SADRI RAMABAJA: NACIONALIZMI PROGRESIV, SHTETI-KOMB DHE SOCIALDEMOKRACIA

Prishtinë, 31. 03. 2016: Nacionalizmi progresiv dhe shteti-komb si ide, por edhe si platforma politike, gjithnjë e më shumë shihen si korniza ideale brenda të cilave do të mund të realizoheshin qëllimet fisnike të socialdemokracisë.
Procesi i trupëzimit të kombit ndër ne qe shenjuar si e arritura më e madhe që në epokën e Rilindjes. Ishte meritë e rilindasve tanë që kishin ditur mirë ta bënin ndërlidhjen e madhe etno-historike me fatin kombëtar, në shërbim të selitjes dhe ruajtjes së vetë Shqipërisë.
Këtë trupëzim e shenjojnë në mënyrëm më unike dy personalitete të Kombit tonë me vetë flijimin e tyre: Oso Kuka dhe Adem Jashari.
Edhe njëri edhe tjetri, duke kaluar sofizmat e intelektualëve provincial, kishin dëshmuar qartë se lidhja e etno-historisë, lidhja e trupit të Kombit që shqip i themi Atdhe, me fatin e Kombit, është rruga e vetme që inspiron fuqishëm brezat për ruajtjen e Kombit.
Kombi shqiptar – produkt i nacionalizmit progresiv modern
Shih për këtë, Kombi ynë, sado që i hidhen shumë ndërskamsa për ta penguar të shpërfaqet në tërësinë e tij, në esencë, është komb modern. Me kohë, intelektualët e mëdhenjë të kombit tonë që ishin njëkohësisht edhe veprimtarë, që nga Sami Frashëri e Pashko Vasa; që nga Ismail Qemaili e Hasan Prishtina…e deri tek Ukshin Hoti, Arbër Xhaferi e Albin Kurti…, e kishin të qartë se Kombi është produkt i nacionalizmit progresiv modern, i kultivuar në ndërgjegjen e mileut të civilizimit perendimor si nacionalizëm human, që Winkler (1992: f 12) e quante si instrument për emancipimin e Kombit dhe ralizimin e qëllimeve progresive, siç është e drejta për vetëvendosje (1).

Shih për këtë, nacionalizmi progresiv ndër ne, ishte shndërruar në sinergji pozitive që din e mundet më së miri të përqëndrojë “energjitë e individëve dhe grupeve brenda Atdheut me kufij të qartë, në të cilin të gjithë qytetarët e mendojnë veten si vëllezër e motra dhe për këtë arsye i “përkasin” atij.”
Nacionalizmi na rezulton edhe si ideologji për aq kohë sa ai është bartës i ideve progresive, respektivisht përderisa në themel të tij është objektivi i krijimit të shtetit-komb.
Duke përcjell me vëmendje Epopenë e Prekazit, nuk ka se si të mos bien në sy deformimet tona shoqërore dhe mungesa e një protokolli shtetëror të mirëfilltë për shënimin e dinjitetshëm të kësaj ngjarje. Në vend se t’thurrin elozhe pushtetit, apo të rikthehen tek mendësia feudale e Mesjetës që na e ndanë Atdheun në mahalla, intelektualët e mirëfilltë, do të duhej të viheshin në shërbim të kauzës për të cilën Drenica dhe mbarë Kosova dhe Kombi, po flijohej në marsin tragjik të 1998-ës.
Kombi modern duke vënë në lëvizje energjitë krijuese, din t’ju akordojë vdektarëve atë ndjesinë e pavdeksisë, duke ju krijuar të ardhme brezave që vijnë edhe përmes edukimit atdhetarë, në vend të “gjykimit hyjnor për jetën e përtejme”, siç po bëjnë atdhemohuesit islam ose “heronjtë” xhuxh të tipit të Hashim Thaçit dhe ca kalemxhinjë injorantë në fushën e mendimit politik.
Depolitizimi i kombit dhe trashëgimia e LDK-së
Duke ndjekur me vëmendje diskursin politik të VV, si studjues apo lexues kritik i literaturës politike, lehtësisht vë re se ajo – si Lëvizje politike moderne, ka shkrirë në një elementet e nacionalizmit pozitiv dhe bashkues të shek. XIX me elementet e nacionalizmit progresiv modern. Duke potencuar rolin historik të shtetit kombëtar dhe procesin e papërfunduar në këtë rrafsh nga ana e kombit shqiptar, natyrisht për shkak të rrethanave historike dhe faktorit të jashtëm, VV insiston në përmbylljen sa më të mirë të mundshme të këtij procesi, duke mos rënë viktimë e kritikës liberale që pretendon ta depolitizoj kombin.
Të ashtuquajturit “institucionalist” në Kosovë (sidomos LDK-ja), por edhe një qark kuaziintelektualësh që defilojnë në mediat tona, e që njihen si pasardhës jo vetëm biologjik të nomenklaturës autonomiste, meqë ka kohë që kanë rënë pre e këtyre kritikave, kombin vazhdojnë ta trajtojnë si “dukuri të kulluar kulturore apo folklorike, të zhveshur prej të gjithë domethënies politike”(2), ndërkaq “dashurinë” ndaj Amerikës dhe perendimit e shpërfaqin, shih për këtë, në përmasat banale të tifozërisë.
Duke iu bashkangjitur qerres së LDK edhe PDK, tok, kanë arritur që gjatë epokës së pas-pavarësisë, përmes dialogut të imponuar nga Brukseli me Serbinë, këtë ndarje mes nivelit kulturor të kombit prej nivelit politik të shtetit, ta shtrijnë edhe në fushën e ekonomisë dhe mbrojtjes, duke e mbajtur tutje Republikën si peng dhe duke e shndërruar atë në një neokoloni tipike të Serbisë.
Çmilitarizimi i UÇK me shpejtësi të pazakont, kishte pikërisht këtë mision – depolitizimin e kombit.
Intenca për ta kurorëzuar këtë shkëputje të kombit nga politika do të fitonte peshën e vetëshkatërrimit të brendshëm, atëherë kur Ibrahim Rugova pretendon ta zbres kombin në nivelin e etnicitetit dhe kulturës, respektivisht folklorit, përmes stisjes së një lidhjeje “të kulluar romanciste me të shkuarën”, siç do të thoshte Smith, duke iu rikthyer tezës antishqiptare të ndarjes së kombit, por kësaj radhe duke e ambalazhuar atë me idenë e rikthimit tek Dardania dhe “ringjalljes” së simboleve të saj.
Tek kjo qasje liberale që në esencë ka të bëjë me depolitizimin e kombit, gjeti mbështetje respektivisht u tumir ideja për Republikën e Kosovës si entitet politik sui generis, respektivisht si produkt i trashëgimisë politike të LDK-së, duke pretenduar të çimentohet si e tillë edhe në rrafshin kushtetues, me ç’rast i mohohet Kosovës e drejta dhe vullneti politik për bashkim me Shqipërinë.
Procesi i normalizimit të kombit shqiptar, natyrisht kalon përmes aktit të bashkimit. Tek atëherë kombi shqiptar do të ndjehet i barabart me kombet fqinjë dhe do të ketë mundësitë reale t’ i kthehet garës dhe konkurencës paqësore ekonomike, artistike dhe sportive.
Tendenca progresive, e pritshme, logjike e kthimit gradual të kombit në sferën e kulturës dhe tek shoqëria civile, aty ku ka burimin, është kuptuar mbrapsht nga një pjesë e shoqërisë civile në hapësirën shqiptare. Në qarqet e saj, ka një shtresë të theksuar të ashtuquajturish intelektual, që turprohen nga të qenunit shqiptar!
Kjo kategori, që janë një lloj i veçantë atdhe e kombë-mohuesish, këtë ndjesi tipike për intelektualët snob e kanë të mbrujtur në vetëvete pavetëdijshëm, si pjesë e ndërdijes së racizmit sllav i kultivuar në shkollën e Beogradit.
Nacionalizmi progresiv dhe VV
Patriotizmi që kultivon VV nuk duhet trajtuar njësoj me nacionalizmin regresiv serb. Patriotizmi fundja ka të bëjë me gjakimin për ruajtjen dhe selitjen e identitetit dhe kulturës vetanake, zakoneve e vlerave pozitive të prodhuara gjatë historisë. Shoqëria shqiptare në këtë sens ka dëshmuar që në epokën e Rilindjes ndjesin e të qenunit familje e madhe e gatshme dhe e aftë për t’ u shndërruar në shtet-komb.
Askush në botën e civilizuar nuk do të donte, por edhe nuk do të toleronte injorimin e kulturës së tij ose edhe më keq, të lejojë tjetrin, ta fyej atë, pra kulturën e tij. Ndjesinë e patriotizmit modern në Evropë gjithandej e vërejmë kudo, në metrot e qendrave të mëdha, në stadiumet e ndryshme, në kampet e universiteteve, në sallat e mëdha të koncerteve… Dhe kjo ndodhë meqë patriotizmi bën jetë aktive në popull; aty kultura frymon e kultivohet dhe si e tillë bartet nga një brez tek tjetri.
Shqipëria, ajo që u trupëzua si komb në epokën e Rilindjes, ndërkaq mbijetoj tek po ritrupëzohej Adem Jashari në Prekaz (1998), është një vend i jashtëzakonshëm jo vetëm me bukuritë e saj… Shqiptarët kanë të drejtë legjitime e morale që ta pohojnë këtë zëshëm dhe të jenë krenar me këtë fakt.
* * *
Vetëvendosja në një varg mediash jo vetëm në Perendim, vlerësohet para së gjithash si forcë politike nacionaliste, duke lënë jo pa qëllim nën rrogozin e propagandës neoliberale orjentimin programor të saj socialdemokrat.
Në fakt ajo gërsheton mirë frymën e nacionalizmit progresiv, që në një pjesë të studimeve sociologjike sot vlerësohet si patriotizëm real, me vlerat e së majtës progresive. Prandaj VV është e sukseshme, dinamike. Ajo me sukses të venerueshëm në qendër të vëmendjes politike ka popullin, interesin jetik të tij për bashkim, mirëqenie e jetë të dinnjitetshme, duke iu rikthyer edhe kulturës që ai ka trashëguar.
Suksesi i saj mund të krahasohet psh me atë të Partisë Nacionale Skoceze (SNP) në Skoci. Në Britanin e Madhe, ku Partia Laburiste dhe ajo Konservatore, ka kohë që duke u shndërruar në forca politike që kontrollojnë bankat, koncernet e mëdha multinacionale por edhe politikën, duke i katapultuar milionerët në rendin e parë të Parlamentit, i kanë lënë në dorë çdo gjë tregut të lirë, rrezikonin të humbasin besimin e popullit, e rrjedhimisht edhe perspektivën evropiane. Këtë e kishte vënë re Tony Blair dhe bëri shmangien historike duke respektuar njëkohësisht traditën liberale të vendit, por edhe duke ia rikthyer politikës atë që po bjerrej çdo ditë – etikën e munguar. Rezultati i këtij veprimi ishte rikthimi i një Labour Party të “rifreskuar” e të “rinovuar”.
Ky sukses i dedikohet rikthimit të Labour Party tek qendra e majtë, meqë kishte rrëshqitur më tepër në kahun e djathtë dhe kishte krijuar terren për ekstremin e djathtë.
Ai lloji i patriotizmit të majtë, socializmit patriotik siç e quajnë britanikët, i kultivuar gjatë epokës së ringjalljes së Labour Party, kishte ringjallur tek britanikët krenarinë për paraardhësit e tyre dhe për historinë e tyre, por kishte nxitur njëkohësisht zemratën e ligjshme ndaj establishmentit politik konservativ.
E kësaj epoke të artë ishte edhe kënga e Cock Sparrer, „England Belongs to Me“, që u bë e famshme sidomos për refrenin e saj „No one can take away our memory / England belongs to me.“ (3)
Filozofi slloven, S.Zhizhek, në këtë linjë mendimi, forcat e majta si Syriza, i konsideron si një lloj çelësi që do të mund të shërbejnë “për të shpëtuar atë çka mund të shpëtohet nga trashëgimia evuropiane: demokracinë, besimin tek njerëzit, solidaritetin” (4). Prandaj forca të kësaj natyre mund të shërbejnë si inspirim i ri politik.
* * *
Patriotizmi dhe shteti-komb si ide por edhe si platforma politike, gjithnjë e më shumë shihen si korniza ideale brenda të cilave do të mund të realizoheshin qëllimet fisnike të socialdemokracisë.
Këtë e ka projektuar VV në dokumentet e saj bazë, në programin e saj politik, por edhe në Alternativën qeverisëse në të tri shtyllat kryesore të saj – përmes platformës për Shtetin e së drejtës; përmes politikave ekonomike të mbarështruara që garantojnë shndërrimin e Republikës në Shtet zhvillimor; përmes politikave sociale që promovojnë Shtetin social të pretenduar.
______________
1. https://docs.google.com/document/d/1u1flutpSCvcCJdrnHSSgqR4mFLf8b2G_dpPthFbSaNA/edit
2. Anthony D. Smith, Kombet dhe nacionalizmi në erën globale, Tiranë, 2008, f.23
3. IPG, 01.03.2016
4. Europa von unten denken: https://www.woz.ch/-60c7

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura