë dhe në të dobët.

Prona private: “Kjo është e imja” – Prona private i ka ndarë njerëzit në të pasur dhe në të varfër, ndërsa pushteti i ka ndarë në të fortë dhe në të dobët. “Të parit që i ka shkuar ndërmend të rrethojë një copë toke dhe të thotë: Kjo është e ime” dhe i cili, përveç kësaj ka gjetur njerëz naivë për t’i besuar, ka qenë krijuesi i vërtetë i shoqërisë borgjeze. Sa e sa krime, luftëra dhe vrasje, sa shumë vështirësi dhe tmerre do t’ia hiqte gjinisë njerëzore, ai i cili atëherë, duke i shkulur kunjat dhe duke i mbuluar hendekët, do t’u bërtiste të afërmeve të vet: Mos e dëgjoni këtë mashtrues, do ta paguani shtrenjtë po qe se harroni se frytet tokësore u takojnë të gjithëve, ndërsa toka – askujt!”.

Njeriu ka lindur i lirë, por kudo është në pranga. Në këtë fjali fillestare të “Kontratës shoqërore” qëndron njëherazi edhe kredoja politike themelore e Rusoit: krijimi i shtetit sovran dhe të lirë borgjez në të cilin vullneti i përgjithshëm (volonté géenérale) duhet të bëhet burim dhe bazë e çdo të drejte. Duhet shtuar se vullneti i përgjithshëm (volonté générale) nuk është identik me vullnetin e të gjithëve (volonté de tous).

Duke qenë se shkencat dhe kultura në përgjithësi lindin shumë të këqija dhe deformojnë karakterin, atëherë duhet zbatuar edukim të tillë që do të jetë larg çdo ndikimi të pavolitshëm që do të pengonte zhvillimin e lirë të prirjeve natyrore të mira. Mund të jemi njerëz të mirë, pa qenë dijetarë”. “Miku i vërtetë është më i vlefshëm se të gjithë hulumtuesit, matematikanët, kimistët, poetët dhe piktorët bashkërisht.”

Pikërishtpër këtë arsye, kthimi natyrës bëhet kërkesë imperative për shpëtimin e humanitetit, por kjo nuk do të thotë ndonjë farë kthimi në gjendjen fillestare. Kjo do të thotë sundim të saj në shoqërinë e re borgjeze të rilindur e cila i ruan atributet pozitive thelbësore të gjendjes natyrore. “Gjendja e re” e ruan përparësinë ndaj gjendjes së vjetër natyrore historike fillestare: ajo mund ta fisnikërojë njeriun në pikëpamje shoqërore dhe fizike, kështu që në vend të barazisë natyrore që bazohej vetëm në instinkt, vjen autonomia e mirëfilltë qytetare, politike dhe morale. Pikërisht ky kalim i njeriut “nga një kafshë kokëtrashë dhe të paarsyeshme, e bën atë qenie të arsyeshme dhe njeri.” Prandaj kërkesa e Rusoit për t’iu kthyer natyrës, shpeshherë e kuptuar gabimisht, nënkupton në radhë të parë krijimin e shtetit borgjez të lirë.

Sentimentalist, i cili kuptimin e vërtetë të jetës e gjen në ndjekjen e ligjeve të zemrës, kundërshtar i estetikës së kanuneve të ngurtësuara të klasicizmit, kritik i pasionuar i kulturës së dekoruar apo të stolisur të shekullit XVIII, kryengritës radikal të cilin Maksimilian Robespjeri (Maximiliеn Robespierre)e quan të pavdekshëm, filozof konfuz, i cili prej tezave idealiste kalon në sensualizëm gnoseologjik, në panteist dhe në natyralist – në disa koncepte filozofike dhe teorike themelore, Rusoi nuk është gjithaq origjinal.

Iluministët spiritualë francezë e përqeshin kthimin e tij natyrës. Volteri shkruan kundër tij: “Kur njeriu e lexon librin tuaj, ka dëshirë të ecë në katër këmbë. Duke qenë se këtë shprehi e kam humbur para më se gjashtëdhjetë vjetëve, për fat të keq, e shoh të pamundur ta bëjë këtë sot”.

Zgjidhjet filozofike të Rusoit kryesisht janë nën nivelin e enciklopedistëvetë shekullit XVIII.Por përkundër kësaj, teoria e tij mbi shtetin qëndron shumë më lartë se teoritë e bashkëkohësve të tij dhe mbizotëron pothuajse gjatë tërë periudhës revolucionare të historisë së Francës. Me idenë e tij mbi lirinë si një substancë e njeriut, me spontanitetin e mendjes dhe me parapëlqimin e “logique de coeur” (logjika e zemrës)Paskalit, Rusoi ushtroi ndikim të drejtpërdrejtë mbi Kantin, Fihten (Fichte), Shilerin (Schiller) dhe Gëten (Goethe), e inspiroi përgjithmonë letërsinë romantike dhe i entuziazmoi ëndërrimtarët revolucionarë të shekullit XVIII, madje edhe të shekullit XIX.

*   *   *

Rusoi ushtroi ndikim edhe mbi religjionin. Për dallim nga Volteri, ai i ofroi njeriut zëvendësim për religjionin e zbuluar, i cili, sa u përket dogmave mbi moralin, ishte e thjeshtë dhe jo e plotë dhe merrej edhe me nevojat e tij emotive dhe intelektuale.

Duke eliminuar nocionin për mëkatin e paralindur dhe duke zëvendësuar nevojën për mëshirë me besimin në aftësinë e plotë të mendjes, të ndërgjegjes dhe të vullnetit të lirë, i mënjanoi bazat e fesë së vërtetë dhe u bë pararendës i liberalizmit humanist.

*   *   *

Pikëpamjet pedagogjike të Rusoit – Sipas Rusoit, realiteti shoqëror i kohës së vet mund të ndryshohet vetëm po qe se nisemi nga baza, d.m.th. nga edukimi dhe arsimimi i brezave të rinj. Në këtë vështrim, përpunoi një sistem të tërë që tregonte rrugën, mënyrën dhe metodat e arritjes së mënyrës së re të krijimit të njeriut dhe të qytetarit të lirë dhe të pavarur. Njeriu i ri duhet t’i arrijë të gjitha karakteristikat dhe vetitë që e aftësojnë për t’u bërë  qytetar i vetëdijshëm dhe i përgjegjshëm, për t’u bërë person i edukuar mirë të cilin duhet ta shquajnë vetitë e dashurisë, të ndershmërisë, të iniciativës dhe të vetëmohimit. Rusoi u bazua në pikëpamje të caktuara të filozofit të madh të lashtlsisë, Platonit. Në themel të mësimit pedagogjik të Rusoit qëndron synimi për krijimin e njeriut të ri, human, e kjo mund të arrihet po qe se zbatohet procedura e re, e bazuar në edukimin natyror. Procesi duhet t’i përshtatet dhe të bazohet në moshën dhe në natyrën e fëmijës. Sipas Rusoit, edukimi vjen nga natyra, nga sendet dhe nga njerëzit. Edukatori ka për detyrë të krijojë rrethana të volitshme për zhvillimin e fëmijës dhe t’ia përmirësojë kushtet që të fitojë përvojë. Por, edukimi për ta përgatitur fëmijën për gjendjen natyrore, fëmija së pari duhet të ndahet nga shoqëria e prishur. “Më parë se te fëmija të mbillen vetitë e mira, atë duhet mbrojtur nga ndikimet e këqija”. Gjenialiteti i Rusoit qëndron në pohimin e tij se natyra e fëmijës dallohet nga natyra e njeriut të rritur. Lirinë Rusoi  ia kundërvinte anarkisë dhe e paramendonte si një lidhje ideale të asaj që e dëshironte ai që edukohej me atë që synonte edukatori. Për këtë arsye, në literaturën historike-pedagogjike Rusoin rëndom e konsiderojnë përfaqësues të edukimi të lirë. 

Në zhvillimin historik të mendimit pedagogjik Rusoi ka luajtur rol të rëndësishëm, me pikëpamje tejet përparimtare dhe qytetare, por edhe me shumë kundërthënie dhe ide regresive apo të prapambetura.Duhet pasur parasysh faktin se ai ka jetuar dhe ka krijuar në kushte tejet të vështira, shpeshherë i përndjekur dhe mu në prag të revolucionit, që e ndihmoi me gjithë zemër. Protesta kundër shkollës skolastike, dogmatizmit dhe përmbajtjes mesjetare të mësimit, kundër disiplinës mesjetare dhe ndëshkimeve fizike, për Rusoin njëherazi është rrugë për shembjen e sistemit pedagogjik feudal. Si një humanist i madh, ai angazhohet për të drejtën e fëmijës, për dashurinë ndaj fëmijës, për zhvillimin e të menduarit të pavarur, për të treguar mirëkuptim ndaj tij. Rusoi është i pari në historinë e edukimit i cili e studioi në hollësi edukimin e organeve shqisore, mbrojti arsimimin real, si dhe lidhjet e mësimit me jetën. Një pjesë e madhe e pedagogjisë së Rusoit ka qenë mjaft e kufizuar në pikëpamje historike dhe klasore. Sidomos është e kufizuar teoria e edukimit natyror, e cila është ndërtuar mbi bazën idealiste të pasaktë. Rusoi ka gabime të mëdha edhe në edukimin e lirë, si dhe në nënvlerësimin e njohurive sistematike. Sistematizimi i fëmijës i bërë nga Rusoi është i panatyrshëm, ndërsa pikëpamjet e tij për femrën dhe për edukimin e femrës janë të pasakta.

Por, pavarësisht nga të gjitha të metat, me idetë e veta pedagogjike Rusoi ndikoi fuqishëm në mendimin pedagogjik të atëhershëm dhe të mëvonshëm.

*   *   *

Pikëpamjet e Rusoit për edukimin e femrës Pikëpamjet e Rusoit ndaj femrës dhe ndaj edukimit të saj, bëjnë pjesë në grupin e pikëpamjeve regresive dhe më të prapambetura të tij.Sipas bindjes së tij, kur është fjala apër aftësitë dhe për profesionet, midis meshkujve dhe femrave ekzistojnë dallime të mëdha. Për shkak të këtyre dallimeve, femra duhet të edukohet ndryshe. Në radhë të parë asisoj, që të jetë e përgatitur dhe e aftë që të kujdeset për amvisërinë dhe për familjen. Gruas nuk i duhet punë mendore serioze, për arsye se – sipas Rusoit – arsyeja e saj nuk është depërtuese dhe e thellë. Për të qenë e bukur dhe e dashur, e që më vonë të lindë fëmijë të shëndoshë, duhet ofruar asaj edukim fizik, e për të qenë e butë apo e ëmbël, e dëgjueshme, besnike dhe e orientuar, atë duhet edukuar në pikëpamje morale. Gruaja duhet t’i nënshtrohet autoritetit të burrit. Në romanin “Emili, ose mbi edukatën” (Émile, ou De l’Éducation, 1762) Rusoi këshillon që çupave që në vegjëli t’u jepet edukim religjioz, ngase “po të presim që me këto çështje të thella ato të merren në mënyrë metodike, ekziston rreziku që këtë kohë kurrë mos ta arrijmë”.

*   *   *

Gjatë periudhës së Revolucionit Francez (1789), ndër anëtarët e Klubit të Jakobinëve,Rusoi ka qenë filozofi më i popullarizuar. Fundin e jetës e priti me shenja të forta shqetësimi shpirtëror dhe fobie neurotike. I mohoi, sidomos nga fundi i jetës, edhe adhuruesit e vet më të përkushtuar. Polemizoi ashpër me Volterin, ndonëse ia pranonte gjenialitetin.

Ruso ushtroi ndikim të tejet të madh në zhvillimin e mendimit politik të shekullit XVIII, XIX dhe XX. Edhe pse nominalisht i takonte lëvizjes iluministe, konsiderohet përfaqësues i parë i romantizmit në letërsi dhe në kulturën e popullarizuar. Vepra e tij “Kontrata sociale” shërbeu si frymëzim për Revolucionin Francez, ndërsa më vonë, tezat e tij do të bëhen bazë e ideologjive të ndryshme, siç janë nacionalizmi, socializmi dhe komunizmi. Për shkak të përpjekjes së flaktë për t’iu kthyer natyrës dhepër idealizimin e së kaluarës para-qytetëruese, Ruso konsiderohet paraardhës apo stërgjysh ideor i lëvizjes për mbrojtjen e mjedisit.

Rëndësia e Rusoit është e shumëfishtë: në filozofi kontribuoi në zbatimin praktik të porosisë politike të iluminizmit si dhe në sigurimin e lidhjes midis mendimit francez dhe idealizmit gjerman. Në letërsi kontribuoi në lartësimin e zemrës dhe të ndjenjave si dhe në konfirmimin e të qenit i lirë. Zbuloi kënaqësinë dhe të drejtën për veçanti dhe për të qenë ndryshe.

Pas vdekjes, filozofia e Rusoit pati ndikim të fuqishëm në Evropë. Idetë e tij në Francë, i pranoi Revolucioni, ndërsa në Gjermani – lëvizja Sturm und Drang* (Stuhi dhe vrull). Rusoi ushtroi ndikim edhe në pikëpamjet religjioze të bashkëkohësve të vet. E inspiroi përgjithmonë letërsinë e romantizmit dhe i entuziazmoi ëndërrimtarët revolucionarë të shekullit XVIII, madje edhe të shekullit XIX.

I molisur, i vetmuar dhe i pocaqisur nga përndjekjet e vërteta dhe fiktive, vdes më 2 qershor 1778 në Ermanovil (Ermenoville) afër  Parisit. Në vitin 1794, 16 vjet pas vdekjes si tij, ai u varros si hero kombëtar në Panteonin* e Parisit.

SHËNIME PËR SHKRIMTARËT, PËR FILOZOFËT DHE PËR NOCIONET

Bakunjin, Mihail (Mihail Aleksandroviç Bakunjin, 1814-1876) revolucionar anarkist rus;

Bolivar, Simon (Simón Bolivar, 1783-1830) udhëheqës politik i Venezuelës;

D’Alamber (Jean lë Rond d’Alambert, 1717-1783) – matematikan francez, fizikan, filozof dhe teoricien muzikor; deri në vitin 1759, bashkë me Deni Didëronë, ishin bashkë-redaktorë të Enciklopedisë;

Dekart, Rene (René Descartes, 1596-1650) filozof, matematikan dhe fizikan francez, jetoi kryesisht në Holandë;

Derida, Zhak (Jacques Derrida, 1930-2004) filozof francez;

Dë Man, Pol (Paul de Man, 1919-1983) komparativist dhe teoricien letrar amerikan, me prejardhje flamane, profesor në Universitetin e Harvardit;

Dë Varen (François-Louise de Warens, e lindur Louise Ḗléonore de la Tour du Pil, 1699/1700 – 1762), baronesha Dë Varen ose Zonja Dë Varen, bamirëse e Rusoit dhe dashnore e tij;

Didëro, Deni (Denis Diderot, 1713-1784) – filozof dhe iluminist francez, kritik i artit dhe shkrimtar; personalitet i shquar i epokës së iluminizmit; bashkë d’Alamberin*, themeluan dhe drejtuan Enciklopedinë; për shkrimet kundër fanatizmit fetar dhe ancien régime, vazhdimisht i nënshtruar përndjekjeve dhe burgosjeve;

Dyrkem, Emil (Emile Durkheim, 1858-1917) sociolog francez, profesor në Sorbonë;

Engels, Fridrih (Friedrich Engels, 1820-1895) revolucionar, filozof dhe sociolog gjerman; krahas Marksit, një prej teoricienëve më të rëndësishëm të socializmit; me Marksin takohet për herë të parë në vitin 1844;

Fihte, Johan (Johann Gottlieb Fichte, 1762-1814) – filozof gjerman, profesor në Jenë, i fajësuar për ateizëm, u detyrua ta lërë katedrën; më 1810, rektor në Berlin;

Gëte, Johan Volfgang (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832) shkrimtar gjerman; studioi drejtësinë në Lajpcig (Leipzig); 

Groc, Hugo (Hugo Grotius, i njohur edhe si Huige de Grot, holandisht Ugo do Grott, 1583-1645) filozof holandez i drejtësisë dhe humanist, me orientim protestant; përfaqësues suedez në Oborrin francez, avokat, teolog, jurist, poet dhe dramaturg; shpeshherë i burgosur dhe i përndjekur; në vitin 1631 përgjithmonë u dëbua nga Holanda;

Hegel (Georg Wilhelm Friedrich Hegel, 1770-1831) filozof gjerman;

Hjum, Dejvid (David Hume, 1711-1776) filozof skocez; ekonomist, historian, tregtar, profesor, shtetar, bibliotekist, nënsekretar i Punëve të Jashtme, politikan në shërbim të markezëve dhe gjeneralëve të ndryshëm; mbase personalitet më origjinal dhe në pikëpamje filozofike më konsekuent i filozofimit empirist anglez; është i njohur për sistemin e tij me ndikim të empirizmit filozofik, të skepticizmit dhe natyralizmit;

Hobs, Tomas (Thomas Hobbes, 1588-1679) filozof anglez; rreth 20 vjet jetoi në Francë; në pleqëri, më shumë respektohej jashtë se në Angli;

Kant, Imanuel (Immanuel Kant, 1724-1804) – filozof gjerman; djali i katërt prej nëntë fëmijëve të prindërve. Fakultetin e kreu në qytetin e lindjes Königsberg, nga i cili nuk u largua as edhe një ditë të vetme;

Klinger, Fridrih (Friedrich Maximilian von Klinger, 1752-1831) – dramaturg dhe prorator gjerman;

Klubi i Jakobinëve – u themelua në vitin 1789, menjëherë pas shpërthimit të Revolucionit Borgjez Francez (1789);

Kont, Ogyst (Auguste Compte, 1798-1857) filozof, sociolog dhe matematikan francez;

Kroçe, Benedeto (Benedetto Croce, 1866-1952) filozof, kritik dhe politikan italian; kundërshtar i fashizmit; në vitet 1943-1947 ishte kryetar i Partisë Liberale të Italisë; pas kësaj u tërhoq nga jeta politike;

Lajbnic, Gotfrid Vilhelm (Gottfried Wilhelm Leibniz, 1646-1716) matematikan, filozof, dijetar dhe diplomat gjerman;

Levaser, Tereza (Thérèse Levaseur, 1721-1801) një grua ethjeshtë me të cilën Rusoi pati pesë fëmijë; që të pestit i dërguan në jetimore apo në një spital për fëmijë të braktisur;

Levi-Shtros, Klod (Claude Lévi-Strauss, 1908-2009) sociolog, etnolog, filozof dhe antropolog francez;

Lok, Xhon (John Locke, 1632-1704) filozof dhe mjek anglez, studioi në Oxford, një prej mendimtarëve më me ndikim të iluminizmit dhe një prej empiristëve të parë britanik; „themelues dhe baba i liberalizmit“;

Makiaveli, Nikolla (Niccoló Machiavelli, 1469-1527) politikan, teoricien i së drejtës dhe i shtetit dhe shkrimtar italian;

Marks, Karl (Karl Marx, 1818-1883) filozof, sociolog, ekonomist dhe revolucionar  gjerman me prejardhje hebraike; studio drejtësinë; u mor me filozofi, ekonomi, histori dhe art;  udhëheqës i proletariatit ndërkombëtar, teoricieni më i madh i mendimit socialist dhe i lëvizjeve socialiste;

Molier (emri i vërtetë Jean-Baptiste Poquelin, 1622-1673) komediograf francez;

Montenj, Mishel (Michel Eyquem de Montaigne, 1533-1592) filozof francez;

Panteon – në lashtësi, tempull kushtuar të gjitha perëndive; ndërtesë në të cilën ruhen mbetjet mortore të njerëzve të shquar, p.sh. panteoni i Parisit; në historinë e religjioneve, emërtim për një grup hyjnish në ndonjë besim politeist;               

Paskal, Blez (Blaise Pascal, 1623-1662) eseist francez; qysh si fëmijë shfaqi karakteristika të mendjes së habitshme për matematikë;  

Pen, Tomas (Thomas Paine, 1737-1809) shkrimtar dhe politikan anglo-amerikan;

Platoni (Athinë, 427 – 347 para K.) filozof antik grek; si bir i një familjeje aristokrate me ndikim, për nga bindja ishte kundër demokracisë në Athinë; daja i tij Kritia, ishte në krye të tridhjetë tiranëve të cilët vendosën pushtetin oligarkik në Athinë;

Pufnedorf, Samuel (Samuel Freiherr von Pyfendorf, 1632-1694) historian, jurist, politikan, filozof i së drejtës dhe ekonomist – gjerman;   

Rauls, Xhon (John Rawls, 1921-2002) filozof moral dhe politik, amerikan, në traditën liberale;

Robespier, Maksimilian  (Maximiliеn François Marie Isidore de Robespierre, Arras, 6.5.1758 – Paris, 28.7.1794) – revolucionar francez i fundit të shekullit XVIII, udhëheqës dhe figurë kryesore e Revolucionit Francez; lider i jakobinëve;

Sen-Zhyst (Louis Antoine Léon de Saint-Just, 1767-1794) revolucionar francez, filozof politik; i takonte Klubit të Jakobinëve;

Sturm und Drang (Stuhi dhe Vrull) – lëvizje para periudhës së romantizmit në letërsi dhe në muzikë në Gjermani që u shtri në vitet 1765-1785/90; termi u shfaq në vitin 1820; u mor nga titulli i komedisë “Sturm und Drang” (1776/7) të dramaturgut gjerman Fridrih Klinger;

Shiler, Fridrih (Friedrich Schiller, 1759-1805) shkrimtar dhe estet gjerman, një prej më të mëdhenjve të letërsisë gjermane; në veprat e veta përfaqëson idealizmin etik romantik;

Tolstoj, Leon (Lev Nikolaeviç Tolstoj, 1828-1910) prozator, dramaturg dhe publicist rus;

Volpe, Galvano della (Galvano della Volpe, 1895-1968) filozof italian me orientim marksist;

Volteri (emri i vërtetë François-Marie Arouet, Paris, 1694 – Paris, 1778) shkrimtar dhe filozof francez.

VEPRAT DHE PUNIMET KRYESORE: “Disertacion mbi muzikën moderne” (Dissertation sur la musique moderne, 1736); “Traktat mbi shkencat dhe artet” (Discours sur les sciences et les arts, 1750); “Fallxhiu i fshatit” (Le Devin du village: en opera, 1752); “Traktat mbi prejardhjen dhe mbi bazat e pabarazisë midis njerëzve” (Discours sur l’origine et les fondements de l’inégalité parmi les hommes, 1754 / 1755); „Letër d’Alamberit për teatrin“ (Lettre à d’Alembert sur les spectacles, 1758); romani „Zhyli, ose Eloiza e re“ (Julie, ou la nouvelle Héloïse, 1761); romani “Emili ose mbi edukatën” (Émile ou De l’Éducation, 1762); “Kontrata sociale ose parimet e së drejtës politike” (Du contrat social, ou Principes du droit politique, 1762); „Letra nga mali“ (Lettres de la montagne, 1764); „Rrëfime“ (Les Confessions, 1770, botuar më 1782 dhe 1789); „Ese mbi prejadhjen e gjuhëve“ (Essai sur l’origine des langues, 1772); „Ëndërrimet e shëtitësit të vetmuar“ (Rêveries du promeneur solitaire, 1782); “Dialogë: Rusoi gjyqtar i Zhan-Zhakut” (Dielogues: Rousseau juge de Jean-Jacques, 1789) etj.

 Xhelal Zejneli

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura