TË MBLIDHEMI RRETH FLAMURIT FITIMTAR TË POPULLIT TONË TË BASHKUAR

TË MBLIDHEMI RRETH FLAMURIT FITIMTAR TË POPULLIT TONË TË BASHKUAR

Në gusht të vitit 1981, në numrin 4-5 të gazetës „Liria“, faqe 24 (organ i OMLK-së) u publikua xhiro-llogaria: “25-45475 – HILFE FUR KOSOVA – BIEL SUISSE“, i përcjellur me këtë shenim: “Dhënia e ndihmave për Kosovën nuk duhet të bëhet në formë fushate. Ndihmat duhet të jenë të vazhdueshme dhe me afat të gjatë, se edhe nevojat tash për tash janë të tilla. Duke ndihmuar vëllezërit tanë, ne ndihmojmë çështjen tonë: i japim një grusht të fortë armikut, çojmë luftën tonë përpara dhe njëherit forcojmë solidaritetin e unitetin tonë të pathyeshëm.“

Menjëherë pas botimit të numrit 4-5 të gazetës „Liria“, që u bë nën përkujdesjen e Jusuf Gërvallës, me qëllim që t’i bëjë jehonë sa më të madhe kësaj xhiro-llogarie, ai shkroi një TRAKT dhe e shpërndau tek punëtorët tanë në Gjermani dhe jo vetëm.  

Në vijim lexoni traktin:

TË MBLIDHEMI RRETH FLAMURIT FITIMTAR TË POPULLIT TONË TË BASHKUAR

Nga Jusuf Gërvalla

“KUSH NUK DERDH NJË PIKË GJAKU PËR TOKË TË VET, KUSH NUK JEP ASNJË QINDAR PËR TE, AI S’KA TË DREJTË AS TË VARROSET NË TE.” Sami Frashëri  

Sot zbresin pa pushim në Kosovë ministra e funksionarë të lartë republikanë e federativë, japin udhëzime për shtypje e represalje dhe kthehen me ngut në Beograd, për të kurdisur plane të reja antishqiptare. Gjithë aparati propagandistik jugosllav, ai i Lidhjes Komuniste., i Lidhjes Socialiste, i Lidhjes së Rinisë, mjete të shumta informimi në Jugosllavi e Kosovë shpifin e bërtasin kundër shqiptarëve, shajnë popullin e Kosovës dhe tokën e Kosovës si „tokë të mallkuar”, shajnë nënën shqiptare pse lindi aq shumë trima…

Frenat e qeverisë e të luftës kundër shqiptarëve i kanë marrë në dorë shovinistët më të tërbuar jugosllavë, të cilët po përdorin pa kursim të gjitha mjetet e dhunës dhe terrorit për të gjunjëzuar popullin shqiptar, për të njollosur luftën e tij të drejtë dhe për të diskredituar bijtë e tij të vërtetë marksistë-leninistët dhe revolucionarët e patriotët shqiptarë, që po qëndrojnë me heroizëm të rrallë përballë masave të egra ndëshkuese të gjakpirësve jugosllavë.

Populli ynë u ka dhënë një grusht vdekjeprurës forcave të errëta shoviniste të Jugosllavisë. Të bashkuar e të vendosur deri në fund për luftën e vet të drejtë, shqiptarët e Kosovës, me demonstrata e greva, me aksione të njëpasnjëshme, po edhe me rezistencë pasive, e kanë shtjerrë deri në pikë të fundit qetësinë dhe urtinë e qeverisë shoviniste të Beogradit. Asnjë aksion i serbomëdhenjve në pushtet, pa marrë parasysh kahjen e qëllimin, nuk po mund të realizohet, edhe organeve u janë vënë në dispozicion forca e mjete të shumta. Kjo ka bërë që tërbimi shovinist të rritet jo vetëm nga dita në ditë, por edhe nga çasti në çast.

Të hutuar përballë qëndresës së pashoqe shqiptare, shovinistët e kanë humbur fare kokën dhe gjithë punën e kanë çuar në një qorrsokak nga i cili e kanë vështirë të dalin. Çdo masë që po ndërmarrin ata kundër shqiptarëve të revoltuar, në vend që ta qetësojë e frikësojë, po e pezmaton dhe po e trimëron edhe më shumë popullin tonë të robëruar. Tani edhe vetë jugosllavët janë të bindur se, ose do të duhet t’ua plotësojnë të gjitha kërkesat shqiptarëve, ose do të detyrohen ta mbajnë vazhdimisht në Kosovë, në gjendje gatishmërie, milicinë dhe ushtrinë e shumtë jugosllave. Mirëpo tërbimi ua ka errur sytë dhe ata sot nuk po janë në gjendje të zbatojnë mjetet e urtisë e të gjakftohtësisë së domosdoshme, po vetëm forcën e armës dhe të demagogjisë.

Ndërkohë, duke hetuar shembjen e truallit nën këmbë, shovinistët serbomëdhenj kanë bërë përpjekje të ethshme për ta pushtuar kalanë për së brendi, për të thyer unitetin e shqiptarëve, duke aktivizuar në mënyrë të paparë rrjetin e gjerë të spiunëve dhe të agjentëve, me përpjekje për një zgjerim të mëtejshëm të tij me njerëz frikacakë, të pavetëdijshëm e të mashtruar.

Tani, me anën e këtij mjeti të stërnjohur të përçarjes, të cilin e kanë përdorur edhe më parë shovinistët serbomëdhenj po përpiqen mëkot të arrijnë ato rezultate në nënshtrimin dhe gjunjëzimin e shqiptarëve, të cilat nuk i arritën dot me tanke e aeroplan, me automatik e kërbaç; as me burgun e zi. 30 000 forca të reja ushtarake e policore kanë zbritur nga Beogradi në Kosovë për ta bërë zap popullsinë e këtushme, që kur shpërthyen demonstratat e marsit (1981).

Në prezencën e nën kërcënimin e këtyre forcave po përpiqet borgjezia serbomadhe të detyrojë popullin për t’u deklaruar kundër demonstratave. Por për popullin tonë është bërë e qartë se demonstratat ishin zëri i të drejtave dhe lirive të shkelura, kurse demonstrantët bijtë e vërtetë të popullit, që vendosën të thyejnë prangat e robërisë e të mjerimit. Kështu rinia, punëtorët, fshatarët dhe inteligjencia popullore tashmë janë bërë mur i pakapërcyeshëm për pushtuesin dhe po e vrasin atë me heshtje shkëmbi, pikërisht kur ky klith i lebetitur: “Dëno demonstratat!” Profesorët e universitetit të Kosovës janë bërë bllok dhe armiku s’ua nxjerr dot një fjalë, minatorët, punëtorët në fabrika e ndërmarrje gjithashtu. Madje, armiku i tërbuar po detyrohet të shpërndajë organizata të tëra të LK në fshatra, ndërmarrje e institucione të ndryshme që po tregohen të pabindura. Kaq thellë që ka depërtuar ndjenja e lirisë e kaq shumë që është brumosur bashkimi i popullit.

Një gjë që e krenon shumë situatën aktuale në Kosovën tonë kreshnike është ilaçi që i doli papritmas një dukurie shumë të dëmshme në jetën e shqiptarëve të robëruar nga Jugosllavia: hakmarrjes dhe vëllavrasjes. Ky ilaç u përfitua nga qëndresa e pashembullt e popullit tonë karshi zullumeve të padurueshme që po sheh ky pupull nga shovinistët serbomëdhenj që nuk ngurruan as të shkelin me tanke e të grijnë me mitraloza edhe fëmijët shtatë vjeç.

Siç e dimë, vëllavrasja mes shqiptarëve, e kushtëzuar nga rrethanat politko-shoqërore nën regjimin e egër titist dhe e stimuluar në shumë mënyra si mjet efikas për përçarjen e popullit tonë të shumëvuajtur, vazhdimisht rrinte varur si një kërcënim i madh mbi kokën e çdo shqiptari.

Por, shpërthyen demonstratat e marsit dhe të prillit (1981). Studentët, rinia, inteligjencia popullore, punëtorët dhe fshatarët, me një fjalë mbarë populli ynë, u çuan në këmbë dhe kërkuan të drejtat e ligjshme, të mohuara nga regjimi jugosllav për më se 40 vjet.

Mirëpo, kërkesave tona për bukë për më shumë të drejta e liri, qeveria e Bogradit u tregua shumë e gatshme t’u përgjigjet me gjuhën e çelikut dhe të barotit. Populli shqiptar e pa se me çfarë lehtësie e papërgjegjësie shkelte tanku serb mbi trupat e fëmijëve, pleqve dhe të të rinjve shqiptarë. Dhe, duke u gjendur përballë tërbimit të këtij përbindëshi, populli ynë duarthatë e i pambrojtur, por në rrugën e drejtë të mbrojtjes së të drejtave dhe të lirisë, e kuptoi menjëherë se arma e tij e vetme po më e fuqishmja, është bashkimi. E kuptoi se vëllavrasjes dhe hakmarrjes duhet t’i shkelet menjëherë koka si gjarpërit.

Prandaj, si në kushtet karakteristike të luftës, kur pushojnë së vepruari shumë ligje e dukuri shoqërore që kanë vepruar dendur në kohë paqeje, ashtu te populli ynë pushuan së vepruari shumë ligje e dukuri shoqërore. Dje, të hasmuar, kishin kërkuar t’i pinin gjakun njëri-tjetrit, sot po merren ngrykë me njëri-tjetrin. „Hasmin” e deridjeshëm po e quajnë me emrin e vërtetë – vëlla. Ata falën gjaqet e kusuret dhe u lidhën vëllazërisht, sepse kuptuan që koha kërkonte tjetër luftë, luftë me armikun e vërtetë.

Kjo gjë i dha një dimension të ri, revolucionar e shumë human, luftës sonë nacionalçlirmtare.

Përveç kësaj, në rrethanat e egra kur pushteti kërkon nga fshatarët që të bojkotojnë e të leçitin familjet e pjesëmarrësve në demonstrata dhe në ngjarjet e tjera të kësaj pranvere, populli po ia kthen mbrapsht porositë, kërkesat dhe urdhërat armikut të tërbuar. Fshatarët tanë të ndershën, të pezmatuar sa s’ka më, në vend që të leçitin familjet e pjesëmarrësve në demonstrata, ashtu si kërkon prej tyre pushteti, po leçitin gjithë atë njeri dhe gjithë atë familje që provon ta çojë në vend urdhrin dhe porosinë e tillë të egër të UDB-së.

Këto dhe dukuri të tjera, të cilat janë pasqyrë e gjallë e unitetit të pathyeshëm që është arritur sot te masat tona punonjëse dhe te mbarë populli ynë flasin qartë se lufta jonë dita ditës po i afrohet me hapa të mëdhenj fitores së sigurt.

Duke parë se me popullin në Kosovë e ka humbur davanë, qeveria e Beogradit, nëpërmjet përfaqësive të saj diplomatike që janë çerdhe agjenturore të Jugosllavisë në botën e jashtme, po rropatet të fusë frikë, konfuzion e përçarje së paku në mesin e punetorëve kosovarë në mërgim. Këtë qëllim shovinistët serbomëdhenj po duan ta realizojnë me frikësime e shantazhe. Bie fjala, për të vazhduar pasaportin, punëtori kosovar i mërguar detyrohet të tregojë shokët që kanë marrë pjesë në demonstratat e punëtorëve të zhvilluara këto kohët e fundit në botën e jashtme. Përpjekje për t’i kërcënuar ata me marrjen e pasaportit ka bërë UDB-ja me punëtorët tanë të mërguar që kanë shkuar në shtëpi për pushime. Bile, një pjesë të tyre e ka hedhur edhe në burg, tok me ata dhjetëra mijëra shqiptarë të tjerë që përgjigjen pse kanë marrë guxim të kërkojnë me zë të lartë të drejtat më të ligjshme. Përveç kësaj UDB-ja ka bërë përpjekje të etshme që, nga radhët e disa shqiptarëve të pavetëdijshëm, të ligj a të mashtruar, të rekrutojë spiunë e agjentë. Këta kishin për detyrë të bojkotonin e të provokonin demonstratat e punëtorëvë shqiptarë në mërgim marrjen e klubeve në duart e punëtorëve dhe dëbimin e përfaqësuesve diplomatikë jugosllavë nga këto klube.

Por, asgjë nuk i ndal më punëtorët tanë në rrugën e tyre të drejtë. Ata janë pjesë përbërëse e popullit shqiptar që po shtypet nga çizmja e ushtarit dhe nga kërbaçi i xhandarit fashist jugosllav. Ata ndjekin hap pas hapi zërin e popullit e të Atdheut dhe përditë e më shumë ata i gjen të gatshëm t’i dalin zot popullit qoftë me demonstrata, me marrjen e klubeve në duart e veta apo me mënyra të tjera që i lyp koha e nevoja.

Fatkeqësisht janë disa punëtor të mërguar që, duke pasur një vetëdije fare të ulët shoqërore e kombëtare duke qenë përveç kësaj edhe të lig kanë pranuar urdhrat e porositë e UDB-së fashiste dhe ia kanë kthye shpinën popullit e atdheut të vet. Por është gjithashtu e vërtetë se punëtorët tanë në mërgim kanë arritur t’i izolojnë e neutralizojnë në mënyra të ndryshme këta spiunë e agjentë të fëlliqur. Ata i njeh mirë punëtori ynë dhe e di si do t’i qërojë hesapet me ta kur të vijë momenti i duhur.

Marksistë-leninistët e Kosovës, të tubuar rreth organit “Liria”, duke pasur parasysh interesat klasore e kombëtare të popullit shqiptar që vuan nën zgjedhën e rëndë fashiste jugosllave, duke pasur parasysh unitetin e pashembullt që është arritur te populli ynë në Kosovë, të gjithë ata njerëz të mashtruar e të frikësuar po që ende nuk janë zhytur në krime ndaj popullit, i fton të braktisin rrugën e tyre të pakrye, të kthejnë mbrapsht me trimërinë e njohur shqiptare urdhrat e UDB-së e të përfaqësive diplomatike jugosllave në Perëndim. Le t’i kthehen sa më parë nevojës së atdheut e të popullit që i lindi dhe i rriti me njëqind mundime.

Ndryshe, kur të fillojë me goditje dora hakmarrëse e popullit, do të jetë i humbur gjithë ai shqiptar që ka braktisur interesat e popullit, gjithë ai shqiptar që, për interesa të imta e të fëlliqura, vazhdon t’i shërbei armikut të egër shovinist edhe pas ngjarjeve tragjike të kësaj pranvere në Kosovë. Populli ynë do t’u marrë gjak në vetull. Atdheu do t’i lërë pa nam e nishan. Varret e tyre do t’i shpupurishin qentë nëpër varreza të huaja rrugëve të shkreta të botës. Sepse, siç thotë patrioti dhe dijetari ynë i madh, Sami Frashëri atdheu nuk duhet t’i japë as varr atij që nuk e ka dhënë për atdhe pikën e djersës apo të gjakut kur ka qenë nevoja.

Rroftë uniteti i popullit në realizimin e të drejtave dhe aspiratave të tij shekullore!

Rroftë Republika Socialiste e Kosovës!

Poshtë politika dhe terrori i egër fashist i qeverisë nacionalshoviniste të Beogradit!

Poshtë agjentët dhe spiunët që janë vënë në shërbim të gjaksorit!

(Burimi: Xhafer Durmishi „Jusuf Gërvalla dhe Liria“, korrik 2013 – faqe 151 – 154)

Sheradin Berisha © Pashtriku.org

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura