EMIN HALIMI: DILEMË – PËR&KUNDËR GJYKATËS SPECIALE

Skënderaj, 21. 04. 2014 – Po formohet një Gjykatë speciale, Tribunal a ҫkadoqoftë, e cila do të gjykojë krimet eventuale të ndonjë pjesëtari të UÇK-së, mbase edhe të ndonjë eprori të saj, por jo të UÇK-së si formacin politik-ushtarak, si institucion. Dikush thotë se është e nevojshme kjo gjykatë. Ata që e kërkojnë me zë a në heshtje këtë gjykatë janë serbët, të cilët pretendojnë se u janë zhdukuar a vrarë familjarët e tyre civilë – dhe këta e kërkojnë me zë formimin e saj, si dhe disa shqiptarë që pretendojnë se u janë vrarë a zhdukur familjarët e tyre civilë në rrethana të pasqaruara ndonjëherë, si në luftë po ashtu edhe pas saj. Këta e kërkojnë nën zë formimin e kësaj gjykate. Dikush po thotë se nuk duhet të formohet kjo gjykatë…
Kryeministri, në ndonjë rast thotë se kjo gjykatë është e padrejtë dhe në ndonjë rast tjetër thotë se është fyese për Kosovën, por në të dyja rastet thotë se duhet të votohet. Që të dyja qëndrojnë. E padrejtë sepse shqiptarët ishin viktimë e një agresioni dhe sot po gjykohen për krime – si të ishin agresorë. Fyese, përveҫ për shkaqet që u cekën, mendoj se është edhe (dhe sidomos) për faktin se ne nuk jemi të zotët ta formojmë vetë një gjykatë të tillë, për t’i gjykuar krimet eventuale – ashtu siҫ bënë Serbia, Kroacia e Bosnja e të cilat kanë shqiptuar mijëra vite burg për krimet e bëra nga ‘të vetët’, prandaj po duhet që Europa ta krijojë një gjykatë të tillë.

Hashim Thaçi: “Tribunali është fyerje për shtetin e Kosovës por duhet ta pranojmë!”

Mendoj se turpin nuk po na e shkakton Europa, por atë ia kemi shkaktuar vetë vetës sonë. Deri sa gjykatat tona nuk janë të zonjat ta gjykojnë një krim ordiner të shkaktuar nga ndonjë i ‘fuqishëm’ apo nga ndonjë familjar i tij (kemi parë dhjetëra raste), atëherë si do të mund të gjykonin ndonjë krim (eventual) lufte?
Kush i bëri gjykatësit, prokurorët, hetuesit kaq të pafuqishëm?
Politika dhe politikanët!
Ata ndërhyjnë dhe kur ata ndërhyjnë nuk ka birë nënë që guxon ta hetojë, ta ndjekë a ta gjykojë dikë për të cilin politka(ni) ka ndërhyrë!
Një shtet i konsoliduar, me një qeveri të pakorruptuar do të kishte jo vetëm të drejtën ligjore, por edhe atë morale që të kërkojë dhe madje t’i detyrojë institucionet, në këtë rast edhe gjyqësorin, që t’i kryejnë detyrat me përgjegjësi duke respektuar ligjin dhe vetëm ligjin!
Sidomos gjyqësorit do t’i siguronte logjistkën dhe sigurinë e nevojshme në mënyrë që ai të kryente punën si duhet. Kështu do të gjykoheshin ata mbi të cilët bien dyshimet dhe nëse do të vërtetohej fajësia do të dënoheshin, në se jo do të liroheshin, duke ua hequr kështu hijen e dyshimit që i ndjek pas… Kështu, i fortë do të ishte vetëm ligji dhe jo gjithfarë vagabondësh, të cilët kanë ngulfatur këtë liri të paguar me shumë gjak, lot e djersë të derdhur me shekuj!
Prandaj, po të isha aty ku merret vendimi, do të kisha dilemë të madhe ta votoj apo jo formimin e kësaj gjykate…

 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura