JAKUPI

Vjeshtë, 2026

JAKUPI

(Ose burgu ynë…)

Nga Rexhep Kasumaj

Jakup Krasniqi, ky i burgosur i vetëm i dyfishtë në historinë e re: nga Serbia dhe nga Europa.

Stinë e mote ndrroheshin, por ndëshkimi i Tij mbetej një provë e

dinjitetit dhe moralit të shkelur njerëzor.

Qysh herët nuk do të mjaftohej vetëm me të drejtën e dyshimit në formulën e lumturisë zyrtare. E pra, nuk e zbërthente dot (si do lexoja tek Milan K.) misterin e zemrës që mund të gëzohej me statusin e popullit nënshtetëror…

Dhe, ndërsa të tjerë zgjodhën iluminimin a, pjesërisht, dyshimin si vetënjohje identitare, ky do të zgjidhte të dyjat: dritën dhe flijimin.

Akuzatorët, në fakt, kishin legjislatura të ndryshme: diktatoriale e  pushtuese në Serbi dhe demokratike në Europë.

Por, nëse ligjet penale dallojnë thellë mes tyre, e njëjtë mbetet vepra që i ngarkohet me faj: lufta politike dhe e armatosur për liri!

Tani ku dhe si ndërthuren vlerat e qytetnisë demokratike të Europës iluminante dhe rendi obskur, i errët, i tiranisë, aq më tepër, okupimi serbian i Kosovës?

Sepse Jakupi, për të njëjtin faj sublim, fajin e lirisë, është ndjekur, burgosur e dënuar: nga Serbia, më herët dhe nga Europa libertare tani, në shekullin e ri!

Por ideologjia, fundja, nuk shpjegon gjithçka.

Të gjitha Europat dhe Serbitë, të vjetra e të reja, monarkike,  republikane apo bolshevike, i kanë prerë kronikisht Udhëjetën njeriut të zgjedhur shqiptar. Etërve të tij pellazgë, tani të mbledhur kruspull në një skaj Shtëpie.

Të Shtëpisë vet!

Dhe Jakupi vijon prapë burgun e tij.

E, përsa kohë të burgëtojë në kazamatin e huaj, i burgosur është dhe populli i vet.

Natyrisht, hekurat  nuk i duken, trupi s’ka pranga e gjallimi fizik ndjekë ritmin e dhunuar të jetës. Por është shpirti kolektiv që ndrydhet i terruar në vargorët e hershëm e të vonë të padrejtësisë.

Dhe një simbiozë logjikisht e kundërt etike gjen shprehjen e vet të rrallë: ti shqiptar je edhe i vrarë edhe fajtor, edhe i lirë edhe i mohuar, edhe i pari ndër troje edhe i mallkuar elaboratesh për zhdukje!

Dhe Jakupi, pas një bujtje të dekretuar në shtëpi, kthehet sërish në burg.

Aty gjykohet e mohohet lufta e tij çlirimtare. E drejta natyrale për gëzimin e jetës.

Aty gjykohem unë, ti, fëmijët tanë dhe të gjithë shqiptarët në Dhéun e vet me emrin e bekuar Dardani!

Më të vjetër e të fismë se ky gjyq Hadesi mbi tokë!

(R.)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura