PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE (1)

Prishtinë, 01. 07. 2015 – Deri sa hulumtoja për monografinë “Një shekull qëndresë të familjes Mehaj” që kryesisht bënë fjalë për atdhetarin e luftëtarin e paepur të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare-Tahir Meha, në Arkivin e Kosovës gjeta edhe dosjen e shumë kërkuar të organizatës ilegale atdhetare “Vuajtja”, të formuar më 1958. Në librin “Të burgosurit politik shqiptar në Kosovë 1945-1990”, kisha hasur në një grup të të dënuarve politik që e përbënin gjashtë veta. Këta emra të nderuar i kisha gjetur në një libër evidencuese që e kishte bërë gjykata e Qarkut në Gjilan, që në vitin 1959. Më shumë të dhëna në atë shënim nuk kishte. Dëshira për të zbuluar më shumë për këtë grup ishte edhe më e madhe kur mësova se anëtar aktiv i këtij grupi kishte qenë Beqir Meha, vëllai më i madh i Tahir Mehës. Por, pasi gjeta dosjen dhe duke e lexuar atë, në mes rreshtave kuptova se anëtar i saj kishte qenë edhe vet Tahir Meha. Në këtë përfundim erdha ngase kur organizata kishte marr qëndrim që për qëllime të organizatës dhe për përgatitjet e ardhshme për luftë të armatosur kundër Serbisë e Jugosllavisë, ata duhet të furnizoheshin edhe me armatim, dhe, mu nga ky qëndrim doli ideja se duhet marrë armatimin e pushtetarëve për nevoja të organizatës.
Me kohë ishte zbuluar se në shkollën fillore të fshatit Prekaz i Epërm ishte sjell një pushkë, ganc e re, por për qëllimin e saj nuk dihej. Anëtarët e organizatës e zbulojnë vendndodhjen e pushkës dhe Beqir Meha e kishte marrë përsipër që ta marri nga aty pushkën e porsaardhur për nevoja te organizatës. Në marrjen e pushkës i kishte ndihmuar edhe vet Tahir Meha. Po të mos ishte anëtar i organizatës ilegale Tahir Meha, shtrohet pyetja athua si do të merrte pjesë në rrëmbimin e saj, kur dihej se në organizatë konspiracioni ishte tepër i thellë dhe qëndrimet e saja ishin tepër të rrepta dhe veprimtarin e saj kryesisht zhvillohej në formë treshesh. Duhet ditur edhe këtë, se rregullat e qëndrimet që merreshin në lëvizjen ilegale kanë qenë shumë precize, te sakta, ngase edhe rreziku për tu zbuluar ka qenë me pasoja fatale për anëtarët e lëvizjes. Andaj, pa qenë anëtarë i organizatës nuk ka pasur mundësi as teorike që dikush të marri pjesë në aksionet qe i ndërmerrnin anëtarët e saja. Më poshtë do të shihet nga vet fotot e udbashve që i kishin inskenuar me vone, se si dukej edhe Tahir Meha në roje duke u kujdesur që vëllai i tij Beqir Meha të përfundonte aksionin me sukses.

Bislim Bislimi

Nën një, gjerë më tani askush nuk ka shkrua dhe nuk është zbuluar se Tahir Meha në vitet e 1958-59, ka qenë i organizuar dhe ka marrë pjesë në ndonjë organizatë ilegale. Andaj, nuk duhet befasuar në aktivitetin e më vonshëm të Bislim Bislimi Tahir Mehës, ngase me kohë ky ka qenë i informuar dhe aktivisht ka marrë pjesë në rezistencën shqiptare kundër okupatorit.
Nën dy, ka ndodhur shumë shpesh që me rastin e arrestimit e të zbulimit të grupeve ilegale, në asnjë moment nuk është zbuluar i tërë grupi. Ngase, anëtarët e burgosur në të rrallë kanë treguar për shokët, duke rrezikuar edhe jetën e tyre. Andaj kjo dukuri e mos tregimit të shokëve ka ndodhë edhe me rastin e arrestimeve të grupit “Vuajtja”. Me rastin e zbulimit të kësaj organizate, të pazbuluar kanë mbetur një mori personash që kanë qenë anëtar, përkrahës dhe jatak të tyre.
Formimi i organizatës
Sipas dosjes të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të lëshuar në hetuesi në Mitrovicë të Kosovës, thuhej se organizatën ilegale “Vuajtja” e kishte formuar Bislim Tahir Bislimi, nga fshati Prekaz i Epërm, bujk. Në tekst thuhej se qysh nga viti 1956, Bislimi ishte përfshi nga ndjenjat patriotike dhe kishte kalua në anën e irredentës, vetëm e vetëm që Kosova mos të jetë e robëruar dhe e ndarë nga shteti amë- Shqipëria. Për qëllime të tilla kishte formuar edhe organizatën ilegale atdhetare “Vuajtja” që në radhët e saja kishte përfshi një numër të konsideruar të personave të pa kënaqur me situatën politike të vendit. Në organizatë merrnin pjesë: Sherif Muslia, Beqir Meha, Ramadan Keqa e të tjerë. Bislim Bislimi, pas shumë bisedave që kishte pasur me ta, kishin ardhur në përfundim se Kosova dhe viset tjera shqiptare ishin të robëruara padrejtësisht nga Serbia dhe Jugosllavia. Pas debateve, mbledhjeve e takimeve të shumta që kishin pasur në përgjithësi me fshatarët, por në veçanti me grupin e njerëzve të pakënaqur me sistemin e pushtetarët jugosllav kishin ardhur në përfundim se diçka duhet bërë… e ajo çka duhet bërë ishte që të organizojnë masat e gjera popullore, t’i mobilizojnë ata dhe të ngritën në kryengritje për ta liruar tokën e robëruar nga armiku shekullor.
Nga takimet e grupit, ishin mbajtur proces verbale dhe kishin marr shumë vendime si: me ra në kontakt me elitën udhëheqëse të Shqipërisë; disa anëtarë të saj me shkua deri në Tiranë dhe atje me iu shpjegua atyre për situatën në Kosovë dhe anasjelltas; për anëtarë që rastësisht do të zbulohen me iu bë të mundshëm largimin jashtë kufirit për Shqipëri. Pastaj në mbledhje të organizatës anëtarëve të caktuar iu dhanë detyrat speciale të cilat duhet kryer (rasti me Beqir Mehën, marrja e pushkës nga shkolla fillore në Prekazin e Epërm); u morë po ashtu qëndrimi që në popull të matet pulsi i qytetarëve lidhur me pakënaqësinë e tyre në shtetin e Jugosllavisë; ose duhet folur me popullin dhe duhet treguar realitetin për padrejtësitë që bëheshin ndaj shqiptarëve; çdo anëtari iu caktuan detyra, që në radhët e organizatës të anëtarësojnë sa më shumë anëtar të rinj, por kushti thelbësor ishte tradita patriotike në familje dhe angazhimi i tyre i pa kompromis për rrëzimin e pushtetit popullor dhe lufta e madhe për lirimin e tokave shqiptare. Po ashtu, ishte marr qëndrim posa të zbulohet ndonjë anëtarë për veprimtarin e tij me qenë i gatshëm që të kaloi kufirin dhe të vendoset në Shqipëri, por me kushtin qe posa të arrin në tokën e lirë të vazhdojnë po ashtu me veprimtarin patriotike ngase nga atje të veprohet është edhe më lehtë .
Bislim Tahir Bislimi përjashtohet nga shkolla pse këndoi këngën “Bini Toskë e bini Gegë”
Në bazë të dokumentit 102/59, kryetari i organizatës ilegale “Vuajtja”, Bislim Tahir Bislimi para organeve të hetuesisë kishte deklarua se: “Më vitin 1951 kisha përfundua shkollën tetëvjeçare. Me dëshirën më të madhe për të vazhduar shkollimin, më vitin shkollor 1951/52, shkova në Gjakovë dhe u regjistrova në Shkollën Normale dyvjeçare. Por në kohën e pushimit të parë të atij viti shkollor, më përjashtuan nga aty, për shkakun se me shokë kisha këndua këngën “Bini Toskë e bini Gegë” . Pasi se në Gjakovë nuk munda më tutje me qëndrua, u regjistrova në Mitrovicë po ashtu në shkollën Normale në vitin e parë, mirëpo pas një kohe edhe nga kjo shkollë më larguan, për hir se kishte ndodhur një rrahje e montuar në mes nxënësve. Me përjashtimin e serishëm, mua mu ndërpre edhe perspektiva e shkollimit të mëtejshëm”.
Bislim Bislimi ishte kthyer në fshat dhe kishte fillua të merrej me bujqësi. Në vitet në vijim ai ishte angazhua në punët e fushës por nuk kishte pushua së lexuari dhe kuptuari se shqiptarët në shtetin e ri janë qytetar të rendit të dytë dhe nuk gëzojnë kurrfarë të drejtash. Më 1953, punësohej si shitës në një kooperativë bujqësore të fshatit në fshatin Prekaz i Epërm. Me rastin e regjistrimit të kooperativës, i kishte dal mangët 80.000 dinar, por këtë mungesë të të hollave ai kurrë nuk e kishte pranua, por për pushtetarët ishte e rëndësishme që ai përsëri të dënohet. Mu për këtë shkak atij iu shqiptua me 4 muaj burg. Bislimi asnjëherë nuk ishte ndier fajtor, ngase vazhdimisht kishte mendua se e tëra iu kishte montua. Pas daljes nga burgu, Bislimi duke e ditur se ishte montim dhe e ndiente veten të pafajshëm, kishte qenë shumë këmbëngulës në kërkesat e tija për të gjetur punë, mbi 4-5 here kishte shkrua lutje organeve kompetente që ta kthenin në punë, por kjo nuk kishte ndodhur. Pas daljes nga burgu, fizikisht nuk ishte mirë për të vazhdua me punë të bujqësisë, andaj varfëria e tejskajshme e kishte goditur shumë rëndë atë dhe familjen e tij. Nga e tërë kjo, Bislimi, tani më veç mbi kurrizin e tij kishte ndjerë peshën e rëndë të robërisë dhe kishte filluar me të madhe që të angazhohet në veprimtari ilegale patriotike. Aktiviteti më i madh patriotik i tij vije në shprehje sidomos në vitin 1957, ku edhe haptas me shok kishte shprehur revoltën ndaj sistemit dhe haptas kishte fol për padrejtësitë e shtetit jugosllav ndaj shqiptarëve. Në këtë periudhë, ai edhe venë kontaktet e para me njerëzit që i kishte njohur dhe për të cilët kishte njohuri e besim se edhe ata ishin të pakënaqur dhe ishin të gatshëm që të punonin për Kosovën në veçanti dhe popullin shqiptar në përgjithësi.
Duke e ditur se moshatari i tij, Ali Gjemë Ademi, nga Klina e Ulët, ishte i pakënaqur me situatën politike kishte kërkua që të takoheshin me të. Bislimi e dinte se Alia kishte qenë i kyçur në shumë funksione kushtetore, të rëndësishme në rrethin e Drenicës, por më vonë atë e kishin përjashtua nga Partia Komuniste dhe nga të gjitha postet tjera politike. Në takimin e parë që kishin realizua në vitin 1957, që të dy pajtohen që të ikin për Itali, por nga kjo ide kishin hequr dorë nga arsyeja se nuk do të munden me e realizua ngase Italia ishte larg për të ikur dhe kishin ndërrua mendje se duhet ikur në kushtet më të përshtatshme për Shqipëri por nuk kishin caktua asnjë datë.
Në takimet e shpeshta që kishin pasur me Ademin, dhe duke biseduar dendur e më dendur për situatën e shqiptarëve në Kosovë, për politikën që ndiqte Shqipëria ndaj Jugosllavisë kishin ardhur në përfundim se duhet angazhuar dhe luftuar sa më shumë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, aty edhe ku e kishte vendin. Se ishte shumë i vështirë qarkullimi në mes dy vendeve si nga Shqipëria për Kosova dhe anasjelltas, kur dihej se muri makabër i ndante këto dy vende të një trungu. Gjatë bisedave të gjata këta dy atdhetar e kishin kuptuar se që të dy ishin nacionalist të thekur të cilët ishin të gatshëm të mos kursenin asgjë që ëndrra e gjeneratave të tëra të bëhej realitet. Ishin të gatshëm që të sakrifikoheshin dhe kishin krijuar aso lidhjesh të besimit reciprok që pa hezituar e frikuar, bisedonin hapur për formimin e një organizate ilegale nacionaliste e cila do të ketë për detyrë që në kushtet e atëhershme të luftoi me çdo mjetë për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ata, ishin pajtua plotësisht që të formojnë organizatën ilegale dhe të jenë anëtar besnik të saj që të punojnë palodhshëm për qëllimin e saj, brenda të gjitha mundësive që i kishin.


Adem Alia

Duhet thënë se Bislimi kishte besim te plotë tek Ademi, se politikisht e dinte se ai ishte i përgatitur mirë dhe në qëndrimet e tij shihte njeriun që idealet e tij kishin taban kombëtar. Me vëmendjen më të madhe përcillte ngjarjet që ndodhnin në arenën kombëtare e ndërkombëtare. Me kujdes përcillte situatën politike në Jugosllavi e Shqipëri; me kureshtjen më të madhe lexonte shtypin e vendit; dëgjonte fshehurazi radio Tiranën dhe me atë rast ishte shumë i përgatitur për të fituar e bindur anëtarësinë e re për organizatë. Me një fjalë Adem Alia ishte një patriot i mirë që kishte ndikim të madh tek të tjerët. Bile, në një rast ai i kishte dhënë për lexim romanin e një shkrimtari jugosllav me një qëllim të vetëm që Bislimi ta pasuronte fjalorin me fjalë politike. Ndërsa në një rast tjetër i kishte huazuar librin me karakter spiunazhi i quajtur “Operacioni Cicero” me qëllim që të kishte njohuri të mjaftueshme me veprimtarin e spiunazhit ndaj organeve të UDB-es, dhe të njihte sa më mirë metodat e tyre. Ai qysh herët kishte filluar që të dëgjonte lajmet nga Radio Tirana, radio Sofija, dhe kur kishte ndodhur që të dëgjonte ndonjë risi për marrëdhëniet në Kosovë e Serbi, e kishte njoftua menjëherë Bislimin në mënyrën sa më të sakët të lajmeve. Ndodhte edhe në vitet e më vonshme, kur kishte ndonjë informacion për shqiptarët në Maqedoni, ai edhe në mes të natës vinte dhe e informonte. Takoheshin shumë shpesh, fshehurazi në shtëpinë e Bislimit apo të Ademit në Klinën e Ulët. Takimet ishin të shpeshta edhe në pazarin e Serbicës. Pas bisedave të gjata me të, Bislimi kthehej në Prekazë dhe të gjitha ia përcillte anëtarëve të organizatës. Shpesh i thoshte se këto që po i tregonta ai, i din edhe anëtarët tjerë të organizatës, pajtohej me të, thoshte “Në rregull, poçes mendon ti se është e nevojshme, vazhdo t’i informosh…”.
Më 27 nëntor 1958, e kishte njoftua Ademin se e kishte formua organizatën nacionaliste ‘Vuajtja”. I kishte tregua se ai, Bislimi ishte caktuar udhëheqës i saj, por nuk i nuk i kishte tregua se cilët persona janë pranuar në radhët e saja. Jo se nuk kishte besim tek ai, por vetëm e vetëm për ta ruajtur atë dhe shokët e organizatës. E kishte njoftuar se kohë pas kohe ai takohej me anëtarësinë dhe mbanim mbledhje duke vendosur për gjera të rëndësishme. I kishte treguar se takoheshin edhe në grupe të vogla dy e tre veta. Ai nuk kishte qenë kundër takimeve të tilla, por kishte shpreh frikën dhe kishte shpreh shqetësimin e vet dhe i kishte tërheq vërejtjen se duhet pasur kujdes dhe duhet ruajtur me kujdes, që të mos zbulohen. Ai, Bislimin e kishte porositur se, një formë e punës në ilegalitet me takime të një pas njëshme dhe të fshehta është e përshtatshme dhe është e lidhur ngushtë me konspiracionin. Ai kishte njohuri të shumta për veprimtari ilegale dhe një herë iu kishte tregua se si në një rast, një mjek në kohën e luftës partizane, në prapavijë të frontit kishte mbajtur mbledhje partiake në formë të tresheve, dhe nga kjo doli mesazhi që edhe organizata “Vuajtja” është mirë që të punonte në këtë mënyrë, dhe pa kurrfarë dileme e kishte pranuar dhe gjatë tërë periudhës sa kishte vepruar organizata, kishte aplikuar këtë llojë pune në formë të tresheve.
Ademi, gjatë gjithë kohës sa kishte veprua organizata, kishte qenë i informuar se si punonte ajo dhe çka është qëllimi i saj. Ishte i njoftuar se organizata kishte për qëllim zgjerimin me anëtarë të rinj dhe të besueshëm. Po ashtu për anëtarët e posa pranuar që e kishin për detyrë që ata në objektivin e tyre të kenë pranimin e njerëzve të besueshëm, miqëve dhe pastaj të vazhdohet pranimi i tyre në mënyrë zingjirore. Karakteristik e të pranuarve në radhët e organizatës ishte elementi i pakënaqësisë me sistemin okupues; me gjendjen e mjeruar të shqiptarëve në Kosovë dhe të cilët ishin të gatshëm që të pranojnë çfarëdo detyre dhe ti kryejnë me përgjegjësin më të madhe. Po ashtu organizata kishte marr për detyrë që anëtarët e saj të furnizohen me armatim, dhe në rast se zbulohen të jenë të gatshëm që të kalojnë kufirin për në Shqipëri. Me këtë informatë të marr nga udhëheqësi i organizatës, Ademi kishte shprehur dëshirën që edhe ai kishte dëshirë që të largohej nga Kosova për Shqipëri.


Sherif Muslia

Më 29 nëntor 1958, Bislimi kishte shkua në zyrën e tij në Klinën e Ultë dhe nga Ademi kishte kërkua disa fletë letre duke i thënë se më nevojiten për ca shënime nga mbledhjet e organizatës. Me këtë rast ai i kishte dhënë pesë tabak letër dhe një laps për të cilën Bislimi nuk i kishte kërkua. Po ashtu ai organizatën e kishte ndihmua pa pyetur fare se për çfarë kishte nevojë. Në muajin shkurt, 1959, i kishte dhënë 10 tabak letër. Në mënyrë të veçantë Ademi ishte i interesuar që organizata të masivizohej dhe të ketë në radhët e saja sa më shumë njerëz atdhetar e të ditur. Njëherë e kishte informuar Bislimin se një person nga fshati Vitak kishte shpreh dëshirën që të jetë anëtar i organizatës, por lidhja të jetë vet Ademi, personi në fjalë ishte Islam Topallaj. Shpesh kishin biseduar në mes veti se në rast që vjen deri te bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, ai ishte në gjendje që të siguroi një numër të madh të nëpunësve shqiptar që të kalojnë në këtë organizatë. Adem Alia kishte edhe aso informata të sigurta, dhe shpesh i thoshte Bislimit se gjakovaret janë shumë të pakënaqur me situatën dhe se ata kanë filluar që të grumbullohen në Prishtinë dhe të mblidhen rreth Fadil Hoxhës, Xhavit Nimanit, Ismet Shaqirit, Veli Devës të cilët fortë përkrahen në mes veti.
Mbledhjet e organizatës
Në bazë të dokumentacionit, thuhej se njëri ndër anëtarët e parë që është pranua në organizatë ka qenë Ramadan Keça, bujk nga Prekazi i Epërm dhe Sherif Muslia, po ashtu bujk nga i njëjti fshat. Që të dy janë pranuar në organizatë para datës së 29 nëntorit 1958. Që nga pranimi i këtyre dy anëtarëve e deri tek zbulimi i organizatës, në organizatë sipas dokumentit thuhej se janë mbajtur shumë takime e mbledhje të fshehta. Mbledhjet e fshehta janë mbajtur në shtëpinë e Sherif Musliut. Menjëherë pas pranimit të këtyre dy anëtarëve, në nëntor është mbajtur mbledhjen e parë me këta dy. Takimi kryesisht i është kushtua masivizimit të organizatës me anëtar të rinj. Në mbledhje është biseduar që anëtarët e organizatës duhet të kenë kujdes se me kënd po bisedojnë dhe kujt po i propozojnë me u futë në organizatë. Se personat që pranohen në organizatë assesi nuk guxojnë të din se kush është tjetër anëtar dhe nuk duhet ditur se kush është udhëheqës i organizatë, por, atyre t’iu premtohet se ndërkohë do të njihen edhe me të tjerët, dhe më e rëndësishmja ishte që anëtarëve të rinj t’iu përcillen direktivat e udhëheqësit dhe të realizohen në teren.
Mbledhja e dytë ishte mbajtur sipas radhës në muajin shkurt 1959, po ashtu në shtëpinë e Sherif Musliut. Kjo mbledhje për rend dite kishte vetëm një pikë të renditë të ditë: përpunimi i Notës së shtetit të FNRJ-së dërguar Shqipërisë, lidhur me depërtimin e spiunëve dhe veprimtarisë së tyre në Kosovë. Lidhur me Notën, që i kishte dërguar Jugosllavia , organizata ishte shumë e disponuar ngase u binden se shteti shqiptarë ishte i interesuar për shqiptarët në Kosovë dhe mu për këtë dërgon njerëz të vetë për një organizimi më të mirë, ndërsa ne, edhe pse jetojmë këtu, jemi shumë pasivë për situatën e krijuar dhe nuk marrim asnjë aktivitet, ishte konstatimi i udhëheqësit. Detyrë e tyre edhe më tej ishte dhe mbeti që edhe ata të organizoheshim që të ndihmonim nga brenda shtetin shqiptarë. Me detyrat që u caktuan në mbledhje, të pranishmit ishin pajtuar një zëri. Në këtë mbledhje ishte mbajtur procesverbali dhe me përpikëri ishte shënuar çdo gjë për secilin veç e veç se çfarë kishte thënë dhe çfarë ishte marr obligim për të bërë.


Beqir Meha

Në këtë mbledhje Ranmadan Keça kishte shtruar pyetjen se pse, ne, këtu nuk marrim dhe nuk kryejmë ndonjë aksion për likuidimin e disa bashkëpunëtorëve të UDB-es, nga të cilët na kërcënohet rreziku nga zbulimi nga ana e tyre. Udhëheqësi i grupit nuk ishte pajtuar me këtë propozim. Pyetje kishte shtrua edhe anëtari tjetër i organizatës, Sherif Musliu, duke thënë se ne duhet ti ndërpresim lidhjet telefonike dhe ti rrëzojmë banderrat e tyre në vendin e quajtur ”Përroi i keq”. Edhe për këtë aksion u mendua se ishte ende herët që të kalojnë në veprime të tilla. Po ashtu, në mbledhjen e dytë kishte marr pjesë edhe anëtari i tretë i organizatës- Istref Osmani nga Prekazi i Epërm. Procesverbali nga kjo mbledhje u dha në përkujdesje të Sherif Musliut, duke llogaritur se në të, askush nuk dyshonte, ndërsa për procesverbalin anëtarët llogaritnin se ai ishte një dokument i rëndësishëm për organizatën.
Pas mbledhjes së dytë, u konstatua se rezultatet për masivizimin dhe anëtarësimin e anëtarëve të rinj ishte i suksesshëm. Nga ana e Ramadan Keçës u anëtarësuan: Istref Osmani dhe Ibrahim Murseli, që të dy nga Prekazi i Epërm, me profesion ishin bujq dhe kishin një moshë 30-40 vjeçare. Sherif Muslija në mbledhje i kishte informuar të pranishmit se kishte edhe një person që kishte pranua me qenë anëtar i organizatës. Personi ishte nga Kqiqi i Madh, dhe vinte nga një familje atdhetarësh, por për momentin nuk e kishte tregua emrin, por ky person në ndërkohë kishte angazhua një person tjetër ( dhe kjo ishte mënyra më e mirë për të mos tregua anëtarët e rinj apo për t’i ruajtur ata pa marrë parasysh se çfarë maltretimesh pësonin. Në hetuesi, thoshin të burgosurit që merreshin në pyetje “shpëto sa të mundesh me shpëtua”, kjo ishte ajo që mbronin shokët nga zbulimi i udbashëve.
Në mars të vitit 1959, në organizatë u pranua edhe Beqir Nebih Meha, bujk nga Prekazi i Ulët. Ai që në fillim ishte pajtua me programin dhe qëllimet e organizatës. Që në fillim pa asnjë vërejtje kishte pranua të gjitha detyrat e dhëna nga udhëheqësi i saj. Bile kur ishte në pyetje çështja e masivizimit të organizatës me anëtarë të rinj, ai kishte tregua se në organizatë është i gatshëm me u aktivizua edhe Ajet Fazlia nga Prekazi i Ulët. Ajet Fazlija ishte njëri nga fshatarët që haptas shprehte pakënaqësin me okupimin dhe robërinë e Kosovës. Sidomos e bënte të ndihej keq situata politike që mbretëronte në Kosovë dhe padrejtësitë e shumta që manifestoheshin ndaj shqiptarëve. Në ndërkohë, zhvillimet e paparashikuara ndikuan që Ajeti ngeli i pa përfshirë në organizatë.
Anëtarët e organizatës, gjatë kohës sa veproi organizata “Vuajtja”, nuk qëndruan duarkryq. Ata në mënyrë të organizuar kryenin shumë aksione që dëmtonin rëndë veprimet e pushtetarëve. Ata me rrjetin që kishin, e duhet përmendur se kjo ka qenë dukuri e shumë organizatave ilegale, që të evidentonin personat shqiptar që ishin në shërbim të UDB-es. Po ashtu edhe anëtarët e organizatës “Vuajtja” kishin bërë evidentimin e spiunëve shqiptarë, që në ndërkohë kishte dal edhe propozimi që të fillohet me likuidimin e tyre. Ndodhte shpesh që anëtarët e organizatës të merrnin vendime edhe pa u takuar në ndonjë mbledhje zyrtare. Udhëheqësi i saj kishte të drejt, poçes e shihte të arsyeshme, të jepte detyra aty për aty. Më datë 20-21 mars, 1959, në një takim që kishte pas Beqir Meha me udhëheqësin e organizatës, ai e kishte njoftuar se në shkollën fillore të fshatit Prekaz i Epërm, e kishin sjellur një pushkë, dhe i kishte propozua atij që është mirë që ajo të merret nga shkolla, për nevoja të organizatës. I kishte tregua se më 23 mars, në mbrëmje do të mbahej një mbledhje e organizatës themelore e Partisë Komuniste në zyrën e vendit, në Prekazin e Epërm. I kishte thënë po ashtu se në mbledhje do të marrin pjese edhe korrieri i shkollës dhe vet udhëheqësi i organizatës ilegale, Bislim Bislimi. Me këtë u kuptonte që shkolla dhe lokalet e saja do të jenë pa roje.


Ramadan Zeneli

Beqir Meha asgjë nuk i kishte premtua udhëheqësit të organizatës, por një ditë më vonë ishte informua se Beqir Meha e kishte krye me sukses aksionin së bashku me vëllamin ma të ri Tahir Mehën, i cili i kishte ndihmuar- duke bërë roje, që marrja e pushkës nga shkolla të jetë e suksesshme. Më vonë, atë pushkë e kishte dorëzua për nevoja të organizatës. Megjithatë, pushka e grabitur nga shkolla kishte mbetur në shtëpinë e Beqir Mehës ngase Bislim Bislimi e kishte parandie se do të zbulohet dhe do të burgoset. Ai mu për këtë kishte mendua që të iki në mal, pastaj nga Beqiri të marri pushkën për nevoja të mbrojtjes nga policia. Me këtë rast Bislimi, Beqirit i kishte dhënë edhe 20 fishek për nevoja të paparashikueshme.
Aksion tjetër që ka kryer kjo organizatë ishte edhe grumbullimi i emrave-bashkëpunëtor të UDB-es. Këtë detyrë e kishte marrë për ta kryer Adem Alia në fshatrat: Tërnavc, Klina e Epërme, e Poshtme dhe e Mesme deri më 31 mars. Ai kishte deklarua se vet i njeh personat-spiun të këtyre fshatrave,dhe nuk ka problem për t’i zbulua.
Deklarata e Musli Sherifit dhënë në organet e hetuesisë
Është interesante që të përmendët se te anëtarët e kësaj organizate që të gjithë anëtarët e saj para hetuesit e pranojnë se ishin anëtarë të organizatës dhe deklaronin haptas se kanë qenë të pakënaqur me sistemin në Jugosllavi dhe me të gjitha padrejtësitë që iu bënin shqiptarëve aty dhe për veprimet e tyre aspak nuk ndjeheshin fajtor. Ata në hetuesi nuk akuzonin askënd, dhe se nuk kanë qenë të manipuluar apo nuk kanë pasur njohuri se bënin vepër penale. Të gjithë thoshin se: “Ne do të bënim përsëri të njëjtën gjë, po na erdhi për shtegu”. Nuk u penduan dhe nuk akuzonin askënd nga shokët e tyre. Nuk zbuluan asnjë anëtarë që nuk ishte zbuluar nga vet organet. Ose ndodhte shpesh, kur të akuzuarit ballafaqoheshin në mes veti, haptas deklaronin se nuk njiheshin në mes veti. Falë qëndrueshmërisë dhe idealit të lartë të tyre, ata rezistonin para torturave e maltretimeve të shumta dhe fal atyre, shumë anëtarë të tjerë mbetën të pa zbuluar.
Musli Sherifi, në deklaratën dhënë para hetuesit Milorad Milivojeviqit, me 15 prill, 1959, në ora 21’30 minuta, në zyrat e hetuesisë, në Seksionin e Punëve të Brendshme në Mitrovicë të Kosovës, kishte deklaruar se “Nuk më kujtohet saktë, por më dukej se në pjesën e dytë të vitit 1958, kishte ardhur ke unë në shtëpi, Bislim Tahir Bislimi nga fshati Prekaz i Epërm. Me këtë rast kemi biseduar gjatë me të lidhur me situatën politike në Kosovë. Bislimi shprehi pakënaqësinë e madhe të daj shtetit të RSFJ-së, duke përmendur se shqiptarët në këtë shtet janë të diskriminuar dhe nuk kanë kurrfarë të drejtash. Ne , shqiptaret duhet të bashkohemi me Shqipërinë. Në mes nesh ekziston një kufi, a nuk është absurde në mes shqiptarëve të ketë kufi. Pastaj, ai më propozoi që ne, duhet të ndërmarrim diçka për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Unë isha i entuziazmuar dhe me të gjitha që thoshte ai, pajtohesha se bashkimi kombëtar ishte dëshir e kamotshme e popullit tonë. Në nëntor, Bislimi më kishte njoftuar se ekziston një organizatë e cila lufton për bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe që shqiptaret njëherë e përgjithmonë të jenë të lirë në tokën e tyre. Edhe me këtë u pajtova dhe pranova që të jem anëtar i kësaj organizate. Po ashtu, pranova që t’i marri dhe ti krye me nder të gjitha detyrat që mi caktonte ajo.
Në mbledhjet e organizatës, rregullisht ishte mbajtur procesverbali dhe ishte fshehur e ruajtur me kujdesin më të madh. Sherif Musliu, gjatë kohës sa kishte veprua në organizatë, i kishte njoftuar anëtarët për mbledhjet që do të mbahen. Detyrë e të gjithë anëtarëve kishte qenë që sa më shumë të propagandojnë tek njerëzit e besueshëm lidhur me anëtarësimin në organizatë. Kishte qenë vetë Sherifi që në një mbledhje kishte propozua që të ndërmarrin aksione sa më konkrete si: rrëzimin e banderrave për të ndërprerë rrymën elektrike dhe lidhjet telefonike, rrënimin e urave që policia e Jugosllavisë mos të mundet me krye aksione nëpër fshatra të Drenicës.

Istref Hasani

Në muajin shkurt, 1959, ishte mbajtur një mbledhje në shtëpinë e Sherifit, në të cilën kishin marr pjesë treshja e parë e organizatës si: Bislim Bislimi, Ramadan Keqa dhe Sherif Muslia. Në këtë mbledhje ishte përpunua Nota e Jugosllavisë e cila iu kishte dërgua shtetit shqiptar për grupet diversantë që po i hidhte në Jugosllavi. Në këtë mbledhje kishin ardhur në përfundim se Shqipëria me të madhe kishte filluar me u marrë me çështjen e Kosovës, ngase po angazhonte njerëzit e shkolluar e të ditur për të kalua në Kosovë, dhe për të zbuluar njerëzit e pakënaqur dhe ata persona që donin të punonin për bashkimin e tokave shqiptare. Po ashtu, në mbledhje ishte prezantua edhe shkresa prej tri faqeve që e kishte shkruar vet Bislimi, e cila në tërësi përputhej me detyrat e anëtarëve të spiunazhit shqiptar të cilët para ca muajve ishin dënuar nga gjykatat e Jugosllavisë. Në mbledhje ishte konstatua se qëllimet e organizatës ilegale dhe të Shqipërisë ishin të njëjta, çlirimi i Kosovës dhe bashkimi i saj me të. Të gjitha vërejtjet dhe propozimet nga ana e anëtarëve ishin të shënuara me besnikërinë më të madhe në procesverbal, por edhe letra të cilën e kishte shkrua Bislimi iu dhanë në ruajtje Sherif Musliut, ngase ekzistonte frika se duke shkuar në shtëpi, do të arrestoheshin dhe të zbuloheshin të gjitha dokumentet e organizatës.

(VIJON…)

_____________
PJESA E PARË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (1)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4244
***
PJESA E DYTË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (2)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4245
***
PJESA E TRETË:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (3)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4247
***
PJESA E KATËRT:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM (4)
https://pashtriku.org/?kat=60&shkrimi=4248

* * *
LEXONI NE FORMATIN ‘PDF’:
PROF.DR.SABILE KEҪMEZI – BASHA: FORMIMI DHE VEPRIMTARIA E ORGANIZATËS ILEGALE PATRIOTIKE SHQIPTARE “VUAJTJA” NË PREKAZ TË EPËRM
https://pashtriku.org/ngarkimet/dokumentet/sabile-kecmezi-basha-vuajtja.pdf

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura