Tetovë, 09. 01. 2015 – (Agim Vinca, Feniksi, (poezi, ribotim) Botues: Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës, Prishtinë, 2014) – “Feniksi” poetik i Agim Vincës nuk është simbol mitik universal, por simbol mitik nacional i sakrificës, ringjalljes, origjinës, identitetit dhe i rinisë poetike vinciane. “Feniksi” poetik i Agim Vincës e ka kuptimin e forcës së pronësisë tokësore, sepse ai me trollin ka pirë gjak: “Dhe vargu im s’gjezdis në qiell / se unë me trollin kam pirë gjak,/ në gurë e plisa jam dashuruar;/ Njeriut s’i kam hyrë kurrë në hak.”(Në vend të biografisë), fq. 21. E ka kuptimin e shprehjes së bukurisë e të urtësisë kuptimore poetike. E gjithë kjo shihet dhe vërehet që në poezinë e parë “Në vend të biografisë” dhe ciklet në vijim. “Feniksi” i Agim Vincës është i vërshuar me ndjenja dhe përjetime të së vërtetës etnike e kombëtare që japin dhe shprehin poetikisht vërejtje për të shkujdesurit. Këto nuk janë poezi elokuente, të rimuara, retorike, të stërholluara, e magjike që shkaktojnë tollovira në kokat e lexuesve, për shkak se poeti nuk e ka qëllim kryesor metrikën e jashtme poetike, por ritmin e kuptimësisë së mbrendshme të frymezimit poetik. Subjekti kryesor i frymëzimit poetik është i lidhur ngushtë me vendlindjen, tokën, atdheun dhe kombin e vet. Përmbledhja poetike e ribotuar “Feniksi” 2014, është ndarë në pesë motive ritmike (ciklike) poetike:
1. FENIKSI – motive ritmike gjykuese poetike feniksiane; “Dhe u sulën mbi Feniksin e urtë/ tufanet, korbat, uria./ E rrahën, e kepën, e molisën/ dhe mortja përmbi i qëndroi,/po ai prap fluturoi.” (Feniksi përsëri fluturoi), fq. 27.
2. ANËS LIQENIT – motive ritmike vepruese poetike feniksiane; “Anës liqenit qëndron ai shkëmb,/asgjë se tremb, asgjë s’e shemb./ E rrahin dallgët, e rreh duhia,/e lagin shirat, e lag stuhia/ dhe erozioni dimër e verë/ shkëmbit të ertë i qaset në derë.”,(Anës liqenit) fq.41.
3. PËRDERËSI I DASHURISË – motive ritmike rinore poetike feniksiane;”Të kujtohet, e dashur/ ajo mbrëmje vjeshte,/ajo mbrëmje e lagësht/ (shiu sapo kish pushuar/ kur zbritëm nga autobusi),/ të kujtohet?”, (Histori zemrash), fq. 53.
4. DY POEMA – motive tingëlluese poetike feniksiane, njëra poemë për vendlindjen e poetit: “Vargje për Veleshtën”, fq. 65, kurse tjetra poemë për Kosovën:”Kosova në vitet shtatëdhjetë” fq. 74.”O Veleshtarë të mi,/ o vëllezërit e mi gjaknxehtë,/ deri kur për një shoshë misër/ deri kur për një duaj gruri,/deri kur për një copë arë,/ do t’ju shoh kryelidhur e ballëçarë?!” (poema “Vargje për Veleshtën), fq. 67, dhe “Vitet shtatëdhjetë./ Alarm!/ Deja, Ratkoceri, haxhinjtë,/ virusi/ Për të satën herë/ trokiti mordja te dera;-/ variola vera!” (Kosova në vitet shtatëdhjetë), fq. 74.
5. VJERSHA E NDALUAR, “LETËR VËLLAIT”- motive ritmike të ngujuara, të pa zëshme, të shtypura poetike feniksiane; “Përbuzja e budallenjve mos të t’lodhë aspak,/ as zëri i qenve që për një koc të thatë/çirren duke lehur.Të veshur në frak/ do ngordhin ata, nuk e kanë të gjatë.”(Letër vëllait) fq. 81. Optika apo orientimi poetik i Agim Vincës, së pari, ndiqet nga motivet gjykuese, vepruese e intuitive, e më pas, ndiqet nga ndieshmëria, perceptimi dhe shpërthimi poetik. Këtë e dëshmon, e vërteton edhe Dritëro Agolli në pasthënien e këtij libri: “Kjo poezi herë është meditative dhe herë shpërthyese, me metafora dhe epitete të kursyera, që pasqyrojnë një botë shpirtërore të efektshme”, (Poeti me identitet të palëkundur), fq. 87.
VJERSHA E NDALUAR- “LETËR VËLLAIT” KRYEFENIKSI POETIK
Vlera më madhe e ribotimit të përmbledhjes “Feniksi”, 2014, është poezia “Letër vëllait”, fq. 81. Poezi e cila mbeti enigmatike, e fshehur, dhe e censuruar nga redaktorët e recensentët, (botimi i parë “Feniksi”),1972, (si thotë Lasgush Poradeci:“Redaktorët tru-kokallë/ redaktojnë vjershëtorët,/Po më thoni cilët vallë/ readaktojnë redaktorët”). Lidhur me këtë poezi flet dhe autori i veprës Agim Vinca në librin “Arti i reagimit” në fq. 482-487, në shkrimin me titull: “Filozofi kallëzimtar”. “Thënë shkurt e troç, me dy fjalë: njeriu që e hoqi vjershën nga libri dhe, madje, pati “mirësinë” t’ua dorëzonte ata vullnetarisht njerëzve të Sigurimit Shtetëror, ishte kryeredaktori i njësisë punuese “Flaka e vëllazërimit: S.S.” (Fjala e botuesit), fq.91. Poezia “Letër vëllait”, 1972, e rahur, e djegur deri në hi, por kjo poezi pas dyzetedyvjetëve (2014), u ringjall përsëri, njësoj si “Feniksi” që “nëpër shekuj/ ka qenë, bashkudhëtar i stuhisë./ Fluturove edhe kur / krahët t`i patën prerë,/ diellin gjakoje/ e rreze kurrkund,/asnjë rreze për ty! / (mortja të kishte halë në sy)”, fq. 25.
Pajtohemi me thëniet e Dr. Sali Bytycit, në parathenien e librit i cili thotë: “Feniksi në poezinë e Agim Vincës metaforizon qenien shqiptare, e cila rilind pas shumë shekujsh të mbetjes së saj në harresë nën të huajt.” (Feniksi i ringjallur), fq. 7, njësoj sikurse poezia e mrekullueshme “Letër vëllait”, që rilindi pas dyzetedyvjetësh,”Të ëndërrova mbrëmë si një shkëmb graniti,/ në breg t`liqenit qëndroje vetmitar./ dallgët të sulmonin, thashë: vëlla, priti, / qëndro pamposhtur, ballëlart, krenar!”, fq.81.
Poezia e këtij mjeshtri të fjalës së bukur, qoftë për nga aspekti i frymëzimit, qoftë për nga aspekti përmbajtjesor mbështetet te realiteti jetësor, është letër dhe bisedë e dashurisë vëllazërore, së vërtetës nacionale, është dhuratë e shpirtit artistik. Këto shprehje poetike janë flakë që djegin “në çdo fjalë e varg e strofë të shkruar”, (Në vend të biografisë), fq.21, janë përplot me kuptime. Kjo është dhunti poetike për të përshpirtshmin Agim Vinca. Faleminderit shumë Prof. Dr. Agim Vinca për këtë libër me këto vargje të bukura!
Kontakti me autorin: [email protected]
…………………………………………
Prishtinë, më 23 dhjetor 2014: në ambientet e Bibliotekës Kombëtare të Kosovës u promovua libri i ribotuar nga Këshilli i Rinisë Evropiane të Kosovës – “Feniksi” i autorit Dr.Agim Vinca.