FATOS BAXHAKU: FYTYRA HARBUTE E LUFTËS NË SHKODËR 1912 – 1913!

Pashtriku.org, 21. 04. 2014 – (Nga ditari i një ati françeskan më 1912-‘13) – At Justina Rrota, OFM. Lindi në Shkodër në shkurt të 1889-s. U pagëzua nga dom Ndoc Nikaj, autori i romanit “Shkodra e rrethueme, ose Bukurusha” dhe prandaj u quajt Ndoc. Një biografi pak a shumë të plotë të tij na ka lënë pas atë Donat Kurti, mbledhësi i vyer i folklorit. Ndoci studioi në fillim në Shkollën Françeskane e më pas në Kolegjin Françeskan të Gjuhadolit. Për herë të parë – gjithnjë sipas atë Kurtit – zhgunin e veshi më 1904-n në Kuvendin e Rubikut. Dy vjet më vonë, kësaj here me emrin Justin, studioi për filozofi e teologji në Troshan. Nisi studimet në Austri për teologji, por shëndeti i dobët e detyroi të kthehej në qytetin e tij të lindjes. U shugurua meshtar në kujdesin e atë Gjergj Fishtës më 1911-n. Prej kësaj kohe ishte mësues i latinishtes dhe shqipes në shkollat françeskane në Shkodër e Troshan. U dallua për studimet e tij në fushën e gjuhës shqipe. Më 1936-n nisi të prekej nga një sëmundje e rëndë, që më pas i mposhti krejt gjysmën e majtë të trupit, megjithatë vazhdoi të punonte. Vdiq në Kuvendin e Arrës së Madhe në Shkodër më 21 dhjetor 1964 dhe u varros në krah të vëllait të tij në varrezat e Gjuhadolit.


Shkodër 1913: At Gjergj Fishta dhe Justin Rrota.

 ***
Libri i tij “Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër, ase rrethimi i qytetit 1912-1913” ka pasur një “aventurë” më vete. Në vetminë e tij në luftën e ashpër me sëmundjen, atë Justini hodhi në letër shënimet që kishte mbajtur gjatë rrethimit të përgjakshëm të Shkodrës nga tetori i 1912-s e deri në prill të 1913-s. Dëshira e tij e madhe ishte që libri të botohej më 1963-shin, me rastin e 50-vjetorit të ngjarjeve që ai përshkruan. Kërkoi më kot lejen e botimit nga shteti i asaj kohe. Një vit më vonë autori mbylli sytë. Libri doli në dritë vetëm më 2012-n nga “Botimet Françeskane”.
Mbi ngjarjet e Shkodrës më 1912-1913 janë shkruar me mijëra faqe: studime, kujtime, riprodhime të shtypit të kohës, dokumente. Por libri i atë Justinit ka një mënyrë të vetën për ta parë luftën. Duke qenë se ai ndau tmerret e luftës së bashku me popullsinë civile, ai na tregon një natë tjetër të luftës, jo atë heroiken, rrëfime të mbushura plot heronj, por një rrëfim me një qytet që pak nga pak po mposhtej nga uria, nga i ftohti, nga izolimi. Shkodra e atë Justinit, pak nga pak, sa më shumë që kalonin muajt, nis të shndërrohet në një qytet fantazmash, ku njerëzit e paktë ecnin përmes të vdekurve të mbështetur në mur, nga frika se mos rrëzoheshin prej pafuqisë. Hera-herës atë Justini përzien një pikëllim të thellë me një humor të mëndafshtë e pesimist, është njësoj sikur të dojë të na thotë se në çdo luftë të dyja palët vuajnë njësoj, fitimtarët dhe të mundurit. Nga ky rrëfim i mrekullueshëm, i shkruar në një gegërishte melodioze, kemi nxjerrë disa episode.
KRYEKOMANDANTI
Në Shkodër Hasan Riza beu (pas vdekjes mori titullin Pashë) ishte një figurë fort e njohur. Irakiani ishte i prerë, një ushtarak i vërtetë i karrierës dhe i vendosur të mos e lëshonte Shkodrën me asnjë kusht. Atë Justinit i ka bërë përshtypje një histori që rrëfehej gojë më gojë në qytetin e pushtuar. Thuhet se ndërsa ishte në inspektim në llogoret e Bardhajve, në periferinë e sotme lindore të Shkodrës, Hasan Rizai pa një ushtar malazez të plagosur që mezi çapitej. Atëherë kryekomandanti osman i paska blerë për 150 grosh një kalimtari të rastësishëm një gomar, mbi të cilin ka hipur malazezin e plagosur dhe, pasi i ka dhënë një flamur të bardhë, e ka nisur për në krahun tjetër të llogoreve, atje nga ku artileria armike vazhdonte të qëllonte. Kjo ndodhi pati bërë shumë përshtypje në gjirin e ushtarëve osmanë.
“UJA”
Që në muajt e parë të rrethimit nisi të ndihej kriza e bukës. Urdhri i Hasan Rizait ishte që bukëshitësit të mos jepnin më shumë se një bukë për frymë. Furrat ishin përditë të rrethuar nga turmat e njerëzve të uritur. Sikurse ndodh thuajse gjithnjë në situata të tilla nisi menjëherë edhe spekulimi me bukën. A ishte urdhri që çdo njeri të merrte një bukë? Atëherë në rregull! Shumë djem të shkathët e të fuqishëm e bënin shumë shpejt xhiron në tetë furrat e qytetit dhe pastaj u ktheheshin të uriturve që më kot prisnin në radhë. Doni bukë? Ja ku e keni, por dua edhe unë fitimin tim.

Shkodër 1913: Uria e bukës!

Atë Justini tregon edhe një histori tjetër: Një grua pas shumë përpjekjesh mundi më në fund të merrte një bukë. Por teksa kthehej e gëzuar në shtëpi, një djalosh ia rrëmben bukën dhe ia mbath me të katra. Teksa ikte djaloshi lëshoi përdhe paratë e bukës. Njerëzit shihnin se si gruaja shkrehej në vaj e dëshpëruar me paratë e bukës në dorë. “Mjerisht sod parja nuk ban pare. S’ka vlerë”, shkruan atë Justini në ditarin e tij.
“HERONJTË E ARIT”
Andej nga mesi i nëntorit të 1912-s, bombardimet e malazezëve mbi Shkodër u bënë shumë vdekjeprurëse, sidomos në lagjet myslimane. Popullsia e këtyre zonave u detyrua të lëshojë shtëpitë. Vetëm “nja dy zotni pasanikë myslimanë” nuk pranonin në asnjë mënyrë që të linin shtëpitë e tyre. Kishin frikë se pasuria e tyre, jo edhe aq e vogël, e ngritur me mund përgjatë një jete të gjatë e të mundimshme, të përpihej sakaq nga hajdutët që gëlonin gjithandej nëpër qytet. Por një gjyle malazeze ra një natë në shtëpinë e njërit prej pasanikëve, duke e lënë të vdekur pranë pasurisë së tij. Pa, ç’pa fqinji i tij dhe u kandis e iku te njerëzit e tij, larg rrezes së gjyleve. Më në fund ishte bindur se nuk ka pasuri më të madhe se sa vetë jeta.
ARAPI I BELEDIES
Në Shkodër, qytetarët e vjetër, kur donin të cilësonin ndonjë person harbut, thoshin: “Ky keka si Arabi i Beledies”. Atë Justini na tregon se kush ishte ky personazh, simbol i dhunës idiote. Ai na thotë se nga fundi i nëntorit të 1912-s, në krye të rendit në Shkodër, policisë, (beledijes) u vu një kolonel arab i ushtrisë, me fytyrë shumë të zeshkët. Ky nuk ta bënte të gjatë për hiç mos gjë. Një tregtar që nuk kishte shkuar në një takim të pushtetit me tregtarët e qytetit, sepse në të vërtetë nuk kishte ditur gjë, u gjobit me 20 lira turke gjobë dhe me një muaj burg. Nuk mjaftonte me kaq; fatkeqi do të hante edhe 20 shkopinj në kurriz.
Një herë tjetër. Në qytet ishte e ndaluar që të rrinin bashkë më shumë se katër vetë. Një ditë prej ditësh arabi pa përkthyesin e ambasadës austro-hungareze teksa bisedonte me tre shkodranë të tjerë. Mbi kalin e tij koloneli e goditi keqa përkthyesen dhe, kur ky guxoi të protestonte me gjysmë zëri atëherë “Arapi i Beledijes” e përplasi fort mbas murit duke e sharë me të gjitha shprehjet që i erdhën në atë çast ndërmend.
BERBERËT NË TELASH
Në dhjetor të 1912-s, tellalli shpalli edhe një taksë tjetër. Të gjithë berberët e qytetit do të derdhnin në arkën e vilajetit një taksë prej 10 paresh për çdo të rruar. Për çdo të qethur taksa ishte dyfish, 20 pare. Berberët e shkretë protestuan heshturazi dhe pastaj nisën të zbatojnë një taktikë tjetër. Nuk shkonte më klienti te dyqani i tyre, por shkonin ata ndër shtëpitë. Po edhe kjo nuk piu ujë, sepse sapo ata dilnin nga shtëpia i priste një xhandar, i cili u kërkonte taksën. Më kot berberët e shkretë justifikoheshin se kishin shkuar thjesht te një mik i vjetër për një kafe. Protestat ishin të kota. Pas xhandarit vinte sakaq “Arapi i Beledijes” dhe pastaj…
MË MIRË VDEKJA!
Ata ishin dy lypsa pleq. Sa pa filluar lufta i shtynin ditët e tyre duke lypur, duke mbledhur ndonjë të hollë e duke blerë një kafshatë bukë, sa për të mbajtur shpirtin gjallë. Duket, se si lypsa që ishin, nuk e shkonin edhe aq keq. Por lufta plasi, tashmë shumë njerëz u bënë si ata, askush nuk e kishte më mendjen t’ia vinte veshin dorës së tyre të zgjatur. E kështu, një ditë të ftohtë dimri ata vendosën të heqin dorë dhe t’i nënshtroheshin fatit. Kalimtarët e parë që dolën në mëngjes në lagjen Rus i panë të shtrirë pa shpirt mbi kalldrëm. Lufta edhe lypjen e bën pa kuptim.
GABIMI FATAL I NJË PJATALARËSI
Italiani Xhuzepe Xanoni (Giuseppe Zanoni, për atë Justinin Zef Zanoni) ishte pjatalarës në një anije të vendit të tij. Atij i ishte mbushur mendja që të rifillonte një jetë të re në Austri. Kështu, një ditë prej ditësh, ndërsa anija e tij ishte e ankoruar në Tivar, ai merr rrugën për të realizuar ëndrrën e tij. Mirëpo, në vend që të merrte drejtimin nga Veriu, mori drejtimin e kundërt, atë që e çonte në Shkodër. Diku në këmbë të Taraboshit e mbërthejnë xhandarët. Doli para gjyqit ushtarak dhe menjëherë u akuzua si agjent, madje edhe i rrezikshëm fort. Pjatalarësi në fillim kundërshtoi, por pas disa seancash të mira “dajaku”, pranoi të gjitha ato që i kërkuan, se ishte agjent, se ishte shumë i rrezikshëm, se ishte… Si përfundim italiani Zef u dënua me vdekje. Vetëm pas shumë ndërhyrjesh të konsullit italian ai u shpall i pafajshëm, mirëpo ndërkohë kishte plasur lufta. Kur atë Justini mësoi këtë histori, ai ishte ende në burg, me ndërresa, mbulesa, cigare e ushqime, porse gjithsesi në burg. Nuk kishte ku të shkonte tjetër.
GAZETA MË E SHTRENJTË NË HISTORI
Në Shkodrën e rrethuar nuk mbërrinte asnjë lajm. Nuk dihet se si një fatlumi i kishte rënë në dorë një gazetë italiane e datës 3 dhjetor 1912. Shkodranët nisën ta lexonin dorë më dorë më 26 dhjetor. Gazeta u bë objekti më i kërkuar në Shkodër, edhe sepse në të kishte dalë lajmi se Austro-Hungaria i kishte kërkuar Knjaz Nikollës që të tërhiqej nga rrethimi i Shkodrës. Dikush kërkoi ta blinte gazetën për çmimin rekord prej një napoloni flori, por fatlumi nuk pranoi. Ndoqi një taktikë tjetër, ai e jepte gazetën me qira. 20 minuta lexim kushtonin 20 franga ari. Ishte gazeta më e shtrenjtë që ishte parë e që do të shihej ndonjëherë në Shkodër.
“AVENTURA” E NJË MEMORANDUMI
Në dhjetor të 1912-s, pak ditë para se ta vrisnin në atentat, Hasan Rizai dhe paria e krishterë e Shkodrës ranë dakord që në luftë me malazezët të përfshiheshin edhe malësorët katolikë, me kusht që lufta të zhvillohej në emër të flamurit shqiptar dhe jo atij osman. Pas kësaj u vendos që t’i dërgohej një memorandum Fuqive të Mëdha, ku të kërkohej dëshira e vendosur e shkodranëve për t’u shkëputur nga Perandoria Osmane. Puna ishte se si ky memorandum do të mbërrinte në kancelaritë e Europës. Shkodra ishte e mbyllur në një darë të hekurt, të gjitha linjat e telegrafit ishin prerë, konsujt vetë nuk kishin lidhje me qendrat e tyre.
Atëherë u hartua një plan. Një këpucar, Kolë Kujunxhia, e fshehu letrën në shollën e një këpuce, të cilën e veshi Lazër Gurakuqi. Ky ishte i pajisur me një leje kalimi nga Hasan Rizai. Gurakuqi ia dorëzoi këpucën në Troshan, të parit të kuvendit, Patër Marjan Prelës. Patër Marjani u nis së bashku me besnikun e tij Hilë Filipi, për një “vizitë kortezie” drejt kampit serb në Lezhë. Pas kësaj, me pretekstin e pritjes së disa librave, mbërrit në Shëngjin, që ishte i zënë nga malazezët. Për fat punonjësi i postës, qëlloi njeri me simpati perëndimore. Kështu lera doli nga sholla e këpucës dhe frati pati mundësi të veshë sërish sandalet e tij të vjetra. Atë Justini nuk e fsheh krenarinë për këtë guxim të bashkëpatriotëve të tij. Në fakt, memorandumi nga Shkodra e rrethuar qe një ndër dokumentet që e përshpejtuan shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhjetë muaj më vonë.
LUFTA VRET NJËSOJ NGA TË DY KRAHËT

Luftimet trup me trup ishin një gjë krejt e zakonshme në luftimet përreth qytetit. Ato përfundonin me masakra të vërteta. Në njërën prej tyre u përleshën keq një nga mbrojtësit e Shkodrës me një ushtar malazez. Dyluftimi me bajoneta vazhdoi për disa minuta derisa të dy ia nxorën zorrët jashtë njëri-tjetrit. Por, befas, në një moment të dy e njohën njëri-tjetrin. Dikur ishin bërë vëllamë. Mbrojtësi ishte një mysliman nga Zadrima, ndërsa malazezi ishte nga zonat kufitare afër Shkodrës. Atëherë hodhën pushkët dhe u përqafuan me mund. Kur mbërritën infermierët u çuditën teksa panë që shqiptari po jepte shpirt i përqafuar me një ushtar malazez. Ky i fundit kishte dhënë shpirt pak çaste më parë. “Vazhdoni – u paska thënë zadrimori infermierëve – unë do të vdes këtu bashkë me vëllamin tim”. Të dy bashkë u varrosën në të njëjtin varr, i cili tashmë ka humbur përgjatë njëqind vjetëve. Porse historia e tyre, e rrëfyer nga atë Justini, është padyshim simbol i një lufte ku pati vetëm të vrarë, as të humbur dhe as fitues.
TRAGJEDIA VAZHDON DERI NË FUND
Uria vazhdoi të vrasë edhe në fillim të pranverës së 1913-s. Atë Justini ka mbajtur shënim një histori ngjethëse. Një nga myslimanët e Shkodrës merrte pjesë në luftimet për mbrojtjen e qytetit. Dy fëmijët e tij ishin duke dhënë shpirt nga uria e gjatë. Meqë gruaja i kishte vdekur nga uria disa ditë më parë, babai i ngratë ia lë amanet fëmijët një plake, por kjo mezi mbahej për vete në këmbë. Kaluan ditë dhe fëmijët e panë veten të braktisur, askush nuk merrej më me ta. Dikur, mik pas miku, u lajmërua babai për gjendjen e fëmijëve. Kur ky u kthye në shtëpi u lebetit. Fëmijët e verdhë dyllë nga uria, me faqet e rrobat e shqyera që qanin e qanin pa pushim. Atëherë luajti mendsh, hoqi pushkën nga krahu dhe qëlloi mbi fëmijët, pastaj vrau veten. “Njatje diku në një skaj shihej plaka tue hjekë për dekë”, e përfundon rrëfimin atë Justini.
(Fotot dhe brendia e këtij shkrimi janë bazuar në: Atë Justin Rrota, OFM; Ditët e mbrame të Turqisë në Shkodër, ase rrethimi i qytetit 1912-1913, Botimi II, Botime Françeskane, Shkodër 2010).

Mbrojtësit e Shkodrës në llogore, 1913.

Shkodër 1913: Gjon Pali i plagosur dhe e bija.

Katedralja e Shkodrës (1913) e bombarduar nga malazezët!

Një shtëpi e shkatërruar nga bombardimet malazeze në Shkodër, 1913

* * *

Pamje tmerri të Shkodrës nga rrethimi serbo – malazez, në vitin 1913 ( VIDEO )
Këto çka do të shihni janë pamje tmerri të Shkodrës në prillin e vitit 1913, në vazhdën e bombardimeve të zgjatura gjatë një rrethimi nga forcat serbo-malazeze, në Luftën e Parë Ballkanike. Në video shihen trupa të vdekur ndërsa poashtu shihet një nënë që sheh fëmijën e saj duke vdekur urie. Fëmijët detyrohen të hanë lëvozhga druri. Populli pret me orë të tëra për marrjen e një cope buke. Në fund shihen poashtu familje refugjatësh të cilat largohen me gjësendet e tyre në drejtim të një vendi më të mirë për ta. E tëra kjo ndodhi në Shkodër në prill të vitit 1913 saktësisht 101 vite më parë.
HAPE: http://almakos.com/lajme/shqiperi/48435-pamje-tmerri-te-shkodres-nga-rrethimi-serbo-malazez-ne-vitin-1912-video.html

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura