SALI ONUZI: ‘NJË DITË FESTE E PËRBASHKËT’, SPEKULLIMI DHE REALITETI

Tiranë, 27. 11. 2014 – (29 nëntori shqiptar i vitit 1944, dita e Ҫlirimit të Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë nuk ka të bejë fare me 29 nëntorin e Jugosllavisë, me të cilin posaçërisht e qëllimisht e ngatërrojnë disa. Më poshtë ju sjellë një pjesë nga libri im “Data e Ҫlirimit – 29 nëntor 1944”.) – Sipas z.Biçoku, caktimi i 29 nëntorit si festë kryesore e Luftës Nacionalçlirimtare dhe mos dhenia e ngarkesave maksimale 24 majit, “simotrës jugosllave të 29 nëntorit”, ish pjesë e planit që synonte bashkimin e dy vëndeve dhe humbjen e pavarësisë së Shqipërisë.(1) “Jo vetëm si episod historik përkujtimor, por edhe nga përmbajtja kryefesta e Shqipërisë ndryshonte thellësisht me atë të Jugosllavisë thotë z.Biçoku. 29 nëntori jugosllav përkujton si kryefestë etapat më të rëndësishme të vendosjes së regjimit komunist në atë vend. (Mbledhjen e II të AVNOJ-it të vitit 1943 dhe shpalljen e Republikës Komuniste më 1945), duke kaluar në plan të dytë datën e çlirimit, 20-tetorin. Kurse në Shqipëri, vijon z.Biçoku, ngjarjet analoge u vendosën sipas pozicioneve të kundërta të vlerësimit: Kongresin e Përmetit (24 maj1944)dhe shpalljen e Republikës (11 janar 1946) E.Hoxha i kaloi në plan të dytë në krahasim me datën e çlirimit, 29 nëntorin 1944, me qëllimin e mbrapshtë që, ashtu si ia kishte kërkuar Titoja qysh në nëntor të vitit 1944, vendi ynë të kishte me Jugosllavinë “një ditë feste të përbashkët”, siç ka shkruar vetë Enver Hoxha” (2) Më në fund z.Biçoku ka arritur të zbulojë diçka të saktë, që Enver Hoxha nuk i renditi festat e Luftës Nacionalçlirimtare të Shqipërisë sipas kritereve jugosllave. Hoxha vuri si “kryefestë”, ditën e Çlirimit, 29 nëntorin, ndërsa Titua vuri atë të pushtetit të ri komunist. Edhe ne jemi dakort me zotin Biçoku deri këtu dhe me të vërtetë e ka gjetur. Këtu, sipas zotit Biçoku del që Hoxha nuk i ka zbatuar urdhrat e Titos. Mirëpo zoti Biçoku na thotë se kjo ishte llogaritur në funksion të politikës së bashkimit dhe të humbjes së pavarësisë. Kjo nuk na bind. Po të ishte vënë si qëllim politik ky, i humbjes së pavarësisë, atëherë si mund të ishte më e përshtatshme data e një feste që u kujtonte shqipëtarëve çlirimin nga pushtuesit dhe fitoren sërishmi të pavarësisë së vendit. Po te ish për të zgjidhur si sajesë për bashkim, do të kishte qenë më e përshtatshme që të zbatohej kriteri jugosllav i vlerësimit parësor të festave të pushtetit, dmth i 24 majit dhe 11 janarit në Shqipëri, si 29 nëntori i Këshillit Antifashist Nacionalçlirimtar dhe ai i Republikës, në Jugosllavi, si pushtet “ i ri, i demokracisë popullore, të udhëhequr nga partitë komuniste”, që siç pohohej, po realizohej në dy vendet njëkohësisht. Pushteti “i ri” dhe ideologjia “e re” ishte ajo që theksohej nga liderët e të dy vendeve si bazë e proçesit të bashkimit.(shih “Marrëdheniet shqiptaro – jugosllave 1945-1948, dokumente, Tiranë 1996). Kështu bie poshtë “teza” sipas së cilës caktimi i 29 nëntorit si datë e çlirimit të jetë bërë për qëllimin politik të bashkimit.
Të shkojmë më tej. Meqë paskësh pasur një “porosi të Titos” për një ditë feste të përbashkët”, pse nuk u realizua caktimi i 29 nëntorit që në mbledhjen e 9 majit të Kryesisë së KANÇL ose të 22 majit të vitit 1945? Të ish kaq e pavëmendshëm dhe kaq e pakujdesshme udhëheqja shqiptare ndaj kërkesave “të shokut Tito”?! Së paku të mund të shtrohej për diskutim.
Si zor të besohet që të kish një porosi a “urdhër” jugosllav për një datë të përbashkët, të 29 nëntorit, dhe të mos vihej kjo as në projekt-ligjin që i paraqitej Kryesisë së KANÇL për diskutim në mbledhjen e 9 nëntorit që e kish këtë çështje në rend dite. Ose, të kishte një porosi të tillë dhe të mungonte në atë mbledhje miku më i madh i jugosllavëve, Koçi Xoxe (3), anëtar i Kryesisë së Këshillit ANÇL, ose të mos e merrte fare fjalën në mbledhje Enver Hoxha, po ta linte këtë në dorën e Ramadan Citakut.
Kështu pra, çlirimi më 29 nëntor nuk u zgjodh qëllimisht, por e solli Lufta. Nuk del të ketë pasur asnjë porosi a urdhër që Shkodra të çlirohej më datë 29, meqë ajo ish festa e Jugosllavisë! Këtë datë e solli Lufta dhe e mbushi realiteti i ri historik, çlirimi i Shkodrës. Ajo do të hynte kështu si një datë e madhe në kalendarin historik shqiptar, direkt nga Lufta e gjaku i Ushtrisë së tij Nacionalçlirimtare. Përpjekja për t’i hequr kalendarit historik shqiptar datën e 29 nëntorit 1944, meqë atë e paskan në kalendarin e tyre (1943 e 1945) dhe jugosllavët (gjë që ishte e drejta e tyre ta kishin ose jo), shpreh në të vërtetë një ndikim nga ky kalendar, jugosllav, shpreh një frikë e një trembje. Kjo do të thotë ta lesh datën tënde të kalendarit bosh, vetëm pse ka diçka në të tjetri.

– Ҫlirimi i Shkodrës, më 29 Nëntor 1944 –

Që 29 nëntori si ditë e çlirimit të Shkodrës nuk u shpik më 9 nëntor 1945 flasin edhe faktet e mëposhtëme:
Më 3 janar 1945, duke bërë bilancin e vitit 1944 ATSH( Agjensia Telegrafike Shqiptare) kujtonte se me 29 nëntor Radio Tirana transmetoi lajmin e çlirimit të qytetit të Shkodrës nga Ushtria Nacionalçlirimtare (4). (“Bashkimi” 3 janar 1945, fq.1)
Në një shkrim me titull “Brigadat që çliruen qytetet tona”, më 10 korrik 1945, gazeta e Ushtrisë “Luftëtari” në faqen 8 shkruan: “29 nëntor: i shkatërruar, i gjakosur e i dhjetuar, armiku grumbullohet në Shkodër; nën presione të Br.23, të 6 e të 3-të, i kërcënuar të rrethohet, tërhiqet me shpejtësi dhe forcat tona pas një përpjekje të shkurtër me praparojën hynë në Shkodër, duke çliruar kështu me fuqitë tona gjithë atdheun”. Duket se me të drejtë ky informacion ka shkaktuar reagime përsa i përket brigadave që kanë marrë pjesë në çlirimin e Shkodrës. Prandaj pas 10 ditësh “Luftëtari” boton një korrigjim, në të cilin vihen si pjesëmarrëse Br.XXII, XXIII dhe e VII-të. Këtë gjë gazeta në fjalë e përsërit edhe më 29 korrik, disa ditë më vonë. Siç shihet ndërsa janë kontestuar me të drejtë brigadat që kanë luftuar e çliruar Shkodrën, nuk është kontestuar fare, dhe me të drejtë, data e çlirimit të tij, 29 nëntori 1944. Gazeta “Luftëtari” ishte organ i Ministrisë së Mbrojtjes. Por as ajo, Ministria, as Shtabi i Përgjithshëm, por as nga Ushtria nuk është paraqitur ndonjë kontestim për datën e çlirimit të Shkodrës, ndonëse, kontestimi për brigadat, tregon se edhe kjo datë, 29 nëntori 1944, i eshtë nënshtruar një opinioni kritik në Ushtri, le të themi një lloj referendumi të heshtur. Siç është e njohur, në shtator 1945 gjimnazit të Shkodrës iu dha emri “29 nëntori” (“Rilindja Demokratike dt.23 tetor 1991 fq.3 shkrimi i F.Shkupit “Dy demonstrata të gjimnazit të Shkodrës 29 nëntori”)
Këto fakte, i festimit të 29 nëntorit si ditë Çlirimi të Shkodrës, i shpalljes së saj më 30 nëntor në Buletinin e Luftës ANÇl, i fiksimit të saj nga ATSH më 3 janar 1945, i shpalljes së saj tri herë, më 10, 20 e 29 korrik 1945 në gazetën “Luftëtari” i vënies gjimnazit të Shkodrës emri “29 nëntori”, dalin e teprojnë, për të vërtetuar bindshëm se kjo datë e kjo ditë nuk ishin lënë në harresë, siç thotë ndonjëri, dhe as nuk ishin zbuluar e nxjerrë në skenë befasisht më 9 nëntor 1945 për hir të jugosllavëve. Përkundrazi, sa kohë që nuk ishte shtruar çështja e shpalljes së 29 nëntorit ditë feste zyrtare, askush nuk kishte paraqitur për të ndonjë kontestim. Dhe kur u shtrua gabim nga B.Spahiu në mbledhjen e Kryesisë së KANÇL, që dita e indipendencës dhe e çlirimit të shpallej 28 nëntori kjo me të drejtë nuk u përkrah dhe nuk u pranua, madje nxiti edhe idenë dhe vendimin e shpalljes së 29 nëntorit, ditës së Çlirimit të Shkodrës e të gjithë Shqipërisë, si festë zyrtare. Pra është e qartë dhe e saktë se 29 nëntori nuk u sajua e nuk u krijua artificialisht më 9 nëntor 1945, ai kish qenë plotësisht i tillë që atë ditë, më 29 nëntor 1944 e më pas, deri sa, me të drejtë, u vlerësua dhe u shpall festë zyrtare.
Le të shohim më poshtë reagimin e zyrtarëve të lartë jugosllav ndaj caktimit të 29 nendorit si festë zyrtare. Është domethënës fakti që në vitin 1945 dhe 1946(5), si Tito ashtu dhe zyrtarë të tjerë, kryetari i presidiumit të Asamblesë Federative dhe kryeministrat e Republikave i bëjnë Enver Hoxhës telegrame urimi për 28 nëntorin si ditë e Flamurit dhe indipendencës dhe nuk ka asnjë telegram të tyre për 29 nëntorin si ditë e çlirimit të Shqipërisë. Përkundrazi, liderët e Bashkimit Sovietik, Stalini, Molotovi(6) dërgojnë telegrame urimi për 29 nëntorin, si ditë e çlirimit nga pushtuesit nazifashistë. Nuk ka , jo se nuk e dinin në Moskë se kur e kish Shqipëria ditën dhe festën e Pavarësisë, ashtu si në Beograd me siguri që e dinin se 29 nëntori ishte shpallur festë zyrtare si ditë e çlirimit të Shqipërisë. Madje bën përshtypje fakti se në telegramet e jugosllavëve për ditën e Flamurit as nuk përmendet “edhe dita e çlirimit” dhe në ato të sovjetikëve as që kujtohej edhe ajo “ e pavarësisë”.
Kjo ndarje ka pa dyshim një kuptim. Së pari, nuk vlen si fakt për të treguar se kjo, festa zyrtare e 29 nendorit, tu kish pëlqyer jugosllavëve. Për këtë flet edhe fakti se më 1945 dhe 1946 në Beograd, mbledhjet përkujtimore do të organizoheshin për 28 nendorin, (7) ditën e pavarësisë. Titoja dërgonte telegrame urimi për festën e 28 nëntorit, të shpalljes së pavarësisë më 1912, që njihej e dihej në të gjithë kanceleritë e Europës e Botës. Ajo synonte indirekt tu thosh shqipëtarëve, se ato, jugosllavet, njihnin Shqipërinë e 1912-1913-ës, me kufijtë e atëhershëm e të njohur, madje te caktuar nga Fuqitë e Mëdha. Çështja ish të shmangej Kosova. Më tej akoma: mosdërgimi i telegramit për festën e re të çlirimit dhe të rifitimit të pavarësisë në kohët më të fundit, linte të kuptohej se ata, jugosllavët ende nuk e kishin vendosur të ardhmen e Shqipërisë, për më tepër që më 1945-1946 ishin në diskutim rezultatet e Luftës së Dytë Botërore nga Fuqitë fituese të koalicionit antifashist botëror. Këto synime , ende të fshehura, duken kontradiktore me faktin që qeveria jugosllave ishte e para që kish njohur qeverinë shqiptare dhe kish lidhur me të marrëdhënie diplomatike që në maj 1945. Por ky veprim siç duket synonte për demagogji, opinionin ndërkombëtar, para të cilit ata hiqeshin si të drejtë e që respektonin lirinë dhe barazinë e popujve. Po në marrëdhënie direkte me Shqipërinë, Tito projektonte dhe zbatonte nënshtrimin e saj. Ngjarjet që erdhën më pas më 1946, 1947 dhe 1948 e vërtetuan këtë mësëmiri.
As më 1945, as më 1946 nuk pati nga jugosllavët telegram për festën e çlirimit! Duket se kjo i ka bërë përshtypje edhe lidërshipit të atëhershëm shqiptar. Prandaj Enver Hoxha, në telegramin e urimit që i dërgonte Titos për 29 nëntorin e tyre, të shpalljes së Jugosllavisë Republikë Popullore Federative, ia kujtonte dy herë (!) në një telegram, se në këtë ditë, më 29 nëntor, edhe populli shqiptar festonte ditën e çlirimit të tij nga pushtuesit nazifashistë (8). Por kjo asgjë nuk do të ndryshonte, jo vetëm për vitin 1946, por as për 1947(9), kur në telegramin e Titos është shënuar urimi për festën kombëtare (numri njëjes) , pa cilësuar 28 apo 29, pavarësisht se gazeta “Bashkimi” e botonte atë nën oklelion “urime për 29 nëntorin” si nevojë për opinionin e brëndshëm shqiptar.
Ndërsa për sovjetikët vlerësimi special i 29 nëntorit ( dhe harresa e 28 –ës) ishte dhe një sinjal për udhëheqjen shqiptare që ajo t’i jepte, siç edhe i dha, kësaj date, një kuptim “më të lartë”, si ditë e çlirimit nga pushtuesit dhe e fitores së revolucionit socialist, e pakrahasuar me ditën e shpalljes së pavarësisë së një shteti borgjez! Dhe në fakt udhëheqjes shqiptare kjo i pëlqeu. Prandaj më 1946 e më pas do ta festonte nën këtë vlerësim 29 nëntorin, si “festa më e madhe e popull tonë”(10) (“Bashkimi” datë 29 nëntor 1946, fq.1). Përmbajtja socialiste dhe revolucionare që iu dha 29 nëntorit nga 1946 e në vazhdim, deri më 1990 lidhet me kursin e ri të brendshëm të partisë komuniste të Shqipërisë për të zhvilluar transformimet me karakter socialist (qe bërë Pleniumi i 5-të i Komitetit Qëndror, përjashtuar S.Malëshova dhe shpallur armik)(11)lidhet me nevojën që kish udhëheqja e re e partisë dhe e shtetit për tu konsoliduar. Edhe ky argument politik, i rëndësishëm, madje themelor, nuk le shteg të mendohet se 29 nëntori të jetë caktuar e festuar për hir të 29 nëntorit jugosllav. Madje, siç thamë, këta të fundit u treguan indiferentë ndaj kësaj date shqiptare. Ndofta atyre edhe s’u kish pëlqyer, që në ditën e festës së tyre kombëtare, të 29 nëntorit, shqiptarët të mos kishin mendjen në Beograd, por të festonin një 29 nëntor të tyrin. Mund të ish parë edhe si karshillëk. “Ju shihni 28-tën” ish nënkuptimi i telegrameve të tyre.
Në faqen 22 të veprës së tij “historike” zoti Biçoku ka sjellë një “argument” me të vërtetë “tronditës”: ka “zbuluar” edhe një telegram të J.B. Titos dërguar Enver Hoxhës me 28 nëntor 1944 ku ai urdhëronte “Tani edhe festat do t’i kemi të përbashkëta”. Kjo nuk mund të mos e turbullojë lexuesin dhe ta shtyjë të hamendësojë sikur me të marrë këtë “telegram” E.Hoxha u çon fjalë, ta zëmë me radio, Dali Ndreut dhe Tahir Kadaresë që o të çlirohej Shkodra me 29 nëntor, o s’ka. “Me çdo kusht”, siç pat thënë për Tiranën. Këtë variant Biçoku dhe komisioni i tij nuk e pranojnë. Ata kanë”zbuluar” se UNÇSH e paskish çliruar Shkodrën më 28 nëntor 1944, ose Shkodra ish çliruar, vetëçliruar, në atë datë, por Enver Hoxha, meqë kish marrë telegramin e Titos, nuk e pranoi dhe e anulloi. Ra në mendime gjatë vitit 1945 dhe gjeti datën 29 nëntor të mbledhjes së dytë të KANÇL të Jugosllavisë në Jaicë me 1943 dhe “urdhëroi” që Shkodra të shpallej e çliruar më 29 nëntor. Ose varianti tjetër i Zt.M.Belegu: Hoxha e la në heshtje qëllimisht datën e çlirimit të Shkodrës deri në mbledhjen e 9 nëntorit 1945 dhe aty me një pushim 5 minutësh nxiti Ramadan Citakun “agjent” i Titos që ky të propozonte 29 nëntorin si ditë çlirimi dhe si festë zyrtare. Do s’do lexuesi, ai duhet t’i besojë këto, sepse na qenkësh TELEGRAMI i 28 nëntorit 1944 që Titua i paskësh dërguar Hoxhës.
Meqë telegrami në fjalë është baza e këtyre hamendjeve, le të shohim vetë telegramin. Ku është ky? Zoti Biçoku na jep një burim, gazetën “Rilindja Demokratike” të datës 25 nëntor 1993. Dhe me të vërtetë “RD” e datës 25 nëntor 1993 njofton për këtë telegram të Titos në një shkrim që ka botuar aty, zoti Uran Butka, anëtar i komisionit në të cilin thote: “Kapak për këtë qe telegrami i Titos dërguar Enver Hoxhës me rastin e 28 nëntorit 1944 “tani edhe festat do t’i kemi të përbashkëta”. Këtu, thotë Butka, e gjen shpjegimin e parë pse u caktua 29 nëntori si ditë e çlirimit të Shqipërise”.
Këtij burimi zoti Biçoku i ka besuar plotësisht dhe e ka përdorur si argument bazal në librin e tij dy herë, në faqen 22 dhe në faqen 28. Një historiani kjo nuk mund t’i lejohet që të mbështetet, pa verifikuar, në një shkrim gazete, për më tepër kur nuk jepet as burimi i dokumentit, i telegramit të Titos për Hoxhën. Mirëpo z. Biçoku as nuk e shkon nëpër mend të dyshojë tek vërtetësia e “telegramit”që bën publik z.Butka dhe boton “Rilindja Demokratike”
Por atë që se bën z.Biçoku e bën vetë z.Butka: 8 vjet më vonë, në vitin 2001 në paradhënien e tij për librin e z.Biçoku “28 nëntori dita e çlirimit të Shqipërisë”, fq.6, ai ia ndërron datën dhe vitin e telegramit “bombë” dhe shkruan: “Telegrami i Titos drejtuar Enver Hoxhës më 29 nëntor 1946 se tani edhe festat do t’i kemi të përbashkëta, është tepër domethënës”. Pra nga 28 nëntori i vitit 1944 më 29 nëntor 1946, do të thotë që Butka e shtyn dy vjet dhe 1 ditë datën e këtij “telegrami” enigmatik.
Më e bukura është se këtë “rivënie në afat”, këtë shtyrje afati, nuk e ka vënë “re” fare zoti Biçoku, i cili nuk e ka korrigjuar hiç shënjëstrën e topit të tij “telegram” por e ka lënë po në atë datë “28 nëntor 1944”! Dhe nuk kish si ta korrigjonte: ky “telegram” fantazëm i Titos për Hoxhën është gur themeli për veprën e tij “historike” Po të hiqte këtë, çfarë do të mbetej, do t’i shëmbej gjithë “godina”. Prandaj e ka lënë: lexuesi, e shikon, se shikon. Sa telegrame venë e vijnë!
Megjithatë, duke dyshuar mos është bërë ndonjë gabim tipografik ne vazhdojmë kërkimin tonë në arkiva e biblioteka dhe nuk na del të ketë patur fare telegram të Titos më 28 nëntor 1944. Prandaj edhe zoti Butka ka hequr dorë nga kjo datë. Po më 1946? Ka patur, ja dhe përmbajtja e tij e botuar që atëherë në gazetën “Bashkimi”12)
T E L E G R A M
Kryetarit të Qeverisë të RPSH
Gjeneral-Kolonel Enver Hoxhës
Tiranë

Në emër të Qeverisë Federative Popullore të Republikës Jugosllave dhe në emrin tim ju dërgoj juve e nepermjet jush popullit shqiptar heroik dhe paqedashës urimet më të përzemërta me rastin e festës kombëtare të Republikës Popullore të Shqipërisë, Festës së Flamurit.

Kryetari i Qeverisë i RPF të Jugosllavisë
Dhe Ministër i Mbrojtjes Kombëtare
Marshall i Jugosllavisë

Josif Broz Tito
Siç shihet, nuk del që Tito t’i ketë vënë në telegram ato fjalë që i ka vënë zoti Butka, pas 55 vjetësh. As më 1945, as më 1947 nuk del të ketë telegram të Titos me fjalët e Butkës që ai ta ketë dërguar në Shqipëri për festat e nëntorit. Më 1948, jo se jo, nuk vlen as të kërkohet, pse “miqësia” shqiptaro-jugosllave kishte marrë fund.
Në të vërtetë, siç kemi shënuar më lart, në vitin 1946, në telegramin që Enver Hoxha i dërgonte Titos për 29 nëntorin, festën e tyre të Republikës, pasi i kujton dy herë rrjesht se sot edhe populli shqiptar feston ditën e çlirimit të tij nga pushtuesit nazifashistë, i shkruan “Prandaj, sot në këtë ditë feste të përbashkët populli shqiptar brohoret për miqësinë, për vllazërimin dhe aleancën tonë të pathyeshme, brohoret për popujt e dashur vëllezër të Jugosllavisë së re, brohoret për ju, zoti Marshall, miku i dashur dhe i shtrenjtë i popullit tonë”. (13) Po tani jemi më 1946, dy vjet pas vendosjes së 29 nëntorit në Shqipëri si festë Kombëtare dhe shkruhej në një telegram që i bëhej Titos për 29 nëntorin e tyre. Është zor të nxirret prej tij argumenti se 29 nëntori, ishte caktuar posaçërisht “për të përkuar e bashkëjetuar me 29 nëntorin e jugosllavisë dhe për të eklipsuar 28 nëntorin dhe çështjen tonë kombëtare” (“RD”, 25.11.1993, fq.6)
Për ne është e qartë “telegrami” i Titos për Enver Hoxhën me përmbajtjen që shkruan Butka dhe Biçoku është një fantazëm, një spekullim për histori të paqëna.
Ketij argumenti, ne nje forme tjeter, I eshte kthyer edhe Vasfi Baruti.Ky vertete nuk flet per nje telegram te Titos te vitit 1944,por “intepreton” nje urim te ketij te fundit dhene nepermjet radios “Jugosllavia e Lire “,ne ate date,duke e plotesuar me citime lloj-llojesh te mevonshme.
Ky urim I Titos eshte botuar ne Buletinin e Luftes Nacionalclirimtare te dates 17 dhjetor 1944. Ja pjesa me e rendesishme e tij qe boton Buletini I mesiperm:
“…Populli juaj heroik bashke me ushtrine…sot pergatitet te kremtoje festen si shenje e çlirimit te mbare vendit nga zgjedha e fashizmit,si shenje e çlirimit final nga reaksioni dhe shtypja.Festa juaj popullore do te jete dhe festa e popujve tane.Rrofte aleanca e pazgjidheshme e Shqiperise e Jugosllavise.Joseph Bros-Tito.”
Baruti menjehere shqetsohet : “ç‘fshihej ne pjesen e pabotuar?” dhe kete e ploteson vete duke marre nga shkrimi I Buletinit I tri diteve me pas ( date 20 dhjetor) shkruar ne pergjigje te mesazhit te Titos ,fjalet : ,, . sot gjithçka e kemi te perbashket” . Keto, konkludon Baruti “ nuk mund te mos ishin domethenese e me kerkesa per refleksion te mevonshem” ( “ 28 nentori I trete” f.13)
E cili ishte “reflektimi” ?. Me 9 nentor 1945 kryesia e KANCl cakton 29 nentorin dite te cilirimit te Shqiperise dhe me 29 nentor 1945, pas njezetditesh Skupshtina popullore e Jugosllavise cakton 29 nentorin feste zyrtare te republikes se Jugosllavise. Keshu del qe Titoja e mbajti fjalen e urimit te tij se “Festa juaj popullore do te jete dhe festa e popujve tane”. Del ,qe jo shqiptaret, por jugosllavet e paskeshin caktuar festen sipas shqiptareve.Ne te vertete eshte e zorshme te nxjerresh kerkesa dhe urdhera per data konkrete nga keto mesazhe urimi,per me teper, qe siç e kemi pare ,Tito as nuk dergoi telegram urimi ndonjehere per 29 nentorin deri ne vitin 1948. Gjithnje uronte 28 nentorin, festen e Flamurit,dhe kjo mesiguri qe kishte nenkuptimin e vet,Shqiperine e kufijve te vitit 1913.
Baruti e ndjen dobësinë e “argumentit“ te vet,por…nuk heq dorë prej tij dhe përpiqet të na” bindë “ se “ nuk ka vlerën e argumentit fakti se 29 nëntori në Shqipëri u vendos gati tri javë më parë se në Jugosllavi,prandaj nuk mund te shihet ndonjë lidhje për të patur 29 nëntorin festë të përbashkët”.Për t’ia arritur kësaj Baruti kurdis dhe hamendëson punën e diplomatëve jugosllavë në Tiranë,pa sjelle asnjë dokument ,asnjë të dhënë.Lexuesi e ka të vështirë të kuptojë pse jugosllavët do të pelqenin që Shqiperia të kishte të njëjtën datë si Jugosllavia per festë kombetare. Eshtë më e pranueshme, më e kuptueshme, sic thote populli, më afër mendsh, që kjo të shihej si karshillëik shqiptar. Edhe në marrëdhënjet e thjeshta, miqësore, njerëzore,caktimi i dasmës nuk bëhet në datën e dasmës së mikut. Shprehja “ festë e përbashkët” nuk nënkupton doemos edhe datë të përbashkët për festën, sic e paragjykojnë me naivitet ithtarët e saj.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura