100 VJET MЁ PARЁ: VARJE, DJEGIE DHE PLAÇKITJE
Nga Hazis Gjergji – më 17 nëntor 2026
1. Shtypja e kryengritjes së Dukagjinit në vitin 1926
Ky është titulli me të cilin gazeta e emigrantëve demokratë shqiptarë, “Liria Kombëtare”, që botohej në Gjenevë të Zvicrës, njoftoi publikun, 100 vjet më parë, për shtypjen mizore të kryengritjes popullore të Dukagjinit.
Në rubrikën “Lajme nga Shqipëria”, thuhej:
“Barbarizmat e panumërta që mercenarët e Zogut kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë në Malësitë e Shkodrës janë të patregueshme. Në Dukagjin, Nikaj, Mërtur e në shumë krahina të Pukës nuk shifen veçse mijra shtëpi të djegura, njerëz të pafajshëm që vriten rrugës dhe plaçkitjet që nuk kanë shembull në jetën tone kombëtare.”
(Liria Kombëtare, Gjenevë, nr. 39, dt. 22.12.1926).

Ahmet Zogu në mesin e oficerëve të tij
2. Regjimi i Ahmet Zogut dhe metodat e tij të qeverisjes
Që prej shtypjes së Qeverisë Demokratike, të kryesuar nga Fan Noli, dy vjet më parë, Kryetari i Republikës dhe Kryeministri i Shqipërisë, Ahmet Zogu, arriti, me metodat më mizore, të shtypte çdo kundërshtim të armatosur ndaj regjimit të tij diktatorial.
Sipas dëshmive të bashkëpunëtorëve të tij të afërt, Ahmet Zogu zbatonte parimet e traktatit politik Princi, të filozofit, politikanit dhe diplomatit monarkist italian Niccolò Machiavelli, të cilin e lexonte në gjuhën turke.
“Zogu e kishte Princin e Makiavelit librin e tij më të preferuar”, dëshmon gazetari monarkist Zoi Xoxa.
Për të përforcuar dëshminë e tij, Xoxa i referohet sekretarit të përgjithshëm të Këshillit të Ministrave, njëkohësisht edhe sekretarit personal të Zogut, Mustafa Currit, i cili i kishte treguar se veprën Princi të Makiavelit, Zogu e mbante “nën jastëk dhe e kishte shkarravitur, duke i vënë shënime në qinar (turq. anë, cep)”.
(Zoi Xoxa, Kujtimet e një gazetari, shkruar në vitin 1966 dhe botuar në Tiranë në vitin 2007, nga Botimet “55”, f. 98).

Krerët antizogistë të Malësisë së Dukagjinit në vitin 1926
3. Shpërthimi i Kryengritjes së Dukagjinit
E vetmja ngjarje që Kryetari i Republikës dhe Kryeministri diktator i Shqipërisë, Ahmet Zogu, nuk mundi ta parandalonte, ishte Kryengritja e Dukagjinit, e cila shpërtheu më 20 nëntor 1926.
Udhëheqësi kryesor i kryengritësve dukagjinas, dom Lorenc (Loro) Caka, e kishte kaluar kufirin shqiptaro-jugosllav dhjetë ditë më parë, në pyllin e Traboinit. Duke kaluar nga Veleçiku, nëpër pyjet e Kelmendit dhe të Bogës, ai ishte takuar me komandantët e njohur të çetave demokratike, oficerët nolistë Vas Kiri dhe Ndok Gjeloshi, me të cilët vendosën fillimin e kryengritjes popullore antizogiste.
Më 11 nëntor 1926, dom Lorenc (Loro) Caka, pas takimit me toger Pjetër Haxhinë, nëntoger Dodë Nikollën dhe aspirantin Ridvan Ohri, i dërgoi Mustafa Krujës këtë letër, të botuar po nga gazeta “Liria Kombëtare”:
“Dimni ia mërrini. Ju po na thoni se tash për tash gjendja s’asht e favorshme për nji kryengritje. Ju i matni punët thellë: me politikë e diplomatië. Na aqë thellë s’kuptojmë. Ça marrim vesht e shohim na, populli këtu asht gati me kapë pushkën e me dekë për lirinë e vet. Durimi i asht mbarue. Me ne a pa ne ka për t’ia krisë. Më tjetër anë disa prej jush po ndërrojnë kondita me Ahmet Zogun për nji pajtim. Pra posë durimit tash mungon edhe besimi… Ne dashi shpëtimin e atdheut, bani edhe ju tjerët atë që t’ju vijë prej dore! Kur nji popull gatohet me dekun për liri edhe pa i pri kush, përgjegjësia u rrin atyne që në vend me vrapue në krye të tij e me ecë përpara kundra tradhtorëve e tiranëve, ka dy vjet që hahen për karrikat e ardhshme.”
(Gazeta “Liria Kombëtare”, Gjenevë, nr. 39, 22 dhjetor 1926).
4. Zhvillimi i kryengritjes dhe përhapja e saj në Dukagjin e Pukë
Kështu, më 20 nëntor 1926, prifti Lorenc (Loro) Caka, togerët Pjetër Haxhia, Vas Kiri dhe Dodë Nikolla, si dhe aspiranti Ridvan Ohri, në krye të 200 malësorëve dukagjinas të armatosur, shtinë në dorë qendrën e nënprefekturës dhe rrethkomandën e xhandarmërisë në Dukagjin, duke nisur marshimin drejt qytetit të Shkodrës.
Gjatë rrugës, kryengritësve iu bashkuan edhe bajraku i Shalës, me Lulash Prelën në krye, bajraku i Shoshit, nën komandën e Lulash Gjeloshit, si dhe 30 xhandarë të komanduar nga nëntoger Mark Sadiku.
Numri i kryengritësve, sipas dëshmive gojore, arriti në 700–800 veta, ndërsa dokumentet zyrtare flasin për 1 000 veta, nga të cilët vetëm 400 ishin të armatosur.
Në Urën e Mesit dhe në Kodrat e Boksit, kryengritësve iu desh të zhvillonin luftime të ashpra me forcat qeveritare, derisa, në mëngjesin e 21 nëntorit 1926, arritën të merrnin Urën e Mesit, e konsideruar si porta lindore e qytetit të Shkodrës.
Po atë ditë, 40 kryengritës pukjanë, nën komandën e oficerit Spiro Kosova, siguruan kontrollin e gjithë krahinës së Iballës, ndërsa oficeri Kolë Bibë Mirakaj, në krye të 150 burrave, rrethoi qytetin e Pukës.
Titullarët e Prefekturës së Shkodrës dhe të Ministrisë së Punëve të Brendshme deklaruan se “kryengritësit kishin qëllim të rrëzonin regjimin e Shkëlqesisë së Tij, Ahmet Zogu, dhe kthimin në pushtet të një qeverie demokratike.”
(AQSH, F. 152, V. 1926, D. 5/I, f. 1: tel. dt. 20, 21.11.1926; D. 6, f. 2: tel. dt. 24.11.1926; F. “Legata Italiane”, D. 6, f. 18: ditari i Dom Lazër Shantojës).
Kryengritja e malësorëve të Dukagjinit dhe të Pukës jehoi edhe në këngët epike historike:
Ç’ka ka Mesi si po piskat?
E kan rrethue treqin koçakë,
Kan’ nërmen me e nez’ flakë.
N’qaf’ të Kolshit, n’zyr’ të Mesit,
Gjith’ komandat flak’ po i nezin.
Vojti fjala, tha, Afmet Begit.
E ka mbledh’ t’madhe ushtri,
N’fush’ t’Koplikut paska hi,
Ja u ka dhan’ ann e malësisë,
N’Dukagjin tan’ paskan hipë’…

Fëmijë malësorë të mbetur pa strehë pas vrasjeve dhe përndjekjeve…
5. Kundërpërgjigjja e regjimit dhe ndërhyrja e forcave qeveritare
Kryetari i Republikës dhe Kryeministri diktator, Ahmet Zogu, dërgoi për shtypjen e 1 000 kryengritësve, të armatosur keq, 10 000 xhandarë, ushtarë dhe mercenarë, të armatosur me armët moderne të dërguara nga Kryeministri fashist italian, Benito Mussolini, nën komandën e ministrit të Punëve të Brendshme, Musa Juka, dhe komandantit të përgjithshëm të xhandarmërisë, nënkolonel Xhemal Aranitasi.
Prifti Camillo Libardi, i cili ndodhej në krye të Kryqit të Kuq Italian në Dukagjin, dëshmon:
“Nga tё gjitha anёt, nga tё gjitha rrugёt u dyndёn trupat e ushtrisё. Duke kaluar nga “Shtegu i Dhёnve” nё Theth mbёrritёn kapitenët Prenk Previzi e Tefik Kolona; nё Prekal kapiteni Hasan Begu nga Bushati; nga Kiri e Shoshi mbёrritёn kapiten Fiqri Dine e Hamit Çollaku me trupa tё parregullt. Nga Suma e Xhani vjen kapiten Abaz Kupi, i quajtur ndryshe edhe Bazi i Canes me shokun e tij Hysen Selmani, qё qёndronin nё krye tё ushtrisё sё çrregullt; nga Shllaku e Temali kapiten kapiten Qerim Nasufi me togerёt Preng Marashi e Mul Delia; nga Nikaj e Shala Muharrem Bajraktari. Deri kёtu mё duhet tё dёshmoj se trupat e rregullt u sollёn sipas rregullave njerёzore dhe njёkohёsisht nderuan veshjen ushtarake, ndёrsa civilёt e armatosur u sollёn nё njё mёnyrё tё atillё qё duhej tё mbulonte me turp e tё bёnte tё skuqeshin deri sa t’u dilnin lot nga sytё atyre qё i udhёhiqnin, nёse do tё njihnin me tё vёrtetё turpin… Kapiten Fiqri Dine pasi e mposhti fisin e Shoshit dha urdhёr tё lidheshin me litar 72 shoshjanё dhe 16 veta nga Toplana dhe i dёrgoi nё Shkodёr. E njёjta gjё me fajtorё tё supozuar u bё edhe nё Shalё edhe nё tre fiset e vogla tё Pultit. Kur ata tё Dukagjinit arritёn nё burgjet gjetёn shumё shokё fatkeqё nga malet e Pukёs dhe fusha e Zadrimёs. Meqё nuk kishte mё vёnde nё ndёrtesat e burgut, i sistemuan nё ndёrtesat e pazarit. Numri i tyre shkoi nё 1000.”
(Camillo Limbardi, Si u bë mbret i Shqipërisë Ahmet Zogu, përkthyer nga italishtja prej Valbona Jakova Gurra, Tiranë: Botimet “Naimi”, 2012, f. 96–97, 108).
6. Pasojat e kryengritjes: Djegiet, plaçkitjet dhe arrestimet
Edhe kënga epike historike dëshmon:
Tuj ra bor’e tuj ra shi,
Kan’djeg’ kulla e kan djeg’shpi,
Kan’ marr’ delm, dhen e dhi,
Kan’ marr’ grue e kan’ marr’ fmi,
Kan’marr’ burrat haps me i shti,
S’po i xen hapsi [burgu] mren’ me hi.
Ja lshon Shkodra dumdhet’shpi.
Dymdhet shpi si ja lshon Shkodra,
I thrret gjyqi dora-dora,
Dor’ për dor’ gjyqi po i thir,
Dymdhet’ vet’ për konop [litar] ka qitë.
Për konop ka qit’dymdhetë,
Urdhni t’tjerët tan’me i tretë.
(Epika Historike, vëll. 3, Akademia e Shkencave (Instituti i Folklorit), Tiranë, 1990, kënga nr. 439, f. 626–627; Blliçë, Vermosh, Plan, Palaj–Shkodër, 1953).
Gjyqi Politik u transferua nga Tirana në Shkodër dhe, vetëm në ditën e tij të parë, më 20 dhjetor 1926, shqyrtoi veprimet e 153 pjesëmarrësve në kryengritje, ndërkohë që Gjyqi Hetues përgatiti dosjet e 140 të arrestuarve të tjerë.
Numri i të burgosurve arriti në 700 vetë, ndërsa numri i të dënuarve me afate të ndryshme burgimi shkoi në 222 vetë.
Gjyqi Politik e vazhdoi punën në Shkodër deri në mesin e muajit mars 1927, duke dënuar me vdekje 30 udhëheqës të kryengritjes, nga të cilët 15 në mungesë.
Ndër të dënuarit me vdekje ishin edhe dy priftërinj, të cilët e kishin pranuar me mburrje pjesëmarrjen e tyre në kryengritje. Megjithatë, Zogu u detyrua t’ua ulte dënimin për shkak të ndërhyrjes së Vatikanit dhe të përfaqësive evropiane në Shqipëri.

Dom Gjon Gazulli (26 Mars 1893 – 5 Mars 1927) u var nga mbreti Ahmet Zogu, pasi kundërshtoi marrëveshjen e tij me serbët për të ashtuquajturin “bashkim personal të Shqipërisë me Jugosllavinë”. Ai që hapi shkollën e parë të përzier djem-vajza, myslimanë e të krishterë, deputeti i opozitës kundër Zogut, u akuzua se kishte organizuar kryengritjen e kishte shpërndarë armë nëpër male e madje, edhe se kishte prerë telin e telefonit!
7. Ekzekutimi i Dom Gjon Gazulit dhe dëshmitë e këngëve popullore
Gjithsesi, Gjyqi Special Politik dënoi dhe ekzekutoi me varje në litar priftin patriot dhe demokratin e njohur, Dom Gjon Gazulin.
Një nga këngët epike, e mbledhur në Kabash të Pukës, me titull “Shtat’ barakt u bani fani”, dëshmon:
Ça po folet n’ket Shqipni?
Shtat’ barakt’ u ban’ fani;
S’u ka met kurgja në shpi;
U kan’ marr’ lop’, u kan’ marr dhi,
I kan’ marr’ haps të tan për shpi,
Shum’ na i voren djelt të ri!
…Kur ka shku sahati tetë,
I kan’ marr’ hapsit e shkretë;
Kur ka shku sahati nandë,
I ka çel’ drita vjerr’ të tanë,
Shum’ berishs, ma shum’ shaljanë…
(Epika Historike, vëll. 3, vep. e përmendur, kënga nr. 441, f. 630; Kabash–Pukë, 198?).
8. Vlerësimi historik i kryengritjes nga Bernd J. Fischer
Pas analizës së shkaqeve historike të Kryengritjes Antizogiste të Dukagjinit, historiani amerikan Bernd J. Fischer përfundon:
“Shkëndija, drejtimi dhe krejt rrjedha e kryengritjes së vitit 1926 erdhi prej vetë shqiptarëve dhe kjo vërtetohet prej faktit se në këtë moment as Roma e as Beogradi nuk dëshironin rënien e Zogut. Në shkëmbim të parave dhe të mbrojtjes që ai vetë kishte mundur të siguronte nëpërmjet Paktit, Zogu kishte nënshkruar fundin e çfarëdolloj politike të jashtme të pavarur.”
(Bernd J. Fischer, King Zog and the Struggle for Stability in Albania, New York, 1984; përkthyer në shqip nga Krnar Hajdëri: Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, Tiranë: “Çabej”, 1996, f. 124).
9. Pakti shqiptaro-italian dhe vendosja e Shqipërisë nën ndikimin italian
Ndërsa çetat mercenare zogiste digjnin dhe masakronin familje të tëra të malësorëve kryengritës në Shqipërinë e Veriut, në Tiranë, përfaqësuesi i qeverisë së Zogut, Iljaz bej Vrioni, dhe ministri fuqiplotë i Italisë së Benito Musolinit, baroni Pompeo Alois, nënshkruan, më 27 nëntor 1926, Paktin pesëvjeçar të “Miqësisë dhe të Sigurimit”.
Kryetari i Republikës dhe Kryeministri diktator i Shqipërisë, Ahmet Zogu, e ratifikoi Paktin më 9 dhjetor 1926, duke e vendosur Shqipërinë de facto nën protektoratin e Italisë fashiste të Benito Musolinit.
Megjithatë, humbja e pavarësisë politike të Zogut në raport me Italinë fashiste u shpërblye me fitoren përfundimtare të regjimit të tij autoritar mbi rendin e demokracisë liberale, për të cilin aspironin kundërshtarët e tij nacionalistë dhe demokratë, brenda Shqipërisë dhe jashtë saj.
————
10. Burimet dhe referencat bibliografike
– Historia e Shqipërisë (1965), f. 577–578.
– Historia e popullit shqiptar (2007), vëll. III, f. 264–265.
– B. Fischer, Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri, f. 111–112.
– Owen Pearson, Albania and King Zog, p. 263.
© Pashtriku.org