Gjenerata Z në kurthin “Comfort Zone”
Nga Labinot Konushevci, Prishtinë – korrik 2026
Në epokën e bollëkut, ku të mirat, begatitë dhe resurset janë pafund, ku mundësitë janë shumë më të shpejta, më të lehta dhe më efikase, gjenerata Z nuk po arrin të dalë nga rrethi vicioz, nga zona e rehatisë “Comfort Zone”, nga konsumi dhe kënaqja me hormonin e dopaminës, me një dembeli të paarsyeshme dhe me një kompleks inferioriteti të shprehur. Një udhëkryq i shndërruar në rrethrrotullim.
Nuk arrij t’i kuptoj pse dorëzohen në sfidën e parë dhe pse kërkojnë kushte ideale për punë, kushte të përsosura për të fillu një projekt, ndërsa s’e kanë asnjë aftësi apo inteligjencë të funksionojnë në kushte të jashtëzakonshme, gjersa ironikisht duan rezultate të jashtëzakonshme.
Kjo gjeneratë dembele e mishëruar me “Comfort Zone” do me çdo kusht që puna e parë që bën të jetë privilegj, t’u ofrojë autoritet dhe një pagë të lartë, ndërsa s’e ka as përvojën, as përgatitjen, as trajnimin, as dijen, as kompetencën e duhur.
Në anën tjetër, dinë vetëm ta shajnë realitetin, njerëzit, shtetin. Paragjykojnë të suksesshmit. Duan sukses, fitore, çmime, statuse e privilegje, pa mund, pa konkurrencë dhe pa sakrificë. E kërkojnë gjithmonë rrugën më të shkurtër. Duan shpejt, lehtë, gatshëm, afër dhe sigurt. Duan falje dhe mëshirë, tolerancë dhe liri, fleksibilitet dhe përkëdhelje, hapësirë dhe shanse, pa kufi.
Sepse ata, duke u mësuar të bëjnë një jetë të lehtë e të gatshme, po bëhen gjithnjë e më shumë të paaftë, dembelë e parazitë. Edhe sfida më e vogël i rrëzon përtokë. Dhe nuk u ndihmon asgjë nëse ata vazhdojnë të aktrojnë si viktima në ato probleme që ata vetë i krijojnë.
Duke formuar principe egoiste, ambicie materialiste, qasje jofleksibile, humbin miq dhe humbin shanse, shkatërrojnë resurse, prishin plane, pengojnë projekte. Kjo mënyrë ua ul vetëbesimin dhe këtë depresion të këtyre të rinjve nuk e shëron dot as migrimi, nuk e mbulon dot as manipulimi, nuk e mbështjell dot as improvizimi.
Si duket po presin një robot inteligjent Humanoid që t’ua kryejë të gjitha punët!
Edhe pse studiojnë në universitet dhe diplomojnë, diploma nuk u garanton sukses as nuk i aftëson në tregun e punës sepse diploma është shndërruar në obsesion. Edhe studimet dhe matjet tregojnë se gjenerata Z (e lindur ndërmet 1997 – 2012) sot nuk është e aftë të marrë përgjegjësi të mëdha drejtuese që të bëhen liderë. Sepse nuk i durojnë presionet, nuk i durojnë oraret e gjata të punës, nuk i durojnë përgjegjësitë. E ardhmja e bizneseve, kompanive dhe ndërmarrjeve mbetet shumë sfiduese sepse kjo gjeneratë nuk po tregon potencial për të prodhuar liderë në role menaxhuese.
Nëse nuk arrijnë ta kuptojnë se njeriu është qenie e punës dhe se gjërat e mëdha nuk arrihen brenda natës, pa kaluar nëpër sfida, rrugë e sakrifica të ndryshme, nuk do të mund të jenë të suksesshëm.
Por ka vetëm një zgjidhje për të rinjtë: të çlirohen nga iluzionet dhe ta ndërrojnë konstruktin e të menduarit për suksesin dhe karrierën, se suksesi është arritje, jo dhuratë apo fat.
Sot shumica e të rinjve nuk janë të sinqertë me jetën që bëjnë, ata më shumë performojnë. Aktrojnë aftësi, nuk i zotërojnë ato.
