Prishtinë, 17. 09. 2014: (“I lumtur është artisti që ngre përmendoren e vet në zemrën e njerëzve, sepse atë nuk do ta bluajë kurrë koha”. Dhimitër Pasko – tetor 1962) – Njohjes me shkrimtarin nga Durrësi (Hamdi) Erjon Muça iu gëzova për arsye se tek ai gjeta një autor të lidhur ngushtë me prozën dhe në krijesat e veta përligj një rrëfim poetik sa të lirë e të natyrshëm, aq edhe artistikisht të ngritur.
E veçova këtë fakt nga se krijimtaria jonë letrare, brenda saj edhe proza, pas zhbërjes së sistemit komunist, që la pasoja të mëdha në artin tonë të fjalës e jo vetëm në të, u lëkund, po në një masë ende po lëkundet, midis këmbëngulësisë që të vazhdohet tradita e krijimit të letër-sisë bardh – zi, pra të vazhdohet me modelin e vjetër, ku krijimi i veprave letrare cilësohej me një sforcim dhe ten-dencë të dukshme parapërcaktuese, që në qenësi ia zinte frymën artit të lirë të fjalës, pengonte krijimin e sruktu-rave sa më të ndryshme e të veçanta gjuhësore shprehëse, dhe përftimin e një arti letrar të lirë e të mirëfilltë, me mënyra dhe lloje sa më të nduarnduarta, jo vetëm tek autorët e ndryshëm, po dhe brenda vetë krijimtarisë së një autori. Pikërisht përpjekja që të bëhet një shmangie dhe shkëputje e ndjeshme nga letërsia që ishte shndërruar, të thuash, në mjet të thjeshtë të ideologjisë së kuqe, dëshmon për vetëdijësimin e shkrimtarëve tanë që ta kthejnë letër-sinë tonë në hullinjtë e rendomtë të artit të mirëfilltë, që i cilëson dhe letërsitë në Evropë dhe më gjerë.
Shkrimtari (Hamdi) Erjon Muça
Një varg krijuesish tanë nuk bënë vetëm një shkë-putje nga tematika që u parapëlqye në letërsinë shqipe për gati pesëdhjetë vjet (tek e fundit rëndësia e tematikës në letërsi zë vendin e fundit), po për mënyrën e lirë të qasjes e të shqiptimit të dukurive, të shtjellimit të strukturës së tekstit e të gjuhës poetike që përdorin.
Në veprat e veta të para të botuara (Hamdi) Erjon Muça u bashkohet atyre prozatorëve që krijojnë një art letrar të lirë, të mëvetësishëm, me çka dëshmohet pasuria shpirtërore, kulturore dhe artistike. Këtë gjë e provojnë romani “Vrasësi i shpirtrave” (2010), vëllimi me tregime dhe novela “Besimi komunist” (2012) dhe vepra që po i jepet në dorë lexuesit “Çanta e mistershme”.
Ajo që e cilëson dhe e bën të veçantë këtë prozator durrësak është se ai nuk i ndjek e as u përmbahet mode-leve letrare krijuese, nuk kërkon të shëmbëllejë në ndonjë autor të njohur, nuk gjakon forma të reja të shtjellimit e të sistemit shprehës poetik. Është autor që kijon sipas botës së tij, zgjedh dhe i shqipton dukuritë në mënyrën e vet; përfton një rrëfim sa më të ngrohtë, aq dhe të sinqertë. Pra, Erjoni nuk e sforcon asnjëherë rrëfimin, po e përfton me ndjeshmëri e përkushtim, prandaj proza e tij ka rrjedhë të natyrshme. Si e tillë ajo përfillet më lehtësi, të pushton thellësisht dhe bën ndikim të madh.
Përmes rrëfimit me cilësi të këtilla, autori u qaset pa kompleks dukurive të jetës konkrete shqiptare ose i ima-gjinon dhe i krijon ato vetë, që ngjasin me ngjarjet e jetës së përditshme. Pra, në prozat e tij përligjet kryesisht e ta-shmja, ku ballafaqohet dhe dialogohet me të ose pro-jektohet e ardhmja. Në këtë mënyrë bota individuale shprehet e lirë dhe i pasur, që amzon të vërtetën e veprimit dhe të gjallimit, duke u gërshetuar përherë me botën e të tjerëve, që i përjetojnë tundimet e veprimit të jetës, mëdyshjet, mospajtimet dhe kundërvëniet. Erjoni vepron, si thoshte A. Kamy: “[…] Shkrimtari, në të gjitha rrethanat e jetës së tij, i panjohur apo përkohësisht i fam-shëm, i lidhur me zinxhirët e tiranisë apo i lirë për njëfarë kohe të shprehet, mund të fitojë zemrën e bashkësisë së gjallë, e cla do ta përligjë, me kushtin e vetëm që ai të pra-nojë, aq sa të mundë, dy barrët që përbëjnë madhë-shtinë e zanatit të tij: shërbimin ndaj së vërtetës dhe atë ndaj lirisë”.
Autori ynë është i lidhur ngushtë me objektin poe-tik që e zgjedh për trajtim dhe me veprën që e përfton. Ai gjakon vijimisht që ajo të jetë para së gjithash e tij, ta shprehë botën e brendshme të tij, po njëherit edhe botën e të tjerëve, pra të mund të komunikojë me tjetrin dhe të ndikojë në të; ai është i vetëdijshëm se njeriu nuk jeton vetëm për veten dhe i vetmuar; jeta e tij ngjet dhe për-mbushet në marrëdhënie me të tjerët, me mjedisin ku jeton dhe vepron.
Erjon Muça nuk përfton vepra të “përhime”, siç do të thoshte Dhimitër Pasko (Mitrush Kuteli), asosh që shpijnë në shtigje të errta, që nxitin pësime e zhurmë; nuk i intereson propaganda e shpifur, promovimet e bujshme, lavdatat e skajshme në recensione e shkrime të ndryshme; nuk hyn në radhën e atyre autorëve që shkruajnë me paramendim, për të mos thënë dhunshëm, pa e ndjerë atë që shkruajnë dhe pa menduar për veprën që e përftojnë. Erjoni shqipton gjendje e çaste të veçanta, dramatike, pastaj pësime, mëdyshje dhe shëmti, të cilat përmes rrë-fimit “ringjallën”, bëhen mbresëlënëse dhe komunikojnë më gjallërisht me lexuesin. Me një fjalë, autori ynë e krijon dhe jeton me artin e vet.
Erjoni nuk niset nga ideja që përftimi i veprës le-trare do t’i mundësojë largimin nga tragjika dhe tundimet e jetës, për të pasur prehje dhe ngushëllim shpirtëror, po arti që krijon e afron dhe e njëson më shumë me jetën dhe me njeriun; artin ai e kupton si pjesë të pandashme të jetës, natyrisht edhe si pjesë të jetës së tij, pikërisht siç pati thënë A. Kamy në ligjëratën kur mori shpërblimin Nobel: “Unë vetë nuk mund të jetoj pa artin tim. Mirëpo, asnjë-herë nuk e kam vendosur këtë art mbi gjithçka. Përkun-drazi, ai është i nevojshëm për mua ngaqë nuk ndahet nga askush dhe më mundëson mua të jetoj, kështu siç jam, në një rrafsh me të gjithë të tjerët. Për mua arti nuk është një kënaqësi e vetmuar. Ai është një mjet që emo-cionon numrin më të madh të njerëzve, duke iu dhanë atyre një pamje të privilegjuar të vuajtjeve dhe të gëzi-meve të përbashkëta. Ai e detyron, pra, artistin që të mos veçohet; ai e nënshtron atë ndaj së vërtetës më të thjeshtë dhe më të përbotshme. Dhe ai që, shpesh, ka zgjedhur fatin e artistit, sepse e ndjente veten të ndryshëm, mëson shumë shpejt se artin dhe ndryshimin e tij do ta ushqejë duke pohuar ngjashmërinë e tij më të gjithë. Artisti far-këtohet në këtë ecejake të përhershme nga vetvetja tek të tjerët, midis bukurisë pa të cilën nuk bën dot dhe bashkë-sisë prej së cilës nuk shkëputet dot”.
Në vështrim të parë fitohet përshtypja se Erjoni bën objekt trajtimi poetik tema të “dorës së dytë”, “vogëlsira”, ato që nuk heqin peshë në jetën e njeriut, individë, raste të papritura e të “rrëshqitshme”. Mirëpo, përmes qasjes dhe mënyrës së shqiptimit, përmes asaj që del nga shtjellimi i tekstit poetik, ato bëhen të mëdha, mundësojnë ta njohim, sa vetveten, aq edhe tjetrin, jetën.
Këtë njohje autori e mbërrin përmes dy formave kryesore: a) shqiptimit të marrëdhënieve shoqërore të botës ku jetojnë dhe veprojnë personazhet dhe b) të botës së brendshme, botë që, edhe në jetë edhe në veprën e Erjonit, janë të lidhura ngushtë dhe kushtëzohen njëra me tjetrën.
Tregimet dhe novelat e Erjon Muçës të përfshira në këtë vëllim cilësohen me hyrje të pandërmjeme në objek-tin e trajtuar; pa stërhollime e stërgjatje, ku gjakohet thelbi i dukurisë, qenësia e saj, veprimi kryesor i personazhit, përkatësisht mesazhi që do të dalë nga struktura e tekstit të përftuar.
Autori bën zgjidhje të shkathëta të mënyrës së rrë-fimit, herë – harë të befasishme, që i japin rrëfimit të tij sa veçanti aq dhe gjallëri. Ai i ballafaqon dukuritë, men-dimet, botët e brendshme të njerëzve. Ato kryesisht rrëfe-hen në kontraste të ndjeshme, gjë që mundëson shqip-timin dhe njohjen e tyre më të mirëfilltë, siç është, fjala vjen, tregimi “Mbledhësi i kanoçeve”. Vetë personazhi “E kuptonte se nuk ishte askush! Një nga ata askush të cilët mundohen të jetojnë mes verbërisë dhe shurdhërisë së të gjithëve”.
Në disa tregime ballafaqohet absudri i veprimit të përditshëm të njeriut tonë përballë kodit moral dhe vir-tyteve që duhet ta cilësojnë atë. Në disa të tjerë vëzhgohet tragjika shpirtërore ose e ashtuquajtura “etje e padenjë”, grykësia, lakmia, pastaj ndodhi që nxitin të qeshur që mund te jetë edhe vaj; nevoja e lirisë së veprimit dhe e je-tës së lartësuar etj.
Brenda tundjeve dhe mëdyshjeve të njeriut tonë, veprimeve që dëshmojnë edhe vetërrënimin, autori i kthehet sistemit komunist dhe shqipton pasojat që ka lënë ai në mendjen dhe shpirtin e njerëzve tanë – synimin e zgjatjes së asaj ideologjie në një formë tjetër, që nuk mund të kuptohet ndryshe pos një zmbrapsje përballë një sis-temi të hapur e të ri, që e quajmë demokratik, siç ndodh me tregimet “Dekorata e fundit” dhe “Çanta e mister-shme”.
Ja si kujtohet në mënyrë ironizuese ai sistem i shpi-fur dhe me pasoja:
“Fshatarësia jonë kooperativiste, me hov revo-lucionar i rrëmbeu malit me mijëra hektarë tokë duke e kthyer në ara buke, për t’i përmirësuar mirëqenien popu-llit tonë heroik dhe të pamposhtur” ose “Shkencëtarët e fermës së Sukthit duan të mbeten pararojë e blegtorisë ndaj kanë nisur një eksperiment me vlera kolosale për ekonominë tonë. Ata kanë nisur të ndërzejnë lopët e ra-cave të huaja me ato të racave të vendit. Kjo do të bëjë që edhe rendimenti i qumështit të rritet më tej”.
Ndonjëherë autori vetëm sa i shqipton disa përbërës të dukurive, ndërsa të tjerat i hesht për t’i lënë mundësinë lexuesit që t’i vazhdojë sipas prirjeve e aftësive që ka. Këto janë të ashtuquajtura “vende të zbrazëta”, siç i quante studiuesi gjerman W. Iser.
Në tregimin “Rrëfimi i gomarit” dhe në novelën “Tregimi i pelës plakë” përligjet jo vetëm një rrafsh i lartë poetik i shtjellimit të tekstit, po dhe një ironizim i thellë i gërshëtuar me sarkazmë të hollë, që mundëson një shpa-lim të ndërliqshëm të botës, njohjen më të mirëflltë të dukurive të jetës që bëhen objekt trajtimi, po dhe të ko-munikimit të veçantë të krijesave poetike.
Në këto dy proza që e përmbyllin vëllimin, autori i përdor kafshët si personazhe, përkatësisht rrëfen për bo-tën e tyre me qëllim të njohjes e të komunkimit më të thellë të dukurive të jetës së njerëzve: “Ah moj Pela ime naive! Kur t’i kuptosh njerëzit do e marrësh vesh përse vepron kështu. Për njerëzit ndjenjat s’kanë vlerë, mbi të gjitha kur kanë të bëjnë me kafshët. Për ta ne jemi vetëm mjet fitimi dhe asgjë më shumë” (“Tregimi i Pelës Plakë”).
Në “Rrëfimi i gomarit” dhe “Tregimi i Pelës Plakë” “sqarohet” në disa aspekte dukuria që e thoshte shkrim-tari frëng, Luigji Buile, mik i madh i Gustav Floberit: “Sado e bukur të jetë një gungë, po t’ia vësh në kurriz Venusit, Venusi do të jetë gungaçe”. Pra, këto dy krijesa ngërthejnë një nëntekst të pasur dhe mendime të thella: “Hahahahahahahahahaha! M’u kujtua! Të lutem mos u mërzit nga që unë qesh kaq shpesh, por e marr vuajtjen me buzëqeshje dhe kjo ia ul pak dhimbjen asaj” (“Rrëfimi i Gomarit”) dhe “Më mirë të dashurohesh me një gomar që e di se çfarë është se sa me një kalë që mendon se është ai që nuk është – ia ktheva unë dhe me aq mbaroi biseda” (“Tregimi i Pelës Plakë”).
Aftësinë e prozatorit, që di çka shkruan dhe pse shkruan, që e ndjen lëndën që e zgjedh, Erjoni e dëshmon jo vetëm me dukuri të rëndësishme dhe aktuale, që bëhen objekt trajtimi arstistik, po dhe me mënyrën e shtjellimit të tekstit dhe të zbatimit të sistemit shprehës poetik, sido-mos të përdorimit të frazeologjisë së pasur, fjalëve të urta, por edhe kur i tipizon gjendjet e veçanta të jetës dhe të botës së brendshme të personazheve, që shprehen të de-gëzuara në përmasën trivetore: unë, ti ai (ajo) ose kur jep ndonjë tablo të natyrës ose përshkrimin e veprimit të personazheve e të tipareve të tyre.
Për të konkretizuar këtë, po sjell pak shembuj të nxjerrë nga disa tregime:
*
“Nganjëherë ndodhte që treshe – treshe, ata largoheshin për tre ose katër ditë. Kur ktheheshin ishin më rrëzëllitës se një pikë vese në një mëngjes maji”.
*
“Fytyrat e tyre të rruara dukeshin sikur s’kishin pasur kurrë qime, por edhe nja dy që ishin me mjekër, nuk ngjasonin me mjekroshët që isha mësuar të shihja. Qimja e tyre shkëlqente, tamam si qime maceje persiane, ose si pendë palloi”.
*
“Megjithatë, edhe gjysmat janë tepër të rëndësishme, pasi na japin mundësinë të kuptojmë se sa të rëndësishme janë sendet e plota”.
*
“Jo dashuria e kohës sonë është e pa rrudha, me trupin e lëmuar si mermer i rrallë, që në trupin e saj të shkasë ngadalë jarga me ngjyrë të bardhë”.
*
“Për një çast ndjeva se mori diçka timen me vete. Jo, jo, nuk mori, po la; e ndjeva klithjen e tij brenda meje: ishte një ushtimë e dridhshme, që shtillej nëpër trupin tim si një tis i përgjumur nëpër re të mëllefura”.
*
“Të çarat i ngjajnë rrobave të një lypsari që pret vdekjen pa as më të voglën shpresë. Ajo duket si një relikte e keqtrajtuar, pjesë e muzeut të madh shqiptar të braktisjes… “.
*
“Unë e adhuroj kalin, sepse ai është gjithë ajo që unë nuk mund të jem”.
*
“Isha e bardhë borë me qime të shndritshme më shumë se hëna e prillit. Jelet e gjata më mbulonin njërin sy duke më bërë më lozonjare nga ç’isha”.
*
“Mos vallë, po u përgjigja do më shtohet gjë ushqimi ditor?! Apo mos vallë po i talla ata ashtu si ata më tallin mua, padroni do më vërë edhe mua ndonjë sahan si juve?!”
*
“Unë jam mësuar dhe lëkura ime prej gomari duron. Mi-rëpo, nuk duroj dot asgjë mbi kurrizin tënd. Madje as pickimin e mizave”.
*
“Të tjerëve unë nuk u përgjigjem ngaqë ata edhe fjalët e tyre kanë për mua më pak vlerë se zhurma e gjetheve lëvizur nga era”.
*
“Pas një jave në një pasdite të vonë, në një nga ato ditë që errësira vjen më shpejt sesa retë gri mësyjnë qiellin, iu vura pas: këmba – këmbës”.
Mënyra e rrëfimit, shtjellimi me përkushtim i tekstit dhe veçantia e të shprehurit gjuhësor poetik, që përligjet në këtë vëllim me tregime e novela, që po sheh dritën e botimit nga shtëpia botuese “Faik Konica” e Prishtinës, të bindin se Erjon Muça edhe në të ardhem do ta pasurojë prozën shqipe me vlera të rrafshit të lartë artistik.