Preshevë, 29. 07. 2014 – Gjatë vitit shkollor 1990/91, me ndryshimin e Ligjit për Arsimin e Mesëm në Republikën e Serbisë dhe vendimin e Kuvendit komunal të Preshevës, nga Qendra shkollore u formuan dy shkolla të mesme: Gjimnazi dhe Shkolla e Mesme Teknike. Me këtë rast jashtë procesit mësimor mbetën 24 mësimdhënës të shkollës së mesme në Preshevë dhe më herët në vitin shkollor 1989/90, nën diferencimin famëkeq ideo-politik në Qendrën arsimore u përjashtuan 12 profesorë të papërshtatshëm moralo-politikisht. Problemet për shkollat e mesme, Gjimnazin dhe Shkollën e Mesme Teknike vazhduan edhe më tutje.
Kështu, për vitin shkollor 1991/92, Ministria e Arsimit të Serbisë shpalli Konkurs për pranimin e nxënësve në shkollat e mesme. Kushti i parë i semimaturantëve, për t’u regjistruar në Gjimnaz ishte dhënia e provimit pranues nga lënda e gjuhës shqipe dhe matematikës.
Me konkursin e Ministrisë së Arsimit të Republikës së Serbisë, për Gjimnazin e Preshevës ishin paraparë 5 paralele të klasës së parë: 3 paralele nga drejtimi shkencor dhe 2 paralele nga drejtimi shoqëror. Pra, atëherë Gjimnazi i Preshevës kishte dy drejtimet, më lartë të përmendura.
Sipas Sejdi Bilallit, profesor i Matematikës, provimin pranues të semimaturantëve në Gjimnaz e mbikëqyrte Këshilli Pedagogjik i Vranjës dhe Beogradit.
Poashtu, sipas fjalëve të Sejdi Bilallit, kushti me shumë rëndësi edhe për Gjimnazin e Preshevës ishte se Ministria e Arsimit e Republikës së Serbisë aprovoi vendimin, me të cilin Gjimnazet në Republikën e Serbisë, ku semimaturantët nuk i japin provimet pranuese më shumë se në numër 90 nxënës, nuk do të hapen paralelet e para të Gjimnazit. Në këtë vit shkollor në Republikën e Serbisë u mbyllën 16 gjimnaze.
Rreziku i kanosej edhe Gjimnazit në Preshevë.
Gjimnazi i Preshevës “Gjergj Kastrioti – Skënderbeu”.
Më 22 qershor 1991, Enti Pedagogjik nga Vranja dhe Beogradi organizuan provimin pranues në Gjimnazin e Preshevës. Nxënësit e klasëve të teta të shkollave fillore të Preshevës, në këtë afat nuk treguan sukses të mjaftueshëm, sidomos nga lënda e matematikës, ku prej 300 nxënësve sa morën pjesë në provim pranues vetëm 28 nxënës dhanë provimin pranues. Pra, nuk plotësohej numri prej 90 nxënësve, për t’u formuar paralelet e para të Gjimnazit. Rreziku për mbyllje, pos kushteve politike në at kohë ishte edhe mos dhënia e provimit pranues të nxënësve në numër prej 90 veta.
Duke e parë rrezikun, thotë Sejdi Bilalli, Këshilli për Çështje Arsimi, Kulture dhe Shkence i Partisë për Veprim Demokratik në Preshevë, kryetar i të cilit ishte Xhemaledin Salihu, thirri një takim me Aktivin e Mësimdhënësve të Matematikës, ku ishin ftuar mësimdhënësit e shkollave fillore dhe të mesme të komunës së Preshevës, për të ndërmarrë një aksion të përgatitjes së nxënësve për provimin pranues plotësues dhe njëkohësisht për të shpëtuar mbylljen e Gjimnazit, deklaron Sejdi Bilalli.
Në atë tubim u propozua që prof. Sejdi Bilalli dhe Ymer Shabani të përgatisin testet nga lënda e matematikës, pastaj ato t’u jepen mësimdhënësve të matematikës që me to t’i përgatisin nxënësitë e shkollave fillore, secili mësimdhënës në shkollën e vet fillore.
Sejdi Bilalli dhe Ymer Shabani punuan 2 muaj në përgatitjen testeve me detyra të ndryshme nga matematika. Këto teste u përgatitën në shtëpinë e Sejdi Bilallit, ndërsa u shumëzuan në shkollën fillore të Preshevës. Në përgatitjen e testeve rregullisht punën e përcillte edhe Riza Halimi, kryetar i PVD-së dhe Xhemaledin Salihu, kryetari i Këshillit, deklaron Sejdi Bilalli.
Më 1 gusht 1991, Këshilli për Arsim i PVD-së edhe një herë ftoi mësimdhënësit e matematikës të komunës së Preshevës, ia shpërndau testet dhe kërkoi që me këto teste të përgatiten nxënësit e shkollavë fillore në Preshevë, por edhe në Kumanovë, sepse më 1989, në Kumanovë u mbyll Gjimnazi dhe një numër i madh i nxënësve shqiptarë të Kumanovës u patën orientuar në Gjimnazin e Preshevës. Atje u hap një punkt i veçantë për nxënësit shqiptarë të Kumanovës.
U punua 22 ditë me nga 2 orë punë për çdo ditë.
Poashtu në këtë tubim o mor qëndrimi që Ruzhdi Ymeri, këshilltar në Entin Pedagogjik të Vranjës, së bashku më Sejdi Bilallin të bëjnë mbikqyrjen e përgatitjeve nëpër shkolla fillore e të mesme të Preshevës.
Në deklaratën me shkrim të Sejdi Bilallit thuhet se një numër i madh i mësimdhënësve të matematikës me përkushtim e kryen këtë detyrë madhore në përgatitjen e nxënësve, por kishte edhe të tillë që i kanë ikur obligimeve.
Çdo test i përmbante 20 detyra dhe mjaftonte që nxënësit e suksesshëm, po qese i ushtrojnë, ta japin provimin pranues.
Kështu në afatin e dytë, në konkursin plotësues, të shpallur nga Ministria e Arsimit e Republikës së Serbise, më 23 gusht 1991, provimin pranues e dhanë suksesshëm më shumë se 120 nxënës dhe me këtë u plotësua kriteri elementar i Ministrisë, për t’i hapur paralelet e Gjimnazit në Preshevë. Ashtu edhe ndodhi, fal mundit, sakrificës së madhe të mësimdhënësve të matematikës u vazhdua jeta e Gjimnazit „Skënderbeu“ në Preshevë. Zoti ua pagoftë me shëndet e të mira, sepse të gjithë këta punuan pa asnjë dinar, bile Sejdi Bilalli e Ymer Shabani, atë vit nuk e shfrytëzuan pushimin vjetor, sakrifikuan veten por edhe familjen, ndërsa Ahmet Osmani ndërpreu pushimin vjetor në gjysëm dhe u kthye për t’i ndihmuar kolegët në përgatitjen e nxënësve.
Pos angazhmit të madh të Sejdi Bilallit, Ymer Shabanit, Ruzhdi Ymerit, Riza Halimit, Xhemaledin Salihut, duhet përmendur angazhimin e Adnan Osmanit, Besnik Durakut e arsimtarëve të tjerë të shkollave fillore dhe të mesme, deklarojnë me shkrim Sejda, ndërsa gojarisht Adnani dhe Besniku.
Ky shembull tregon se paska dashamirë të arsimit të popullit shqiptar, por edhe atdhetar të penës. I lumtë mësimdhënësve të matematikës që dhanë kontribut të veçantë në përgatitjen e nxënësve dhe sakrifikuan që sot vazhdon punën normalisht Gjimnazi i Preshevës. Zoti ua shpërbleftë me të mira.
(Xhemaledin Salihu: [email protected])