ARBËR AHMETI: ROLI HISTORIK I LUTËS PËR MBROJTJEN E PLAVËS DHE GUCISË (DHJETOR 1879 – JANAR 1880)

(Prishtinë, 30. 11. 2012) – Në 134 vjetorin  e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit –  Lufta për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë (dhjetor 1879 – janar 1880 ), ka një rëndësi të madhe dhe është një ndër betejat më të mirëorganizuara nga Lidhja Shqiptare e Prizrenit. Nga ajo mund të mësojmë shumë, pa marrë parasysh se në çfarë fushe e studiojm. Ajo na jep rezultate të kënaqshme po të studiohet edhe në aspektin historik, edhe në aspektin ushtarak, por edhe në aspektin diplomatik për shkak se në këtë kohë është zhvilluar një lojë e madhe diplomatike për çështjen e vendimit për dhënien Malit të Zi, Plavën dhe Gucinë. Madje me mësimet e nxjerrura nëse studiojm aspektin diplomatik si të Mbrojtjes së Plavës e Gucisë ashtu edhe Hotit e Grudës, kuptojm se përball vullnetit dhe rezistencës së një populli të vendosur e të bashkuar bie çdo marrëveshje ndërkombëtare. E tërë historia e tensionit dhe betejave që u zhvilluan në Plavë dhe Guci, filloi me rastin kur Princi i ri Knjaz Nikolla vendosi ti zbatonte përfitimet që i jepte Konferenca e Berlinit.
Në fillim të tetorit të vitit 1879, forcat ushtarake malazeze kryen një mori provokimesh dhe sulmesh gjatë vijes kufitare duke vrarë disa fshatarë dhe duke ua grabitur bagëtitë. Pas këtyre ngjarjeve, Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes dhe Shtabi Ushtarak me në krye Ali Pashë Gucinë, të krijuara nga Komiteti Ndërkrahinor i Lidhjes Shqiptare për Kosovën, morën vendim për shpalljen e gjendjes së luftës në Plavë e Guci. Të gjithë burrat e aftë për armë të Plavës e Gucisë u shpallën luftëtarë në gatishmëri, siç rregullohej me Kanunin e Lidhjes. Por ata nuk ishin të vetëm, pas disa ditësh u nisën për në Guci 2000 gjakovarë të armatosur, dhe sipas vendimeve që u morrën në Gjakovë, me fillimin e luftës edhe dy mijë vullnetarë të tjerë do niseshin nga Gjakova për në skenën e luftës. Ndërkohë rrethet fqinje, qëndronin në gatishmëri për të nisur trupa ushtarake të organizuara në njësi vullnetarësh drejt Plavës dhe Gucisë.

Këshilli i Përgjithshëm i Lidhjes dhe Shtabi Ushtarak me në krye Ali Pashë Gucinë.

(Ali Pashë Gucia dhe Haxhi Zeka në mes)

_____________________________________

Ndërsa zhvillohej lojë e madhe diplomatike, vazhdonte presioni i madhë i Cetinës për ta zbatuar vendimin e fuqive të mëdha, më 14 tetor 1879, Safet Pasha e njoftoi ambasadorin austro-hungarez në Stamboll, Ziçi, se malazezët me përgatitjet e ethshme ushtarake që po bënin përball Gucisë dhe me provokimet që po kryenin me bandat e tyre të armatosura (të cilët kalonin kufirin, vrisnin njerëz, grabisnin bagëti, plaçkisnin fshatra), po e acaronin aq tepër gjendjen, sa që Porta e Lartë nuk ishte më në gjendje ti përmbante shqiptarët (Kristo Frashëri-Lidhja Shqiptare e Prizrenit, fq. 205). Ndërkohë duke e parë gjendjen e acaruar dhe gatishmërinë e vendosmërinë e shqiptarëve, shumë herë, disa prej Fuqive të Mëdha i propozuan Malit të Zi kompensim të territorit, përderisa princi i ri këtë gjë e kundërshtonte kategorikisht, madje edhe kalonte në ofensivë duke bërë presion tek Fuqitë e Mëdha dhe Porta e Lartë për dorëzimin sa më të shpejt të Plavës dhe Gucisë malazezëve, e këto të fundit duke e parë situatën dhe tensionimin e shqiptarëve e dinin se nuk kishte mundësi që Plava dhe Gucia të dorëzoheshin në mënyrë paqësore. Mali i Zi, këmbëngulte në përdorimin e dhunës, dhe kjo vendosmëri i egërsoi tej mase shqiptarët, madje nga tensionet e krijuara në kufi, në Shkodër u përhapën lajme sikur malazezët kishin kaluar vijën kufitare dhe kishin pushtuar Gucinë. Si pasojë Shkodranët që fillimisht e besuan lajmin, u ngritën në këmbë dhe kërkuan të shkonin në front për ti zbuar forcat malazeze. Kaq tepër u shqetësua knjaz Nikolla nga ky rast saqë, kërkoi nga konsulli britanik Grin, të ndërhynte për të qetsuar shkodranët, duke ia përcjell atyre mesazhin e knjaz Nikollës që Cetina nuk mendonte të sulmonte Gucinë, kështu që konsulli t’u kërkonte shqiptarëve që të mos i sulmonin forcat malazeze (K. Frashëri-Po aty, fq. 207).
Knjaz Nikolla nuk duronte dot, dhe etja e tij për të pushtuar Plavën dhe Gucinë dërgoi ushtritë malazeze deri në zhvillimin e operacioneve luftarake për të matur pulsin e Shqiptarëve. Më 31 tetor 1879 forcat malazeze duke e parë veten në pozicione më të favorshme se të Ali Pashë Gucisë, vendosën të kryejn një inkursion ushtarak kundër vijës mbrojtëse të shqiptarëve që ishte organizuar përball fshatit Pepaj (Pepiç).Ky inkursion pati përgjigjen e menjëhershme të forcave shqiptare, dhe doli se pozicionet e Ali Pashë Gucisë nuk kishin qenë aq të “jofavorshme” sa u dukej malazezëve. Të nesërmen më 1 nëntor forcat malazeze sërish përsëritën inkursionin e tyre afër fshatit Arzhanicë, duke vrarë rreth 30 fshatarë dhe duke djegur disa shtëpi, mirëpo pas ca orësh u dëbuan nga forcat e lidhjes, përderisa për këtë ngjarje foli edhe shtypi evropian, duke i fryrë gjërat. Cetina e tronditur u detyrua ti ndërpriste operacionet e saj ushtarake në kufi me Shqipërinë. Në atë kohë Lidhja Shqiptare ishte forcuar jashtëzakonisht, duke e bërë jofunksionale adminstratën turke, dhe duke vepruar si një organizim shtetëror që kishte edhe organet e drejtsisë, të ndërtuara në bazë të Talimatit apo si mund ta quajm Kanuni i Lidhjes. Këtë forcim na e dëshmon edhe letra e veçantë e Ymer Prizrenit kur njoftonte valiun e Kosovës se Lidhja Shqiptare kishte konfiskuar armët që gjendeshin në depot e garnizoneve qeveritare të Shkupit, Prishtinës dhe Mitrovicës, duke përfshirë dhe armët e rënda ( topa dhe mitroloza). Ai njoftonte se mytesarifi i Shkupit që kishte tentuar ta pengojë këtë veprim u dëbua nga qyteti. Si duket Lidhja kishte shtrirë pushtetin e saj gjithandej dhe kishte krijuar kushtet për ti përballuar dhe përgjigjur një sulmi ushtarak në shkallë të gjerë nga ana e Malit të Zi.

Ali Pashë Gucia

_____________________

Më 27 nëntor 1879 i gjithë shtabi i malazez u vendos në Andrejevicë, 10 kilometra në veriperëndim të Plavës. Shtabi Shqiptarë selinë e vet e vendosi 5 kilometra larg kufirit, dhe përbëhej nga Ali Pashë Gucia (kryetar), Jakup Ferri, Sulejman Vokshi, Haxhi Zeka, Çel Shabani, Kurt Asllani nga Nokshiqi, Riza Kryeziu dhe Bajram Curri nga Gjakova, Mic Sokoli nga Bujani, Filip Çeka e Isuf Sokoli nga Shkodra, dhe prijës të tjerë të malsisë.
Sipas dëshmive dhe konstatimeve të nxjerra përball Plavës e Gucisë ishin rreshtuar 12 batalione malazeze, që kishin në përbërje rreth 6 mijë luftëtarë. Ndërsa në sektorin Shqiptarë ishin vendosur 4’800 luftëtarë, prej të cilve 1’500 vendas, dhe 2 mijë luftëtarë nga Gjakova, 1’000 vullnetarë Pejanë dhe 300 luftëtar nga trevat e Shkodrës duke përfshir edhe 50 vullnetar nga qyteti. Forcat malazeze në fillim të dhjetorit ishin rreshtuar gjatë vijës kufitare , në fshatrat Murinë, Pepaj, Arzhanicë e Velikë, ndërsa forcat shqiptare përball në fshatrat Martinaj, Kolenivicë, Plavë e Nokshiq, dhe këto dy ushtri i ndante lumi Lim i cili kishte vetëm një urë druri. Nuk duhet lënë pa përmendur se atë vit dimri ka qenë ndër më të ftohtit dhe niveli i Limit ka qenë i rritur. Tensionet ishin tepër të rënda dhe Knjaz Nikolla ushtarëve të tij dhe opinionit botëror u deklaronte se Shqiptarëve do i jepnin një “mësim shembullor”.
Këto tensione shpërthyen më 4 dhjetor 1879 kur Teodor Milani lëshoi pozicionet në Pepaj dhe u hodh në sulm me dy batalione në drejtim të Nokshiqit, duke i kapur në befasi 500 shqiptarët që mbronin kufirin, të cilët u detyruan të tërhiqeshin. Me këtë rast forcat malazeze marshuan në drejtim të Plavës. Por njëkohësisht, me të dëgjuar krismat, forcat vullnetare të Plavës dhe Rugovës me rreth 1000 luftëtarë me në krye Jakup Ferrin e Çel Shabanin u nisën me shpejtësi drejt veriut në ndihmë të luftëtarëve nokshiqas. Nën udhëheqjen e kapedanëve Kurt Asllani dhe Nure Kurti këto forca synonin të kapnin Velikën për tu marrë krahët forcave malazeze, të cilët vazhdonin depërtimin drejt Plavës pa e kuptuar se po rrethoheshin. Mirëpo këto veprime u vërjetën nga vojvoda Mark Milani i cili vëzhgonte nga Arazhnica rrjedhën e përparimit të forcave të udhëhequra nga vëllau i tij, e me këtë rast u sul në sulm me 4 batalione për të shmangur rrethimin e forcave që depërtonin drejt Plavës. Forcat e tij ju drejtuan me shpejtësi Nokshiqit pasi që kaluan lumin Lim, veprim që i siguronte shpinën forcave të Theodor Milanit. Me marrjen e Nokshiqit, plavianët rugovasit dhe nokshiqasit u kthyen për ta shpëtuar atë duke mos e ditur se është marrë nga Mark Milani. Si pasojë ata vrapuan të shkujdesur tatëpjetës së malit të Velikës duke u ndodhur të zbuluar dhe nën zjarrin armik, ku pati shumë humbje nga ana e Shqiptarëve. Pasi ndodhi kjo gjë sipas dëshmive ( i referohem prof. Kristo Frashërit i cili citon kujtimet e Ymer Shabës-pjesmarrës në luftë) shqiptarët e egërsuar në kulm u turrën me tërbim kundër forcave malazeze që gjendeshin në luginën e Nokshiqit.
Burimet malazeze dëshmojnë se, “në një truall të ngarkuar me borë të madhe dhe me ngricë të egër, shqiptarët dhe malazezët u përleshën egërsisht me njëri tjetrin”. Kjo ishte përleshje e e rreptë, ku lufohej trup më trup. Përderisa zhvilloheshin këto luftime të përgjakshme kishin filluar lëvizjen forcat e tjera shqiptare që ndodheshin në Guci, të cilat të ndara në dy kolona vrapuan të kapin lumin Lim dhe urën e vetme ekzistuese duke u bërë kurth vdekjeprurëse me rastin e tërheqjes së forcave të Mark Milanit. Shefi i shtabit ushtarak Bozho Petroviq Njegoshi, teksa ndiqte me dylbi veprimet luftarake në fushëbetej nga kodrat e Andrejevicës, nisi menjëher në ndihmë të Mark Milanit dy batalione pasi situata i dha të kuptonte se forcat e Mark Milanit gjendeshin para asgjësimit të plotë. Sektori i Nokshiqit, vlonte nga lufta e 4’000 malazezëve përball 2 mijë shqiptarëve. Beteja u stërndez pasi erdhën përforcimet e dy palëve ndërluftuse, Lugina e Nokshiqit u kthye në një arenë ku luftëtarët përlesheshin aq egërsisht, sa të dy palët hodhën plotësisht hutat duke i nxjerrur jataganët si kaherë.
Pas disa orë luftimesh Mark Milani arriti ta qajë rrethimin por kur forcat e tij arritën tek ura e Limit ranë në pritën e shqiptarëve, të cilët bënë kërdi mbi armiqtë gjersa malazezët u detyruan të kalonin lumin me not ku edhe shumë u morrën nga rrjedha e tij dhe u mbytën me dhjetra sosh. Për këtë ngjarje dëshmon edhe konsulli anglez Kirbi Grin (Kirby Green) kur i raportonte Marquis of Salisburyt dhe shprehej me këto fjalë: “..dy batalione malazeze kanë kaluar lumin Lim dhe kanë pushtuar fshatin Novshiq, banorët e Plavës dhe të fshatit Përnjavor , të ndihmuar nga vullnetarët e anës së Prizrenit , arritën në mëngjes të enjten, më 4, dhe u vendosën në mes të lumit dhe të malazezëve, dhe u kacafytën gjoks për gjoks. Pasojat dhe rezultatet e saj janë masakrimi i plotë i forcave malazeze. Niveli i rritur i lumit Lim i pengoi dy palët që të ikin” dhe më tej po në të njëjtin ekstrakt shtonte “..malazezët duke i besuar fuqisë së qeverisë turke për ta mbrojtur konfliktin, i lejuan vetes që të befasohen dhe përjetuan humbje të rëndë” ( Public Record Office, London, F. O. 195 / 1236; The British Museum, London, Accounts and Papers (43). 1880. LXXXII. 82.389).

Jakup Ferri

______________________________

Dëshmi tjetër për këtë betej na vie nga kujtimet e pjesmarrësit të saj Ymer Shaba i cili tregon, “Shumë malazez i gjetëm të vrarë atë ditë, porse edhe mbi ne ishte bërë kërdia. Jakup Ferrin e gjetëm të vrarë, me hundë dhe buzë të prerë. Mbasi arritëm ne u ndez luftë e madhe. Ne luftuam më shumë me jataganë dhe me shula pushkësh, sepse u rrasëm fyt më fyt me malazezët” ( Kristo Frashëri e citon dëshmitarin në veprën e tij).
Sa i përket numrit të të vrarve ka shumë kontradita, malazezët falsifikojn shifrat duke thënë se janë vrarë e plagosur 1 mijë shqiptarë dhe janë vrarë 85 malazez e janë plagosur 105, ndërsa sipas Beto Qoshjes që i dërgonte letër Halil Kërpallës 4 ditë pas betejës tregonte se shqiptarët sollën në Guci më tepër se 100 krena armiqsh me një flamur malazez, ndersa nga ana shqiptare pati pak humbje. Këtu nuk thuhet numri i humbjeve të shqiptarëve. Ka variante në raportet e konsujve të ndryshëm ku humbjet e malazezëve i ngrisin deri në 700 të vrarë.
Por në të vërtet mendohet se në këtë betej mbetën të vrarë mbi 300 malazez, ndersa shqiptarët patën 300 të vrarë e të plagosur, edhe sot e kësaj dite nuk dihet numri i shqiptarëve të vrarë. Kjo betej ishte një humbje e madhe për malazezët, dhe një fitore e madhe për shqiptarët edhe pse me dhimbje si shkak i humbjeve të konsiderushme. Por si duket Mali i Zi nuk i kishte pëmbyllur përpjekjet për pushtimin e Plavës dhe Gucisë, por do të vazhdonte deri në humbjen e vetë të plotë në këtë sektor. Shqiptarët po përgatisin “mësimin shembullor” për Knjaz Nikollën.
Mundësia e shtimit të rradhëve të ushtrisë shqiptare ishte e realizueshme, dhe Kapiteni Sale kur i shkruan Kontit Granville nga Dubrovniku më 8 maj 1880 shprehet se “shqiptarët e veriut mund të sjellin në kufirin shqiptaro-malazez forcën prej 25.000 njerëzish duke qenë e përfshirë nga mirditasit dhe njerëzit e Gucisë dhe të Plavës”. Ai thotë se “kjo është forcë ekstreme vetëm e shqiptarëve verior, pa i numruar shqiptarët e Shqipërisë së Mesme dhe të Jugut”. Ai dëshmon se fiset afër kufirit janë të armatosur me “pushkë të shkëlqyeshme” Peabody Martin-Henry me plot municion. Madje ky Kapiten dëshmon se Lidhja vetëm i kishte mjetet për mbajtjen e 8.000 trupave në kufirin e kundërshtarit për 4-6 muaj.
Profesori Kristo Frashëri (Lidhja Shqiptare e Prizrenit-fq/220-221) tregon për idenë e Cetinës për shpërthim të një aksioni luftarak kundrejt Plavës dhe Gucisë në javën e fundit të dhjetorit. Sipas tij Shtabi Ushtarak malazez kishte rreshtuar gjatë kufirit jugor të Malit të Zi rreth 25 batalione dhe një bateri artilerie. Ai thotë se prej 25 batalioneve, 18 qenë rreshtuar përballë Plavës dhe Gucisë, kurse pjesa tjetër e përbërë prej 7 batalionesh ishte përqëndruar në Podgoricë që të ndërhynte në rast se forcat shqiptare mësynin drejt këtij sektori. Në anën tjetër u mobilizuan me mijëra vullnetarë nga të gjitha anët e Shqipërisë por vetëm një pjesë e tyre u urdhëruan të shkonin në frontin verior. Komandën e operacioneve e morri në dorë kryetari i Shtabit, Ali Pashë Gucia. Këto ishin lëvizjet e mëdha nga të dyja anët, para se të ndodhte përplasja, ngjarje që do hynte në rrethin e dy betejave më të mëdha për mbrojtjen e Plavës dhe Gucisë, para agimit të 7 janarit.
Vetëm 7’000 luftëtarë ishin përqëndruar mëngjesin e akullt të 7 janarit 1880, kundrejt 9’000 ushtarëve malazez, ndërsa 600 kolashinas e palabardhas nga ana e Bjellopoljes dhe Moioçvacit sulmuan kufirin verilindor të Malit të Zi.
Ky sulm i befasishëm u bë për të çorientuar forcat malazeze që ishin përqëndruar në sektorin e ngushtë Velikë-Pepaj me qëllim shpartallimin e forcave shqiptare që në mësymjen e parë, dhe ky sulm i papritur krijoi përshtypjen tek forcat malazeze se shqiptarët po synonin të pushtonin Andrejevicën. Qëllimi kishte qenë tu mirrej nisma e sulmit forcave malazeze. Menjëherë u bënë lëvizje në vijën e përqëndrimit të forcave malazeze, të cilët u detyruan ti dërgonin disa batalione malazeze drejt veriut për të ndaluar marshimin e forcave shqiptare drejt Andrejevicës dhe sigurimin se mos bëhej ndonjë mësymje nga sanxhaku i Tregut të Ri, pasi njësi të vogla shqiptarësh kishin zhvilluar opercione luftarake në errësirën e 6 janarit, brenda territorit malazez. Këtë lëvizje të forcave malazeze që e kishte parashikuar Shtabi Shqiptar, e shfrytëzoi në mëngjesin e 8 janarit kur forcat shqiptare të rreshtuara në sektorin e Plavës, siç shprehet K.Frashëri ‘shpërthyen me tre kolona një sulm të furishëm kundër pozitave të armikut që ndodheshin në Velikë, në Pepaj dhe Arzhanicë’.
Sulmi ishte nisur nga luftëtarët e Nokshiqit nën komandën e Kurt Asllanit dhe Nure Kurtit, dhe ishte aq i fuqishëm saqë forcat Shqiptare arritën të depërtonin menjëherë brenda rradhëve të armikut, duke u përleshur si në betejën e Nokshiqit, trup më trup. Pas këtij sulmi të parë sulmuan forcat e tjera shqiptare, të cilat zunë ngusht 7 batalionet malazeze (afërsisht 3 mijë ushtarë) dhe i detyruan të tërhiqeshin. Krahu i djathtë i forcave shqiptare pasi shpartalloi batalionet e Mark Milanit pushtoi Arzhanicën dhe Velikën, ndërsa krahu i majt mori Pepajn duke iu drejtuar fshatit Murinë ku ndodheshin forcat e Teodor Milanit. Betejat e Velikës dhe Pepajt ishin më të rreptat pasi morën edhe emrin e tyre, ndërsa malazezët e quajtën beteja e Murinës për të fshehur sado pak turpin e humbjes. Pasi u thyen ushtritë malazeze u tërhoqën në grykën e Sutjeskës ku vendosën të bënin një rrezistencë këmbëngulëse. Por forcat Shqiptare nuk synonin të vazhdonin më tej. Sa për humbjet shifrat më të sakta i dha Ali Pashë Gucia madje në një letër që i dërgonte më 14 janar 1880 bajraktarit të Helmit në Hot, Ismail Markut, thoshte: “Në ndeshjen që patëm me malazezët të enjtën që shkoi (8 janar 1880) ata pësuan humbje të rënda dhe u thyen. U dogjën tre fshatra të tyre. Ranë në duart tona 37 krena, një flamur dhe 4 arka municioni. Shyqyr zotit ana jonë pati vetëm pak të plagusur dhe të vrarë. Nuk mund të tregohet nderi dhe fitorja që korrëm në këtë betejë të përgjakshme”. Pas kësaj beteje forcat Shqiptare u tërhoqën në kufijt e vjetër, gjë që i tregoi qartë botës se Lidhja Shqiptare e Prizrenit nuk synonte pushtimin e territoreve që nuk ishin shqiptare. Me këtë betejë të përgjakshme, për organizimin dhe përpilimin e strategjisë të së cilës komandanti i Shtabit të ushtrisë malazeze Bozho Petroviç deklaroi se shqiptarët i drejtonte një “mjeshtër i madh”, u mbyll seria e përpjekjeve malazeze për pushtimin e Plavës dhe Gucisë.
Literatura e përdorur:
1. Kristo Frashëri-“Lidhja Shqiptare e Prizrenit”.
2. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente Angleze.
3. Lidhja Shqiptare e Prizrenit në dokumente Osmane.
4. Historia e Popullit Shqiptar II.
5. Konferenca Shkencore e 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit I, II.

______________________________________

PASHTRIKU.ORG: DOKUMNTARE – PLAVA DHE GUCIA

——————————-

…………………………………………………

…………………………………………………….

…………………………………………………..

______________________________
(ILUSTRIMET I PERGATITI KRYEREDAKTORI I PASHTRIKU.ORG)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura