Pashtriku.org, 15. 05. 2015 – (Parathënie e librit të Ukshin Hotit “Çështja kombëtare shqiptare – komponenti religjioz”) – “Çështja kombëtare shqiptare – komponenti religjioz”, është një kontribut shkencor i Ukshin Hotit i panjohur sa duhet nga lexuesi shqiptar. Ai u shkrua në kohën kur mendimi i përgjithshëm politik, ndonëse i ngarkuar me komponentin religjioz, e konsideronte atë akoma si tabu, dhe në vend se të trajtohej hapur, mjaftohej me një mimikri politike, si nga ana kosovare (le të kujtojmë fotografinë e Papës në zyrën presidenciale gjatë viteve 90), ashtu dhe nga ana serbe (deklaratat për rrezikun fundamentalist nga Kosova).
Në nivelin global, komponenti religjioz fitoi peshë të veçantë sidomos në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian, kur nga disa qendra politike evropiane u tentua që në preambulat e Kushtetutës evropiane të vitit 2004 të futej dhe komponenti fetar i krishterë si shenjë themelore e identitetit evropian, me çka mund t’i mbylleshin dyert vendeve me popullsi e kultura islamike. Aspekti i fundit vazhdon të ketë jehonë akoma, sidomos kur bëhet fjalë për integrimin e Turqisë në Bashkimin Evropian. Në anën tjetër, tek shqiptarët, ca vite më parë u zhvillua një debat i nxehtë lidhur me identitetin nacional të tyre, iniciuar nga dy intelektualë të mëdhenj shqiptarë, Ismail Kadare dhe Rexhep Qosja. U duk sikur këtij debati i dha fund një trajtesë shkencore e ndërmjetme dhe e moderuar e historianit të shquar, Prof.Kristo Frashërit, që respektonte të dyja palët, edhe traditat islamike, edhe identitetin evropian të shqiptarëve, mirëpo viteve të fundit vazhduan të dalin libra që trajtojnë çështjet e identitetit kompleks të shqiptarëve, të cilët ndërlidhen me debatin e lartpërmendur.
Prishtinë, 12. 05. 2014: Bislim Elshani në promovimin e librit, “Çështja kombëtare shqiptare-komponenti religjioz”.
Në këtë pikë, botimi i kësaj trajtese të Ukshin Hotit mund të kuptohet si një kontribut aktual që lidhet me diskutimet për identitetin e shqiptarëve. Në anën tjetër, në kohën kur u shkrua, dy vite para ndërhyrjes së NATO-s në Jugosllavi, ai kishte gjithashtu një objektiv konkret: emancipimin e mendimit politik perëndimor për një qasje të drejtë ndaj çështjes shqiptare.
Duke kapur këtë mesazh të Ukshin Hotit, në vitin 1998 bëra përpjekje që këtë synim të tij ta realizoja duke përkthyer këtë trajtesë në anglisht për t’ua shpërndarë çarqeve diplomatike në Tiranë. Kjo trajtesë, bashkë me disa të tjera, u përmblodhën në një libër me titull “The political philosophy of albanian question”. Duke qenë se mu tërhoq vërejtja për përkthimin e dobët të mendimit të vështirë politik e filozofik të Ukshin Hotit, mu desh që pas një shpërndarje të kufizuar brenda një rrethi të vogël intelektualësh e diplomatësh të huaj, librin ta tërhiqja nga distribuimi. Supozoj, megjithatë, që kjo trajtesë mund të ketë pasur ndonjë jehonë, me gjithë përkthimin amator.
Aktualiteti i kësaj trajtese në ditët e sotme as që mund të vihet në dyshim, jo vetëm për arsyet e lartpërmendura. Një arsye shtesë është mënyra origjinale e qasjes së Ukshin Hotit ndaj ngarkesave religjioze në politikë. Qasja e Ukshin Hotit ndaj këtij komponenti në politikë s’ka të bëjë fare me tifozllëkun vulgar brenda binomit kontrastiv Oksident-Orient apo Krishterizëm-Islamizëm. Ukshin Hoti i shmang me kujdes dhe mendjemprehtësi identifikimet e tilla, duke u përqendruar në atë që përbën interesin themelor, qoftë të kombit vetjak, qoftë të rajonit, qoftë të kontinentit e të paqes globale.
Si një politolog modern, i njohur e i përditësuar me arritjet më të fundit të filozofisë politike në shkallë botërore, qasja e Ukshin Hotit ndaj besimit dhe religjionit është e distancuar dhe me konsiderata komplekse, duke u nisur që nga shkaqet praktike që i shtynë shoqëritë primitive të thërrasin në ndihmë religjionin, për të nënvizuar pohimin paradoksal të Tertulianit që ka kapur esencën e besimit fetar, në kuptimin që ai nuk i drejtohet arsyes por ndjenjës, për të arritur deri te vlerat laike të qytetërimit të sotëm të ndikuar akoma nga komponenti religjioz.
Ukshin Hoti trajton me paanësi e objektivitet të plotë shkencor edhe shkaqet e sjelljes së klasës politike serbe, të cilat ai i trajton në kontekstin e sjelljes së popujve të vegjël të instrumentalizuar nga të tjerët apo të identifikuar me ta. Pos tjerash, Ukshin Hoti trajton dhe pyetjen që aq shumë po i preokupon sot intelektualët shqiptarë në të gjithë hapësirën e tyre gjeografike, nëse islamizmi e ka penguar shkombëtarizimin e shqiptarëve, dhe së cilës ai i përgjigjet decidivisht: “Argumentimi se Islami e shpëtoi nga tretja kombin shqiptar nuk qëndron.” (U.H., ÇKSh-KR, LI). Kjo pyetje u aktualizua sërish kohët e fundit përmes një peticioni të intelektualëve shqiptarë kundër ndërhyrjeve diplomatike turke për ndryshimin e teksteve tona të historisë.
Metodat analitike që përdor Ukshin Hoti janë analiza dhe sinteza, deduksioni, induksioni, por edhe abduksioni. Stilin e tij të të shkruarit shkrimtari i madh, Dritëro Agolli, e ka përmbledhur me këto fjalë “Ukshin Hoti ka një kombinim, simbiozë stili. Ai bën njëkohësisht analizën dhe sintezën. Nuk është deskriptiv, përshkrues i gjërave, por është konkludiv. Ose në fillim bën një sintezë, pastaj jep faktet, parashtron idetë, ose në fillim faktet, pastaj bën konkluzionet, jep sintezën. E dyta, fraza e tij është si një frazë prej shkrimtari, një frazë e kulturuar e një njeriu të ditur që di të shkruajë, dhe kjo të kujton filozofët e mëdhenj klasikë të cilët nuk ishin të mërzitshëm në të shkruar.” Metoda e tij përafrohet shumë me metodën dekonstruksioniste të Derridasë mbi zbërthimin e opozicioneve binare, ndërkaq, duke i dhënë përparësi shfaqjes përpara imanencës, Ukshin Hoti është në rrjedhën e koncepteve postmoderniste në filozofinë politike.
Më duhet të sqaroj me këtë rast një keqkuptim që më ka ndodhur pas botimit të kësaj trajtese në shtypin shqiptar. Një ish-politikan i njohur në Tiranë, duke keqkuptuar mesazhin politik të trajtesës, i kishte shkrepur që ta mbrehte Ukshin Hotin në qerren e tij politike me prapavijë pro-turko-islamike pa marrë mendimin e tij. Ngjashëm kishte vepruar edhe një intelektual nga Kosova. Më është dashur të sqaroj atëbotë, se është e palejueshme që analiza politike e Ukshin Hotit të keqpërdoret për qëllime apo nevoja politike partiake ditore apo afatshkurtra. Qasja e Ukshin Hotit në politikë është perspektiviste. Nëse në këtë analizë ai pohon shkoqur se “Do të mbetem i tillë çfarë jam, shqiptar i përkatësisë religjioze islame, me një besim spekulativ, refleksiv, abstrakt, filozofik mbi zotin.”, kjo nuk duhet t’i japë dorë ndonjë fanatiku religjioz të pohojë se Ukshin Hoti i përket taborrit të tij. Ukshin Hoti religjionin ndër shqiptarët e pranon si një realitet evident, tipar i një qytetërimi të pranishëm për shumë shekuj në Ballkan, që duhet respektuar, pavarësisht ndonjë theksi ironik rreth besimit, sidomos kur citohet autori kristiano-romak i shekullit të dytë, Tertuliani, apo kërkesës që dhe Allahu të flasë shqip, në kuptimin politik të këtyre fjalëve (“Do të bëhem plotësisht i devotshëm atëherë kur Allahu (xh.h.) ose zoti i madhërishëm, pa hile, pa mëdyshje, me sinqeritet dhe me respekt të plotë, të fillojë jo vetëm të flasë në gjuhën shqipe, por edhe ta trajtojë dhe ta dojë kombin shqiptar.” Ukshin Hoti, Letra e VI-të, paragrafi LVIII).
Si një politikan demokrat dhe humanist, që politikën e kuptonte si një mjet për zgjidhjen integrale, dhe jo të pjesshme, të problemeve duke favorizuar një palë kundrejt tjetrës, ai shoqërinë shqiptare e kundron në totalitetin e saj gjeografik, konfesional e politik, të përbërë jo vetëm nga myslimanët, por edhe nga të krishterët e të dyja kishave, me të gjitha grupimet tjera fetare, por edhe të ateistëve, siç ndodh në të gjitha demokracitë e përparuara.