Prishtinë, 04. 04. 2015 – Për demonstratat e pranverës së vitit 1981 është shkruar shumë. Ka pasur analiza nga më të ndryshmet. Janë vlerësuar në mënyra të ndryshme nga pjesëmarrës, organizatorë të demonstrative dhe nga analistë të shumtë. Për këto demonstrate kanë folur dhe shkruar edhe politikanë të kohës dhe nga ata të tashëm. Shumë aspekte të këtyre demonstrative janë analizuar ,shoshitur dhe zbërthyer. Kanë mbetur disa aspekte ende pa u zbërthyer e të cilat, ndoshta, do të zbërthehen vetëm kur të përfundojnë proceset integruese shqiptare.
Pas pushimit disa vjeçar, nga viti 1968, rinia e shëndetshme studentore përsëri u vu në ballë të lëvizjes së çështjes shqiptare në ish-Jugosllavi, me demonstrata të fuqishme të mars-prillit të vitit 1981. Studentët dhe mbarë rinia demonstruan fuqishëm për të drejtat e tyre studentore por edhe kundër shtypjes kombëtare dhe shfrytëzimit të egër kolonialist të Kosovës nga Serbia dhe mbarë ish-Jugosllavia. Menjëherë pas demonstratave të 11 dhe 26 marsit,udhëheqja e atëhershme politike e Kosovës, duke u frikua se këto lëvizje do të bëheshin masive dhe do të merrnin karakter kombëtar, u vunë në lëvizje, duke u shpërndarë nëpër lokalitete dhe sidomos nëpër kolektive punonjëse, me qëllim që të dënohen këto demonstrate dhe të binden qytetarët se këto kanë qenë të organizuara nga ata të cilët nuk ia duan të mirën Kosovës. Sidomos i frikësoheshin klasës punëtore.
Për këtë qëllim, më 31 mars 1981, vjen Zeqir Robaj (në atë kohë Kryetar i Këshillit Ekzekutiv në komunën e Prishtinës) në minierën e qymyrit në Bellaqevc (tani Bardhi i Madh). Në sallën e madhe të punëtorëve e mbajti një fjalë rasti ku, ndër të tjera, tha se këto protesta (duke dashur t´i minimizojë demonstratat) i ka organizua Rusia, prandaj janë të huajat dhe nuk duhet të përkrahen. Bile tha se ato, tanimë, janë zvetënuar dhe janë shuar vetvetiu. Një minutë pas mbarimit të fjalës së tij erdhi dikush nga Kastrioti (ish-Obiliqit) dhe tha se nxënësit e shkollës së mesme (e cila ishte nën administrimin e Elektro-ekonomisë) janë çuar në demonstratë. Dhe menjëherë u hodh poshtë fjala e të dërguarit nga kryeqyteti.
Të nesërmen e asaj dite, pra më 1 prill 1981, në minierën e qymyrit në Bellaqevc, nga kjo minierë furnizohen me qymyr termocentralet e Kosovës B, në turnin e parë u ndal puna në shenjë përkrahjeje të demonstratave të studentëve. Edhe sot, pas 34 viteve, nuk e dimë se si dhe kush e organizoi këtë ndërprerje të punës në minierë. Por një gjë dihet. Shumica e studentëve dhe rinia ishin djemtë dhe vajzat e këtyre punëtorëve të palodhshëm, të cilët punonin me përkushtim për furnizim të termocentraleve tona me qymyr. Atë kohë termocentralet e Kosovës A dhe B e furnizonin tërë Kosovën me energji elektrike-pra amvisërinë dhe tërë industrinë, duke patur parasysh edhe Trepçën, Feronikelin por edhe 100 Megavat dërgoheshin në Maqedoni. Atë ditë, më 1 prill 1981, nuk u prodhua asnjë gram qymyr. Nga tmerri që i zuri pushtetarët e atëhershëm për ndërprerjen e punës në objektin industrial më të rëndësishëm të kohës dhe nga frika se do të zgjerohej ndërprerja e punës në tërë punëtorinë e Kosovës, pushtetarët, menjëherë, i dërguan në minierën e Bellaqevcit titullarët më të rëndësishëm të Kosovës: Xhavit Nimanin (ish-kryetar i Kosovës), Fadil Çuranolli (ish-ministër i ushtrisë), Svetisllav Jakshiqin (ish-kryetar i Prishtinës) dhe disa përcjellës të tjerë. Pak para përfundimit të turnit të parë, në mes të orës 14 dhe 15, punëtorët u tubuan para drejtorisë së minierës ku Xhavit Nimani mbajti një fjalim të rastit, në të cilin i dënoi demonstratat e rinisë dhe i sugjeroi punëtorët që të fillojnë menjëherë nga puna. Fjalimi i tij ishte nën nivelin e duhur. Ishte i thatë, jo konkret dhe aspak bindës. Disa herë në fjalimin e tij përdori fjalë dhe shprehje sllave kinse për të qenë më i kuptueshëm për nivelin e punëtorëve, por ato shprehje i irrituan edhe më tepër punëtorët. Ndër të tjera ai tha se “…ju po lypni Republikë-ja po ua jap, në xhep e kam…”. Pasi situata u tendos edhe më shumë, të deleguarit shkuan. Ata u larguan pa shpresë se kanë ndikua sadopak tek punëtorët për të rifillua prodhimin dhe dërgimin e qymyrit në termocentrale.
Turma e punëtorëve nuk u shpërnda por aty pritën deri në orën 16. Tubimi i punëtorëve kaloi i qetë dhe pa incidente. Disa bashkëpunëtorë të ministrisë së punëve të brendshme tentuan ta destabilizojnë situatën dhe të fusin përçarje tek punëtorët, duke u treguar gjoja më ekstremistë dhe filluan të sulmojnë drejtorin teknik të minierës edhe fizikisht, i cili ishte serb. Por punëtorët me pjekuri politike iu larguan provokimeve,duke u shpjegua se protesta nuk bëhej kundër serbëve, por kundër politikës diskriminuese kombëtare të udhëheqjes serbe dhe jugosllave ndaj Kosovës.
Reparti i transportimit të punëtorëve organizoi disa autobusë më shumë për transportimin e punëtorëve nëpër lokalitete ku banonin ata. Punëtorët nuk deshën të shkojnë me autobusë, por pas orës 16.00 të gjithë u nisën këmbë nga Bellaqevci nëpër fshatin Hade, nëpër minierën e Mirashit, kah termocentralet e “Kosovës A” dhe në rrugën për në Prishtinë. Rrugës u bashkuan edhe punëtorët e minierës së Mirashit dhe të termocentraleve.
Ky rrugëtim i punëtorëve të Bellaqevcit u bë i njohur si “Marshi i Bellaqevcit”.Në rrugëtim e sipër, aty tek kodra e fshatit Shkabaj(ish-Orlloviqi), disa punëtorë e panë malazezin Dragan Çullafiq i cili supozohej se e kishte vra dëshmorin, Murat Mehmeti në demonstratat e 27 nëntorit 1968 nga ballkoni i ndërtesës së KEK-ut në qendër të Prishtinës. Punëtorët, nga zemërimi, deshën ta mbytnin Draganin por intervenuan punëtorët tjerë dhe u evitua vrasja e tij. Kur doli turma e punëtorëve në krye të kodrës (aty tek ish-kazerma e ushtrisë jugosllave), turma morri rrugën për në Arbëri (ish-Dragodani) që të shpie tek ish-ura e gurit mbi hekurudhë.
Në atë rrugë filluan të defilojnë autoblindat dhe tanket serbe duke iu kërcënua punëtorëve. Shpati mbi stacionin hekurudhor u nxi nga turma e punëtorëve shqiptarë të Elektroekonomisë. Punëtorët u lëshuan drejt stacionit hekurudhor dhe iu bashkuan demonstratave të fuqishme në qytetin e Prishtinës.
Ishin këto përleshjet më të ashpra mes demonstruesve dhe policisë që kishte parë ndonjëherë Prishtina dhe Kosova pas Luftës së Dytë Botërore. Demonstratat e një dhe dy prillit e dhanë një porosi të qartë për opinionin jugosllav dhe të jashtëm se më nuk bëhej fjalë për plotësim të kushteve studentore por fjala ishte për përmirësimin e një padrejtësie shekullore ndaj kësaj pjese të kombit shqiptar i cili kishte mbetur padrejtësisht jashtë kufijve të shtetit shqiptar. Aty u bënë përleshje të rrepta mes punëtorisë së Elektro-ekonomisë dhe policisë. Shteti dhe policia mundoheshin që të bëjnë të pamundur bashkimin e punëtorisë me studentët demonstrues. Kjo gjë nuk u shkoi për dore pushtetarëve dhe nga ajo ditë studentët dhe punëtoria u lidhën si mishin me thoin.
– Xhavit Nimani (1919 – 2000) –
Të nesërmen u bë e ditur se nga punëtorët e minierës së Bellaqevcit, midis shumë të tjerëve, ishte plagosur rendë edhe Qazim Franca nga fshati Qëndresë(ish-Tërsteniku) i Drenasit. Shumë punëtorë të nesërmen me 2 prill nuk kishin mundur që të paraqiteshin në punë për arsye të ndryshme: për shkak të plagosjeve, për shkak të arrestimeve nga policia, për shkak se atë natë nuk kanë mundur të shkojnë nëpër shtëpitë e tyre dhe për shumë shkaqe të ngjashme. Njeri nga të arrestuarit ka qenë edhe Ragip Binaku nga Prishtina i cili, edhe përkundër torturave që kishte përjetua në stacion të policisë, ishte mbajtur burrërisht.
Për pjesëmarrjen e punëtorisë Kosovare në demonstrata dhe për ndërprerjen e punës në miniera të KEK-ut nuk është shkrua asnjëherë. Kësaj ngjarjeje të madhe nuk iu dha publicitet në gazetat e kohës sepse,nga pushtetarët të cilët i kontrollonin gazetat, druhej se do të solidarizohej edhe e tërë punëtoria shqiptare e Kosovës. Më çuditë fakti pse edhe nuk përmendet asnjëherë kjo ngjarje as nga organizatorët e demonstratave e as nga analistë të cilët përpiqen që t´i shënojnë dhe ndriçojnë rrjedhat e demonstratave dhe ndikimin e tyre në proceset e mëtejme në shoqëri.
Të nesërmen, me dy prill, mbi qiellin e shtrirjes territoriale të Elektro ekonomisë, veçanërisht mbi qiellin e minierës së qymyrit në Bellaqevc, tërë kohën fluturuan helikopterë ushtarakë dhe defiluan edhe tanke në rrugën Sllatinë-Grabovc-Hade-Mirash dhe Dardhishtë pra përgjatë shtrirjes territoriale të Elektroekonomisë.
Menjëherë, pas një prillit, filloi gjuetia ndaj organizatorëve të ndaljes së prodhimit dhe të marshimit në këmbë nga miniera deri në Prishtinë. Aktivistë dhe politikanë nga Prishtina u vërsulën mbi punëtorinë e Bellaqevcit por nuk volën asnjë rezultat. Punëtorët qëndruan të pamposhtur dhe i rezistuan shkëlqyeshëm diferencimeve. Pati aty-këtu ndonjë udhëheqës të minierës i cili ishte më i luhatshëm, ose përpiqej që në mënyrë më tinëzare të depërtonte në sipërfaqe si njeri më i “moderuar”, por edhe të tillët dështuan sepse heqja e maskave u vinte aty për aty nga punëtorët të cilët ishin shumë të vetëdijshëm për momentet delikate në të cilat gjendeshin. Synohej që disa punëtorë të dënoheshin, në fillim, me vërejtje publike sa për etiketim. Kurse në kohë më të “qeta” të njejtit të eliminoheshin dalëngadalë. Por as ky variant nuk u shkoi për dore se punëtorët nuk e pranuan këtë dredhi të radhës. Kishte edhe të deleguar nga qendra ( si Riza Sapunxhiu) të cilët nuk ishin të interesuar që të bënin diferencime. Bile mbretëronte bindja se edhe pushteti nuk ishte i interesuar të bënte diferencime të mirëfillta, sepse druhej se shkaktohej situatë e rëndë në prodhim. Me një fjalë pushtetit nuk i levërdiste diferencimi në kolektive punonjëse e aq më pak në minierën e Bellaqevcit e cila tanimë e kishte një klasë të formuar punëtore.
Miniera e Bellaqevcit gjatë historisë së saj 45 vjeçare ka paaë herë pas here edhe marshime të tjera por me metoda të ndryshme. Gati për çdo lëvizje politike në Kosovë edhe miniera e Bellaqevcit është aktivizua në mënyrën e vet. Për marshimet tjera do të shkruajmë herën tjetër. Ishte momenti tani që të shkruhet dhe të përkujtohet përvjetori i 34-të i kësaj ngjarje e cila i bënë nderë punëtorisë shqiptare të Kosovës.