Altruizmin po e zëvendësojnë me egoizmin. Dhe kjo gjeneratë duke u shndërruar në psikologji turme, kërkon opium. Dhe demonët njerëzorë këtë momentum e presin, të gatshëm t’u japin opiumin e kërkuar.
Që ata të mos njohin më as Zot, as familje, as shoqëri, as rend, as kulturë, as disiplinë. Të njohin vetëm instinktin, pasionin dhe vullnetin e tyre. Unin si Zot!
Një gjeneratë e llastuar dhe rrebele, që kënaqet me dramat që shkakton, që është mirënjohëse vetëm ndaj vetes, që i thotë faleminderit vetëm vetes, që e shpërblen vetëm veten, që i thotë puna e mbarë vetëm vetes dhe që mendon se të gjithë i kanë borxh. Dhe paturpësisht di të kërkojë vetëm shërbime nga të tjerët, por harron detyrimet që ka.
Opium që vret ëndrrat e tyre, që u krijon varësi nga kultura që i lidhë njerëzit për një pagë mbijetese tërë jetën dhe nuk i lejon t’i zhvillojnë ëndrrat për t’i shndërruar në projekte, biznese, industri e institucione sepse paga është një lloj droge.
Shkolla sot nuk na mëson si të pavarësohemi, nuk na mëson si të bëhemi milionerë nga shpikja, zbulimi apo inovacioni, nuk na mëson si të krijojmë apo themelojmë diçka vetë, por na mëson si të bëhemi punëtorë të devotshëm e të dëgjueshëm, si të bëhemi karrieristë materialistë ku paraja është zot dhe ku fitimi i saj nuk njeh kriter moral.
Çfarë të presim nga një gjeneratë e obsesionuar pas ushqimit, restoranteve e qendrave tregtare të cilat i ka prioritet? Një gjeneratë që më mirë i njeh menytë e ushqimeve sesa titujt e librave! Një gjeneratë që ka me mijëra fotografi të shkrepura në tryezat ushqimore, por asnjë në bibliotekë, muze apo institut! Mendon se këta kanë aftësi dhe inteligjencë që në një situatë emergjente, lufte e krize, të mbijetojnë duke e fokusuar energjinë në qëndresë? Këta vetëm “bajrakun” e egos dhe apetitit të tyre mund ta mbajnë!
E hiper-seksualizuar, me një pornografi si mashtrim sociologjik, që nuk e ka institucionin familje as integritetin moral si prioritet, por që gjithçka e gjykon seksualisht si kafshë, edhe më poshtë se kafsha. Me trurin si “organin kryesor seksual”, ata vuajnë nga një lakuriqësi emocionale, shpirtërore dhe mendore. Janë në një kurth emocionale.
Si mund ta shpjegojmë që kjo gjeneratë ndihet inferiore me të kaluarën, me të vjetrën, me trashëgiminë, me traditat dhe zakonet, me normat sociale dhe me sakrificat historike? A rrezikojmë të rritim një gjeneratë pa kujtesë, që rritet në konflikt me gjeneratën e vjetër, që tenton të distancohet nga e kaluara, sidomos nga identiteti kulturor i prindërve dhe gjyshërve të tyre? Sigurisht se po! Ka një të mirë këtu kur ata tentojnë t’i thyejnë disa tabu dhe të çlirohen nga disa iluzione.
Edhe pse zotërojnë teknologjinë dhe njihet si gjenerata më e aftë teknologjikisht, empatia e tyre në mungesë të inteligjencës sociale e emocionale rrezikon të bëhet deficitare. Krenohen me inteligjencë mendore – IQ të lartë, por kanë probleme serioze në marrëdhëniet sociale.
Një shoqëri individualiste, neo-liberale. Paradoksalisht, sa më injorantë, aq më krenarë me injorancën e tyre. Një gjeneratë materialiste, e vetmuar, që ua di gjërave vetëm çmimin.
Pa kujtesë lufte, madje shumë e papërgatitur për beteja. Në rast se Serbia do të ndërhynte ushtarakisht sërish në Kosovë, vështirë t’i besohet gjeneratës Z se do ta bënte të njëjtën sakrificë që e bëri gjenerata paraardhëse, prindërit dhe gjyshërit e tyre. Sepse orientimi i tyre sot apo lufta për karrierë që bëjnë, nuk e zhvillon sentimentin patriotik. Këta luftën “e shijojnë” vetëm në filma aksion. Gjenerata e CounterStrike nuk mund ta çlirojë një vend. As ajo e GTA-së! Mos pritni diçka të mirë prej një gjenerate që adhuron profilin e gangsterit!
20-25 vjeçarët sot vështirë se e njohin argumentin kolonial, vështirë se dinë diçka për elaboratet serbe të pas 1844-tës, vështirë se dinë diçka për diskriminimin në jugosllavitë e shek. XX, vështirë se dinë diçka për krimet serbe, vështirë se dinë diçka se si u krijua kombi shqiptar, vështirë se i njohin pesë rilindas shqiptarë, vështirë se dinë diçka për dëbimin e shqiptarëve në histori, vështirë se dinë diçka për sundimet 2000 vjeçare mbi shqiptarët, vështirë se dinë diçka se si u themeluan mediat dhe shkollat e para shqipe.
Ata po humbin edhe një aftësi që është super hyjnore, mijëra vite e vjetër: shkrimin me dorë “handwriting”. Kjo gjeneratë më nuk di të shkruajë me dorë.
Një gjenerate gjumashe, të fjetur, që e numëron sukses përmbushjen e normës së gjumit, që rri me llambë e fle me diell, që rri natën në Netflix e fle tërë ditën, që argëtohet me lojëra virtuale e ushqehet me aerokrem, një “gjeneratë e patatinave” ndryshe nga gjenerata që lyente bukën me sheqer, që s’është në gjendje asnjë aktivitet fizik ta bëjë, që s’është në gjendje një herë në jetë të dhurojë gjak vullnetarisht, që nuk është në gjendje ta braktisë duhanpirjen, që rri gjithë ditën nëpër kafiteri e shëtitet poshtë e lart me lugën e makiatos në gojë, pothuajse si lypsarë që kërkojnë lëmoshë e që presin ndihmën e vëllait a motrës nga mërgata, a mund t’ia besoni ndonjë përgjegjësi të madhe?
Të udhëheqë familje, të udhëheqë komunitet, të udhëheqë kompani, të udhëheqë shtet, të udhëheqë luftën, të udhëheqë media, të udhëheqë diplomaci, të përfaqësojë, organizojë e identifikojë diçka të rëndësishme?
Kush i beson një gjenerate paranojake, që dyshon në gjithçka dhe që ka dro të marrë vetë iniciativë apo të fillojë nga zero? Atyre që “ChatGPT” ua ka mbytë kreativitetin dhe frymëzimin, i ka bërë të lumtur sepse gjithçka marrin të gatshme aty dhe nuk e lodhin mendjen të formulojnë apo shkruajnë diçka vetë! Një gjeneratë që më shumë e vlerëson një kopje të përsosur sesa një origjinal të dobtë.
Kush iu beson atyre që luajnë bixhoz dhe që besojnë në lojërat e fatit, atyre që presin nga qielli?
Kush iu beson atyre që vuajnë nga mendimi i tepruar dhe joproduktiv “overthinking” duke fantazuar dilema pa nevojë, duke hapur shumë dritare e cikle mendore pa nevojë?
Fantazia është gjithmonë e dhunshme, ndërsa realiteti është gjithmonë i lehtë. Ata nuk e duan realitetin, ata e duan fantazinë që e kanë projektuar. Dhe kështu bëjnë një jetë jashtë sensit të realitetit edhe pse u duket jetë komode.
Marrin shumë informacione që nuk ju duhen asgjë sepse ka tepricë të informacionit. Dhe nuk kanë aftësi ta filtrojnë dhe analizojnë atë informacion që e marrin sepse besojnë verbërisht.
Para duarve tona po rritet një gjeneratë e paaftë të vendosë për veten e vet, gjithmonë duke pritur që të tjerët të vendosin dhe të diktojnë për ta, që diku ekziston një shpëtimtar a misionar që do t’i kryejë punët për ta.
Një gjeneratë që nuk di si të dilet dhe si të shërohet nga ankthi, çrregullimi obsesiv-kompulsiv, iluzioni e deluzioni.
Një gjeneratë që stresin dhe depresionin e tejkalon me antidepresantë, që ushqehet me Fast Food, që fle me barna gjumi, që formon muskuj me steroide, ndërsa gënjen të tjerët se bën jetë të qetë e të shëndetshme.
Madje nuk është e aftë as të heq dorë nga ndonjë zakon i keq apo ushqim i dëmshëm, se lëre më të transformojë personalitetin. Kanë betonizuar karakterin e tyre dhe ndryshimin e shohin si kërcënim.
Shikoni njerëzit e pasur, ata që drejtojnë kompani, sponsorë të kujt janë bërë? Çka financojnë ata? A financojnë ndonjë projekt apo fondacion shkencor a humanitar, a i ndihmojnë ndonjë studenti të talentuar me bursë, a mbështesin ndonjë intelektual për dijen dhe kontributin që jep, a mbështesin ndonjë media serioze apo projekt medial, ndonjë biznes inovativ apo organizim komunitar? A financojnë botimin e ndonjë libri, ndonjë filmi, ndonjë dokumentari?
Jo! Shumica e tyre fokus e kanë financimin e koncerteve dhe projekteve pa ndonjë vlerë shkencore a humane.
Paguajnë qindra-mijëra euro për një biletë koncerti, por një bursë nuk ia ndajnë një studenti!
Japin qindra euro “bakshish” tallava këngëtarëve e zhurmaxhinjve në dasma, por një gjeniu me inteligjencë të jashtëzakonshme nuk ia zgjatin dorën!
Paguajnë në diskoteka dhe në striptiz-kulturë, por nuk e ndihmojnë familjen apo lagjen e vet!
Blejnë vetura luksoze vetëm që t’i tregojnë “muskujt” para asaj shoqërie bizare që metalin e sheh si arritjen më të madhe.
Brenda ditës i sigurojnë gjysmë milioni euro për ndërtimin e një institucioni fetar, por kur ju thua që duhet të investojnë edhe në fondacione bursash për studentë apo në projekte mediale që kultivojnë vlera publike, nuk mblidhen as 50 mijë euro, nuk japin as 5 euro.
A kanë këta njerëz kurriz? A kanë këta njerëz sistem nervor? A kanë këta njerëz kujtesë? A kanë këta njerëz ndjenja humane? A e dinë këta çka do të thotë të bëhesh shpresa e vetme dhe stabiliteti kryesor i dikujt që ka shumë potencial?
Një gjeneratë që e do vetëm bukurinë dhe pasurinë si standarde të vetme të jetës, por me një ndërgjegje të vdekur duke jetuar si injorant sepse kapitali ka humbur ndërgjegjen.
Gjeneratë rrugaçësh, jo gjenereatë e shkencëtarëve. Të padijshmit sot i gjeni në rrugë, të pa orientuar në kohë, të pa orientuar në hapësirë, të pa orientuar në situatë dhe të pa orientuar në njerëz!
Pa zanate, pa kompetenca, pa dituri, që arrnohet duke i ndërruar vendet e punës çdo tre muaj dhe e pavetëdijshme se kjo po e mbytë. Gjeneratë artificiale, me dopingun si mënyrë jetese dhe si identitet të rrejshëm fizik e si fuqi artificiale fiktive.
Një gjeneratë mendjelehtësh, tru-shpëlarë, që gjykon me eufori, që komunikon me frustrim, që analizon me paragjykim, që projekton me tendencë, që kalkulon me interes, që ndikohet nga propaganda, që njeh qindra sportistë e këngëtarë me emra, por tre emra shkencëtarësh nuk i di, njeh të gjithë aktorët e Hollywood-it, por asnjë shkencëtar të Akademisë së Nobelit.
Të gjithë duan të bëhen yje të muzikës, por asnjë nuk do të bëhet yll shkence!
Të gjithë e duan pjesëmarrjen në audicione për të kënduar para një jurie me shpresë se po zbulohet talenti i tyre, por asnjë nuk e do pjesëmarrjen në ndonjë garë olimpiade të dijes!
Të gjithë e duan telefonin e serisë së fundit, por askush s’i do librat e botimeve të fundit!
Të gjithë e ndjekin Eurovisionin, por nuk dinë të flasin qoftë edhe për një çmim që i është dhënë ndonjë shkencëtari!
Të gjithë e shikojnë spektaklin skandaloz e vullgar Big Brother deri në detajin e fundit, por s’e mbajnë mend dokumentarin e fundit kur e kanë shiku!
Sepse e kanë kuptuar që jetojnë në një shoqëri me një kulturë që shpërblen famën, jo diturinë; që respekton të famshmit, jo të diturit; që e fuqizon këpucë-lëpirësin, jo atë që e mban kurrizin drejt.
Sa jetë e rëndë është sot të mbash kurrizin drejt përballë antivlerave që shpërblejnë kur ti përkulesh!
Kush i beson kësaj gjenerate monstruoze me këto defekte kulturore që është në gjendje të investojë 30 mijë euro për ndërtimin e një vile malore për “pushimin e mendjes”, por jo dhe 300 euro për një bibliotekë të vogël për stërvitjen e mendjes?
Në një dilerium të thellë me sportin. Jo emrat e shkencëtarëve, por kam dro që edhe emrat e dëshmorëve po harrohen. Një gjeneratë që zëvendësoi librarinë me bastoren, librin me fletoren e ndeshjeve, panairin me spektaklin.
Gjithë këto qendra të masazhit ku kamuflohet prostitucioni, gjithë këto diskoteka e lokale të natës, gjithë këto motele, janë vetëm për një gjeneratë dembele të droguar. Në shoqëritë e emancipuara këto adresa nuk janë agjendë e të rinjve. Statistikat në vendet e qytetëruara flasin për numrin e fituesve të çmimeve shkencore, jo për numrin e ngacmuesve seksualë dhe dhunuesve fizikë.
Çka pritet prej një gjenerate që nuk proteston? Kujtoj vitin 2025 kur mora pjesë në një protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike, se si përballë nesh maniakët e kafesë në sheshin e Prishtinës na shikonin me çudi teksa protestonim! Dy kafiteri në shesh kishin më shumë klientë se e gjithë protesta protestues. Thash me vete, këta të kafesë që nuk po e prishin “tymin e duhanit” – rutinën, sigurt përdorin energji solare që nuk po na bashkangjiten! Por jo jo! Ata thjesht nuk kishin vetëdije qytetare. Ata rolin e viktimës e luajnë mirë kur ju vie fatura në dyert e shtëpive, por në protestë mungojnë.
Çfarë të presim nga një gjeneratë që nuk i beson shtetit, por pushtetit; që i beson atyre që kanë forcë, jo atyre që kanë ligj; që është ekstremisht e politizuar dhe që më shumë i beson liderit të partisë se vendimit të institucionit? Është në gjendje të jap jetën për parti, por nuk ia vret syrin një pengesë në rrugë që ta largojë!
Një sistem ku puna më e mirë paguhet më së pagu, një sistem që po i mbytë idealistët, me paga të padinjitetshme, mësimdhënës, intelektualë e shkencëtarë që marrin paga mbijetese, ndërsa ata që prodhojnë folklor, ata që prodhojnë muzikë vullgare, ata që prodhojnë sport, ata që prodhojnë seriale, gëzojnë të ardhura të majme sepse i shkojnë përshtati komercializmit. Një sistem që intelektualin e ka shndërruar në qiri, që për t’u bërë dritë të tjerëve duhet të digjet vetë.
Kjo gjeneratë nuk njeh shkencëtarë, nuk njeh institute shkencore, nuk njeh nobelistë që kanë bërë zbulime shkencore sepse këta të fundit edhe pse ndikojnë drejtpërdrejtë në cilësinë e jetës, nuk janë sensacion.
Sponsorisohen budallenjt, idiotët, analfabetët, parazitët, rrencat, mashtruesit, kopjuesit, kokëtrashët me mentalitet të pagdhendur.. Dhe askush nuk brengoset për numrin në rritje të të papunëve.
Nga paaftësia e tyre për ta kapërcyer “Comfort Zone”, kanë krijuar iluzione për jetën dhe punën në Perëndim, por në fund kur shkojnë përfundojnë në punë krahu.
Figurat më kontroverse sot na promovohen si patriotë.
Gati asgjë sot nuk është në ekuilibrin e vet. Ashtu si veshi i brendshëm i njeriut që e ka një lëng special për barazpeshë, shoqëria i ka dijetarët dhe intelektualët për barazpeshë. Por kjo gjeneratë sot nuk beson më në autoritetet e dijes, por në influencerë, tiktokerë, jutuberë dhe blogerë maniakë që kanë miliona ndjekës nga turma.
Mësimdhënësit sot janë në margjina, ata nuk janë më referencë e kësaj gjenerate që i do vetëm njerëzit që kanë kontrabanduar skenën, që kanë kolonizuar letrën e bardhë si sharraxhinj të shkrimit, që masakrojnë gjuhën e tyre me barbarizma, që mendojnë anglisht pastaj flasin shqip.
Sepse kjo gjeneratë i beson vetëm instinktit të vet, i beson vetëm industrisë së reklamës, i beson vetëm logjikës së tregut, por nuk njeh racionalitet, ndërgjegje, vetëdije. Nuk kërkon prova dhe argumente, shpjegime dhe të dhëna, arsyetime dhe bindje. Dhe nuk i peshon dhe shoshitë gjërat, por i merr të gatshme, të fabrikuara, të paketuara, të automatizuara, sipas algoritmit.
Gjeneratë mosmirënjohëse, që e sheh vetëm ata që ju s’e bëni për ta, jo atë që e bëni për ta. Harrojnë çfarë keni bërë për ta, kur për një moment nuk e bëni një gjë që ata e presin. Sepse mosmirënjohësit nuk kënaqen kurrë, as nuk janë të lumtur kurrë.
Nuk është e vështirë t’i dalloni shokët e vërtetë nga shokët e rrejshëm. Nëse shokëve të rrejshëm nuk u pëlqeni më, tregojuni që nuk keni lindur për t’i magjepsur. Keni lindur për ta jetuar jetën tuaj, për veten tuaj, me egon tuaj, me krenarinë tuaj. Nëse ata nuk e pranojnë mentalitetin tuaj, mos e ndrroni mentalitetin nëse e keni të drejtë, por ndërroni shokët. Mbani principet me krenari dhe rritni vlerën e kritereve tuaja, ngushtoni kufijt tuaj, sado që ju kushton fatura.
Sepse gabimin më të madh që mund ta bëni në jetë është që t’u besoni njerëzve 100%! Kurrë mos garantoni për asnjë person, as për fëmijët tuaj, vetëm për veten tuaj! Njerëzit sot ndryshojnë edhe pa ndonjë arsye. Është e vështirë ta theni konfidencën e kësaj gjenerate për t’i kuptuar thellë sekretet e tyre. Ata ndoshta nuk ju flasin juve, por ata flasin për juve.
Edukoni njerëzit të qëndrojnë brenda kufijve të tyre dhe mos i lejoni t’i tejkalojnë ato për t’ju kompromituar juve. Tregojuni që egoja juaj nuk i njeh kur ata bëhen abuzues.
Dhe përpiquni t’i gjeni ata pak të rinj të kësaj gjenerate që janë studentë të jashtëzakonshëm e ambiciozë, sipërmarrës e gjeni, aktivistë e artistë, që rezonojnë vlera, që eksplorojnë mundësi dhe që kanë arritur ta thyejnë akullin e “Comfort Zone”. Ata janë pasuri kombëtare, shtetërore dhe kulturore, ndonëse nuk përbëjnë shumicën dhe nuk mund ta ndryshojnë sistemin. Por po rriten rreth një shoqërie të pamëshirshme e të padrejtë, në një sistem që nuk ua njeh vlerat individuale por i detyron të bëhen oportunistë. /Epiqendra.com/