FJALIMET HISTORIKE TË ISMAIL QEMALIT NË KUVENDIN KOMBËTAR TË VLORËS, MË 28 NËNTOR 1912

Shpalime historike, në 109 vjetorin e Kuvendit të Vlorës, më 28 Nëntor 1912

FJALIMET HISTORIKE TË ISMAIL QEMALIT NË KUVENDIN KOMBËTAR TË VLORËS, MË 28 NËNTOR 1912

Nga Sheradin Berisha, Pashtriku 24 Nëntor 2021

Kuvendi i Vlorës ishte një nga ngjarjet më të rëndësishme për shqiptarët, në fillim të dhjetëvjeçarit të dytë të shekullit XX-të. Kuvendi u mbajt më 28 nëntor 1912. Punimet i hapi në orën 16:00 pasdite, në shtëpinë e kusheriut të Ismail Qemalit, Xhemil Beut. Morën pjesë 42 delegatë. Në kuvend i pari foli Ismail Qemali.

Ai me këtë rast ka thënë (po sjellim origjinalin):

“Shqiptarët nuk e kanë harruem kurrë as gjuhën e as kombsin’e tyne, dhe prova mâ e mira janë përpjekjet dhe kryengritjet qi kanë bâmë herë mbas here e sidomos ndër këto katër vjett e fundit për të ruejtun të drejtat e zakonet e veta. Qeverija othomane nuk e kuptoi kurrë interesën e saj e nuk deshi kurrë t’u shpëblejë me të mirë Shqiptaret shërbimet e mëdhá qi i kishin bâmë. Tashti vonë pati rrëfyem nji farë deshiri qi të merrej vesht me popullin t’onë. Por prap nuk vûni të gjithë vullnetin e mirë e nuk muer të gjitha masat e nevojshme për të kënaqun e paqsuem Shqiptarët. Qe ndër këto rrethana qi plasi lufta me katër Pushtetet balkanike, të cilat kërkojshin prej saj reforma e të drejta për vllaznit e tyne të nji kombi e të nji bese. Por këto, si panë se lufta po u vente mbarë, e harruen qëllimin e parë e u muerën vesht për coptimin e pjestimin e mbretnisë e pra edhe të Shqipnisë. Shqiptarët, të cilët kishin marrë pjesë në këtë luftë mâ fort si të zott e vêndit e për të shpëtuem veten e tyne se si ushtarë, kur e panë se ushtrija e Tyrqisë u mund e s’po mûjte me qëndruem mâ, nxituen me marrë masat qi u impononte gjêndja për të shpëtuem vêndin e vet. Kështu u bâ qi un u nisa nga Stambolli e, mbasi u mora vesht edhe me Shqiptarët e Bukureshtit, vota në Vjenë, ku fillova kontaktet me ato Pushtete të mëdhá qi kanë interesa mâ të gjalla në Balkan. E mbasi nuk mbetej mâ asnji shpresë me e shpëtuem Shqipninë me armë, e vetmja udhë shpëtimi ishte të shkëputunit e saj prej Tyrqije. Ky mendim u pa me vênd edhe nga an’e Pushteteve të mëdhá e sidomos në Vjenë e në Romë. Vetëm Rusija mund të mbahet pakëz e ftohët nga shkaku i fqije t’anë slavë, por as ajo nuk e mohon kombsinë shqiptare…” (*)

————-

*) Burimi, revista “Flamuri”, botuar në korrik Shëndre 1952, Nr.31-36,  fq.3, Romë, dhe simotra e saj “Besa”, nânduer 1954, Nr.15, Istanbul. Ky fjalim u botua edhe te Kujtimet e Mustafa Merlika Krujës, “Të shpallët e Pamvarsisë”)

***

Ismail Qemali pasi foli për gjendjen dhe rrezikun në të cilën ndodhet Shqipëria,  delegatët njëzëri vendosën “që Shqipëria me sot të bâhet në vehte, e lirë e e mosvarme”. Pastaj Kuvendi për Kryetar të Qeverisë së përkohëshme zgjodhi Ismail Qemalin, ndrësa për nënkryetar Dom Nikoll Kaçorrin. Pas përfundimit të punimeve në orën 17:30 Ismail Qemali bashkë me delegatët dolën në ballkonin e shtëpisë për të ngritur Flamurin, dhe me këtë rast ai mbajti një fjalim para masës së tubuar.

Fjalimi origjinal i Ismail Qemalit

Vlorë, 28 Nëntor 1912

VËLLEZËR SHQIPËTARË!

Oh! Sa të lumtur që e ndiej vehten sot, që shoh, këtu në Vlorë, kaqë burra Shqipëtarë të mbledhur tok, tuke pritur me kureshti e padurim përfundimin e kësaj mbledhjeje historike, për fatin e Atdheut tonë të dashur.

“Plot me gaz e me lot ndër sy, nga mallëngjimi, pra, po dal këtu para jush që t’ju gëzoj me sihariqin e madh, se sot, edhe këtë minutë, Kongresi çpalli mëvetësinë e Shqipërisë, tuke lajmëruar gjithë botën mbarë për këtë punë e duke më ngarkuar mua kryesin’ e qeveries së përkohshme të Shqipërisë së lirë.”

“Porsi ëndër më duket ky ndryshim i madh i vendit t’onë, që hoqi e voi të zezat e lirit (e ullirit – sh.b) pesëqind vjet me radhë ndënë sundimin turk, por që tani në kohët e fundit, ishte gati të jepte shpirtin përgjithnjë, të shuhej e të çfarrosej krejtësisht nga faqia e dheut, këjo Shqipëri, që, dikur, shkëlqente nga trimërija e pashoqe e bijve të saj; këjo Shqipëri, që kur i kërcënohej rreziku Europës nga pushtimet e Turqisë, ndënë kryetrimin e pavdekur të saj, Skënderbejnë, u bë porta e hekurtë kundra sulmeve më të tërbuara të sulltanëve më t’egër që ka pas Turqija.

Mirëpo, desh Zoti, që me punën, me trimërinë dhe guximin e pashoq të Shqipëtarëvet, sot e tutje të marrin fund mjerimet dhe vuajtjet e Atdheut t’onë, sepse, këtu e kështu, jemi të LIRË të PAVARUR dhe MËVEHTE, prandaj: qeshni e gëzoni!

Për t’ia arritur kësaj dite të bardhë e të madhe, na ka ndihmuar gjaku i dëshmorëvet dhe puna e vlefshme e patriotëve t’anë dhe e të gjithë shokëvet që muarrnë pjesë në këtë mbledhje dhe e të gjithë juve, që tani po ju gufon zemëra nga gazi i madh që ndieni; mirëpo mbledhja si më plak që jam, m’a ngarkoj mua ngritjen e shënjtë të shënjës t’onë Kombëtare, të flamurit t’onë të ëndërruar e të dashur (nxjerr Flamurin, të cilin e ka të vendosur në një shtizë hekuri, natyrisht të vogël, dhe natyrisht të pshehur nën pallto dhe pasi e mba një sekondë në dorë e ngul në shtyllat e ballkonit. Amatorët (masa – sh.b), posa e shohin Flamurin, thërrasin me gëzim e me zë të lartë: Rroftë Flamuri, Rroftë Shqipërija e Lirë).

Ja, pra ky është Flamuri Ynë i kuq e me shqiponjën dykrenare të zezë në mest. Dhe tani, të gjithë bashkë, si një trup i tërë dhe i pandarë, le të punojmë për t’a mburuar (mbrojtur), për t’a përparuar e për t’a qytetëruar si i ka hije Atdhenë t’onë të Lirë.

Tuke përfunduar, s’më mbetet gjë, veçse t’i drejtoj një lutje Zotit të Madh, që, bashkë me bekimet e Tij që i lipij të na japë për të qenë të denjë të kësaj dite, të pranojë që këtej e tutje të jem unë dëshmori më i parë i Atdheut, ashtu siç pata nderin dhe fatin që të jem i pari ta puth e ta bëj të valvitet i Lirë, Flamuri i ynë, n’atdheun t’onë të lirë.

Rroftë Flamuri

Rroftë Shqipërija” (**)

——————

**) Fjalimi i Ismail Qemalit gjindet në Arkivin Qëndror Shtetror në Tiranë, në Fondin 245/II, Dosja 1. faqe 43, dhe i njejti është publikuar nga Drejtoria e përgjithshme e arkivave të Shtetit, në librin: “Ismail Qemali (Përmbledhje dokumentesh) 1888 – 1919”, të botuar nga Shtëpia botuese “8 Nëntori”, Tiranë, 1982, faqe 231-232).

© Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura