Paris, 02. 10. 2014: Pellazgët, para se të vendoseshin në zonën ballkano-danubiane dhe para se të zbrisnin më poshtë në Gadishullin e Europës Juglindore (në Kretë, në ishujt e Egjeut), ose në Azinë Minore, rreth 7 mijë deri 6 mijë vjet para Erës sonë (epoka e Neolitit), kanë qenë një popull «nomad» (endacak), i cili ka jetuar nëpër vendstrehime natyrore (shpella, guva, kaverna nga ku… pastaj rrjedh emri “pellazgët”, njerëzit e “shpellave”). Në ato Kohë nuk kishte as shtet as kufi. Ky popull shtegtar e ka shkelur gjithë Europën, prej Atlantikut deri në Detin e Zi, dhe madje në Detin Kaspien. Prandaj, në mënyrë të pashmangshme, kanë lënë gjurmë të kulturës dhe të gjuhës së tyre ngado që kanë vajtur. Në kohën paleolitike kanë ekzistuar disa grupe etnike në Europë: Neandertalët, Kromanjonët, Homo-Sapienët dhe përfundimisht Homo-Sapienë-Sapienët. Me këtë rast do të shtoja këtë neologjizëm personal “Homo Pelasgus” për Europën.
Duhet shënuar që njeriu modern, i sotmi, ka afërsisht 40 mijë vite që doli në Europë, por 100 mijë vite në Azinë e mesme dhe 200 mijë vite në Afrikë; “humanoidët” e parë i kemi ndërmjet 7 dhe 4 milionë vjetëve në Afrikën Lindore/Rift dhe krahina e Sudanit.
Pra nuk janë epokat e nomadizmit, kur etnia pellazge është siguruar si civilizim dhe etni në mënyrë të plotë të fjalës, qysh prej kohës neolitike, rreth 7000 vite para erës sonë; fillimi i agrikulturës, zbutja e disa kafshëve, ndërtimi i strehëve në tokë apo mbi ujë të liqeneve (pilotis), etj. Më vonë fillon shfrytëzimi i metaleve (ari, argjendi, bakri, bronzi, hekuri) dhe përfundimisht shpikja e të shkruarit (quhet fillimi i HISTORISË, sepse sipas shkencëtarëve është “shkrimi” që e vërteton Historinë, jo simbolet, ideogramët, epigrafitë, hartat, e të tjerë).
Në anën tjetër, ato që shkruajnë e thonë se Pellazgët rrjedhin nga Azia e vogël, janë të gabuar krejtësisht dhe i shërbejnë përcaktimeve të atyre të cilët nuk duan që Shqiptarët të jenë autoktonët e Europës.
Para mijëra vjetëve Pellazgët kanë lëvizur në këmbë në gjithë Europën, nga Atlantiku deri në Detin e Zi dhe madje deri në Detin Kaspien. Hititët dhe Sumerianët, sipas shumë prahistorianëve, paleontologëve apo historianëve të Antikitetit të lashtë, mendojnë që ata kanë ardhur në Lindjen e Mesme nga “Ballkani”, d.m.th. ka shumë të ngjarë të ishin Pellazg (nuk kemi gjë të shkruar, kjo është vetëm një hipotezë që mund të nënkuptohet sipas disa shkrimeve të lashta apo moderne).
Sa për “racën e bardhë”, që thuhet nga disa se rrjedh nga Kaukazi, nuk ka bazë shkencore dhe nuk kemi as një provë. Ky është një koncept arbitrarë (një farë konvencioni / marrëveshje), i përdorur sidomos në fushat antropometrike/antropologjike (që i përket veçanërisht policisë për identifikimin e një njeriu), për të treguar bojën e bardhë të një lëkure. Termi i saktë është “europoid” dhe jo kaukas.
[Duhet me qenë të kujdesshëm për çfarë shkruhet dhe lexohet në Internet dhe sidomos në Wikipedia, sepse artikujt aty janë të shkruar nga çdo njeri; në Internet (serioz apo jo), kemi edhe disa libra jo shkencor, por të popullarizuar.]
Qysh prej njëzet e pesë shekujsh – një kapak i plumbtë i ka zënë frymën historisë së popujve të parë, të cilët janë në zanafillën e të dy qytetërimeve europiane më të shquara:
– qytetërimi grek (nëpërmjet Pellazgëve) dhe
– qytetërimi romak (nëpërmjet Etruskëve).
Megjithatë, për sa i takon historisë parahelene, janë autorët modernë (në veçanti historianët, akeologët dhe gjuhëtarët) ata që kanë mbjellë konfuzionin, madje dhe dyshimin. Në të vërtetë është shpallur (pa asnjë provë) se Pellazgët përbëheshin nga popuj të ndryshëm: «emër gjenerik» dhe «popuj të zhdukur, pa lënë as gjurmën më të vogël». Kështu i kanë shpallur me ngulm shumica e historianëve që në shekullin XIX! Për fat të keq ata nuk e kanë kuptuar se ishte fjala për një dhe vetëm për një popull, i cili kishte krijuar «fise» të panumërt (me «emra» shumë të ndryshëm, që flisnin me dialekte të ndryshme të njejtën gjuhë dhe kishin të njejtën kulturë, të njejtat tradita, të njejtën etni; është gjuha shqipe sot (fosile e gjallë), e cila «nxjerr të palarat në shesh». Pavarësisht mosekzistencës së një «gjurme të shkruar», a nuk ka tashmë një «gjurmë gojore», të qartë dhe të prekshme, e cila na jep mundësinë të zbulojmë gjuhën (falë Iliadës dhe Odiseas, poemat pellazge, të cilat rrjedhin nga një traditë gojore parahelene), që e flisnin Pellazgët, ky popull i madh «parahelen»?
Çfarë gjurmësh të tjera mund të zbulojmë?
Për të mos humbur fillin e mendimeve, do të rinis thelbin e punimeve të mia, d.m.th. të gjithë elementët e saktë dhe bindës, të cilët ravijëzojnë veprat e mia.
• Falë poemave epike (Iliada dhe Odisea), të përcjella nga Pellazgët (të cilësuar «hyjnorë» në Iliadë X/429), pushtuesëve të rinj helenë, sot dimë se çfarë gjuhe flisnin popujt autoktonë, të cilët banonin në «vendin që do të bëhej Greqi» (Herodoti I/56,58 – II/50,52 VIII/44). Kjo gjuhë e Perëndive («e ndryshme nga ajo e njerëzve» d.m.th e grekëve – cf. Iliada I/ 379 – 415) ashtu siç e cilësonte Homeri, gjuha e «Zeusit pellazg dhe dodonas» (Iliada XVI / 233, 234), është më se e gjallë: gjuha shqipe e sotme, e ruajtur pothuajse e paprekur, qysh prej mijëvjeçarësh, në malet e pamposhtura të rajoneve shqipfolëse, vatra e të cilave është Shqipëria e sotme dhe trojat e saj shqipëfolëse. A nuk ka aty një lloj «fosile të gjallë», e cila na sjell provën se këta Pellazgë ishin pikërisht stërgjyshërit e Thrako-Ilirëve dhe të pasardhësve të tyre të fundit, Shqiptarët e sotëm ? Gjuha shqipe a nuk arrin të dekriptojë apo të deshifrojë shumicën e emrave të mitologjisë (e mbiquajtur greke) si dhe teonimet, eponimet, toponimet, oronimet dhe antroponimet të Iliadës/Odisesë dhe të një pjese të madhe të Europës dhe në veçanti të rajonit danubo-ballkano-egjeas ?
• Mbetjet arkeologjike megalitike apo ciklopike, të cilat gjenden jo vetëm në Ballkan, Egje apo në Azinë e Vogël, por edhe në Europën Perëndimore, fortifikimet e Mikenës, Argos, Tirintit apo Pilos dhe «pelargikoni» (muri i parë rrethues i Akropolit të Athinës) dhe mbetje të tjerë, a nuk janë vërtetuar nga arkeologjia? Gjithsesi, asgjë «greke» nuk gjendet në të gjitha këto!
• Lineari B nuk është gjë tjetër veçse gjuha proto-joniane, d.m.th. «pellazgjishtja e lashtë», nga e cila rrjedh dialekti jonian dhe arkado-qipriot, paraardhëse të guhës greke. Qysh nga Chadwick dhe Ventris (dekriptuesit e linearit B) është besuar (ende besohet) se ky shkrim ka qenë greqishja e lashtë. Një gabim fatal, i cili na ka çoroditur dhe gjithashtu e ka çuar historiografinë dhe gjuhësinë në një qorrsokak të vërtetë. Çuditërisht, që nga gjysma e dytë e shekullit XX (1952), ky aspekt nuk është marrë në konsideratë nga autorë të shumtë modernë; që nga momenti që u zyrtarizua Lineari B, si të ishte greqishtja e lashtë, stopohen të gjitha studimet dhe hulumtimet lidhur me këtë temë! Duhet shënuar se Lineari B nuk është një shkrim që na sjell ndonjë informacion historik, socio-kulturorë apo letrarë, sepse shënonte vetëm transaksionet tregtare në regjistra kontabiliteti (shifrat dhe emrat e produkteve të ndryshme, shumica e të cilave ishin të huaj dmth me emra të huaj).
Syllabary of Linear B, from page 23 of Michael Ventris and John Chadwick’s 1956 Documents in Mycenaean Greek.
Linear B Tablet #P641 with Michael Ventris’ Own Drawings and Translations by Michael Ventris and John Chadwick
• Shkrimi i «diskut të Faistos», i zbuluar në Kretë (shekulli XII para Erës sonë), a nuk është një mbetje arkeologjike e asaj që ka mundur të ekzistojë qysh nga periudha e Pellazgëve? Ky shkrim (që nuk është ende i deshifruar me saktësi) nuk është gjë tjetër veçse «pellazgjishtja e lashtë» ose, siç e pohon Jean Faucounau, është «proto-jonishtja» (Deshifrimi i diskut të Faistos – 1999). Çka është e njejta gjë!
– Disku A dhe B i Faistos –
• Herodoti (V, 58) dhe autorë të tjerë klasikë pohojnë se është Kadmosi Fenikasi (themeluesi i Tebës greke, në Beoti… Tebë, emër që përngjanë emrin e kryeqytetit faraonik të Egjiptit!), i cili ka futur alfabetin (bashkëtingëllor) në Greqi dhe të cilit Grekët më pas i shtuan zanoret. Gjithsesi, ky alfabet është në zanafillë të debateve të shumta që ende sot diskutohen. Por Diodori i Siçilisë (V, 74 ; III, 67) pohon se alfabetin nuk e kishin shpikur Fenikasit, por se ata vetëm ia kishin përcjellë Grekëve. Ai e quan këtë alfabet “gërmat pellazge”. Disa autorë modernë i pohojnë këto thënie. Gustave Glotz, për shembull, le të kuptohet se ky alfabet do të jetë përcjellë nga Kreta në vendin e Kanaanit nga Filistinët. Fqinjët e tyrë Fenikasit e kanë sjell atë alfabet në Beoti kur Kadmosi pushtoj vendin e Pellazgëve. [Cf. Gustave Glotz, “Qytetërimi egjeas”, “La Renaissance du Livre”, Paris 1923, f. 437, 438; Richard Knight, “Një ese analitik mbi alfabetin grek”, J. Nichols për P. Elmsly, Londër 1791; Georgiev, Vladimir Ivanov, “Zanafilla minoane e alfabetit fenikas”, BN-8×242118-Biblioteka onomastike, BN-8×22123 (1950)]
– Lineari B i gjetur në Mikenë –
• Para poemave epike të traditës gojore (të vetmet shkrime dhe të parat që kanë ekzistuar në Europë, të shkruar vetëm midis shekullit të gjashtë para erës sonë), nuk kemi asnjë gjurmë shkrimi koherent (në kuptimin e saktë të fjalës dmth “jo epigrafi”) të vërtetë por kishte vetëm, “epigrafi” të ndryshëm (në gur, stela, potëri, lëkurë, etj).
• Megjithëse nuk gjendet asnjë gjurmë shkrimi historik shumë i lashtë (i eliminuar nga pushtuesit grekë?), dihet që katër «shekuj» të mbiquajtur «të errët» (1200-800 para erës sonë), kanë ekzistuar. Përse pra kjo periudhë nuk na sjell treguesin më të vogël për ekzistencën e grekëve? Kjo ndodh sepse me të vërtetë nuk ka pasur të tillë.
• Nëse grekët do të kishin patur stërgjyshër europianë (Gadishulli i Europës juglindore, Egje…), si u shfaqën ata si me magji, pa lidhje të drejtpërdrejta ose jo të drejtpërdrejta, pas katër shekujsh të mbetur krejt memece? Si mundet që një popull që eshtë bërë aq prestigjioz, mund të dilte nga «hiçi»? Si mundet (pa asnjë provë) të nxirret se rrjedh nga ky hiç? Përse nuk është menduar se ky popull nuk mund të rridhte nga Pellazgët (popull autokton dhe me fise të ndryshme), por mund të vinte nga diku tjetër? Përse janë fshehur pohimet e autorëve antikë, të cilët saktësojnë se Pellazgët, popull barbar (d.m.th jo greqisht-folës), ishin banorët e parë të Gadishullit të Europës Juglindore, Egjeut dhe të Azisë se Vogël, përpara mbërritjes së Grekëve, dhe sidomos ishin paraedhësit e Grekëve dhe jo stërgjyshërit e tyre? Pra, pushtuesit helenë nuk mund të ishin trashëgimtarë të një qyetërimi autokon dhe të mëparshëm në kohë ndaj qytetërimit të tyre!
• Shqipëria a nuk na zbulon mbetje arkeologjike paleolitike (shpella, vendbanime), neolitike (fshatra buzë liqenit), parahistorike dhe antike (tumuli, shpata, maska apo objekte të tjera të epokës së mbiquajtur mikene)?
• Që nga Eratosteni (matematikan që ka jetuar në vitet 276-194 para erës sonë) kronologjia e historisë greke varej nga një ngjarje asnjëherë e sqaruar: Lufta e Trojës, ekzistenca dhe data e së cilës gjithmonë janë të debatueshme. Për fat të keq, e gjithë kronologjia e Greqisë, Egjeut dhe e Azisë së Vogël bazohet në këtë datë hipotetike të shekullit XII para erës sonë : 1193 – 1183. Më pas katër shekujt, të mbiquajtur “të errët” (për të cilët nuk dihet asgjë) e përkeqësojnë këtë hipotezë. Më në fund, që nga nxjerrja në skenë, në vitin 1905, të një ndarjeje prej tri pjesësh nga Evans (i cili ka jetuar në vitet 1851-1941), bazuar në të dhënat arkeologjike, historia e Greqisë u nda në faza, nga ajo që u quajt “Helladike” (e Lashtë, e Mesme dhe e Vonë, e nënndarë në I, II dhe III), çka rrezikon të të shtyjë në gabim, duke na bërë të besojmë se kjo ka lidhje apo mund të ketë lidhje me Grekët (për shkak të referimit të termit Helladë), ndërkohë që këta të fundit, pra Grekët, nuk janë dëshmuar në këto epoka të kahershme. Nisur nga kjo luftë hipotetike e Trojës, Tuqididi (i cili nuk e dinte datën e vendosur nga Eratosteni, meqë ky i fundit ka qenë rreth dy shekuj më pas) ka pohuar (pa asnjë provë) se 80 vjet pas luftës së Trojës, Dorianët u shfaqën në Greqi. Asnjë autor tjetër antik, bashkëkohor i Tuqididit, asnjë tjetër përpara tij, me plot të drejtë, nuk e ka cituar këtë datë të shfaqjes së Dorianëve. Gjithsesi, ka ndodhur shumë më vonë që janë futur në llogari këta 80 vite, të cilët janë hequr automatikisht nga fundi i kësaj lufte d.m.th. 1183 – 80 = 1103 (e rrumbullakosur në vitin ~ 1100), datë e vendosur padrejtësisht nga Eratosteni. Disa kanë nxjerrë nga kjo se shfaqja e Dorianëve, e cilësuar si dyndjet doriane apo kthimi i Heraklidëve, ka ndodhur në këtë datë që e rigjejmë ende sot në manuale të ndryshme shkollore apo universitare. Kanë transformuar një “mit” dhe një legjendë në një “realitet” historik dhe këtu qëndron thelbi i problemit.
• Ekziston një shkëputje e konsiderueshme, si në planin arkeologjik ashtu dhe në atë shoqëror-kulturor, midis periudhës së luftës hipotetike të Trojës (1193-1183), që fillon periudha e quajtur “Epokat e errta”, deri në fillim të shekullit VIII, datë që duket të jetë ajo e lulëzimit të qytetërimit të vërtetë helen. Shtojmë se, në të vërtetë, për atë kohë nuk ekziston asnjë provë arkeologjike për ekzistencës e një lufte të Trojës. Kjo luftë, e mbiquajtur e Trojës, ka qenë ajo e pushtimit të vonshëm të Azisë së Vogël nga Grekët dhe në mënyrë të veçantë marrja e qytetit të lashtë të Trojës, të shpagëzuar dhe të bërë “Ilion” nga grekët, prej nga ka dalë emri “Iliadë”? A ka patur një lloj transpozicioni të një lufte parahelene të rrëfyer te “Zemërimi i Akilit” (emri i poemës së lashtë i traditës gojore “kthyer” në Iliadë), me një luftë “helene”, e cila të sjell ndër mend emrin “Iliada” që rrëfen pushtimin e qytetit të Ilionit në fillim të shekullit VII para Krishtit? Kështu mund të shqyrtosh se 80 vitet e Tuqididit korrespondonin me një kronologji shumë më të vonë dhe se kjo luftë e Ilionit grek u zhvillua nga vitet 700 apo 680 para Krishtit (dhe jo në shekullin XII para erës sonë). Nga kjo kuptohet më mirë përse Homeri nuk i ka përmendur Dorianët dhe përse emri i tyre u përmend me ndonjë farë shpeshtie vetëm duke filluar nga Pindari (i cili jetoi në vitet ~ 510 ~ 438). Së fundmi, do të kuptohej më mirë përse emri “Helenë” nuk është dhënë në tërësinë e Grekëve nga Homeri dhe përse këta Helenë nuk folën për veten e tyre gjatë katër shekujve të mbiquajtur “të errët” (1200 – 800 para Krishtit). Kjo do të justifikonte edhe krijimin e një gjenealogjie të vonshme, duke nisur nga një Përmbytje, pra përmbytja e Deukalionit. Duke nisur prej aty filloi të shfaqej emri Helenë, pasardhës të Helenit, biri i Deukalionit, Noea grek. Të gjitha këtyre pikëpyetjeve teza ime provon t`i përgjigjet, të paktën të sjellë disa sqarime.
• Qytetërimi, i mbiquajtur miken, nuk ka ekzistuar kurrë me këtë emër që i është mveshur përgjithësisht. Është fjala për një neologjizëm, d.m.th. një emër modern i krijuar nga pseudo arkeologu Heinrich Schliemann në fund të shekullit XIX. Pasi, sipas mendimit të të gjithë autorëve paraklasikë dhe klasikë, i vetmi qytetërim që do të ketë ekzistuar përpara mbërritjes së Grekëve ka qenë qytetërimi i Pellazgëve. Nëse Schliemann do t`i kishte zbuluar thesaret e famshëm jashtë Mikenës, në Korint, për shembull, ndoshta do ta kishte quajtur “korintas” qytetërimin të lidhur ngushtë me rrënojat që do të kishte gjetur në atë qytet.
Arkeologët, deshifruesit ose zbuluesit modernë kanë kryer gërmime, kanë realizuar zbulime interesante dhe kanë vendosur të dekriptojnë epigrafe apo disa tekste arkaike greke, duke u bazuar vetëm në “të njohurën apo të pranuarën përgjithësisht“ d.m.th. grekët, gjuhën dhe kulturën e tyre për sa i takon hapësirës gjeografike të qytetërimit parahelen apo ajo e Romakëve dhe kulturës së tyre latine për sa i përket qytetërimit pararomak.
E gjithë bota e dijetarëve, përveç disa përjashtimeve të pakta, nuk ka pasur parasysh, nga njëra anë elementin “pellazg”, dhe nga ana tjetër, elementin binjak “etrusk” dhe pjesëmarrjet e tyre reciproke apo rrjedhojat e tyre në formimin e dy qytetërimeve më të rëndësishme europiane:
– qytetërimi grek dhe
– romak.
Ky qëndrim pellazg dhe degëzimi i tij shqiptarë nuk ka qenë vlerësuar sa duhet apo ka qenë krejt i fshehur në të gjitha studimet parahalene, qofshin historike, arkeologjike, antropologjike apo gjuhësore. Është pra kjo hallkë e dobët, që i ka çuar ato në një qorr sokak, ku kanë ngecur njëherazi historia parahelene, gjuhësia moderne dhe në një masë më të vogël arkeologjia.
As nuk i është vënë veshi, qoftë edhe për një çast, faktit se Pellazgët dhe gjuha e tyre nuk ishin “zhdukur duke mos lënë as edhe një gjurmë”; pra, janë shpallur me ngulm popull dhe gjuhë e zhdukur?! Megjithatë edhe një neofiti, përpara çdo studimi, i vinë në mendje shumë pyetje:
– një gjuhë e vetme në Europë, një popull i ndryshëm nga fqinjët e tij grekë, latino-romakë dhe sllavë dhe një territor përbri, në zemër të Europës Juglindore, a nuk na bëjnë të pyesim veten për Shqipërinë dhe Shqiptarët? Etj., etj. Unë nuk mund të përsëris këtu çfarë është shkruar në 500 faqet e tezës sime.
EMËRTIMI PELLAZG
Gërmimet e fundit arkeologjike, të kryera në Shqipëri, provuan vërtetësinë historike të Pellazgo-Ilirëve me zbulimin e tumulëve, të objekteve të ndryshme, ndër të cilat armë të quajtura mikene (shpata, mburoja…), qeramika të ndryshme, figurina ose fibula, të cilat datojnë nga Bronzi i Lashtë dhe bronzi i Mesëm, madje fshatra buzë liqeneve, kasolle dhe objekte të ndryshme që datojnë nga epoka neolitike. Aty janë zbuluar shpella që datojnë nga paleolitiku, ndër të cilat shpella e Gajtanit dhe Xarës (100’000 – 30’000 para Krishtit) dhe ajo e Kaprinas në Kroaci (160’000 para Krishtit).
Të gjitha këto zbulime, të realizuara në Shqipëri dhe në rajonet në kufi, provojnë se kjo zonë ballkano-danubiane nuk ishte as e izoluar dhe as shkretinë në kohën e shkëlqimit të qytetërimit egjeo-kretas dhe pastaj, atij të mbiquajtur miken. Shqipëria dhe rajonet në kufi të saj paraqesin një rast unik në Europë: një dhe vetëm një popull, i cili jeton në tokat e tij stërgjyshërore, të paktën qysh nga Neoliti, rreth 7’000 vjet para Erës sonë. Vijimësia arkeologjike, antropologjike, kulturore dhe etno-gjuhësore është aty më se e dallueshme.
Underground Pelasgian cities in Cappadocia Part 2
Ja shpjegimi që kam dhënë për emrin «Pellazg», d.m.th. ai i «njerëzve të shpellave», Shpellagji, shpellashgët apo Shpellarët, “njerëzit e shpellave”. Në librin tim të parë unë kam rreshtuar një numër emërtimesh të dala deri më sot, si nga autorët grekë të antikitetit ose edhe nga autorë të tjerë më të vonë. Secili ka hedhur idenë e tij, duke u përpjekur ta provojë zgjidhjen vetëm «nga ana fonetike» pa konsideruar elementin historik, legjendar, struktural dhe ngjarjet periferike të kohërave të para:
– pjellarg, fjalë e përbërë që përfshin shqipen «pjell» dhe greqishten «argos», që do të thotë i bardhë (“ata që pjellin të bardhë”!),
– pelagos (në greqisht do të thotë në det të hapur!),
– pelargos (pelikanët, zogj shtegtarë, sipas Strabonit!), palai apo palas gai (i lindur nga toka),
– pelagonët (pleqtë, sipas Hesikiusit), etj. etj.
Interpretimi im nuk ka asgjë «subjektive», përkundrazi ai bazohet në tekstet e lashtë (Homeri, Hesiodi dhe legjendat mitologjike të cilat zbulojnë rresht pas rreshti historinë e vërtetë parahelene).
Për të thënë të vërtetën, Pellazgët formoheshin nga një mori fisesh (Frigjianët, Trojanët, Thrakët, Ilirët, Lelegët, Ligurët, Tirrenët, Karianët, Kuretët, etj.). Ky ka qenë një emër “stërgjyshëror” apo më mirë një «mbiemër»: të gjitha këto fise njihnin jo vetëm historinë e stërgjyshërve të tyre por edhe zanafillën e etnisë së tyre. Ata rridhnin nga njerëzit e shpellave: «Shpellagjit, Shpellagët, Shpellarët». Pra nuk janë këta «njerëzit e shpellave», por “stërgjyshërit” e tyre, për të cilët ata ishin krejt natyrshëm «pasardhësit».
Përse?
Ja shpjegimi im i saktë.
Homeri e cilësonte Zeusin «pellazg» dhe Pellazgët i cilësonte «hyjnorë» (sepse rrjedhshin nga Zeusi) si dhe gjuhën e tyre «hyjnore». Si rrjedhojë që Pellazgët rridhnin nga Zeusi. Por Zeusi, na thotë legjenda, ka lindur dhe ka jetuar në vogëlinë e tij në një «shpellë» apo «guvë» në Kretë (mali Ida). Gjatë fëmijërisë së tij, ku nëna e tij, Rea, e largoi për ta shpëtuar nga xhindosja e Kronosit, bashkëshorti i saj, i cili i kishte ngrënë të gjithë fëmijët e tjerë të tij! Për Zeusin u përkujdesën Kuretët, të cilët falë zhurmës së armëve të tyre, të cilat ata i kryqëzonin «me krahët drejt qiellit» (ashtu si në vallen luftarake të Shqiptarëve të veriut dhe të Kosovarëve të sotëm dhe të epirotëve të kohës të Piros/Burri!) mbulonin të qarat e Zeusit të vogël. Zeusin e ushqeu dhia «Amaltea». Pra, kemi të gjithë elementët që provojnë se Zeusi, i rritur në një shpellë, ishte si rrjedhojë një «njeri i shpellave», për të cilin u përkujdesën Kuretët (“Ku u rritë” kuptohet mjaft mirë në gjuhën shqipe, pra aty “ku u rrit” Zeusi ; kjo fjalë i dha emrin edhe «Kretës, Këretës», ku Zeusi ishte i adhuruar) dhe se ishte dhia «Amaltea» (në shqip «e mjelta» d.m.th. ajo që «i jep qumështin») ajo që e ushqej.
Përveç kësaj një tjetër element ka provuar lashtësinë dhe të ekzistuarit më parë në kohë të Pellazgëve (njerëz të shpellave): ai i zakoneve të ushqimit të tyre. Historianët e parahistorisë dhe paleontologët, midis dijetarëve të tjerë, pohojnë se njerëzit e parë të Botës së lashtë, sidomos në Europë (pa përmendur emër të përveçëm), ushqeheshin me «lendë lisi» (e pasur në “amidon”). Mirëpo ne e dimë, nga autorët antikë, se në kohë shumë të lashta Pellazgët ishin «ngrënës të lendëve të lisit» ! Përveç kësaj, nëse «lisi» është bërë i «shenjtë» te Pellazgët, kjo ka ndodhur sepse Pellazgët e vonshëm nuk e kishin harruar se lendët e tij i kishin ushqyer të parët e tyre; reminishencë e përjetshme nga brezi në brez, prandaj “lisi” u bë i shenjtë në Dodonë. Nga ana tjetër «mitologjia» (e cila nuk ka qenë një mit por rrëfenja të hershme stërgjyshërorë, disi të romancuara, të zbukuruara apo të idealizuara me kalimin e kohës), pohon se Pelasgosi (eponimi i Pellazgëve) ka qenë «njeriu i parë», i lindur nga Toka (d.m.th “autokton”) dhe se ai lindi në Arkadi. Ky tregues na zbulon me përafërsi disa elemente kronologjikë. Nëse Pellazgët kanë ngrënë lëndë lisi, kjo sigurisht që ka ndodhur shumë më përpara zbulimit nga ana e tyre të bujqësisë, të ujitjes dhe të kulturës së drithërave dhe mbi të gjitha grurit, i cili si ushqim kryesor zëvendësoi lëndët e lisit. Kjo periudhë ravijëzohet para Neolitikut, d.m.th. rreth mijëvjeçarit VII para erës sonë! Në kohërat e para ato kanë banuar nëpër shpella (banim dhe strehë natyrore e njerëzve të parë apo humanoidëve apo sikur i kam quajtur “Homo Pelasgus”), ata merreshin me gjueti, peshkim dhe hanin lëndë lisi. Duke filluar nga kjo periudhë e më tej ka qenë fillimi i «qytetërimit» pellazg të vërtetë. Kjo është e qartë si drita e diellit!
Ja pra një demonstrim «koherent» dhe një provë e qartë e lashtësisë së Pellazgëve, e zanafillës pellazge të Zeusit, e zanafillës së emërtimit «njeri i shpellave», e adhurimit që ata kishin për lisin si dhe për prejardhjen e gjuhës shqipe nga gjuha e Zeusit. Porfiri (biograf i Pitagorës) pohonte se Pitagora e quante Zeusin «Zā, Zani» (dialekti gegë), çka do të thoshte «zë, zëri» në dialektin toskë. Është e dijshme që matematikani i madh Pitagora ishte Pelasg-Tirrenë / Etrusk nga ishulli Samos. Në të vërtetë në Dodonë (kryeqyteti fetar i Pellazgëve), është «zani/zëri» i Zeusit që priftërinjtë interpretonin “zanë/zërin” e tij nëpërmjet fëshfëritjes së gjetheve të «lisit të shenjtë». Përveç kësaj, është fjala shqipe «Dru», e cila i ka dhënë emrin «Druidëve» keltë dhe grekëve fjalët «drias» dhe «driades». Ky emër “dru, drui” u është dhënë “Druidëve” të “Keltëve”, popull, thotë legjenda, vëlla i “Ilirëve” dhe “Galëve/Galatëve”.
Konferenca e Mathieu Aref “Pellazgët, Greqia dhe Pellazgo-Shqiptarët” në Lion.
Së fundmi, shtoj se një nga tri emblemat e Zeusit ka qenë Shqiponja, një tjetër simbol që shqiptarët e kanë ruajtur gjithmonë, i cili është përhapur shumë më vonë në vendet e tjera të Evropës e gjetkë!
Ja pra shpjegimi i emrit Pellazg dhe gjithë këto shënime rrjedhin nga studimet e mia dyzetvjeçare.
Me në fund duhet shënuar se Egjiptianët i quanin Pellazgët «Peleset, Peleshet» dhe Hebrejtë i emërtonin ata «Peleshtim». Me këtë emrin e fundit Hebrejtë emërtonin «Filistinët», popull pellazg i mirëfilltë. Fqinjët e Filistinëve (Pellazg), Hebrenjtë u kanë huazuar disa fjalë në gjuhën e tyre.
Së fundmi po shënoj se Armenët (popull që rrjedh nga «Frigjianët», një tjetër popull pellazg), kanë ruajtur një prapashtesë shquese «azg, azk», të cilin ata e përdorin për të emërtuar shtetasin e një kombi. Edhe një herë tjetër dhe me argumente të ndryshme mbërrijmë në të njëjtin përfundim: «Sh…pell…azg» e transformuar nga grekët në “Pelasg…os”.
EMËRTIMI GRAIKOS…GREK
Sipas disa autorëve, “Sellët”, priftërinj dhe interpretues të Zeusit pellazg të Dodonës, kishin fqinjë një fis pellazg i quajtur “Graikoi, Graikos” (Graeci, Graeki, Graii, Graiai) pra “adhurues të kultit të gruas plakë”; ka të ngjarë “perëndesha-Tokë” e Dodonës, e cila shfaqet në një formë të trefishtë: Greët që banonin në luginën e Aeropos. Këto “Greë” (pra “Gra, Gratë” shqip) të lindura (sipas legjendës) nga Forcis dhe Keto si dhe motra të Gorgonëve, ishin tre (Pefredo, Enio dhe Dino). Por Helenët më vonë do ta zëvendësojnë kultin matriarkal të “Grekëve” me atë të “Helles” patriarkal. Shumë gjëra pellazge kanë qenë të zëvendësuara (dhe të përziera) ashtu nga Helenët.
Aristoteli (384/322 para erës sonë), në librin e tij “Meteorologji”, (I, f.14), i vendos ata në rajonet e sipërme të Pindit, “në rrethinat e Dodonës dhe të Akelos”. Sipas atij, ky rajon kishte pasur një përmbytje të tmerrshme, atë të “Deukalionit” (si “Noeu” i Biblës). Por asnjë nga hulumtimet moderne, si ato arkeologjike dhe ato gjeologjike nuk kanë bërë të mundur të vërtetohet kjo legjendë dhe teza e Aristotelit: aty nuk është gjetur asnjë gjurmë përmbytjeje të madhe apo të vogël. Aristoteli mendonte se “Hellada më e lashtë ishte peri-dodoniane”. Por Straboni, i lindur në vitin 58 para Krishtit (III shekuj e ndajnë nga Aristoteli!), a nuk pohonte se Epiri ishte “me zanafillë pellazge”? Nga ana tjetër, Aristoteli nuk gabohet ndërsa pohon se Helenët ishin fqinjë të Sellëve (Selloi), priftërinjtë e famshëm të “Zeusit pellazg”. Ky emër, Selloi, a u shndërrua në Helloi (S=H)? Megjithatë është e pakundërshtueshme që kulti i “Greëve” (shqip: Grave!) u zëvendësua nga ai i “Hellës”. Ka të ngjarë që Aristoteli të jetë në zanafillë të ngatërresës, e cila vazhdon ende dhe që i nxirrte Helenët se vinin nga “veriu” (hipotezë krejt e panjohur nga autorët e lashtë, paraardhës të Aristotelit) i Greqisë dhe që historianët doktrinues të shekullit XIX dhe të fillimit të shekullit XX (doktrina naziste), kanë shkuar edhe më tej, duke mburrur zanafillën nordike të Dorianëve, “racë e bardhë, e kulluar, e disiplinuar, luftarake dhe e virtytshme!” Ndërkohë që këta nordikë ishin thjesht “Ilirët”, jo Helenët, të cilët kishin qysh nga kohë të kahershme, që banonin në këtë Veri të famshëm të Greqisë (jo të Europës veriore sikur e mendojnë disa)!
Ka shumë të ngjarë që “Graikoi apo Graikos” të rrjedhë nga emri i këtyre “Greë apo Graia”. Emri pellazgo-shqiptar grua do të jetë krijuar nga fjala “(n)garkoj” që do të thotë “le shtatzane” dhe “(n)garkua” = ngel shtatzanë. Kuptimi tjetër vetëkuptohet që është “ngarkoj”. Duhet shënuar që dialekti gegë i Shqipërisë veriore, ai që është më i afërt me pellazgjishten e lashtë, nuk e përdor bashkëngjitjen apo dyfishimin e bashkëtingëlloreve të ndryshme, krejt ndryshe nga dialekti toskë, i vendosur nën regjimin komunist (duke besuar se po bënin unifikimin e dy dialekteve si gjuhë letrare dhe zyrtare të Shqipërisë në 1972!) : “garkoï” (gegërisht garkoj) në vend të “ngarkoï” (toskërisht ngarkoj), apo “diq” (geg.) në vend të “vdiq” (tosk.), apo “maroï” (geg. maroj) në vend të “mbaroï” (tosk.), etj.
Vetëm pas kësaj shkëputjeje të ndikimit të kultit matriarkal, Helenët e braktisën këtë kult dhe morën përfundimisht kultin e tyre “patriarkal” (sistem semito-egjiptian), që u përhap pastaj në tërë Europën. Por këta “Graikoi/Graikos” ishin Pellazg të vërtetë dhe mbi të gjitha në lidhje të ngushtë me disa popuj të Italisë, të trungut pellazg (mesapët, Iapigët, Daunët, etj). E vërteta është se Romakët e përhapën (në shekullin e tretë para erës sonë), pa ndonjë qëllim hileqar, emrin Graikoi (Graeci, Graeki, Graiki, Graikos) në tërësinë e Helenëve, të cilët, përkundrazi, nuk e quajtën kurrë veten Graikoi por Helenë ! Romakët e përdorën përfundimisht këtë etnonimi të çuditshme për Helenët. Kjo është një nga paradokset e shumta të Greqisë antike!
E gjithë kjo ngatërresë është rezultat i kësaj fqinjësie të detyruar, të dyfishtë, si dhe për shkak të luftërave të pafundme (për marrje pushteti) midis njërës pjesë të Pellazgëve vendas dhe pushtuesve të parë Akenë, Danaenë (Egjiptianë) dhe Kadmenë (Fenikas), çka shkaktoi hap pas hapi shuarjen apo shpërndarjen e Pellazgëve, përpara kësaj pakice pushtuesish të rinj. Kjo ngatërresë ka ngjarë në kombe të tjerë: Emri Angli rrjedh nga “anglët” – popull gjerman; Egjipt, emër i krijuar nga Grekët, por Egjiptianët e quajnë vendin e tyre “Misr”; Gjermania (emër që përdorën të huajt), quhet nga populli “Deutschland” (Dojçlan); Shqipëria nga të huajt quhet Albania, Albanie, Alvania , etj, etj
……………………………………………………………..
(Ilustrimet janë të pashtriku.org, sh.b)