Vjenë, 14. 07. 2015 – Në 25 vitet e kaluara Kosova kaloi nëpër periudhën më të ndërlikuar të historisë së saj. Se sa janë realizuar pritjet e qytetarëve të shtetit të ri është çështje tjetër. Përshtypja e përgjithshme është se, me gjithë progresin e shënuar aty-këtu, ka qenë e mundur të arrihet më shumë. Për më tepër, për një pjesë të qytetarëve të saj ajo vazhdon të jetë e pranur si vendlindje por e refuzuar si atdhe.
Kthimi në histori
Që pas heqjes së autonomisë në kuadër të ish-shtetit të përbashkët, Kosova përjetoi zhvillime dramatike, të cilat do t’i paraprinin ndyshimeve thelbësore në procesin drejt realizimit të së drejtës për mëvetësi. Në kontekstin politik, procesi inicues i shtetbërjes filloi me krijimin e subjekteve të para politike shqiptare, shpalljen e deklaratës kushtetuese të 2 korrikut të vitit 1990, kushtetutën e Kaçanikut në shtator të po të njëjtit vit, referendumin për pavarësi, zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale si dhe ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës nëpër forumet me ndikim në mbarë botën.
Në anën tjetër aksioni për pajtimin e gjaqeve, themelimi i shoqatës bëmirëse ‘‘Nënë Tereza’’, krijimi i bashkimit të sindikatave të pavarura të punëtorëve e më pas edhe ngritja e një ‘‘shteti në hije‘‘përmes sistemit paralel përbëjnë elementet kryesore të ndërgjegjësimit për nevojën e unitetit mbarëkombëtar në përgaditje të rezistencës gjithëpopullore që do të pasonte më vonë.
– Republika e Kosovës në geto! –
Të gjitha këto zhvilime u shoqëruan me fuqizimin e idesë për gatishmëri për ballafaqim frontal mes stukturave guerile dhe ushtarake të dala nga komuniteti shumicë në Kosovë dhe forcave represive të shtetit serb. Në këtë kontekst dalja në skenë e UÇK-së kishte rol vendimtar në mobilizimin e përgjithshëm të resursve njerëzore që kulmoi me konflikt të armatosur, ndërhyje të NATO-s dhe çlirimin e Kosovës. Çmimi ishte qindra mijëra persona të zhvendosuar, me mijëra të vrarë, objekte banimi dhe kulti të djegura dhe infrastukturë të shkatërruar.
Pas fitimit të lirisë, të ballafaquar me faktin e moskontrollimit të tërë territorit të saj, nisi themelimi i institucioneve qendrore, të cilat do parapërgaditnin terenin që, në bashkëpunim dhe koordinim me akterët ndëkombëtarë, përmes negociatave të Vjenës të vij deri tek shpallja e pavarësisë.
“Shtetthi” ynë
Deklarata e Pavarësisë së Kosovës është rezultat i vullnetit politik dhe legjitimimi përfundimtar i shtrimit të sovranitetit të popullit të saj mbi hapësirat të cilat ajo frymon tash e mijëra vite. Një numër i madh i shteteve njohu menjëherë realitetin e ri dhe mbështeti fuqishëm rrugën e Kosovës drejt konsolidimit të shtetit. Në lidhje me këtë, me gjithë telashet e shumta, të shkaktuara kryesisht nga ‘‘inercioni i brendshëm’’ dhe ‘‘gabimet në hapa’’ është e vështirë të mohohen të arriturat (e pjesërishme) në vitet e para pas pavarësisë. Disa prej tyre do të ishin:-stabiliteti politik, institucional e deri diku edhe social, krijimi i strukturave të sigurisë, refuzimi (edhe pse i brishtë) i ekstremizmit fetar, rregullimi parcial i infrastukturës fizike (autostrada, objektet shkollore e shëndetësore, etj), privatizimi i pronës shtetërore (i përcjellur me shumë pikëpyetje), avancimi i bashkëpunimit rajonal, vendosja e kontakteve me organizima të fuqishëm ndërkombëtar, rritja e presencës në forume më reputacion dhe peshë globale, etj.
Sidoqoftë, në disa nga fushat me rëndësi jetike, sidomos në aspektin e brendshëm ndërnjerëzor, sfidat e adresuara më pak vazhdojnë të mbesin po aq problematike, me protagonistë pothuajse të njëjtë. Sot shumica shqiptare në Kosovë ende i shikon me mosbesim bashkëqytetarët e tyre serbë. Këta të dytë me po të njëjtën mosbesim i trajtojnë ofertat për integrim më kuptimplotë në shoqërinë kosovare. Në të njëjtën kohë, që të dy këto komuniete shprehin afinitete dyshuese ndaj bashkësisë ndërkombëtare, përderisa as ajo asnjëherë nuk ja arriti të ketë një besim të plotë në komunitetet e shtetit të sapokrijuar, në themelimin e së cilit kishte një rol parësor. Pra, duket se momentalisht në Kosovë askush nuk i beson askujt. Në lidhje me këtë mund të thuhet se bashkësia ndërkombëtare, në kombinim me interesat klanore, grupore dhe individuale arriti t’i pajtojë politikanët kosovarë, sidomos ata shqiptarë dhe serbë, por jo dhe popujt e tyre. Integrimi i pamjaftueshëm i pakicave, sidomos i asaj serbe, dhe izolimi (e deri diku edhe vetizolimi) i tyre nga popullata shumicë ka si rezultat kthimin drejt shteteve të tyre kombëtare në rajon. Në këtë mënyrë për një pjesë të qytetarëve të saj, Kosova vazhdon të jetë e pranur si vendlindje por e refuzuar si atdhe.
Edhe pse për kokë të banorit Kosova ka prezencën më të madhe të zyrtarëve dhe institucioneve evropiane në rajon, ai ka mbetur i vetmi shtet në Evropë qytetarët e të cilit ende kanë nevojë për aplikim për viza për të udhëtuar në perëndim. Nëse mendohet se për këtë fajet i ka Evropa dhe jo politikanët tanë ‘‘vendorë’’ atëherë një konstatim i tillë është gabim. Nëse proceset integruese vazhdojnë të zhvillohen si deri më tani, e që i ngjajnë vrapimit të ‘‘lepurit me hapa breshke’’ atëherë së paku dhe një dekadë vështirë se do të ketë liberalizim të vizave për kosovarët. Për të qene i pasaktë në këtë konstatim do duhej të ndodhë mrekullia. E për të nevojiten së paku dy palë. Në këtë kontekst janë të papërgjegjshme daklaratat e llojit të ‘‘ne jemi të gatshëm për nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, por ajo (Evropa, vrej. ime) nuk është’’. Evropa do ta nënshkruaj atë dhe të gjitha marrëveshjet tjera kur njëmend të fillojë të luftohet korrupcioni, krimi i organizuar, nepotizmi dhe dukuritë tjera negative që ka kohë që po ngulfasin këtë shoqëri. E për këtë ende nuk ka sinjale të mjaftueshme se e njëjta do të ndodhë. Sipas të gjitha parametave logjik premtimi se vitin tjetër do hiqen vizat është joreal dhe joserioz. Këtë e dinë dhe ata që e thonë, qofshin ata dhe ministra të angazhuar direkt në këtë proces, ndërsa me zhvillimet e fundit në dhe rreth BE-së anëtarësimi po duket një ëndërr e largët. Shumë e largët. Vendeve në rajon, pas lejimit të udhëtimit pa viza, u janë dashur së paku dhe 10 vite deri në anëtarësim të plotë. E për fat të keq, jeta jonë është e shkurtër për të pritur (kaq)gjatë.
Në anën tjetër, konfirmimi i GjND-së për të drejtën e institucioneve kosovare për shpalljen e pavarësisë së bashku raportin e një senatori zvicran në Këshillin e Evropës bënë që, me ndërmjetësimin e BE, në Bruksel të fillojë dialogu mes qeverive të Kosovës dhe asaj të Serbisë. Rezultatet e tij janë kompromiset jo të lehta nëpër të cilat po kalon dhe do të kalojë vendi ynë, përfshirë edhe themelimin e asociacionit të komunave serbe dhe gjykatës speciale.
Nga faza e tranzicionit, e cila nuk ka kaluar ende, sot Kosova po kalon në një nivel tjetër-atë të depresionit kolektiv. Mjerimi, varfëria dhe papunësia po rriten, qualiteti i arsimit dhe shërbimeve shëndetësor po ulet, retorika e ekstremizmit fetar po shtohet, njohjet e reja po vohohen, integrimet ‘‘euro-atlantike’’ po ngadalësohen, investimet e huaja po zvoglohen, Mitrovica nuk u bashkua por u nda, decentralizimi thelloi dallimet etnike, Serbia u rikthye jo në ‘‘lojë’’ por në skenë e bashkësia ndërkombëtare nuk arriti të fitojë zemrat e qytetarëve të Kosovës.
7 vite pas pavarësisë
Duke marrë parsysh burimet natyrore, popullatën e re si dhe mbështetjen e parezervë të një pjesë të madhe të bashkësisë ndërkombëtare u mendua se Kosova, shumë shpejt do të tejkalojë trashëgiminë e luftës dhe do të shënoj përparim më substancial, posaçërisht në promovimin e shtetit ligjor, fuqizimin e demokracisë, pavarësinë e gjyqësorit, zhvillimin ekonomik, barazinë sociale, investimet në kapacitetet njerëzore dhe shpërndarjen e drejtë të resurseve materiale.
Shtatë vite pas pavarësisë, pas ngritjes së profesionalizmit në sektorit të drejtësisë, Kosova do duhej të kishte themeluar vet gjykatën e posaçme dhe të kishte të përfunduar çështjen e hetimit të krimeve të supozuara të luftës dhe sjelljen para drejtësisë të fajtorëve, pa dallim. Popujt në vend që të urrejnë njëri-tjetrin do duhej të urrejnë kriminelët. Andej dhe këndej. Liria e vërtetë është fitorja e drejtësisë. Të keqen nuk duhet gëlltitur por duhet thënë emrin: e keqe. Autori i librit ‘‘Gullag’’ Alexander Solschenizyn një herë kishte deklaruar ‘‘Nëse gjurmon në të kaluarën, rrezikon të humbasësh njërin sy. Nëse e harron atë do të humbësh që të dy sytë’’.
7 vite pas pavarësisë, po të ishte ndjekur rruga e duhur atëherë Kosova do të duhej të gjendej në një fazë që qytetarët e saj, ashtu si të gjitha shtetet fqinje, ndoshta që në vitin 2010, të fitonte (së pari të meritonte, kuptohet) nënshkrimin e marrëveshjes për liberalizimin e vizave, ndërsa Marrëveshja për Stabilizim Asociim tashmë t’i përkiste të kaluarës së afërt.
7 vite pas pavarësisë, me një strategji më proaktive se deri më tani, Kosovën do mund ta kishin njohur gati të gjitha shtetet arabe, një pjesë e mirë e shteteve të Amerikës Latine, Afrikës dhe Azisë (e pse jo edhe Vatikani e Izraeli), ndërsa sigurisht se do gjendej edhe forma, politikisht adekuate, e pjesëmarrjes së Kosoves në sesionet e OSBE-së, Këshillit të Evropës dhe institucioneve me peshë ndërkombëtare. Në vitin e fundit po vërehet së këtyre përpjekjeve po i mungon karizma e Behgjet Pacollit, me gjithë mospajtimet eventuale në lidhje me ‘‘metodat’’ e tij lobuese.
Shtatë vite pas pavarësisë, në aspektin e sigurisë Kosova tashmë do duhej të kishte ushtrinë e saj në ‘‘Partneritet për Paqe’’ me NATO-n, me pretendime për anëtarësim të plotë në të si dhe të ishte pjesë përbërëse e EUROPOL-it dhe INTERPOL-it. Në lidhje me këtë Kosova kaloi nëpër shumë pak ‘‘Ditë Historike’’.
Shtatë vite pas pavarësisë, nuk do të duhej që Kosova për investuesit seriozë, në radhë të parë gjermanë, amerikanë, britanikë, austriakë, frances, etj, ende të jetë vend ku ata hezitojnë (dhe frikësohen) të sjellin kapitalin e tyre. E po të kishte pasur plan të mirëfilltë zhvillimi, uzinat dhe filialet e Mercedes-it, Audi-së, McDonald’s-it, Coca Cola-s, Telecom-it, Strabag-ut, Red Bull-it, etj, do duhej të binin në sy anëkënd vendit, ashtu siç ka ndodhur në të gjitha shtetet fqinje. Që kontrasti të jetë më befasues, u prit që, pas ndërtimit të austradës, partneri kryesor tregtar i Kosovës në rajon të jetë Shqipëria. Por, ajo është e fundit në listë. Dhe do vazhdojë të jetë aty përderisa, përpos bllokadave doganore reciproke dhe ‘‘vllazërore’’, në vend të qualitetit, nëse jo evropian atëherë atij ballkanik, pjesa dërmuese e prodhimeve si ‘‘kosovare‘‘ ashtu dhe ato ‘‘shqiptare‘‘ të vazhdojnë të ofrojnë kualitet ‘‘kosovar’’ përkatësisht ‘‘shqiptar’’.
*****
Për të tashmen është thënë pothuajse gjithçka. Por jo nga të gjithë.
Nesër është ditë e re. Duhet thënë dhe bërë diçka të re. Diçka tjetër. Ndryshe. Jo si deri tani. Vetëm ateherë do të plotësohet “ëndrra kosovare”.
………………………………………………….
(Ilustrimin e përgatiti editori i pashtriku.org)