Itali, 18. 03. 2016: Para një muaji, duke lexuar shtypin e ditës, u ndala tek artikulli me titull: “Kryeministrat e Greqisë, bashkëpunëtorë të gjermanëve”, shkruar nga Arben Llalla (February 18, 2016) – botuar në Gazetën DITA. – E lexova me vëmëndje, u njoha me mendimet e tij, keq apo mirë është mendimi i tij. Qëllimi i këtij shkrimi nuk është për tu pozicionuar në mënyrën se si është trajtuar nga ana e shkruesit. Ky shkrim merr shkas nga tërheqja e vëmëndjes prej disa mendimeve që kanë shumë njerëz të fushave të ndryshme, si historianët, shkrimtarët, disa akademikë të Greqisë dhe mjaft njerëz të cilët kanë besuar me fanatizëm trajtimin e shtrëmbëruar të ngjarjes prej protagonistave realë. Nuk përjashtohen edhe ndikimet e disa përfaqësuesve të dërguar në emër të “Aleatëve”, që shtjelluan ngjarjen e masakrave dhe shpërnguljen me dhunë të banorëve të Çamërisë në vitet 1944-1945, me gjykimin brenda atmosferës së kohës së luftërave, pa njohur historinë e së shkuarës, gjeopolitikën, kanë anashkaluar qendrimet raciste, etno-fetare që kanë ekzistuar dhe ekzistojnë në shtetin Grek,
Kurioziteti më shtyu të lexoja edhe disa komente, lidhur me artikullin e historianit, ndërmjet të cilëve po ndalem tek njëri koment, i cili ndër të tjera shkruan: “….Llalla nuk bëhesh kurrë i besuar tek lexuesit shqiptarë, nëse nuk shkruan gjithë të vërtetën kur përpiqesh që kriminelin ta barazosh me politikanin ose me një tradhëtar. Çemërit nuk u dëbuan se bashkëpunuan vetëm me gjermanin, por nga krimet e tmershme që kanë bërë ndaj popullsisë çame helene orthodhokse të Igumenicës, Prevezës dhe Paramithisë. Se po të qëndronte kjo që ti rrëfen se vetëm se ishin bashkëpunëtorë të gjermanëve nuk do ti zbonte njeri. Fsheh i dashur Llalla të vërtetën dhe kjo nuk ndyshon opinionin shqiptar që njeh shumë mirë çfarë kanë bërë çamët kriminela (jo të gjithë), në Çamëri. Këto janë të vërtetura dhe te dokumentuara me fakte dhe sado baltë të hidhet mbi çështjen çame e vërteta dihet edhe në Evropë edhe në USA. Nuk gënjehet as Gjykata e Hagës me mashtrimet e keqbërësve mbi popullsinë çame helene të Epirit. Baballarët kriminela që dolën nga familjet e çemërve myslimanë njollosën historin e të gjithë çamëve. Kjo është e gjitha. Dhe në vend që bijtë e këtyre kriminilave të tregojnë seriozitet dhe të kërkojnë falje për krimet e prindërve të tyre marrin në qafë dhe të ardhmen e çamëve të pafajshëm. Ky vazhdim i veprimeve që bëjnë keta individë marrin në qafë dhe fqinjësinë e mirë me Greqinë. Habitem çduan këta individë? Tu falin tokat e kriminelëve? Pará për krimet që kanë bërë? Të drejtë kanë vetëm ata çamë që nuk kanë bërë krime dhe të paraqiten tek gjykatat greke se nuk kanë vrarë e prerë baballarët e tyre dhe të marrin tokën apo dëmshpërblim. Po edhe këta nëse do të marrin toka e ara në Greqi duhet të mos përvetësojnë asnjë copë tokë në Shqipëri. Se u takon vetëm shqiptarëve. Se as trashëgimi skishin as blenë ndonjë tokë në Shqipëri. Këtë që kanë i u a dha Shteti shqiptar nga pjesa që u takon vetëm vendalive. Morrën tokën nga ne që s’jemi çamë por trahëgimtarë të këtij vendi që quhet Albani. Prandaj i dashur Llalla mos u lodh me fotografitë e grekëve që nuk kanë asnjë kuptim, po merru me prova të vërteta dhe shkruaj gjithë të vërtetën që të bëhesh i besuar….. “.
Arben Llalla: Kryeministrat e Greqisë, bashkëpunëtorë të gjermanëve
http://www.gazetadita.al/kryeministrat-e-greqise-bashkepunetore-te-gjermaneve/
Ky ishte nji ndër komentet, tek i cili po ndalem, jo se i duhet kushtuar ndonji rëndësi e madhe, pasi siç shifet në shkrimin e tij, tregon se është jashtë temës, nuk ka asgjë të qartë, por sepse të tilla qëndrime, siç thashë, kanë shumë njerëz të ditur, të paditur, të pushtetshëm ose jo, lidhur me problemin e Çamërisë dhe të çamëve myslimanë. Pas këtij komenti, nji komentues tjetër, me sa duket i ndodhur i tronditur nga sa shkruhej, ku çamët qenkan kriminelë, vrasës, etj. i është drejtuar komentuesit të mësipërmë si vijon:
“Inderuar komentues “x”, je i lutur të na informosh, brenda dijeve të tua, se ç’farë krimesh kanë bërë çamët myslimanë në Greqi, sepse literaturat e dritashme shkruajnë se çamët kanë bërë krime, vrasje, djeg’je shtëpish, etj, por konkretisht nuk jemi njohur me shifra, vende dhe emra. Sa i përket tokave që kanë marrë në Shqipëri, nuk mendoj se duhet diskutuar se edhe çamët myslimanë dhe ata të krishterë janë shqiptarë, epirotë, ilirë, pellazgë dhe jo grekë, të paktën kështu e kam lexuar nëpër librat e Strabonit, Artistotelit etj. Së fundi këto janë tema që duhet të flasin, ashtu siç e shprehni edhe ju, historianët e vërtetë dhe jo ndonji nga jashtë ”planetit”.
Nuk di nëse ështe po ai komentues, por kërkesës së komentuesit të dytë i erdhi ndihma si vijon:
“Faleminderit për mundësinë që më jep të të inforoj ty dhe gjithë shqipot qorra dhe naiv. Kliko në Internet logon “Paramithia wikipedia” ai shkrim është në Anglisht plot me referenca nga ditare dhe biografi të oficerëve gjermanë dhe britanikë, europianë, që flasin për ato ngjarje me shifra dhe emra. Lexo për martirin Paramithjot Dionis Filozofin Arhiepishkop në shkrimet e “Zërit të Çamërisë”, gazeta “Dita”….se çfarë masakrimi ka pësuar nga bashkëvendasit e tij, nga çamët musulmanë. Ka shumë fakte në internet nga artikuj të ndryshëm të huaj, ato janë të besueshme vetëm kur shoqërohen nga Referenca”.
Kështu e përfundon rekomandimin komentuesi në fjalë.
•••
Pasi u njoha me këto tre komente, e ndjeva obligim historik për të bërë të ditur të vërtetat e ngjarjeve që lidhen me banorët e etnisë shqiptare të krahinës së Çamërisë, si për ata të besimit krishterë, që banojnë në vendin e tyre autokton por që u është mohuar çdo e drejtë si pakicë etnike dhe për ata myslimanë, që u masakruan dhe u shpërngulën me dhunë nga vendi i tyre autokton.
Sipas porosisë së komentuesit të tretë, clikova në logon: “Paramithia wikipedia”, për tu njohur me krimet e çamëve, të cilët akuzohen në vazhdimësi nga pala greke dhe jo vetëm. E mora materialin nga anglishtja dhe po paraqes pjesë të përkthyer në shqip:
“……Pas përfundimit të Luftërave Ballkanike (1912-1913) qyteti ( bëhet fjalë për Paramëthinë-FD) u bë pjesë e shtetit Grek, si dhe pjesa tjetër e rajonit të Epirit. Deri në Luftën e Dytë Botërore qyteti kishte një popullsi të përzier, grekë dhe çamë shqiptarë. Gjatë Luftës greko-italiane (28 tetor -14 nëntor 1940), qyteti është djegur nga grupe të çamëve Shqiptarë. Pothuajse të gjitha ndërtesat e banuara u shkatërruan nga shqiptarët myslimanë në qytet gjatë luftës Luftës së Dytë Botërore. Artikulli kryesor: ekzekutimet në Paramëthí: Në natën e 27 shtatorit 1943, milicët çamë arrestuan 53 qytetarë grekë në Paramëthí dhe dy ditë më vonë ekzekutuan 49 prej tyre. Ky veprim ishte orkestruar nga vëllezërit Nuri dhe Mazar Dino (oficerë të milicisë çame), në mënyrë që të shpëtojnë nga përfaqësuesit grekë të qytetit dhe prej intelektualëve. Sipas raporteve gjermane, milicët çamë, gjithashtu ishin pjesë e skuadrës së pushkatimit. Gjatë muajit shtator (20-29/1943), si rezultat i aktiviteteve seriale terroriste, të paktën 75 qytetarë grekë u vranë në Paramëthí dhe 19 komuna janë shkatërruar. Më 30 shtator, përfaqësuesi zviceran i Kryqit të Kuq Ndërkombëtar, Hans-Jakob Bickel, vizitoi zonën dhe konfirmoi mizoritë e kryera nga ana e milicisë çame në bashkëpunim me forcat e Boshtit”. Kjo ishte trajtuar në rekomendimet që dha njëri nga komentuesit.
Për të vërtetuar “krimet e tmerrshme të çamëve”, siç flitet shpesh jo vetëm nga sa sipër, në këtë referencë nuk kishte argumente bindëse, prandaj ju drejtova referencave, konkretisht: Jump up^ Georgia Kretsi. Verfolgung und Gedächtnis in Albanien: eine Analyse postsozialistischer Erinnerungsstrategien. Harrassowitz, 2007. ISBN 978-3-447-05544-4, p. 283. U njoha me trajtesat e tij për çështjen, por ishin po ato si tek:”artikulli kryesor: Persekutimet në Paramëthi”. Përfundimisht rezulton se referencat për “vrasjet e tmerrshme” që thuhen për çamët, nuk kane argumente të tjera, pasi të gjitha referencat i referohen njëra-tjetrës, shkurt përsërisin referencën e parë.
Nga përvojat sociale, studimet dhe hulumtimet që kam kryer, rezulton se asnjiherë e vërteta nuk arrin të shuhet, të fshihet, të injorohet, pavarësisht përsëritjeve të gënjeshtrave, shpifjeve, mashtrimeve që realizohen duke përdorur librat historike, shkollat, romanet, tregimet, dokumentarët, filmat, gazetat e shumta apo përkthimet në gjuhë të ndryshme, të cilat i ka patur dhe i ka me bollëk pala greke. E, në përballje me të gjitha këto, e vërteta mund të mos fitojë, por gënjeshtrat, shpifjet, etj. asnjiherë nuk mund të arrin tek e vërteta.
Më tej materiali na njeh me banorët më të rëndësishëm të Paramëthisë, si:
• Dionis Filozofi (1560-1611), murg grek dhe revolucionar.
• Alexios Pallis (1803-1885), shkrimtar grek.
• Sotirios Voulgaris [Sotir vulɣari], lindur në një fshat rumun i njohur si Kalarites (1857-1932), themelues i bizhuterive dhe mallrave luksoze, i cili ekziston edhe sot në Paramëthí. Pas dëshirës së tij, bijtë financuan ndërtimin e shkollës fillore të qytetit.
Këta tre persona na paraqiten në referencat e përsëritura, si personalitetet e qytetit të Paramëthisë, por që asnjëri prej tyre nuk është paramthiot dhe nuk ka luftuar për banorët e Paramëthisë. Megjithatë, për të realizuar analizën e ngjarjeve po i trajtojmë si paramëthiotë të tre ata personalitete. Ç’farë të mira apo jo të mira kanë bërë këta për Paramëthinë, paramithiotët dhe banorët e Thesproti/Çamërisë, sipas kohës së tyre, pasi kanë jetuar në kohë të ndryshme nga njëri-tjetri!.
• Dionis Filozofi, me disa njerëz, besnikë dhe me ndihma nga aleatët e huaj, ka vrarë e ka therur qindra banorë të Thesprotisë, nën pretendimet se ata ishin shndërruar nga të krishterë në myslimanë. Nëse ky variant është i vërtetë, ai nuk meriton të trajtohet si person i rëndësishëm i Paramëthisë, sepse nuk mund të vrasësh në emër të Zotit dhe se besimi fetar nuk duhet të ndikohet me pushkë, por me predikime. Nëse Dionisi përdori shpatën për besimin tek kryqi, ai i ka merituar epitetet që njihen nga historia, të cilat sipas hulumtimeve dhe referimeve të ndyshme, na i sjell z. Abedin Rakipi tek “Masakra e parë ndaj çamëve” dhe“Masakrat e Derviçanit 1772“, ku citojmë disa pjesë:
“Është shumë e rëndësishme për popullsinë çame të emigruar nga vatrat e saja, dhe me banim…… në Shqipëri apo gjetkë që të vihet në dijeni se gjenocidi çamë nuk ka filluar në 1821 me revolucionin grek ku suljotët dhe grekët filluan të masakronin të gjitha fshatrat jugore të Çamërisë, as në 1913 ku pas shëmbjes së Perandorisë Osmane të gjithë çamët e Janinës, Nartës, dhe ata të Çamërisë lindore, jetuan makabrat më të tmerrshme nën hijen e thikave dhe kryqit, as në 1944 me masakrën e madhe të suljotit Napolon Zerva, por shumë dekada më parë, në vitin 1611 me masakrat e orkestruara të….. Dionis Filozofi (…sipas të dhënave historike Dionisi kishte lindur në një fshat të Epirit, në një nga fshatrat e Paramithisë, por ishte me origjinë greke). …Dionis Filozofi tregohet si “gjakatar, kriminel, i pamëshirshëm” etj. Psh në tekstin e Maksimit rreth Dionis filozofit gjejmë fjalët: “djall, i pamëshirshëm, mashtrues, dinak, ujk” etj, ndërsa tek Kronika Anonime gjejmë fjalë si: “armiku i qënies njerëzore”, etj… Me hyrjen e tij në Janinë ai masakroi gjithashtu me qindra njerëz të pafajshem, dhe një ndër lojrat e tij të preferuara ishte që ti digjte njerëzit për së gjalli brenda shtëpive, ndaj edhe shqiptari Asllan Pasha pasi e kapi të gjallë, e dogji për së gjalli që ai vetë ta ndiente se sa kishin vuajtur qindra viktimat çamë që Dionisi kishte masakruar. Kjo është faza e parë e masakrimit të popullsisë çame, e cila do të përfundonte në vitin 1945 me masakren e tmerrshme të Filatit”.
• Alexios Pallis, në periudhën e tij ka qenë nji shkrimtar dhe vetëm kaq.
• Sotirios Voulgaris ishte nji tregtar, i cili krahas biznesit dhe vijimshmërisë së tij, ka ndihmuar në plotësimin e nevojave të banorëve, por kundrejt pagesave përkatëse.
Në referencat e rekomanduara, njihemi edhe me njësitë komunale të Paramëthisë, e cila kishte në vartësi 23 fshatra, nga të cilat rezultojnë 10 prej tyre me popullsi të përzier, dmth me ortodoksë dhe myslimanë, konkretisht:
1. Agia Kyriaki.-2. Ampelia (Ampelia, Agios Panteleimonas, Rapi).- 3. Chrysavgi.- 4. Elataria. 5. Grika.- 6. Kallithea (Kallithea, Avaritsa, Vrysopoula).- 7. Karioti.- 8. Karvounari (Karvounari, Kyra Panagia).- 9. Krystallopigi (Krystallopigi, Kefalovryso).-10. Neochori (Neochori, Agios Georgios, Neraida).- 11. Pagkrates.- 12. Paramythia (Paramythia, Agios Georgios, Agios Donatos).- 13. Pente Ekklisies.- 14. Petousi.- 15. Petrovitsa.- 16. Plakoti.- 17. Polydroso.- 18. Prodromi (Prodromi, Dafnoula).-19. Psaka (Psaka, Nounesati).-20. Salloniqi.- 21. Sevasto.- 22. Xirolofos (Xirolofos, Rachouli).- 23. Dhragumia (Zervochori, Asfaka, Kamini).
Sipas pretendimeve të referencave që janë përpjekur për të treguar “mizoritë e çamëve myslimanë” gjoja ndaj grekëve, rezulton se janë shkatërruar 19 komuna nga 23 që ishin gjithësej. Kryerja e analizës na lejon ti marrim të mirëqena supozimet, për të mos thënë genjeshtrat greke. Konkluzioni: nga 23 fshatra, 19 na qenkan shkatërruar, kështu mbetën pa u shkatërruar vetëm 4 fshatra. Arithmetikisht duhet pranuar që çamët myslimanë, duke djegur 19 shtëpi, kanë djegur bashkë me ato të grekëve edhe shtëpitë e tyre. Nuk mendoj se ka ndonji llogjikë që i pranon gënjeshtrat e referencave greke.
Për nji infomim të saktë, sipas të dhënave statistikore, në vitin 1944, kur çamët janë shpërngulur nga vendi, Paramëthia kishte 65 fshtra dhe me qytetin ishin 66 qendra administrative. Nga këto 13 fshtra ishin çamë myslimanë, 47 fshtra ishin çamë ortodoksë dhe 6 fshatra ishin ortodoksë grekë. Duhet theksuar se fshati Dhragumi, fshat tërësisht me çamë myslimanë, kishte 250 shtëpi, të cilat u dogjën të gjitha nga pala greke dhe sot fshati quhet Zervohor, në nderim të “Zervohotëve”, vrasësve të çamëve; ndërsa banorët e fshatit Rachouli (Rahuli), të cilët i shpëtuan banorët myslymanë të Kurtecit, nga hakmarrja e banorëve të disa fshatrave të Margëllëçit, për vrasjet që ata u kishin bërë më përpara, jo vetëm që nuk ishin mirënjohës, por u bashkuan me Napoleon Zervën duke vrarë e therur edhe kurtecotët. Tronditës është edhe djegja të gjallë në furrë e nji djali 15 vjeçar nga Vasil Balloma me bashkëfshatarët e tij; ndërsa kur familjes së atij djali i sollën nji djalë të njërit prej vrasësve të djalit të tyre për të marrë hak; familja çame, pasi e veshi mirë e mirë me rrobat e reja të ish djalit të tyre, ja dërgoi të gjallë, pa asnji dëmtim djalin familjes që i mungonte.
U ndala tek këto raste për të treguar diferencat mes referencave dhe realiteteve, por nuk ishin as këto ngjarje, as ato që na referohen me bujë për gati 100 vjet nga teoricienët e gënjeshtrave, shpifjeve, historianët apo shkruesit e historive me mballoma të sajuara. Të vërtetat e ngjarjeve të ndodhura në rajonin e Çamërisë ndaj banorëve, në veçanti të atyre të besimit ndryshe nga ortodoksia e kishës greke, po i sjellim si më poshtë.
E shoh të domosdoshme që para se të shtjellohen të vërtetat e atyre ngjarjeve, duhet sqaruar se marrëdhëniet mes komunitetit çam myslimanë dhe grekëve deri në vitin 1830, duhet theksuar se nuk ishin probleme ndërmjet shtetit Grek dhe banorëve Thesprotë, kjo për faktin se deri në atë vit nuk kishte shtet Grek, por konfliktet e ashpra ishin pjellë e ideologjisë dhe predikimeve të kishës ortodokse Greke, e cila ndërsinte elementë të veçantë, të brumosur me ideologji kriminale, kundër banorëve të Thesprotisë, gjoja me pretekstin se po luftohej kundër Turqisë, armikut të Greqisë, kur nuk kishte shtet Grek, por kishte ortodoksi greke me pretendimet e përfaqësimit të bizantit.
Mos ekzistencën e Greqisë, në periudhat para 1830-tës, na e pasqyron edhe kjo hartë e Europës e vitit 480 pas Krishtit. Në këtë hartë, siç shifet qartë Gadishulli i Ballkant quhej “Gadishulli Ilirikum”, duke përfshirë edhe Peloponezin, ndërsa gjëkundi nuk shfaqet emërtimi “Greqi”, gjithashtu dallon fare qartë edhe emërtimi “Epir”. Këto janë të vërtetat dhe faktet. Ndërsa pas vitit 1830, me krijimin e shtetit Grek dhe me mbështetje të pa kursyer të ortodoksisë ruse, në luftrat e nisura nga kisha greke ndaj banorëve të Çamërisë, u bashkua me zell të madh edhe shteti Grek, i cili e shihte përmbushjen e synimeve të “Megalloidesë” në predikimet e kishës se kombi përcaktohet nga besimi ortodoks. Kjo mbështetje dha fryte të mëdha. Shteti Grek u konsolidua, zgjeroi territorin dhe shtimin e popullsisë me disa grupnjerëzish të etnive të tjera të besimit ortodoksë, të cilët injoruan identitetin dhe u kurorëzuan kombas grekë.
Për sqarimin e disa të vërtetave lidhur me Çamërinë dhe banorët e saj autoktonë, çamët, do të trajtojmë dy qëndrime të mbajtura nga kisha dhe shteti Grek.
I- Qendrimet para shpërnguljes me dhunë.
• Sipas politikës greke në zonë, gjatë dy viteve të para, pas aneksimit të Çamërisë në shtetin Grek, ishte kërkuar me forcë largimi i çamëve myslimanë të rajonit:“Për hir të intersave kombëtare greke, çamët duhej të ishin këmbyer kohë më parë”.
• Institucionet greke, me zgjerimin e kufijve të saj dhe me popullsi të etnisë jogreke, ishin tepër të shqetësuar dhe në ankth të madh. Prandaj e transformuan ankthin në dëbimin fizik, nëpërmjet: reduktimit të prezencës totale të çamëve; në përkatësinë e tyre kombëtare; në mohimin e identitetit, të gjuhës, autoktonisë dhe pronave në tërësi.
• Prania në kufi e popullsisë çame myslimane, konsiderohej armiqësore ndaj interesave kombëtare greke, pasi sipas saj përkeqësonte sigurinë dhe territorin e shtetit.
• Shteti dhe kisha greke, nisur nga besimi ndryshe i çamëve myslimanë, filluan nga diferencimet, duke i quajtur “tradhëtarë të kombit grek”; “shtetas të padëshiruar”; “në territoret greke nuk mund të banojnë të huaj”, si rrjedhojë as çamët myslimanë.
• Më 07 mars të viti 1913, ende pa u miratuar kalimi i rajonit të Çamërisë në shtetin grek, 72 banorë nga paria e Çamërisë, u vranë tek “Prroi i Selanit” dhe asnjiherë pala greke nuk e ka trajtuar rastin e shëmtuar.
• Në bashkëpunim me shtetin Turk, Greqia lidhi marrëveshjen famëkeqe për shkëmbimin e popullsive ndërmjet tyre, sipas besimit fetar. Shteti Grek spekulloi dhe manipuloi opinionin e brëndshëm dhe atë ndërkombëtar, duke i identifikuar çamët myslimanë si turq, pavarësisht se dihej etnia e tyre shqiptare. Megjithëse u ndalua ky ndërrim për çamët myslimanë me vendime ndërkombëtare, shteti grek veproi në të kundërtën, me masa tejet shtrënguese ndaj tyre në të gjitha drejtimet, për ti detyruar të largoheshin nga vendlindja autoktone.
– Masat ekonomike filluan me zbatimin e reformës agrare, e cila i çpronësonte çamët myslimanë, nga tokat arë, kopshtet, produktet bujqësore të vjela e të pavjela, nga blegtoria dhe në disa fshtara, sidomos në rrethinat e Paramëthisë e të Pargës u morën edhe shtëpitë e banimit, dhe u a dhuruan ortodoksëve turq (aziatikëve).
– Nga trajtimi i çamëve si popullsi e këmbyeshme, nuk u njihej asnji e drejtë, ata nuk njiheshin si minoritet etnik dhe nga kjo nuk lejoheshin të mernin pjesë në administratat lokale apo qëndrore; nuk u njihej të folurit e gjuhës shqipe; nuk u besohej mbajtja e armëve djemëvë çamë në ushtri, deri sa u arrit edhe ndalimi i shërbimeve demografike. Provokime të të gjitha llojeve dhe nxitje urrejtjeje ndaj tyre për krijimin e konflikteve ndërmjet banorëve të rajonit me besime të ndryshme, sidomos me ardhacakët, ose “spahinjtë grekë” dhe ndëshkimet në të gjitha rastet rëndonin mbi çamët myslimanë.
• Gjëndja ekonomike, sociale dhe kulturore e banorëve myslimanë të rajonit u përkeqësua së tepërmi, ajo ra në nivelet e varfërisë së skajshme deri sa edhe disa deputetë të etnisë greke (si Jorgos Sp. Sakas, bot.“Krajvi” 08.07.1946) i rajonit të Janinës, e trajtonin me shqetësim këtë mjerim dhe i kërkonin qeverisë Greke të kohës, për të marrë masa përmirësuese të situatës; ndërsa për anën politike të tyre as që behej fjalë. Kjo kthesë përçmuese, përjashtuese dhe shkatërruese ndaj çamëve filloi menjiherë me kalimin e rajonit në vartësi të shtetit Grek dhe hap pas hapi arriti deri në prag të luftës italo-greke në muajt e fundit të vitit 1940.
• Shteti Italian me strukturat përkatëse propagandistike të luftës, duke shfrytëzuar gjëndjen e mjerueshme të banorëve të rajonit, si dhe politikat tejet përjashtuese të tyre nga ana e shtetit Grek, e joshi popullsinë me propagandën se, me mbarimin e luftës do të korigjonte vendimet e konferencës së Paqes, duke realizuar bashkimin e trojeve shqiptare, propagandë të cilën e përdori edhe pushtuesi gjerman. Popullsia e rajonit, sikundër dhe ato të trojeve të tjera shqiptare, të cilat ishin jashtë kufijve të shtetit Shqiptar, e dëshironin korigjimin e vendimit fatkeq të Fuqive të Mëdha, si rrjedhojë edhe të gjendjes katastrofale ekonomike, politike dhe sociale ku e kishte degdisur shteti Grek atë popullsi.
Shkëputemi paksa nga tema për tu njohur lexuesi me qendrimet e gabuara, por të vetëdijshme të Fuqive të Mëdha ndaj kombit shqiptar, të cilat janë deklaruar po prej tyre. “Është larg mendjes që Europa të mund të ushtrojë paqen duke humbur të drejtat e këtij kombi, ose duke e ndarë tokën e tij. Pa u siguruar liria e plotë e shqiptarëve ështe i pamundur ndalimi i luftës, dhe parimi për të ndarë tokën shqiptare, do të hapi një plagë të re e të helmatisur në politikën e Ballkanit….”, kështu ka deklaruar diplomati amerikan George Fred Williams (1852-1932).
Gjatë kohës së luftës, me forcën e djathtë EDES-in u bashkuan 70 djem çamë; ndërsa me forcën e majtë EAM-in, u bashkuan rreth 700 djem e vajza çame. Shumica dërrmuese e komunitetit çam nuk mori pjesë në luftë, as me okupatorin dhe as me forcat ndërluftuse greke.
Situata e krijuar, ishte nji shans që nuk mund ta humbiste shteti Grek, për realizimin e strategjive të kahershme të largimit të banorëve të etnisë jogreke nga territori isaj. Pjesa e mbetur e çamëve nga shkëmbimi i detyruar i popullsive gjatë viteve ’20, megjithë trysnitë e gjithëfarëllojshme gjatë 32 vjetëve nën pushtetin grek dhe që me sakrifica të mëdha kishin arritur të mos i nënështroheshin shkëmbimit të popullsisë, më në fund ranë pré e manipulimeve dhe mashtrimeve greke. Shteti Grek me demagogët, strategët e luftës, arriti të siguronte opinionin ndërluftues, duke akuzuar çamët myslimanë, herë si streha të partizanëve që luftonin kundër okupatorit, dhe herë si bashkëpunëtorë me okupatorin, pozicione këto që përdoreshin në vartësi të interesave greke me aleancat ushtarake të “Aksit”-it dhe “Aleatëve”.
• Historiografia greke për masakrat ndaj çamëve, ka ndikuar në literaturat historike, ushtarake, fetare, sociologjike, diplomatike dhe juridike, të cilat janë pambarim të shumta dhe në të gjitha drejtimet, duke i u përmbajtur këtij variant:
“Gjatë pushtimit të Greqisë nga Boshti (1941-1944), pjesë të shumta të komunitetit çam mysliman bashkëpunuan me forcat italiane dhe gjermane, kanë kryer një numër të madh të krimeve të luftës. Në fund të Luftës së Dytë Botërore, pothuajse të gjithë çamët myslimanë në Greqi u dëbuan për në Shqipëri, për shkak të asaj veprimtarie. Megjithatë, një pjesë tjetër e çamëve myslimanë dhanë mbështetje ushtarake për forcat e rezistencës (Ushtrisë Popullore Çlirimtare Greke), ndërsa pjesa tjetër ishin civilë të papërfshirë në luftë. Të udhëhequr nga gjenerali Napoleon Zerva, koloneli Zotos, me një grupim paramilitarësh, me luftëtarë dhe burra lokalë, shkoi në një tërbim. Në masakrën më të rëndë, më 13 mars 1945 në qytetin e Filatit, 60 deri 70 çamë u vranë”. Përfundon rrëfimi i propagandës greke.
(Sqarojmë se në muajin mars të vitit 1945, në Filat janë vrarë 142 burra dhe 59 gra e fëmijë, gjithesej 201 veta dhe jo sa thuhet nga pala greke).
Nga sa lexohet në tekst, arësyeja e masakrave të kryera ndaj çamëve myslimanë ishte se: “pjesë të shumta të komunitetit çam bashkëpunuan me nazifashizmin dhe kryen nji numur të madh krimesh”; si rrjedhojë, ata u dëbuan terësisht nga vendi i tyre autokton. Nëse e marrim të mirëqënë pretendimin e mësipërm të palës greke, për efekt analize po ndalemi tek këta tre faktorë: a) pjesë të shumta prej tyre bashkëpunuan me okupatorin;
b) nji pjesë tjetër e çamëve paskan dhënë mbështetje ushtarake për forcat e rezistencës-Ushtrisë Popullore Çlirimtare Greke; c) ndërsa të tjerët ishin civilë të papërfshirë në luftë.
Pra, sipas pretendimeve greke, rezulton se komuniteti çam gjatë okupacionit, ishte i ndarë në tre pjesë, pavarësisht se në shkrimin e mësipërmë nuk thuhet numuri i secilës pjesë (megjithëse është i njohur), dy pjesë nga komuniteti ishin kundër okupacionit, ndërsa nji pjesë ishte inkuadruar me forcat e okupatorit dhe me EDES-in (fillimisht pro okupatorit).
Kur 2/3 e së tërës ishin kundër okupimit të vendit, pse duhej masakruar dhe dëbuar dhunshëm gjithë e tëra nga atdheu autokton?. Pse nuk u amnistuan edhe çamët, sikundër u veprua me ish personalitetet dhe luftëtarët e EAM-it, nga shteti Grek?. Arësyetimi tjetër, pse edhe mbas 72 vjetësh të atyre masakrave, nuk janë gjetur shkaktarët që lejuan të shkohej në atë tërbim?. Një tjetër e pavertetë bie poshtë nga fakti se komuniteti çam, dihet nuk kishte as ushtri dhe as armatime, asnji fshat me banorë grek, të vendosur në rrethinat e Çamërisë nuk është djegur as shkatërruar, qoftë para apo dhe gjatë periudhës së luftës. E kundërta ka ndodhur në atë periudhë dhe konkretisht:
• Disa prej të dhënave të gjenocidit grek ndaj çamëve myslimanë. Sipas disa përllogaritjeve, banorët myslimanë në rajonin e Çamërisë, para masakrave rezultojnë 28.081 persona; nga të cilët u vranë, humbën dhe u rrëmbyen 8.326 persona, ose 29,60 përqind e banorëve; ndërsa 19.755 veta, arritën tu shpëtonin masakrave, duke gjetur strehim në Shqipëri. Nga 27 qershor 1944 deri 13 mars 1945, janë masakruar e vrarë 2.777 persona (Në Paramëthi 673 veta, në Filat 1.286 veta, në Gumenicë 192 veta, në Pargë e Margëlliç 626 veta) prej të cilëve: 1.237 gra e fëmijë, prej fëmijëve 32 ishin nën 3 vjeç, 745 gra dhe vajza të përdhunuara, ndërsa 76 prej tyre u rrëmbyen. Nga internimi (1940-1941) të vrarë e të vdekur nga torturat llogariten 500 veta. Të humbur burra, gra e fëmijë në Paramëthi, Pargë e Filat 2.300 veta. Gjithësej të vrarë e të humbur 5.577 veta. Të vdekur gjatë shpërnguljes nga uria dhe sëmundjet 2.755 veta. Totali i viktimave burra, gra dhe fëmijë nga gjenocidi grek 8.332 veta. U shaktërruan 68 fshatra e qytete, 102 objekte kulti, u dogjën 6.500 shtëpi. Të gjitha në pronësi të komunitetit çam mysliman të rajonit. (Sipas momerandumit dërguar Asamblesë së Kombeve të Bashkuara New York-Marrë nga Zëri i Çamërisë më 8 tetor, 1946- nr.7). Bagëti të humbura e të grabitura gjithësej dhen e dhi 127.000 krerë; 24.000 krerë bagëti të trasha; kuaj 625 krerë. Gjithashtu dëme të mëdha u shkaktuan në drithërat e bukës si: 250.000 kv. grurë, 80.000 kv. vaj ushqimor, mallra në rrjetin tregtar, objekte të ndërtimeve bujqësore e blegtorale, mullinj, magazina, punishte vaji, dyqane etj. Mbi të gjitha çamëve myslimanë, kisha dhe shteti Grek, me anën e forcës u mohoi identitetin, i baltosi, u rrëmbeu jetën dhe atdheun.
Përfundimisht komuniteti çam, mbeti i akuzuar si bashkëpunëtor me okupatorin, manipulim ky që përdoret paturpërisht edhe sot nga qarqet qeveritare greke, për fat të keq me këtë “nofkë” është ushqyer e përpunuar edhe opinioni i gjërë i shoqërisë greke dhe tepër të zellshëm tregohen fillogrekët jasht shtetit Grek. Ato manipulime dhe spekullime i siguruan shtetit Grek, nëpërmjet strategëve ushtarakë, miratimin e përfaqësuesve anglezë për kryerjen e masakrave dhe shpërnguljen e dhunëshme nga vendi autokton të gjithë çamët, pa dallim, duke i cilësuar armiq edhe gratë, fëmijët dhe pasardhësit e tyre. Kjo urrejtje hipotetike e paargumentuar, shprehet nga qeveritarët grekë edhe sot pas mbi 70 vitesh, duke vjellë vrer dhe armiqësi të pashembullt edhe ndaj brezit të ri, pasardhësve të atyre banorëve, megjithëse kanë lindur dhe janë rezident në shtetin e tyre amë.
II- Qendrimet pas shpërnguljes me dhunë.
Realitetet e mësipërme, të qendrimeve greke ndaj banorëve myslimane të rajonit, e përgënjeshtrojnë plotësisht demagogjinë greke se masakra ndaj tyre dhe shpërngulja ishin për shkak të bashkëpunimit me okupatorin, pasi strategjia “të padëshirueshëm” për çamët, ishte që nga kalimi i territorit nën juridiksionin e shtetit Grek.
Manipulimet, spekullimet, mashtrimet sado që e kishin arritur qëllimin e tyre, diçka tjetër e shqetësonte dhe e shqetëson shtetin Grek, lidhur me qendrimet armiqësore të mbajtura ndaj ish fiseve të vjetra jogreke, konkretisht me banorët myslimanë të Çamërisë. Mashtrimet, manipulimet e përdorura për justifikimin e masakrave dhe shpërnguljen e çamëve, nuk mund të vazhdonin të kishin efekte edhe pas dëbimit të dhunshëm, pasi zhvillimet e shoqërisë së sotme civile dhe e ardhmja, përfshirë edhe atë greke, shikohen drejt bashkëpunimit, bashkëekzistencave etnike e fetare, rriten përpjekjet për sigurimin e paqes mes popujve, pra gjithçka po ndryshon për pozitive në shoqëritë e civilizuara.
Krahas këtij prosperiteti dhe progresiviteti shoqëror, ndaj të cilit patjetër nuk mund të shmanget edhe reflektimi grek, duhej të ndryshonte edhe qëndrimi i mbajtur ndaj çamëve para masakrave dhe shpërnguljes, kjo bëhej e detyrueshme, prandaj paria greke vendosi të reflektoj, së pari nga parimi: “Territori u pohua përmes popullsisë së saj, e cila në epokën e parimit të kombësive u bë qasja normative”. Që territori i Çamërisë, historikisht i banuar nga thesprotët/çamët, për tu bërë qasje normative greke, duhej që çamëve tu korigjohej identiteti, pra të pohoheshin si grekë. Prandaj ndryshuan qendrim:
• “Grekët e lashtë që tradhëtuan kombin e tyre me konvertimin në islam në shkallë të parë dhe duke e identifikuar veten e tyre në nji komb alien në sekondë”. Pra çamët cilësohen si grekë të lashtë, por me ndërrimin e besimit ata nuk janë më grekë, sepse nuk janë ortodoksë, por ama çamët ishin grekë dhe vend i banimit të tyre, sipas qasjes normative, është territor grek. Kështu u sigurua territori. Ndërsa qëndrimi ndaj çamëve, pavarësisht se u afirmuan që nuk janë “ottomanë”, apo “turq të ardhur në zonë”, nuk janë grekë, pasi tradhëtuan kombit grek dhe si të tillë, nuk mund të jetojnë në territoret greke.
• Pretendimi se më 27 shtator 1943 janë vrarë 49 grekë në Paramëthi nga milicët çamë, megjithëse ngjarja ka ndodhur dhe është vepër e okupatorit gjerman, për efekt analize e supozojmë të tillë. Në cilin ligj, apo kanun, apo hakmarrje ndërkombëtare thuhet se për të marrë hakun e 49 personave të vrarë duhet të vriten brenda ditës 600 banorë të të gjitha moshave, siç është rasti i gjenocidit grek i kryer më 27 qershor 1944 në Pramëthi? Dhe në vazhdim të bëhen masakra duke vrarë, therur, rrëmbyer, rreth 30 përqind të banorëve dhe dëbimin e dhunshëm të nji komuniteti të terë? Krahas sa u trajtuan më sipër, lidhur me marrëdhëniet e shtetit grek ndaj komunitetit çam të etnisë shqiptare, janë përdorur gjërësisht mashtrimet, shpifjet, sikundër për të mos u njohur e vërteta janë diktuar zyrtarisht fshehjet, fshirjet, asgjësimi i gjithçkaje, qoftë edhe korespodencat konfidenciale që lidhen me çamët e Çamërisë dhe “Çështjen Çame”.
• Shteti Grek, për realizimin e veprimeve raciste, ka përfituar nga mbeshtetja angleze dhe aleancat fetare, si gjatë kohërave të luftërave të shekullit 19-të, mbas tyre, deri edhe në ditët tona. Shteti Grek shquhet si shtet i vetëm që gjatë gjithë historisë së tij, nuk ka zbatuar marrëveshjet, konventat, apo ligjet ndërkombëtare, pavarësisht se i miraton dhe i nënëshkruan ato.
Këto mendova për ti bërë të njohura para opinionit të shëndoshë shqiptar, grek dhe më gjërë. Historia mijëvjeçare e Çamërisë dhe e banorëve të saj, nuk mund të përmblidhet në nji artikull. Ajo gjendet në libra të shumta, në studime të realizuara nga personalitete shkencore të fushave të ndryshme, bile dhe nga vetë literatura kishtare qoftë greke apo e huaj, sikundër vitet e fundit (të çliruar nga ish censurat greko-shqiptare) nuk mungojnë edhe shkrimet nga studiuesit, historianët, shkrimtarët, poetët shqiptarë, pa përjashtuar edhe bijtë e Çamërisë, të cilët u rritën bashkë me prindërit e tyre që mbartnin në çdo çast ankthin, mallin, dëshpërimin, dhimbjet dhe dashurinë për vendilindjen e tyre.
Komunitet çam i rajonit të Çamërisë, të krishterë e myslimanë kudo ndodhen, janë si nji lis i vetmuar, por me rrënjë të ngulura mirë në thellësitë e Dhéut, ashtu si “Lisi i shenjtë i Ddodonës”. Gjuha, e thënë ndryshe, dialekti i tyre, pavarësisht se nuk i ndjehet aroma e luleve të shumëllojshme, i ndjehet aroma e Dhéut gjatë muajve të vjeljes së ullinjëve e agrumeve, aroma gjatë mbjelljeve dhe korrjeve, blegërimat zëëmbël të qëngjave dhe kecave. Atyre asnjiherë nuk u ndërpritet aroma e Dhéut që i ka rritur dhe i rrit.
Shpresoj të jem shprehur qartë, për t’ju ardhur në ndihmë gjithë dashamirësve për tu njohur me të vërtetat e historisë së çamëve të rajonit të Çamërisë.