PËLLUMB GORICA: ERA TË REJA FRYJNË…

Tiranë, 20. 10. 2016: (Vëllimi poetik “Era s’fryn si më parë” nga Qazim Muska) – Të shkruash për poetët është si t’i ngjitesh qiellit ngarkuar me një kal Pegasi. Kjo ndodh, sepse pena e tyre tret retë e mbarsura me rrebeshe e stuhi, shkrin dëborën që gufon përrenjtë e ndjenjave me fllad prilli, për të gjetur rrugën e bukur të krijimit shpirtëror. “Era s’fryn si më parë”. Kështu e titullon vëllimin e tij poetik Qazim Muska. Fjala erë, nuk është thjeshtë një lëvizje ajri, por sintetizon në vetvete një simbolikë kuptimi epokal “para erës sonë”, pas “erës sonë “ e deri tek rrymat e reja ideologjike dhe filozofike, që lindin në një shoqëri të caktuar. Era s’fryn si më parë, do të thotë për poetin se po fryjnë erëra të reja; në shoqëri, në dashuri, në ekonomi, në filozofi e ideologji. Poeti sikur ka fuqinë dhe dëshirën e madhe që t’ua ndryshojë drejtimin erërave, të cilat fryjnë në një univers mendimesh dhe ndjesish. Kërkon të hap portat e një ere tjetër me vargjet e tij. Ndaj, ai është i shkrirë trup, mendje e ndjenjë me poezinë dhe në çdo kohë është një grimcë e pandalshme e saj, duke përcjellë shqetësimet dhe problematikat e saj. “Jam mali që barkun ma zbrazën me abort/ Jam deti që më prenë me gërshërë si letër/ jam pylli që më dogjën dhe ndezën cigar/ jam lumi që qaj për shtratin e vjetër”.
Në faqen 25 të vëllimit poetik“Era s’fryn si më parë”, të Qazim Muskës, ka një poezi të bukur ku qëmtimi i detajit të befason me simbolikën e përzgjedhur fëminore, që rrallë poet mund të ketë të tillë gjetje. Në funksion të përcjelljes së mesazhit artistik në këtë poezi, poeti përmend personazhe e autorë veprash shumë të dashur për fëmijë si Guliveri, Xhon Silveri, Tom Sojeri, Zhyl Verni, Anderseni dhe kur e lexon atë, pavarsisht nga mosha, gjithësecili bëhet për disa çaste fëmijë.

Poezitë e Qazim Muskës të ngjajnë si copra kronikash të shkëputura nga një jetë që gjallon paprerë, që mbartin edhe vuajtjet, kërkojnë dashurinë e sinqertë, dhe gjakosen për të drejtën, e cila nuk e shuan kurrë shpresën. Ndaj dehet nga një aromë luleje, kënaqet kur puth në gushë të dashurën, por jeton edhe me shqetësimin e madh të kohës. Më shkurt dhe më dhimbshëm nuk ka se si shkruhet më. Një përgjithësim i fuqishëm me një mesazh të qartë. Me këto vargje ky poet arrin të zjarrmojë çdo zemër rinore: “Kjo puthje nën gushë dogji dy buzë/ tek i fryu zjarrit të dashurisë shpuzë”. Ai rrok çdo grimcë të kësaj jete, me kafshët e njerëzit, me të mirët e të këqinjët, me sakatët e të verbërit, që të gjithë së bashku mbajnë në këmbë konturet e një poezia që rreket të ëndërrojë për një të ardhme më të mirë. Shumë prekëse në këtë drejtim është poezia për të verbërit.“Prej verbërisë suaj turpërohet drita/ Drita njerkë që s’iu ledhatoi kurrë”.
Durimi, shpresa, qetësia, admirimi, dashuria janë flladitje zemrash e mendjesh, që poeti i përdor për shtytjen e anijes drej lumturisë, ardhmërisë e ndjesisë njerëzore. Nga një ditë plot shqetësim e dashuri, nga imazhi i një vashe që puthet me të dashurin, tek Gërdeci shkatrrimtar, që mban fshehur dhimbjen, nga ushtari që rreshtin s’e mësoi dot, tek ikja e Eskilit dhe akrepat e orës, poeti sikur bën kapërcime të pakuptueshme, por në fakt është një kapërcim i këndshëm, se ai përdor natyrshëm si një urë ndërlidhjeje një ndjenjë të qelqtë, gjithmonë me një intimitet të brendshëm, duke e shkrirë atë bëhet një në madhështinë e të thjeshtës, e shprehur me plot ndjesi: “Ulem në prehërin e paqtë/Flutur mbi lule nektari/ Ti livadhi në pritje/ e unë blerimi në fije bari”. Shfleton faqet e lexon vargjet e këtij vëllimi dhe, për një çast, të duket vetja sikur je ulur në tavolinën plot, bashkë me tre shokët e tij, e pastaj ai ngrihet e vazhdon udhën, i përmallur nga dashuria për vashën që ka larg, dhe, duke qenë i shkrirë organikisht me ndjenjën e fuqishme të dashurisë, si themel dhe pregatitje të ripërtëritës së jetës, i kësaj jete sado të vështirë, shkruan: “Ndodh e ç’nuk ndodh me këtë jetë cinike/ aq sa më i tmerrshmi labirinth mund të mbesë/ E prap i dashuruar me këtë “armike/ Në dashuri si një dashnor dua të vdes”.
Poeti s’do t’i verë në peshore dashurinë me hipokrizinë, të mirën dhe të keqen, sepse është i vetëdijshëm për atë që ka zgjedhur dhe i përket e ardhmja, ndaj shkruan: “Se mësova dot sa peshonte dashuria/Hipokrizia sa peshonte se mësova kurrë/Ndaj mbeta udhëkryqit pa tabela/Barkë pa spirancë dhe flamurë”. Ai e ndjen veten njeri të palodhur të kohës, të zhvillimit, të progresit: “Aty jemi unë dhe ti/Një pikë një germë a një presje”. Poezia e Qazim Muskës është e ndjeshme, prekëse, frymëzuese, sepse materiali me të cilin është gatuar brumi i saj është mbledhur kudo, mes njerëzve të thjeshtë e zemrave plot dashuri, nën rrezet e argjendta të hënës dhe dallgëve përkëdhelëse të detit, në fijet e barit e zjarret prometeane, në ashpërsinë e meshkujve dhe delikatesën e vajzave e, kësisoj, ai nuk e shuan kurrë frymëzimin. Pra mielli me të cilin gatuhet ky brum është mali dhe fusha, gëzimi dhe trishtimi njerëzor, yjet dhe retë, shiu e rëra, gjethi e lulja, lisi e shkurrja, e shkuara dhe e ardhmja, dhe vetë poeti është një qelizë e tyre. Kryesorja për poetin është të ruhen themelet e pastra e të shëndosha, dhe të mbahet gjallë shpresa, se këto janë dy shtylla, që sjellin vetëm ripërtëritje, prill të përhershëm. Duke e quajtur prillin si simbol të shpërthimit të ndjenjave dhe ripërtëritjes, poeti shkruan aq bukur: “Prilli më dehu/por puthja jote ish gota e fundit/ që piva i etur/dhe dehur mbeta përherë”.
Qazim Muska dashuron, ëndërron, shpreson, dhe e sheh ngadhnjyes veten nëpërmjet ndeshjes së të kundërtave, duke i parë ato gjithmonë si burim zhvillimi. Duke parë se e kaluara është një histori plot trazira e marrëzira, zmadhime e dështime, poeti merakoset e kërkon që të mos trazohet ajo, dhe të mos merret me keqdashje asnjë me të. Aq më keq mos ngacmo dashurinë e kaluar, se ajo djeg përherë si prushi: “Të thashë mos i fryj zjarrit të fikur/ prushit të vjetër të ftohur disi/se ndodh të ketë mbetur ndonjë shkëndijë/ Mbuluar me hirin dhe pak marrëzi’’. Poeti ka një merak që e realizon ndjeshëm në poezinë e tij: Të jetë pjesëtar aktiv i kësaj kohe plot trazira. Ai me mish e shpirt kërkon të jetë pjesë e gëzimeve dhe dështimeve, i problemeve dhe fitoreve, i të rinjve dhe i pleqëve, i asaj kohe që iku dhe kësaj që jeton, ndaj kërkon të mbruhet me të gjitha dashuritë dhe urrejtjet dhe t’i shkarkojë ata për çdo njeri që i meriton. Ai kërkon që të mos e gjejë në gjumë asnjë e papritur, që të mos “ta vrasë koha ngadalë”. Ai asnjëherë nuk do të lodhet e përkulet, përveçse para mirësisë: “Prej dëlirësisë malin çoj në këmbë/dhe diellin lind nga dashuria/ në u përkulsha, në ndodhtë ndonjëherë/përkulem veç nga mirësia”.
Të tillë janë poetët, me mirësi, me ndjenjë, me natyrë, me dhimbje e me dashuri më shumë se të tjerët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura