Prishtinë, 11. 02. 2015 – Tek ne akademikët gëzojnë privilegje të mëdha ndërkohë që as për së afërmi nuk e kryejnë detyrën që ju takon. Në vend se t’i bashkojnë forcat krijuese e intelektuale dhe të hartojnë një platformë për avancimin e interesave kombëtare, akademikët tanë grinden mes veti për interesa personale. Gjithë këto të këqija që po i ndodhin kombit tonë në këto ditë të vështira do të duhej t’i shqetësojnë në radhë të parë akademiket dhe të paktën të dalin me ndonjë reagim “akademik”. Përfaqësuesit tonë politik por edhe ata akademik, janë bërë peng i vetvetes, peng i interesave të ngushta, duke mos arritur të bëjnë paqe mes veti as kur kemi të bëjmë me çështje madhore.
***
Shumica e shqiptarëve janë të gatshëm të braktisin Kosovën. Kjo dukuri ka qenë edhe përpara ndonëse jo kaq e theksuar. Shqiptarët kanë pasur shumë arsye për ikje. Ju kujtohen ikjet e tmerrshme të largimit të shqiptarëve nga Shqipëria drejt brigjeve të Italisë, dëbimet e dhunshme të shqiptarëve nga hordhitë serbe në vitin 1999…
Varfëria në radhë të parë, papunësia e madhe, kanë bërë që të akumulohet pakënaqësia dhe të eksplodojë atëherë kur më së paku pritej. Këtë radhë si shkas ishte deklarata e Jabllanoviçit dhe qëndrimi konfuz i qeverisë lidhur me të ardhmen e Trepçës.
Akademikët grindavecë që heshtin për zbrazjen e Kosovës,
e grinden për interesa personale!
*******
Shqiptarët nuk arritën të kenë një ideal, ku do të bashkoheshin dhe do të mbroheshin, pikësëpari nga vetvetja, mandej edhe nga të tjerët. Nuk e di, ndoshta sundimet e gjata, duke na detyruar jetojmë një jetë ekstreme, prodhuan njerëz ekstrem, politikanë ekstrem, media ekstreme, krijues ekstrem. Krijuan një gjendje të çuditshme, që vlen t’i bëhet një analizë më e thellë.
Ne shqiptarët mburremi me besën, por besa nuk është ideal. Vijmë nga një traditë e lashtë me një të kaluar të pasur gjatë gjithë periudhave të historisë. Kemi jetuar të shpërndarë, por ëndrra dhe shpresa na kanë mbajtur të gjallë. Gjithashtu edhe lidhja e fortë e gjakut na ka ndihmuar të mbijetojmë, por për fat të keq ideali i përbashkët na ka munguar.
Popujt e ndryshëm gjatë shekujve janë përballur me vështirësi të mëdha. Kam përshtypjen se popullit tonë shqiptarë në tërë gjeografinë etnike shqiptare, duke u nisur nga Shqipëria, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi, Lugina e Preshevës e deri në Çamëri, po i përsëritet historia.
Të gjithë popujt e lashtë kanë pas ideale. Po i veçoj hebrenjtë, të cilët kanë qenë të shpërndarë në gjithë botën gjatë 20 shekujsh, por ishin ngushtë të lidhur me njëri-tjetrin nëpërmjet një libri të quajtur Talmud. Falë lidhjes shpirtërore me këtë libër që ata e konsiderojnë të shenjtë, hebrenjtë arritën që pas 2000 vjetëve të bëjnë shtetin e tyre.
Për dallim nga hebrenjtë, ne shqiptarët, për fat të keq nuk kemi arritur të krijojmë një strumbullar rreth të cilit do të bashkoheshim për një ideal. Ne jemi një popull i mësuar të jetojmë duke ëndërruar e fantazuar, pa një ideal të përbashkët rreth të cilit do të bashkoheshin politikanët, biznesmenët, krijuesit…
Kemi një vend të mrekullueshëm me plotë jetë dhe të mira të pafund, me plotë diell e det, hidroenergji, pasuri nëntokësore e mbitokësore, male e fusha pjellore, të mbushura me plotë shpirt. Këtë përshkrim e kanë bërë dhe përjetuar si të tillë rilindësit tanë, të cilët ndonëse kanë jetuar në rrethana shumë më të pa favorshme, kanë ditur ta duan e ta ndihmojnë Shqipërinë duke i përdorur të gjitha format e mundshme. Një shqiptar që gjendet në mërgim më së miri mund ta kuptojë këtë gjendje.
Tek ne akademikët gëzojnë privilegje të mëdha ndërkohë që as për së afërmi nuk e kryejnë detyrën që ju takon. Në vend se t’i bashkojnë forcat krijuese e intelektuale dhe të hartojnë një platformë për avancimin e interesave kombëtare, akademikët tanë grinden mes veti për interesa personale. Gjithë këto të këqija që po i ndodhin kombit tonë në këto ditë të vështira do të duhej t’i shqetësojnë në radhë të parë akademiket dhe të paktën të dalin me ndonjë reagim “akademik”.
Përfaqësuesit tonë politik por edhe ata akademik, janë bërë peng i vetvetes, peng i interesave të ngushta, duke mos arritur të bëjnë paqe mes veti as kur kemi të bëjmë me çështje madhore.
Është momenti i fundit që krerët politikë e akademikë të bëhen bashkë në mënyrë që të na e rikthejnë ëndrrën tonë, dinjitetin tonë, dhe krenarinë tonë njerëzore e kombëtare.
Frika nga varfëria, kanosja e rrezikut të sigurimit të ekzistencës, kam përshtypjen se na kanë bërë që të egërsohemi, të bëhemi të padurueshëm, të dëshpërohemi edhe nga më të afërmit tanë. Pamjet tronditëse të atyre që çdo ditë po i braktisin vatrat familjare, janë një pasqyrë poshtëruese të cilën nuk do t’ia kisha dashur kurrë popullit tim. Tokat shqiptare po zbrazën, akademikët po flenë. Mjerim, mjerim, mjerim!
*) Autori është publicist dhe Ambasador i Paqes Globale. Kontakti me autorin: [email protected]
…………………………………………………………..
(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org, sh.b)