DR.MOIKOM ZEQO: REQUEM PËR UMBERTO ECO’n

Tiranë, 29. 02. 2016: Mbylli sytë Umberto Eko (Eco) një nga personalitetet më të ndritur të kulturës botërore. Nëse bota është një tërësi individiumesh, kriza e individualitetit është një krizë e thekshme. Ç’ndodh në një krizë të tillë? Çdo gjë bëhet pluhur, ankthi i rikrijimit duket i largët dhe kriza e identitetit, është detyrimisht edhe krizë e rikrijimit. Nëse shpërbëhet individualiteti i një qënie, ne këtë mund ta quajmë një tjetërsim sendor, po shpirti ku ka shtegtuar vallë? Nëse shmanget individualiteti, atëherë cilët jemi ne? Nëse nuk jemi askush, atëherë përse jemi? Këto pyetje nuk mund të jenë shterruese. Por ato mund të jenë shpërthyese si meteorët e mëdhenj, katastrofikë. Nëse një njeri e humbet vetveten, atëherë çfarë është ky njeri? *** Umberto Eko, filozof, semiolog dhe shkrimtar. I nëmur dhe i lavdëruar, i urryer dhe i admiruar, një emër panteonik, një rebel i arsyes, një dinak i metaforave, një shtjellues i ideve të paaarritshme, një kërcënues i simetrisë, dhe njëkohësisht “semper idem” (gjithmonë i njëjtë). Vite më parë, kam shkruajtur shkrime për Ekon, me adresën e Universitetit të Bolonjës.

Nuk kam marrë përgjigje. As kam shpresuar të marr përgjigje (sidomos tani që vdiq). Në vitin 1981, bibliotekarja e Lidhjes së Shkrimtarëve, Flutura Greva, më dhuroi fshehurazi librin në frëngjisht të Umberto Ekos “Emri i trëndafilit”. Vite më vonë, Donika Omari, e shqipëroi shkëlqyeshëm këtë kryevepër. Kam 25 vjet që lexoj librat e hatashëm dhe kulturologjikë të Ekos. Mbas Leonard da Vinçit, mendoj (shpresoj) se Eko është një rimishërim, i dytë i gjeniut rilindas.

Umberto Eco (05. 01. 1932 – 19. 02. 2016)

***

Bija ime Arnisa, më dërgoi para shume kohësh librin më të çuditshëm të Ekos “La misteriosa fiama della regina Loana” (Flaka misterioze e mbretëreshës Loana). Përgjithësisht librat e mëdhenj të Ekos, i kam renditur në bibliotekën time, përtej kaosit të saj, këto libra janë të dallueshëm, të qendërzuar nga vëmendja ime. Gjithmonë kam ëndërruar se vetëm Eko mund të kishte lexuar dhe të kuptonte sadopak librin tim “Grishja e Florimontit”. Eshtë e vetëkuptrueshme se kjo gjë është e pamundur. Nuk shqetësohem, jam tejet i qetë, nuk mund ta pretendoj një gjë të tillë, nuk do të kishte asnjë kuptim. Erudicioni i Ekos, në shumicën e rasteve më trishton. Ai është një shkrimtar që mbijeton, gjë tepër e vështirë për shkrimtarët, sidomos mbas dukurisë së hatashme dhe të llahtarshme të eruditit Jorge Luis Borges. Pas Borgesit, dilema e shkrimtarëve është bërë fatale. Ose duhet të shkruajnë, ose duhet të heshtin. Por shëmbëlltyra e Ekos, na ngushëllon. Hapësirat mund të jenë të shumëfishta, vetëm talenti është gjë e rrallë. Ndoshta ky është misteri më i madh sesa formulat e Ajnshtajnit. Meqënëse letërsia shqipe (madje edhe shkrimtarët e saj më të shquar) është ende provinciale, mendoj se nuk duhet të trishtohemi pafundësisht. Globalizmi na e ka dhënë këtë sfidë të trishtueshme. Atëherë le të punojmë, qoftë edhe si sizifianë. Të shkëputemi dhe të shmangemi nga komplekset periferike të letërsisë.

***

Eko njihet si shkencëtar i semiotikës, shkencës pilot që merret me rëndësinë kuptimore dhe konvecionale të shenjave. Teoria e informacionit, së bashku me kibernetikën, me derivacionin e saj të aplikuar, sipas Ekos, ka fuqizuar, qartësuar rrafshin e frikshëm të semiotikës. Estetika e informacionit, është kozmosi i kuptimeve, shumë më tepër sesa tërësia faktike, fizime e informacionit. Estetikat idealiste lanë anash “botën e substancës”. Sot është rikthyer informacioni si substancë, ndaj jetësohet estetika përkatëse. Temarizim i problematikave, ngrihet në një teori të ndërlikuar, por edhe të qartë. Ai (Eko), merret me “anulimin ideologjik të ideologjisë’. Ka studiuar estetikën e Thoma Akuinit, është sfilitur me poetikën e Xhojsit. Eko, dinak kërkon të na mbushë mendjen se “autori është mirë të vdesë, ndërsa shkruan, që të mos i pengojë rrugën tekstit”. Eko shtegton, ashtu si Borgesi i rivizituar në Kenningarset Keltike. Eko shpall se “zbulova se romani nuk ka të bëjë fare me fjalët. Të shkruash një roman, është një çështje kozmologjike”. Dhe se “rrëfimtari është rob i kushteve të tua paraprake” ai mund të bëjë rrokjezimin e ngjarjeve, pa harruar vargun e njohur latin “verba tene, res squentur” (“kur ke fjalët, sendet vijnë pas”). Eko të çmend dhe të alarmon, nuk të josh për ta lexuar, sepse ai mendon “të shkruash 100 faqe, me synimin që të krijosh një lexues të përshtatshëm për tërë qindra vjet që vijnë pas”. Letërsia është vetëm për ata që mund të kuptojnë diçka. Të jesh lexues, do të thotë të kesh profesionin me iluminist të të gjitha kohërave. *** Romani më i mprehtë i Ekos, nis me një motiv spitalor. Pa e shmangur kronologjinë kalendarike. Në 25 prill 1991, antikuaristi Gian Battista Bodoni ka rënë në koma (për shkak të një infarkti). Vite të tëra, koma e ka shndërruar atë në një send. Ai është një qenie pa identitet, trup, por jo mendje, materie, por jo shpirt, kufomë e gjallë morgu, por jo qytetar, merr frymë, por jo në një arkivol. Kështu Eko, ve në reliev idenë e humbjes së identitetit. Post-modernizmi i vrazhdë, flet për shumësinë e identiteteve. Shumë njerëz e humbin identitetin, e falsifikojnë atë, ose e zhvendosin (si në filmin e famshëm të Malkoviçit). Ose e vjedhin identitetin si tek filmi “Kagemusho” e Kurosavës. Trilli i Beketit i shndërron personazhet dramatikë të mbjellë si bimët në një vazo. Akoma më egërshane është sfida e Xhojsit, një personazh i tij shihet në pasqyrë dhe dallon përballë një tjetër, ose disa të tjerë.

***

Libri i Ekos fillon: “E lei, come si chiama?” “Aspetti, ce l’ho sulla punta della lingua”. “Tutto e comnciato cosi”. Pra pyetja “Si e keni emrin?” Për çdo gjë në botë, lind kjo pyetje e tmerrshme dhe e kuçedërshme. Platoni ka thënë se habia e ka lindur filozofinë. Ka gabuar ky mendjemadh i kohërave. Filozofia nis me pyetjen “si e ke emrin?”. Gianbattisto Bodoni, zgjohet nga koma. Pranë i është gruaja e tij e bukur, Paola, epshore, e lëvizshme, aspak filozofike, as betriçiane. Pacienti ka humbur kujtesën vetjake. Neurologët e dinë fare mirë këtë simptomë, që Eko e ka konsultuar shkencërisht. Pacienti thotë emra të ndryshëm për veten e tij. Fjala vjen ai e quan veten “Arthur Gordon Pym”. Atëherë, Paola e shkujdesur dhe e shqetësuar, krenare dhe egoiste, e mbiquan Yambo, mbase emri i një elefanti fluturues, të një filmi vizatimor amerikan. Por çudia është fluturuese, Yambo vërtet e ka harruar krejtësisht kujtesën vetjake, por di tërë kujtesën e njerëzimit. Eshtë kjo mbase një alegori e hollë, e varakshme për emblemat e globalizmit, për arketipin: “Kujtesë e gjithçkaje, por jo e vetvetes”. Këtu nis intriga, optimistike dhe e frikshme. Tashmë, Yambo di gjithçka, fjala vjen për Aleksandrin e Madh, por ka harruar gjithçka për nipin e tij biologjik Aleksandrinon, Yambo, Alias Bodino, ka qenë para komas, antikuarist i librave. Enciklopedizmi i Larussit dhe i Book House-it, mbase edhe i viseve iluzore të Tlonit, i Tertius Mundus, zotëron atë që mban mend akoma personazhi. Ky personazh fatkeq dhe kurajoz ka lindur në vitin 1931. Vetë Eko ka lindur në vitin 1932. Pra, personazhi është i paralindur. Eko e tjetërson autobiografinë e vet dhe sillet si një pirat i pashpirt me rrëfimet augustiane. Kështu Yambo nis investigimin e kujtesës vetjake (një lloj binjaku post-modern i Shorlok Holmsit). Tema e rigjetjes së identitetit të humbur, është një proces i ndërlikuar arkeologjik. Çdo gjë rikonstruktohet si në epokën pas-përmbytore, Noeane, biblike, ose në atë post-atomike, post-ekologjike dhe pse jo post-globaliste. Krijohet kështu një metafizikë policore (thriller). Modeli abstrakt i hamendësimit, është labirinthi. Ne nuk kemi faj për këtë. Vetë Eko shprehet: “Librat flasin me njëri-tjetrin, një hetim i vërtetë policor (mendor), mund të provojë se fajtorët jemi vetë ne”.

***

Yambo kthehet në fshatin Solara, në rrafshnaltën e Po-së, në Piemont (ku ka lindur). Peisazhet befas i njeh. Po nuk e di se nga i vjen kjo rinjohje. Shkon në shtëpinë atërore (mëmësore), shikon librat, dosjet, kutitë, gjen një fjalor të vitit 1905, një radio të vjetër, me të cilën dëgjonte dikur Shopenin (pse jo Verdin apo Monteverdin?). Radio ka gërmat RL- Radio Londra, me të dikur dëgjonte lajmet heretike të Luftës së Dytë Botërore për disfatën perspektive të fashizmit. Yambo shikon librat e bibliotekës së harruar. Shfleton Homerin, Rablenë, Floberin, Shën-Agustinin, botimin e parë të shekspirit të vitit 1623, librat aventureskë të Emilio Salgarit (Karl May). Sidomos, të tmerrshëm janë librat për fëmijë, ata vizatimorë. Rikujton bëmat e Musolinit dhe të Hitlerit, partianëve antifashistë, toliatistët, komunistët, lexon Danten dhe Petrarkën. Befas i rikujtohet faza e pubertetit, e pjekjes seksuale, i kujtohet e dashura e parë, Lila. Rikujton vështirësitë, urrejtjen, urinë, frikërat e lashta dhe të reja. Abstragon në rrëfim tërë historinë, në fakt vetë biografinë e Ekos, deri në vitin 1991, kur Amerikanët bombardojnë Bagdadin (prishja e dytë e Kullës së Babilonisë).

***

Përse e bën këtë Eko? Pse parapëlqen të jetë arkeolog i kujtesës? Eshtë kjo një trill, apo një domosdoshmëri? Përse duhet bërë një gjë e tillë, kur kozmopolitizmi na tmerron të gjithëve? Në fund të fundit, ku është qëllimi? Pse ky libër përmend mbretëreshën Loana? Në faqen 249 të botimit të Bombianit, shpjegohet enigma. Mbretëresha Loana paska qenë as më pak dhe as më shumë, një personazh bizarr i një filmi multiplikativ. Ajo mban në dorë një tas të përmbysur me një flakë misterioze, ndoshta e krijimit të botërave. Po përse vallë përmendet mbretëresha Loanë? Për të mitizuar të rastësishmen?

***

Eko është princi i citimeve. Kjo është mania e tij e hareshme, krimi i tij letrar. Ai është një mjeshtër i kolazhit, siç është në pikturë Maks Ernst. Ai citon nga të gjithë autorët e mëdhenj, madje Yambo citon edhe nga librat e Ekos (A nuk është kjo një mendjemadhësi e ndritshme dhe e pafajshme). Eko është një investigues i llahtarshëm, ai duhet dënuar për këtë gjë. Ai është një dedektiv i epokave dhe një kirurg pretencioz i simboleve të gjuhës. Eko është i papërmbajtshëm. Ai ka vendosur të kolonizojë famën e tij tek lexuesi. Eshtë një autor i vështirë, por në fund të fundit tepër inteligjent dhe i papërballueshëm. Ai rikonstrukton kujtesën, pikërisht se në eopkën globale, të gjithë vuajmë nga amnezia. Nëse e humbim identitetin, përsër do të filmohemi, por ç’rëndësi ka kjo?

***

Të tëra romanet e mëdha të Ekos, janë të habitshme. Ky roman, bën një përjashtim akoma më të vështirë. Ky roman, është quajtur “Romanzo ilustrato”. Dhe është vërtet një kolazh me piktura dhe fotografi. Me një vullnet dhe durim, Eko përfshin një numër të madh vizatimesh, fotografish, sekuenca filmash, grafika, madje edhe simbole grafike të rëndomta dhe të frikshme. ai e ka ndërgjegjien të qetë. Kështu, semiologu e tremb shkrimtarin. Kështu, shkrimtari konvertohet në semiolog. *** Në një bisedë me Donika Omarin, kam thënë se duhej ftuar Eko në Shqipëri. Ai është një kriticist i majtë dhe universal. Në një shkrim Eko ka thënë se e njeh pak letërsinë shqipe, por do të donte që ta njihte. Ai ligjëroi në të gjitha universitetet e botës. Në një ligjërim për gjuhën universale, ai përsërit disa mendime që i ka shprehur shumë më para tij, në vitin 1902 Faik Konica. Kështu, Konica është një paraprijës i Ekos, Por Eko mjerisht nuk e di këtë gjë. Por edhe Konica mrekullisht nuk e di këtë gjë, se ka ndekur orek johësh. Idetë përputhen. Eshtë e njëjta lojë si ajo e formulave matematikore. Nëse ne dimë diçka për Ekon, kjo është një përparësi për ne. Nëse Eko nuk diti diçka për shqiptarët, kjo është një mangësi për të, ndonëse nuk e dëmton.

***

Si të gjithë shkrimtarët e mëdhenj, Ekoja fshihet pas maskave. A nuk është Don Kishti, maska e Servantesit? A nuk është Hamleti, binjaku tragjik dhe delikat i Shekspirit?

***

Libri më i fundit i Ekos, nuk ishte aspak libri i tij i fundit. Kurajoja e tij është e çmendur. Fantazia e tij ftillëzohet nga Mesjeta e shumëduarshme. Ai mëtoi të krijojë mitologjinë e shkrimit, ndonëse admiroi Dekartin. Ai është i shumëkuptimtë, ndonëse tallej me tradicionalistët. Ai ishte i rrezikuar në epokën globale, ndonëse ngrihej lart si rreziku më delirant i globalizmit. Ai ishte i vërtetë sepse rikonstruktoi historinë, optika e tij ishte humaniste, Leonard da Vinçi, ishte një sozia e tij, ose synimi i tij i padiskutueshëm. Jo vetëm kur ishte gjallë, por edhe tani në pasvdekjen e tij të pashmangshme.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura