BEHXHET Sh. SHALA – BAJGORA: BILETA PËR DEMOKRACI, UDHËTIMI PËR ANARKI!

Prishtinë, 19. 09. 2015: Asociacioni si shtet dhe asociacioni për pushtet: Brenda një kohe të shkurtër u formuan dy asociacione , ai i komunave serbe në Kosovë që po quhet Bashkësi apo Zajednica dhe ai i komunave shqiptare të Luginës së Preshevës . Për të parin kishte një marrëveshje e imponuar nga Serbia dhe “miqtë“ ndërkombëtarë , pas bisedave “teknike“ të Vjenës dhe Brukselit ndërsa për të dytin ndërkombëtarët nuk e lëvizën as aparatin për dëgjim të vendosur në vesh e lëre më veshin. Të parin u detyruan ta pranojnë edhe Kosova dhe Shqipëria ndërsa për këtë të Preshevës këto dy shtete mbetën me gojë të mbyllur. U bënë shurdhmemecë të interesit . Për Zajednicën te serbët pati koncensus nacional ndërsa për të dytin nuk pati marrëveshje as midis atyre që veten e kanë identifikuar si liderë të Luginës dhe që është dashur ta nënshkruajnë themelimin e këtij Asociacioni. Madje , e dënuan themelimin e këtij Asociacioni si një veprim të ngutshëm dhe të dëmshëm. Bashkësia e Zajednicës u ngjizë gjatë procesit të decentralizimit në baza etnike ku u formuan mjedise etnikisht serbe dhe u bë homogjenizimi puro etnik ndërsa Asociacioni i Luginës po bëhet kur njëra nga komunat (Medvegja) thuaja është spastruar nga shqiptarët ndërsa edhe në dy komunat e tjera të këtij Asociacioni , shqiptarët , si pasojë e një terrorizimi shtetëror , po largohen me tendencë që edhe Bujanoci dhe Presheva të bëhen si Medvegja! Zajednicën e ndihmuan politikisht dhe strategjikisht politikanët e Serbisë që marrin erë nga politika dhe Akademia e Shkencave të Serbisë që si shkencë të veprimit e kanë nacionalizmin dhe shovinizmin serb ndërsa Asociacionin e Luginës e formuan politikanët shqiptarë që në politikë marrin vesh sikur Don Kishoti për programin Windous. Akademikët serbë punuan shumë për Zajednicën, “akademikët” shqiptarë të Luginës të aziluar në Akademinë e Shkencave dhe të Arteve të Kosovës, e “përshëndetën“ formimin, pasi u fal Bajrami! Ky ishte kontributi i tyre!

Zajednicën në Serbi e përkrahën pozita, opozita, mediet dhe shoqëria civile, Akademia e Shkencave dhe kisha Ortodokse serbe ma patrikun Teodosie ndërsa Asociacionin e Luginës në Kosovë e përkrahi vetëm opozita (për qëllime politike sigurisht) dhe Azem Vllasi. Mos të flasë më për ASHAK dhe myftiun Naim Tërrnavën! Zajednicën e Kosovës, Serbia ishte në gjendje ta mbrojë me të gjitha mjetet sikur që është në gjendje ta shtypë Zajednicën e Luginës nëse vlerëson se paraqet rrezik për Serbinë e unë e them se nuk ka kurrfarë rreziku sepse nuk prodhon asnjë efekt juridik ngase është formuar mbi themelet e përçarjes midis shqiptarëve e jo për bashkimin e tyre! Zajednica e Serbisë në Kosovë është rezultat i masakrimit juridik dhe kushtetues të një të pashpirti dhe vrasësi gjakftoftë të Kushtetutës së Kosovës i quajtur Mati Ahtisari dhe “ekspertëve“ kushtetues vendorë , të cilët viti 1989 deklaronin se Kosova nuk humbë asgjë me ndryshimet kushtetuese e të cilët nuk patën guxim ta ndryshojnë as edhe një pikë apo prese të vetme andaj fare nuk e lexuan këtë Kushtetutë. Deklaronin se do ta ndryshonin më vonë këtë Kushtetutë duke mashtruar qytetarët e Kosovës. Vrasësi juridik dhe kushtetues e bëri kushtetutën e Kosovës si kompilim të Kushtetutës së Serbisë, si pjesë penguese strategjike, dhe pjesën tjetër si përshkruese e konventave apo dokumenteve tjera ndërkombëtare. Krahasoni kushtetutat e vendeve fqinje me këtë të Ahtisarit . Krim i vërtetë! Dhe krejt në fund, Zajednica e Serbisë në Kosovë është në shërbim të shtetit (Serbisë) ndërsa Zajednica e Luginës është në shërbim të marrjes apo ruajtjes së pushtetit. Në Luginë dhe në Kosovë. Si rrjedhojë dhe si pasojë, pas 20-25 vjetësh Zajednica e Luginës do të zbrazet nga shqiptarët ndërsa Zajednica e Serbisë do të homogjenizohet etnikisht dhe, me një referendum formal mund t’i bashkohet themeluesit Serbisë ndërkaq ndërkombëtarët, krejtësisht fytyra tjera do ta pranojnë gjendjen faktike në terren. Nuk ka garancione ndërkombëtare afatgjate. Ju kujtohet kur u arritë marrëveshja midis Isai Mustafës, Hashim Thaçit dhe Behgjet Pacollit për Feten presidente, me garantimin e Dellit , për një afat të caktuar. Pas një kohe kur vendin e Dellit e zuri Jakobsonka, palët e pakënaqura thirreshin në këtë marrëveshje ndërsa komenti i ambasadores ishte se:” kam dëgjuar diçka për një marrëveshje të tillë…”! Asgjë më tepër! Gjithashtu, kur u arrestua Radovan Karaxhiq thirrej në marrëveshjen me ambasadorin Holbruk për mosarrestimin dhe mosdënimin e tij. Me fjalë të tjera thirrej në imunitetin që i kishte garantuar Riçard Holbruk oralisht prandaj kërkonte që ai të përfshihej në listën e dëshmitarëve. Komenti i ambasadorit Holbruk ishte se si të paraqitet si dëshmitarë në favor të një krimineli lufte…. Ka edhe shumë raste të tjera të “garancioneve“ ndërkombëtare !
Demarkacioni apo bifurkacioni
U bë lesh puna rreth demarkacionit të kufirit me Republikën e Knjaz Nikollës. Sikur në lojën e pokerit, pjesë e lojës u bënë shumë harta dhe secili kishte hartën ( edhe të interesit) dhe e interpretonte sipas dëshirës. Gjeodetët nuk janë ata që përcaktojnë kufijë shtetërorë sikur që e bënë te ne. Gjeodetët e bëjnë parcelizimin e pronave . Kufijtë gjeografikë dallojnë prej kufijve etnikë. Thuhej se Kosova po i humbë 8200 hektarë ndërsa tash po thuhet se i humbë 12000 hektarë! Nuk jam ekspertë për kufi por jam i bindur se jemi ndarë shumë keq pas këtij demarkacioni i cili e ka marrë formën e prerë dhe të pakthyeshme. Murat Meha është njeriu më i fyer, më i sharë dhe më i sulmuar. Nuk ka epitet fyes që nuk është përdorur ndaj tij kohëve të fundit. As Al Kapone nuk është sulmuar në Çikago më shumë se Murat Meha në Prishtinë. Po kërkohet koka e tij. Pa hetime, pa aktakuzë, pa gjyq dhe pa të drejtë ankese. Edhe cubat i përmbahen një kodeksi cubërie e lëre më Kosova multietnike, e pavarur dhe sovrane që ndërkombëtarët po e shesin si tregim suksesi. Murat Meha po e paguan çmimin e mosrezistimit ndaj tundimit të qenit personalitet me rëndësi, sidomos në raport me ndërkombëtarët dhe proceset që po rrjedhin. Po e paguan çmimin e të mbajturit të zhagut për Editën, Hashën dhe Isain . Nuk ka mundur Murat Meha ta bëjë krejt këtë punë për çka e akuzon opozita si kalorës i vetmuar. Nëse e ka bërë , e ka bërë si pjesë e qeverisë së atëhershme dhe të tashme. Prandaj, as nuk rregullohen kufijtë e as situata me pushkatimin moral, publik dhe mbase edhe fizik të Murat Mehës. Opozita është dashur ta mobilizojë, siç po thirret popullin për demonstrata “gjithëpopullore“ e jo t’i mbledhë disa rugovas të moshuar (respekt për moshën e tyre) e të kërcënohet se shallin që e kanë për qefin do ta përdorin shumë shpejt nëse ndryshohen kufijtë! As Murat Meha nuk mund të arsyetohet se është nip i Tahir Mehës. Ndryshe, nuk do t’i duronte të gjitha këto poshtërime që i bëhen por, së paku do t’i drejtohej organeve të drejtësisë! Larg është Murat Meha prej Tahir Mehës sikur që jam edhe unë larg prej Cen Maxhunit që mund të jem nip i tij apo Ukshin Kovaçiqës që e kam pasur familjarë. Dallojmë shumë në cilësinë e organeve të caktuara sepse ata, ato organe i kanë pasur për identifikim burrëror dhe kombëtar ndërsa ne i kemi për identifikim biologjik dhe aktivitet fiziologjik!
Gjykata Speciale
U bë shumë zhurmë , sidomos nga opozita se nuk do të lejohet formimi i Gjykatës Speciale sepse qenka kundër luftës së UÇK-së. Vetëm Lista Srbska dhe një 98 % i LDK-së e ka kërkuar dhe mirëpritur themelimin e kësaj Gjykate. Lista Srbska dihet pse e ka kërkuar këtë . Po edhe LDK e ka bërë , jo se ishte kundër UÇK-së , por për ruajtjen e pastërtisë së kësaj lufte. Ashtu kanë deklaruar përkrahësitë më të mëdhenj të UÇK-së, që nga Isai, deri te Ismetai. Dhe nuk ka pse t’u mos u besohet. PDK, me litar në duar “ vullnetarisht“ po shkon drejt trekëmbëshit për varje. Madje, disa personalitete të fuqishme të PDK-së arsyetimin për votimin e formimit të Gjykatës Speciale e kanë sikur Isai dhe Ismetai! Nuk ka gjë më normale! A nuk janë partnerë të koalicionit ?! Kandidatët me të cilët do të merret kjo Gjykatë e kanë bërë një gabim që mund t’ju kushtojë shumë duke llogaritur në paprekshmërinë e tyre dhe duke qenë të sigurt se, nëse dikush rastësisht e merr guximin t’i arrestojë ata, reagimi më i butë që do të mund të ishte , është fillimi i Luftës së Tretë Botërore! Ndërkombëtarët, Srbia , disa parti politike në Kosovë vazhdimisht punuan në rrënimin e autoritetit të tyre dhe luftës që e bënë mirëpo kontributin më të madh në këtë aspekt e dhanë vet akterët që e hëngrën luftën që e bënë! Po ndodhin këto gjëra dhe kanë ndodhur edhe në vendet tjera. Tash është një përçarje e madhe midis shqiptarëve, ata që janë për Gjykatën dhe ata që janë kundër saj. Tash, pritjet janë shumë të mëdha sepse mendojnë se kjo Gjykatë do të merret me të gjitha vrasjet para , gjatë dhe sidomos ato të pasluftës të cilësuara si vrasje me motive etnike apo politike ! E kjo nuk do të ndodhë fare. Një intelektual i jashtëzakonshëm me të kaluar prej një komandanti me shumë ndikim dhe autor i disa librave me përmbajtje dhe vlera europiane dhe globale ka deklaruar se kjo Gjykatë Speciale, nuk do të merret me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit por me krime ekonomike! Ashtu do të jetë sepse , që nga Gjykata e Nyrenbergut , të Kamboxhias , të Siera Leones , Ruandës në Arusha e deri te Tribunal ii Hagës janë marrë vetëm me krime ekonomike. Kjo Gjykatë do të sjellë shumë zhgënjime për ata që i marrin shportat 20 kilëshe për një grusht dredhëza të pëshurrura ! Po të tillë jemi ne prandaj edhe jemi rast sui generis ! Edhe kundër kësaj Gjykate pati protesta “gjithëpopullore“ me pjesëmarrje prej 50 deri në 250 protestues qa sa edhe mund të kalojnë nëpër dua (e)rt e kësaj Gjykate !
Sizifi, si udhëheqës i opozitës
Opozita (VV, AAK dhe Nisma) janë përbashkuar dhe janë përbetuar në besnikëri … deri sa nuk u ipet rasti të bëhen pozitë, qoftë përmes zgjedhjeve apo një oferte të pozitës. Po bëhen gati për protesta masive dhe gjithëpopullore, pikërisht kundër tri temave që i përmenda. Po çka nëse populli nuk kontribuon në masivitetin e këtyre protestave ?! Ka qenë shumë më logjike dhe më parandaluese që këto protesta të organizohen dhe të intensifikohen para se të arrihen marrëveshjet për Zajednicën, Demarkacionin dhe votimit të Gjykatës Speciale . Edhe ato që u bënë ishin anemike, me pjesëmarrje simbolike që seriozisht e rrezikonte një demonstrate gjithëpopullore dhe masive. Me këto veprime vetëm sa e forcojnë pozitën dhe e rënojnë veten e tyre. Opozita duhet të gjejë krejtësisht pretekste dhe motive tjera mobilizuese për ta luftuar pozitën. Dhuna nuk është alternativë e as ”okupimi“ i Kuvendit . Është kartë e djegur sepse pozitës nuk i bëhet vonë nëse me muaj të tërë nuk do të ketë mbledhje në ndërkohë që adresimi i përgjegjësisë shkon drejt opozitës dhe “miqtë“ ndërkombëtarë nuk e lejojnë këtë një kohë të gjatë. Do të veprojnë ashtu siç vepruan me L-VAN-in. Madje , tash i “presin“ 5-6 koka të opozitës dhe kjo do të bëhet më paqësore se Partia e Drejtësisë pasi u arrestuan 40 hoxhallarë, imamë etj. Ndërprerja e seancës së fundit të Kuvendit të Kosovës ishte lojë krahasuar me zhvillimet në Parlamentin japonezë ku deputetët përdorën të gjitha shkathtësitë e arteve luftarake për ta mundur kundërshtarin. Nuk krisi kijameti pse në vend të Sabri Hamitit (nënkryetar i Kuvendit) u ul Aida Dërguti. Edhe ajo është nënkryetare e Kuvendit. Dallimi midis kuvendeve të Japonisë dhe Kosovës është se deputetët e Japonisë janë shumë luftarakë por edhe shumë të mençur ndërsa këta të Kosovës janë kryesisht paqësorë por kryesisht edhe kanë problem me dije (një 70% i tyre) . Edhe në Kuvendin e Kosovës ka deputetë të rrezikshëm dhe shpërthyes sikur ata të Japonisë siç janë Ismet Beqiri, Kujtim Paçaku, Mytaher Haskuka, Jakup Krasniqi (fatmirësisht është tërhequr), Duda Balje, Xhevahire Izmaku, Barjam Gecaj (nuk e di nëse i ka fituar votat për deputet), Pal Lekaj, Agim Aliu etj. Të tillë nuk ka në Lista Srbska përjashtuar Sllobodanit (Lirim) Petroviqit që është shumë i rrezikshëm. Të tillë po e konsideron Aleksandar Jabllanoviq!
Përfundimisht pozita është shumë e lëndueshme por opozita po i ofron terapi për shërim. Ç’kuptim ka kërkesa që kryeministri Isai të raportojë për marrëveshjet ndërkaq Ismetai të kërkojë shtyrje të këtij debati. Përkthyer në gjuhën e popullit kjo i bie sikur pas varrimit të Hasanit apo Hysenit dhe përfundimit të vizitave për kryeshëndoshë , të dalim me një njoftim se Hasani apo Hyseni paskan vdekur! Po ta kishte seriozisht opozita, që nga fillimi është dashur ta bllokojnë krejtësisht pjesëmarrjen në punën e Kuvendit me të gjitha komisionet që ofrojnë mëditje dhe turizëm parlamentar. Po të bënin kështu, e tërë përgjegjësia do t’i takonte opozitës. Kështu siç vepruan, më ngjanë në tregimin e të rriturve që vullnetarisht flejnë me bebe e në mëngjes ankohen pse janë pëshurrur nga to ! Lërini fjalët e mëdha si protesta masive dhe gjithëpopullore sepse mund të digjeni në zjarrin që vet po e ndezni! Merruni me gjëra konkrete për të cilët qytetarët kanë interesim dhe do ju përkrahin. Lërini temat e mëdha sepse , kur ka qenë nevoja, përveç Vetëvendosjes ishit tok me pozitën e tash deklaroni se ju kanë mashtruar. E çka qenka politika përveç mashtrimit te ne ?! Zoti ju ndihmoftë dhe Zoti na ndihmoftë!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura