Pashtriku.org, 18. 03. 2015 – Është i njohur dhe më së i komentuar kryeartikulli i numrit 1 1897 të “Albania”-s “Armiqtë e Shqipërisë”, shkruar nga djaloshi 21-vjeçar, Faik Konica, artikull që vë gishtin në plagë, açik dhe me guxim të paparë: “Armiqtë e Shqipërisë janë shqiptarët!”, – thotë Konica prerë, me gjakftohtësinë dhe qetësinë e tij olimpike, pa lulka retorike e patriotizëm të shtirë. Janë shqiptarët, sepse vetë ata janë përgjegjës edhe sot e kësaj dite që Shqipëria vazhdon të renditet ndër kombet e fundit në Evropë. Veçse ky pohim tronditës konician, që i vesh shqiptarët me përgjegjësi të rëndë historike e aktuale, shfaqet edhe në shkrimin e mëposhtëm firmosur me pseudonimin Rrapo Palla, shkrim ky i pabotuar në veprat e Konicës. Ndjejmë në shkrimin “Të vijmë ndër mend” zërin tronditës të Faikut për t’i zgjuar shqiptarët nga gjumi i rëndë shumëshekullor i pushtimit, por edhe i prapambetjes, për t’i shkundur që të vijnë në vete, të ndërgjegjësohen për fatet e tyre dhe fatet e vendit. Sot, pas 118 vjetësh kur Faiku lëshoi nga zemra e tij këtë thirrje kreshniku, kaq aktuale dhe kaq e domosdoshme, nuk ka si të mos nxjerrim mësimet e duhura, pas tërë atyre zezonave që kanë përpirë breza të tëra shqiptarësh e që kulmuan me atë vit të mbrapshtë ’97, viti i qoftëlargut, që veshi shumë nëna me të zeza. Sot njeriu i thjeshtë shqiptar, i sfilitur nga prapambetja dhe politika klanore antikombëtare, nga politika populiste e rrugës që bën viktima të pafajshme, si dhe nga thirrjet që nxisin dasitë fetare e krahinore, i thotë Ndal! njëherë e mirë çdo spekulimi “në emër të sovranit”, çdo spektakli tragjiko-komik të parlamentit shqiptar, çdo ulërime “të të fortëve” që kërcënojnë si përherë për gjëma dhe tronditje themeli të botës shqiptare. Le t’i vëmë veshin Konicës gjeni, që mbetet përherë aktual, me largpamësinë e tij madhështore.
TË VIJMË NDËR MEND!
Nga Faik Konica
Për fat të keq, aq liksht gjenden shqiptarët sot, sa janë bërë për t’u qarë; e keqja më e madhe është se as që kanë nisur të mendohen se ç’duhet bërë e të përpiqen të vënë në udhë të mbarë punërat e tyre.
Shumë duhet të punojmë ne shqiptarët sot, dhe sa më shpejt; po më parë nga të gjitha, të shëndoshim dashurinë dhe vëllazërinë në mes tonë; ndarja dhe armiqësia, që na kanë sjellë besimet [fetare], të lipsen; errësirën e padijes – e cila na ka verbuar aq sa të mos mund të njohim të mirën tonë, por të vimë në këtë ditë si mos më keq -, të përpiqemi ta shpërndajmë, që të hyjmë edhe ne në rrethin e kombeve të ndritura. Ç’ka të bëjë myslimanëria apo krishterëria me shqiptarërinë? Myslimani le të mbetet mysliman, i krishteri, i krishter. Po Shqipëria është e të gjithëve ne, dhe të gjithë e kemi për detyrë të mendohemi e të bëjmë si është më mirë për të. Nuk do të na çalojnë (cenohen) besimet në të cilat besojmë gjithësecili, por të vimë ndër mend dhe të qëllojmë më thellë (të synojmë më larg). Nuk e dimë me sa lloj besimesh janë ndarë Inglizët, Hungrët e të tjera kombe. Po fare s’i ka ndalur besimi që të bëhen si janë sot. Helvecianët (zviceranët), të cilët, përveç besimeve, përbëhen edhe nga tri farë kombesh dhe gjuhërash, janë burra me mend e me dëshirim për dheun e tyre dhe, përpara Helvecisë, çdo gjë tjetër e lënë mënjanë; dhe kur është fjala për atë, të gjithë si vëllezër përpiqen, e po ta dojë puna, hidhen edhe në zjarr, se nuk ka gjë më të shtrenjtë e më të dhembshur se mëmëdheu. Po ne shqiptarët, që kemi të gjithë një gjak dhe flasim të gjithë një gjuhë, mbetur nga të lumturit stërgjyshërit tanë, përse nuk bëjmë dhe ne kështu? Gjer kur do ta lëmë të mjerën Shqipëri në këtë ditë të zezë që gjendet sot? Është nevojë e madhe [e domosdoshme], sot më tepër se kurdoherë, të punojmë shumë, se vetëm ne kemi mbetur, nga gjithë kombet e Europës, pa dritë, pa shkolla për gjuhën tonë, robër të njerëzve të huaj dhe të politikës së tyre të paudhë, të atyre që duan dhe mundohen të na fshijnë nga faqja e dheut.
Disa njerëz të politikës kanë zënë të besojnë dhe kanë shkruar se ne shqiptarët nuk do të arrijmë të bëjmë një komb; përse kaq lehtazi na e paskan prerë këta për vdekje? Sepse na vështrojnë të ndarë, pa mendje për Shqipëri, trima t’u shërbejmë qëllimeve të të huajve dhe të dobët për punërat tona.
Errësirë e padijes na i ka prurë të gjitha këto të këqija. E vërteta është se kemi shumë armiq, po më i madhi e më i keqi armik i Shqipërisë është vetë shqiptari; dhe, në jemi mbajtur gjer më sot, e quhemi akoma shqiptarë, (kjo sepse) na ka mbajtur flaka e trumërisë, e nderit dhe e zakoneve të shenjtëruara që na kanë mbetur prej stërgjyshërve tanë.
Shqipëria do dritë; të hapim shkolla shqipe nëpër tërë Shqipërinë, që vegjëlia të mësojnë në gjuhë të tyre; të mos presim të vijnë të huajt të na mësojnë dhelpëritë e tyre për dëmtim dhe për humbjen e mëmëdheut tonë. Do bëjmë siç kanë bërë e bëjnë gjithë kombet e qytetëruara. Është detyrë e gjithë shqiptarëve të përpiqen për këtë punë të shenjtëruar. Disa thonë se forca dhe intrigat e armiqve që kemi përreth na pengojnë të bëjmë gjë të mbarë për ne. Nuk është e vërtetë, nuk! Dhe e them me zë të lartë: ne nuk duam, ne po flemë gjumin e vdekjes dhe vetë e kemi fajin. I pavdekuri vjershëtor, me shumë të drejtë ka thënë për shqiptarët: Kur ka pasë lidhë besë burrë i Shqipërisë, / I ka pasë shti dridhjen gjithë Rumelisë.
Kemi përpara syve kombe më të dobta në fuqi dhe më të pakta në numër se sa ne, të cilat kanë bërë punëra më të mëdha, duke pasur bashkim mes tyre dhe dashuri për mëmëdheun, për mbarësinë e tij.
Nuk na ka mbetur më kohë për fjalë; duhet punë. Apo mos nuk ka ardhë ende koha që të njohim të mirën tonë e të mendohemi ne vetë për ne (për vetvete)? Ç’presim? Apo presim prej të huajve gjë të mirë për ne? Jo, asnjë s’na do të mirën dhe mbrodhësinë tonë, asnjërit s’i dhembset për ne; të gjithë armiqtë, me dhelpëritë e tyre kërkojnë të na copëtojnë dhe të na shuajnë.
Shqiptarë nga të gjitha anët! Mëma jonë e dashur Shqipëria, s’mund të durojë më kaq të këqija. Të lidhim besa-besën, të luftojmë për të drejtat dhe për nderin e Shqipërisë dhe t’u tregojmë të huajve se rrojmë e duam të rrojmë me nder në vendin tonë, në atë vend ku stërgjyshërit tanë kanë qëndruar në jetëra. (Materiali u përgatit për botim nga Monet Maneshi)
Faik Konica (1875 -1942)
========================================
Faik Konica – Një jetë për Shqipërinë – Dokumentar nga Ilir Ikonomi.
…………………………………………………………..
(Ilustrimet i përzgjodhi editori i pashtriku.org, sh.b)