Nga Xhafer Durmishi – Skenderi
21.Letër Sabri Novosellës, 20 gusht 1981
RFGJ 20 gusht 1981
I dashur vëlla Mërgim!
Për mua, personalisht mendimet e tua kanë një domethënie të madhe. U mësova disi me to dhe se si më vjen keq kur i bie në fund së lexuari letrës sate, më vjen keq që s’ka më shumë fjalë. Ndërkaq, për të gjithë ne, mendimet dhe këshillat e tua të urta janë bërë një impuls i mirë, që po na e shkund ndryshkun, në çastet që ky po kaplon punën tonë në këto kushte të vështira mërgimi dhe sidomos në një mjedis bashkatdhetarësh, me të cilët është punë tejet e vështirë të punohet (vështirësinë e kushtëzon natyrisht, edhe paaftësia jonë për komunikim të qëlluar.)
1.Tani sapo e lexova letrën tënde
-(e treta me radhë që morëm këto kohët e fundit pa të dhënë përgjigje)
-të datës 14 gusht,
-me të cilën arriti edhe mendimi yt lidhur me I. K.
mendimi yt lidhur me I. K.=mendimi i Sabri Novosellës për Ibrahim Kelmendin, që mund të thuhet se mendimi i Jusufit për I.K. në RAPORTIN e 31 korrikut 1981, Sabriut nuk i duket i mjaftueshëm, nuk i duket i plotë.
2.-Mendimet që shfaq ti lidhur me këtë person,
-janë jo vetëm të urta,
-po edhe shumë të njerëzishme.
(Një fakt e ke lanë anash në përfundimin që ke nxjerrë
-duke analizuar sjelljen e këtij personi nga vërejtjet e mia për të:
-gatishmërinë e tij që të hyj vetë
dhe t’i fusë edhe shokët në shërbim të forcave
më reaksionare e mercenare të Perëndimit,
siç janë ballistët dhe zogistët,
madje duke u bërë vetë mercenar i tyre, pra mercenar i mercenarit).
3.Megjithatë,
–pas analizash edhe më të thelluara,
–pasi të kemi mbledhur edhe ndonjë fakt për sqarimin
-e punës dhe të personalitetit të tij,
në qoftë se ai e meriton edhe pas kësaj kujdesin tonë
-për së mbari,
-atëherë nuk do të ngurrojmë edhe sa i përket punës lidhur me të.
-Të shpresojmë se ai e meriton.
Përkundër kërkesave të Sabriut, Jusufi nuk pranon afrim me Ibrahim Kelmendin duke iu përgjegjur me fjalët e mësipërme. Me një fjalë Jusufi këtë punë ia lenë kohës që ta vërtetojë se kush ka të drejtë.
4.Sot për sot nuk po zgjatem më shumë lidhur me këtë çështje,
-sepse vetë kjo letër, për shkak të kohës së kufizuar,
-është vetëm njëfarë kapari për një përgjigje më të gjatë e më të thelluar.
5.Materialet e numrit të ardhshëm të “Z.K.”
-janë pothuaj të gjitha të gatshme.
Numrit të Zërit të Kosovës si organ i LNÇKVSHJ, dhe që doli nga shtypi para mesit të nëntorit 1981.
6.Për pjesën e tyre më të madhe, e unë, Shpendi e Besniku jemi të kënaqur.
unë, Shpendi e Besniku=Jusufi, Xhafer Durmishi e Bardhoshi
7.Morëm zemër edhe nga fakti se ju kishin pëlqyer edhe juve ato punime që ua dërguam edhe juve për t’i shikuar.
8.Përveç kësaj,
-unë personalisht tani jam në pozitë shumë më të lehtë,
-për shkak të mendimeve, porosive e sugjerimeve nga ana juaj
-dhe për shkak të një ndihme, sado të vogël në fillim,
-nga ana e Shpendit, e Besnikut dhe
-e shokut të “Lirisë”, që këta më dhanë me disa artikuj të mirë.
9.Edhe Shpendi edhe Besniku,
për sa duket kanë afinitet për shkrim,
i cili do të rritet bashkë me punën tonë e me ne.
11.Tani pas hartimit të dy artikujve që kanë mbetur pa u kryer,
-menjëherë po i hyjmë shtypjes së revistës.
12.Maqinë për të blerë nuk kemi gjetur ende,
por shpresojmë se do të na bjerë në dorë diçka e mirë.
13.Tani për tani duhet të marrim, për këtë numër, një maqinë të tillë me qira.
Këtu praktikohet kjo gjë.
Punën rreth makinave të Jusufit për përgatitjen e Bashkimit, Lajmëtarit, Lirisë dhe Zërit të Kosovës, e kam shtjelluar gjerësisht në një shkrim me titull ”Stilografat e Jusuf Gërvallës” andaj nuk po ndalem më shumë në këtë temë.
14. Mbrëmë ishim me Besnikun te ai personi në Visloh,
–që na i patë dhënë 3 mijë markat.
Isa Bulan, Karl-Theodorstr. 4 D-6908 Wiesloch
15.Sa më shumë që po njihemi me të,
-aq më i matur, i pjekur dhe i mirë po na duket ai neve
-dhe me gjasë, edhe ai po fiton gjithnjë simpati më të mëdha për punën tonë.
16. Unë, Shpendi e Besniku,
-duke analizuar anët e mira dhe virtytet e këtij njeriu,
-kemi vendosur se do të kish qenë mirë ta bënim
-menjëherë anëtarë të Komitetit të degës së këtushme.
17.Na nevojitet mendimi juaj i prerë për të
-se ju keni ku e merrni këtë mendim.
Jusufi shkruan se Sabriu mendimin e prerë për Isa Bulanin mund ta merr nga Bujar Hoxha.
Me këtë letër po të nis edhe Programin e Statutin e Frontit të Kuq Popullor dhe një material (mbase program) të Organizatës së Marksistë-leninistëve të Kosovës.
Të fala të ngrohta vëllazërore
Sokoli (Jusuf Gërvalla)
***
Letra e mësipërme ishte letra e 20 gushtit 1981.
Letra vijuese është letra e 5 nëntorit 1981.
Në mes 20 gushtit dhe 5 nëntorit ndodhin disa ngjarje, teorike por edhe më shumë praktike dhe disa komunikime bëhen përmes telefonit të Bardhoshit.
Këtë periudhë e kam trajtuar hollësisht, – edhe me disa dialogje – në librin ”Lëvizja e Jusuf Gërvallës”, dhe këtu nuk do të zgjerohem shumë, por vetëm në pika të shkurta po i numëroj ngjarjet, me të vetmin qëllim që leximi dhe kuptimi i përmbajtjes së letrave të mëposhtme të jetë më i lehtë.
-Jusuf Gërvalla, përmes Haxhi Berishës e organizon dërgimin në Kosovë të numrit 4-5 të Lirisë. Shoqërues i Haxhi Berishës, nga Kadri Zeka zgjidhet Hasan Mala.
-Jusufi me të holla të huazuara (pasi e ka marrë lejen dhe garancionin për këtë punë prej Sabri Novosellës) e blen një makinë shtypi, 10 mijë DM (marka gjermane) prej llojit më të mirë për atë kohë:
(“IBM Electronic Selectric Composer”)
-Në shtator, Hasan Mala kur kthehet nga Kosova i sjell në Zvicër
TEZAT RRETH FRONTIT POPULLOR PËR REPUBLIKËN E KOSOVËS
-Jusufi i shtyp-radhitë ato në makinën e blerë të markës IBM,
-shtypja e atyre Tezave është e vetmja, me shkrim për OMLK-në, që është bërë me makinën e markës IBM
-shtypja e atyre Tezave, në shtator 1981, është puna e fundit, germa e fundit që Jusuf Gërvalla në jetën e tij e bënë për OMLK-në
-Jusufi pajtohet me tekstin e Tezave dhe pret nga Kadri Zeka e OMLK-ja interpretimin për ZBATIMIN e TYRE në PRAKTIKË. Këtë punë Kadri Zeka dhe OMLK nuk kanë guxim ta bëjnë para Jusufit, por për këtë qëllim
-Kadri Zeka me Bardhosh Gërvallën në mesin e tetorit 1981 udhëtojnë në Turqi për ta takuar Sabri Novosellën.
-Bisedimet në Stamboll dështojnë. Për këtë Kadri Zeka i tregon në thelb përmbajtjen e bisedimeve Jusufit në panairin e librit në Frankfurt më 17 tetor 1981. Në këtë panair, më 17 tetor 1981, Jusufi informohet për herë të parë nga Kadri Zeka se OMLK-ja është bashkuar me Frontin e Kuq Popullor, se Kadri Zeka është bashkuar me Ibrahim Kelmendin. Jusufi beson dhe mendon se ky bashkim është bërë menjëherë pas kthimit të Kadri Zekës nga Stambolli më 16 tetor 1981. Pasi unë informohem për këtë nga Jusufi, brenda dy orësh, po në panair edhe unë besoj dhe mendoj si Jusufi, se ky bashkim i Kadriut me Ibrahim K. është bërë pas kthimit të Kadriut nga Stambolli dhe këtë formë e kam dhënë në librat e mi.
Bashkimi i OMLK me FKP para takimit të tetorit 1981
në Stamboll
Më 28 shkurt 2024, për herë të parë mu dha rasti t’i lexoj fjalët e mëposhtme:
”Ky dokument ishte një bazë e mirë për t’u zhvilluar bisedime për themelimin e një fronti popullor, bashkim e centralizim të lëvizjes patriotike e komuniste të Kosovës. Për këto qëllime, në tetor të vitit 1981 Kadri Zeka me Bardhosh Gërvallën udhëtojnë në Turqi për bisedime që mundësisht të arrihej bashkimi në baza të ”Tezave…” në mes OMLK-së dhe LNÇKVSHJ, pasi më parë ky bashkim ishte arritur me FKP (Frontin e Kuq Popullor-shën. ynë).” (Kadri Zeka, Vepra, Biblioteka ”Liria” 1986, faqe 18)
***
Edhe pse Jusufi është i informuar nga Bardhoshi, por pas disa precizimeve përfundimtare që merr nga Kadri Zeka, dhe duke u bazuar vetëm në fjalët e Kadri Zekës;
e këtë e kuptova në çastin e fundit në bisedë me shokun Z.,
Jusufi, më 5 nëntor 1981, ia drejton letrën e mëposhtme Sabri Novosellës.
- Kadri Zeka dhe Sabri Novosella
22. Letër për Sabri Novosellën, 5 nëntor 1981
Untergrupenbach, RFGJ
5 nëntor 1981
Vëlla i dashur Mërgim!
Pas një kohe prej afro dy vjetësh, dje sërish ta ndjeva zërin. U gëzova si fëmijë. Më erdhi mirë që të paskan ardhur shoqja e fëmijët.
1.Vërtet, kështu një nga një, po na bie të arratisemi nga atdheu ynë i shumëvuajtur.
-Por, sipas bindjes sime të plotë,
-robëria tani po numëron tik-taket e veta të fundme dhe
-ne së shpejti do t’i kthehemi tokës e popullit tonë,
-kush duke ia falur gjakun,
-të tjerët duke mbetur për t’ia falur djersën dhe
-për të gëzuar jetën në liri e fatbardhësi.
2.Po bien kambanat e luftës,
-pas të cilës do të vijë fitorja,
-kësaj radhe e plotë për popullin tonë.
3. Tani disa fjalë rreth takimit të Stambollit.
4. -Ka disa muaj që unë po fluturoja nga gëzimi,
-në pritje të bashkimit të forcave tona revolucionare,
–që isha bërë gati ta quaja bashkim historik.
5. Më herët të kisha dërguar një letër dhe të kisha thënë
se këtë bashkim unë vetë nuk e shoh çështje aq të thjeshtë.
Sepse siç kam shkruar më herët në këtë punim Jusufi kërkon që gjerat të shtrohen hollësisht e me shkrim dhe jo në formë të përrallave gojore.
6. -Ka probleme parimore për të cilat duhen marrëveshje serioze,
–siç është ai se a duhet të kemi fare parti k. m.-l.,
-apo ajo parti është e domosdoshme për t’i dalë
-në ballë popullit tonë në drejtim të luftës dhe të fitores.
7. Ky ishte për mendimin tim problemi kyç.
8. Meqë me Organizatën e shokëve të „Lirisë“
kishim të përbashkët ideologjinë e qëllimin
dhe ndonjë ndryshim të vogël në pikëpamje
të taktikës revolucionare e të organizimit,
kujtoja se pas disa bisedimesh mund të rregullohej shumëçka.
9. Për veten time, në shërbim të kësaj çështjeje, nuk kurseva
-gjumë
-as punë,
-shëndet
-as djersë,
-e besa as shpenzime materiale.
10.Aq më pak e kam kursyer sinqeritetin
-e shokut me shokun,
-e revolucionarit me revolucionarin.
11. Si të kursehem në një kohë që populli ynë,
i cili sot po martirizohet si rrallëherë në historinë e tij shumëshekullore,
pret nga djalëria e tij patriotike e revolucionare që ajo
-të çajë rrugë drejt luftës dhe fitores,
-e lidhur fort me besa-besë dhe me grushtin e bashkuar.
12. Nga e gjithë kjo, tash mbeti vetëm dëshira.
13. -A ka vend të ndruhemi se s’paska ardhur ende
-çasti i pritur i bashkimit?
14. -Ende po dua të shpresoj që qëndrimi i shokut Z.
ndaj kësaj çështjeje të rëndësishme
-nuk është edhe qëndrimi i shokëve të tij,
-aq më pak vija e tyre dhe përfytyrimi i tyre për bashkimin.
15. -Pasi kuptova si është shtruar kjo çështje në takimin tuaj
-(e këtë e kuptova në çastin e fundit në bisedë me shokun Z.),
-ishte e vetëkuptueshme të pajtohesha plotësisht me qëndrimin që ke marrë ti atje.
16. Të njoftoj se,
-që kur mbaj kontakte me atë person,
-asnjëherë,
-as rastësisht,
–nuk ka rënë fjala për një „bashkim“ të tillë të çoroditur,
–siç e kishte shtruar çështjen shoku Z.
17. Po e panë ata të udhës,
-le të përpiqen të arrijnë „bashkime“ me hope e boshllëqe,
-duke pasur cak të fundit jo grumbullimin optimal të forcave tona revolucionare në frontin e rreptë të luftës,
-por megalomaninë e arrivistëve të revolucionit,
-ndjenjën e epërsisë boshe mbi të tjerët dhe
-tendencën për dominim me çdo kusht mbi të tjerët.
18. Kam dëshirë të madhe
-të më dalin gabim
-përshtypjet e këqija
-që formova për ta pas atij takimi dhe
-pasi mësova për qëndrimin e tyre.
19. Në këtë mes,
-më duhet të pranoj se,
-nga ana e atyre shokëve,
-qenka bërë një lojë e pahijshme
-me personin tim.
20. Nuk di me se e kam merituar një gjë të tillë.
21. Por tani,
-pas hidhërimit të parë,
nuk ndiej kurrfarë nevoje
-të kërkoj ndonjë shpjegim
-a satisfaksion prej tyre.
-Sedra s’ka vend në këtë mes.
22. Nuk do të pendohem
-për angazhimin tim (të kotë) në këtë drejtim,
-as për sinqeritetin
-që ua kam falur atyre pa rezervë.
Jusufi këtu e ka fjalën më shumë në aspektin se duke i ndihmuar OMLK-së jo se ka bërë punë të kotë por mendon kryesisht në formën se nuk paska pasë për kend me u mundua.
23. Mjafton
-ndërgjegjja e pastër dhe
-qëllimet e mira,
-që më kanë udhëhequr gjithë kohën.
Fjalia e mësipërme është BUSULLA e Jusufit në çdo punë të tij.
24. Veçse, një mësim duhet nxjerrë:
-sinqeriteti – për shokët e sinqertë.
-(Po kush dyshonte në mossinqeritetin e tyre,
-kur nuk dhanë asnjë shenjë!
Kjo më brengos edhe më shumë për rrugën e tyre.)
25. Paska qenë e logjikshme
-nga ana juaj që të ndruheni se
-mos unë ia kam kthyer shpinën
-ose kam ndër mend t’ia kthejë Lëvizjes,
-duke kaluar në taborin e ndonjë organizate tjetër.
26. -Kjo nuk do të ndodhë kurrë.
-Përkatësisht, deri në çastin që të bindem plotësisht
-se Lëvizja e ka lënë rrugën e drejtë dhe,
-në vend që të luftojë si duhet për popullin,
-i sjell dëme pikërisht kësaj lufte.
-Shenjat për këtë, fatbardhësisht,
-nuk janë dukur gjëkundi deri në këtë çast.
-Bashkëluftëtarët tanë, në paçin sado pak
-nga veçoritë dhe virtytet e tua luftarake e patriotike,
-Mërgim, mund të mburren se janë duke u shkrirë si qiriu,
-që populli të shohë dritë.
27. Është e tepërt të thuhet se
-do t’i çojmë në vend këshillat,
-sugjerimet dhe
-urdhrat që do të na vijnë nga ana juaj.
-Këtë mendim e kanë plotësisht edhe Shpendi e Besniku (*).
(*) Shpendi e Besniku=Xhafer Durmishi dhe Bardhosh Gërvalla
28. Më lejo të kalojmë te disa çështje mbi përgatitjen sa më të mirë të „Zërit të Kosovës“ në të ardhmen.
Materialet që mendohet të sigurohen nga shokë të brendshëm, e do puna të na arrijnë gjithmonë me kohë, në mënyrë që të dalim me to me kohë para lexuesve, pa u humbur aktualiteti.
Kemi mungesë thuaja totale të shënimeve në vendin e ngjarjes, pra shënime për ato që po ndodhin dita-ditës në atdhe. Një mungesë e tillë s’ka si të mos e godasë keq revistën tonë revolucionare.
Kemi nevojë të madhe për materiale të nivelit profesionist, sidomos nga lëmi i historisë, i drejtësisë etj.
Ndarja e tekstit në këtë letër prej në pikat 1-32 është bërë prej meje.
Ndarja-renditja në pikat 1-4 është bërë nga Jusufi.
Për këtë qëllim, po shtroj këtu këto propozime:
1) Ne këndej, dhe shokë të tjerë në botën e jashtme, do të mund të siguronim një numër të caktuar adresash të vendësve. Këto adresa do t’u jepeshin në atdheun tonë njerëzve të penës. Ata do të na dërgonin në to shënime për ato që kanë ndodhur e po ndodhin në Kosovë: numrin, emrat dhe shënime përcjellëse, sa më të plota, për të vrarët, të plagosurit, të arratisurit, të pushuarit nga puna, të burgosurit etj. Materialet do t’i lëshonin në posta jashtë trojeve shqiptare, është e dëshirueshme që ato të lëshohen në Slloveni, ku kontrolli policor duhet të jetë më i vogël.
2) Mendoj se në revistën tonë duhet të bëjë vend sa më shpejt një artikull mbi marrëdhëniet shqiptaro-serbe në periudha të ndryshme. Qëllimi është që të shihet kontinuiteti i aspiratave pushtuese, kolonizuese serbe dhe shovinizmi i tyre, që shkon deri në dëshirën për shfarosjen e plotë të popullit shqiptar. Si literaturë bazë mund të shërbejnë disa punime të Sadulla Brestovcit në „Gjurmime albanologjike“, librat e Shukri Rrahimit „Vilajeti i Kosovës“ dhe „Lufta e shqiptarëve për autonomi 1897-1912“, libri i Z. Canës „Lëvizja kombëtare shqiptare 1908-1912“, ai i D. Tucoviçit „Serbia dhe Shqipëria“, i Kosta Novakoviçit „Politika e Serbisë në pushtimin dhe serbizimin e Kosovës“ (për titullin e këtij të fundit nuk jam krejtësisht i sigurt në është i saktë), libri i Shaban Brahës „Idriz Seferi“ etj. Tema duhet të shtjellohet nga një historian i rryer, së pari për nevojat e revistës e pastaj, nëse zgjerohet, mund ta nxjerrim edhe si broshurë a libër. Unë do të përpiqem nga ana ime të gjej njeri të tillë, por edhe më shumë të përpiqeni ju andej. Ideale do të kish qenë sikur përmes Plakut, materiale të tilla me peshë të mund të siguroheshin në rrugën nëpër të cilën më kanë arritur këtu paratë e mbledhura për makinë.
3) Një temë me shumë rëndësi më duket edhe kjo: Inkompetencat e gjyqeve aktuale jugosllave në dënimin e rinisë dhe të popullit shqiptar. Një jurist i zoti, po ta vështronte problemin nga aspekti i së drejtës abstrakte, jo vetëm që do t’i nxirrte këto gjyqe inkompetente, po edhe ta paraqiste gjithë pushtetin jugosllav si një pushtet jolegal, që ushtrohet mbi popujt e Jugosllavisë, e veçanërisht mbi popullin shqiptar në mënyrë jashtëzakonisht të egër e të dënueshme, pa përfillur vullnetin e lirë të popullit tonë.
4) Ngjarjet po zhvillohen shpejt, fluturim. Ne që jemi jashtë, ndodhemi në bisht të të informuarve. Vërtet arrijnë lajme gojë pas goje, për shumëçka. Por, me to nuk mund të shërbehemi në revistë. Aq më pak lidhur me gjendjen e mjeruar ekonomike të Kosovës dhe me diskriminimin që i bëhet krahinës në këtë drejtim. Siç dihet, pa një trajtim serioz të problemeve ekonomike, revista jonë nuk ka si të përmbushë misionin e vet. Të dhënat që kemi pasur deri më tash, janë sigurisht të vjetëruara, se ekonomia jugosllave, veçmas ajo kosovare, po rrokulliset nga çasti në çast.
Ka edhe shumë probleme të tjera, që nuk mund t’i trajtojmë seriozisht pa bashkëpunëtorë profesionalë të niveleve të përmendura.
Nga temat e ngjashme, që propozova më lart, unë kam ndarë për vete të shkruaj për numrin 2 një artikull mbi mbrojtjen e kishave dhe të manastireve serbe nëpër Kosovë nga shqiptarët në të gjitha furtunat e deri tashme. Do të shërbehem me disa të dhëna që jep Dr. Mark Krasniqi në librin e tij „Gjurmë e gjurmime“.
Qëllimi është të sheshohet respekti i kosovarëve ndaj monumenteve të huaja të kulturës dhe mosprirja e tyre për vandalizëm, në një anë; në anën tjetër, „shpërblimi“ i pushteteve serbe për këtë mbrojtje dhe shovinizmi i tyre në gjithçka që ka të bëjë me shqiptarët si „racë më e ulët“, në krahasim me ta.
Pres propozime e sugjerime edhe për tema të tjera, me realizimin e të cilave do të rrekeshim unë, Shpendi e Besniku.
Të fala vëllazërore e revolucionare,
Sokoli
P.S.
29. Adresën e B. Krasniqit do ta sigurojmë dhe të ta dërgojmë sa më shpejt të jetë e mundshme.
Adresën e B. Krasniqit=Adresën e Besnik Krasniqit, djalit të Metush Krasniqit në Australi.
30. Me K. Mërturin do të bisedojmë për ato që u morëm vesh.
K. Mërturin= Kolë Mërturin, aktivist në rrethin e Shtutgartit nga rrethi familjar i Mark Mërturit, nga Gjakova.
31.Djelmoshave të tjerë në Romë, Besniku u kishte lënë 200 dollarë, këtu e kemi një shok të njërit prej tyre dhe prandaj shpresojmë se do ta fitojmë besimin e tyre dhe t’i bëjmë shokë edhe ata.
Besniku=Bardhosh Gërvalla
Kemi rënë në kontakt edhe me një djalosh të tillë, në një kamp afro 250 km. nga vendbanimi ynë këtu, duket djalë i mirë dhe revolucionar i ngritur. Do të provojmë ta marrim në rrugën tonë. Ai kishte tubuar rreth vetes shumë punëtorë të vyer nga Kosova në qytetin ku është kampi.
32. Ai ka mundësi të na e sqarojë më mirë edhe çështjen e Muharremit, meqë e kishte shok të mirë vëllaun e tij.
(VIJON …)
© Pashtriku.org
_____________________
LUFTA PËR LIRI NË LETRAT E JUSUF GËRVALLËS, Janar 1980 – Janar 1982 (XV)
Nga Xhafer Durmishi – Skenderi