Pashtriku.org, 10. 04. 2016: (Esse – kushtuar mësuesit demokrat dhe patriot të gjimnazit të qytezës së vogël me bij minatorësh të Klosit në Mat, GJOKË DABAJ. La vendlindjen, “nga çmenduria komuniste” dhe u bë misionar e pishtar i dritësimit të gjuhës dhe letërsisë shqipe, i njësuar me korifejët e mëdhenj të kombit tonë, duke u nderuar dhe respektuar edhe sot, si askush në atë zonë).
Në tejqyrat e kohës së largët, kumti përçues farfurit si një dritë që në kujtesën time, mbështjell horizontet e largëta të kujtimeve rinore, kur dikush në metaforën e “nderur” krahëbardhë malit të Dejës, në moshën e thinjur, drejt Shestanit të tij të humbur…, por e ringjallur përsëri nga ai…
U rrokullisa “brenda” vargjeve të tij persiatëse dhe ndjeva jo vetëm shumë ftohtë, (këmisha e atdheut u gris), por brinjët mu thyen deri në asht. Ashti, “ngriu” nga kuja e Ajkunës qiellthirrëse deri në mallkim, për Omerin e saj, Lugjeve të Verdha… Hodha “Prush mbi ujë” , por zjarri u kreshpërua më shumë, shumë më shumë, kur shati i atdheut cullak kërkon Dranën e Camajt, përtej lumit të vetmisë…“A mundesh me e dashtë këtë atdhe?!” (f.13), në poezinë “Vështirë me kenë patriot”, klithma e zërit tim të brendshëm u “var si një hajmali” në qiellin e zbrazur, por të mugët të Tiranës së passhiut. Në aradhët e vargjeve, si ugare me dhè të butë pranveror, vlaga e farës “dredhet” thellësive të kombit tim, si një himn i fortë i çmendurisë shqiptare, i skllavërisë njerëzore, i pashpirtshmërisë, mallkimit, kurvërimit, hajdutërisë, e i marrëzisë kolektive, “pluskon” mes rreshtave…
Ne rendim drejt udhëve (apo në paudhë), por kemi ngecur në udhëkryqin e fundit me pak shpresë, sa herë hepohemi, varemi tejposhtë mazgallave të errëta të mallkimit tonë shoqëror dhe kombëtar. Përse? Në poezinë “Shikoj hirin dhe qaj”, njeriu shpirtgrisur “ulëret” nga zilia, duke u gremisur tatëpjetave të tij të ligësisë; Ata janë nja 3 punëtorë/që punojnë në vreshtin fqinj, me mëditje/ …Kanë hyrë në tokën time në kohën e vapës,/ kanë marrë këtu kumbulla të tharta/…dhe i kanë vënë zjarrin një togu me jonxhë,/në të dalë prej aret,/në zbritje (f.30), “skicohet” skajshmëria e ligësisë, ku autori e metaforizon “me një grusht hi prej jonxheje…”
– Studiuesi & shkrimtari, Gjokë Dabaj –
Në këto “rrëfenja” të sinqerta, si poema në formën e prozave poetike, problematika e kohës i vishet atdheut, si kulpër gjakpirëse (larg kohësisë poetike), me metafora të forta me plot kumte (sa të ngjashme me kohën tonë të pasdydekadave), vishen dhe zhvishen me “mish poetik” që prushëron në zjarrin e poetit, ku hiperbola si një vetullfiskjë “ironizon” epitetin e pamundësisë , deri në “Atavizëm skllavërie”, sepse absurdi shqiptar s’ka me skrupuj. Ai zgjatet deri në thellësitë e etnitetit tonë të çalë, të cunguar barbarisht; kështu na ka ndodhur në shekujt 13 e 14,/kështu, aty ku i shkelte putra Sërbit, edhe tani! Donte Zhupani / të quhet Dardania Sërbi?!/ Sërbi le të quhet Dardania!, (40), përsëritja e vargut të fundit, “Sërbi lë të quhet Dradania!”autori këlthet, duke na “shkulur” përsëri rrënjët e rishkulura (padashur edhe nga përçarja jonë) tutje kohëve historike, që priten në diakroni (kohët përsëriten) përmes hapsirave, sa gjeografike aq edhe historike, duke “lëmuar” vargun e pakohësisë poetike në rrafshin estetik, klithma sa moderne dhe arkaike, tund vetë Pashtrikun, jehon deri në Sharr e tutje në tërë pllajën dardane, në shekullorinë e Dodonës pellazgjike… Gjuhëharruesit “vrapojnë” pas lavdisë dhe pasurisë, (në kohëpreje ) …në mes të Çikagos,/ kroatisht dhe anglisht i flet fëmijës së vet shqiptari!/Në mes të Halverit sërbisht e gjermanisht i flet fëmijës së vet shqiptari!/Në mes të Londrës/ jo shqip, por prapë arabisht,/i lutet zotit shqiptari!/ (f.43), me aliteracione me rima të fuiqshme, klithma e gjakut të shthurur “ulëret”. Mundohet poeti, të gjejë diçka, që nuk ka “ngjashmëri” me racën tonë, me emrin tonë, me botën tonë shpirtërore, diçka të pangjashme “në formë”, etikë, moral dhe socio-shoqërore, diçka të (pa)ndryshme me NE, JU, ATA , por e ka të pamundur. I duhet të “shqyejë” zemrën e tij, pelikani i Poradecit, që të ushqejë zogjtë e uritur…
Sa shumë largohemi (nga realiteti i Dabajt), i fillimviteve ’90, ku shoqëria në kaos të plotë politike, shoqërore dhe shpirtërore, theu prangat e “robësisë së kuqe”, aq më shumë afrohemi vitin 2015, ku aspirojmë për një shoqëri europiane. Liria, ajo që nuk e patëm , na u mohua padrejtësisht u keqpërdor në formën e saj më të turpshme, si një amorfë e vjetër “u harrua” apo liria “u kurvërua” kaq shumë me imazhin e saj paqësor, saqë për një fitim të shpejtë, me lirinë e tepërt, me imazh të dobët të shtetit, në poezinë (apo poema bohemiane, kështu dua t’i emërtoj unë); “Tim bir e mori në qafë mentaliteti pellazgo- ilir”, një mirazh në shkretërën shqiptare, që akoma vazhdon të mirazhojë “për tokën e bekuar”…
“Por djali im, i madhi,/më ballin mbushur re të përziera me një përçmim tepër prindposhtërues,/ma priti:aq para sa fiton në 1 vit,/duke engledisur e nanisur/ca pleq parëmykur/të Zvicrës e të Austrisë,/me një të tillë govatë,/që ti ma quan jaht,/me 1 të vetme gomone tremotorëshe,/ fitohen,/vetëm më një rrugë femrash të Moldavisë/ ” (f.50), dëshira për fitore të shpejtë, nga pasunarët e mëdhej, kanë “mbjellë” në Adriatik mijëra “karafila gjaku”, dhembjesh nga trafiqet e pagjishmërisë me gomone… Përsëri kohëprerje… Kruspullosem rreth vetes, lexoj përsëri me rrjeshtave hapin me shumë fjalë të përngjitura , të thyej ndonjë metaforë… shoh që strehëvë të mugëtirave përsëri kanë filluar të “rripen” dhe “llustrat”, e kohëve vetëm përlyejnë pluhurat në myshqe, me “hije” shëmbëlltyrash si vetë djajtë, që tërhiqen drejt mëkatit…
Mëkati i poetit është i drejtpërdrejtë… Ai nuk fshihet pas tropeve poetike, por “luan” me fjalën, zërin, ritmin dhe rimën, me vargje të thyera… vazhdojnë prozat poetike të vargojnë njëra pas tjetrës, me problematikën e madhe sociale, morale, politike dhe shoqërore…
Në poezinë “Guxim i tepruar”(f.73) familja shqiptare thyen “tabunë”e moralit të tradhëtisë apo kurvërimit (fundja është prefesioni më i vjetër), ku në rrokupujën e (mos)përshtatjes me “farën e re të civilizimit” njeriu vetanak, kërkon shoqëri tek morali i shprishur. “Prostituta e parë” (115), autori ka etiketuar plagën e shoqërisë shqiptare. Ka shkuar deri në celulën e saj, (deri tek thembra e vdekshme e Akilit), deri në zemër, ka therur “thika e moralit”, duke “operuar” gjymtyrët e thyera, të hedhura anësive të copëtuara të një morali hipokrit të “kulluar” shqiptar.
Femra shqiptare prostitutë! Familja shqiptare kokëvarur dhe kohëvrarë endet në pellgjet e zhabave të mëkatit, imoralitetit, ndyrësisë dhe zvetënimit… Kalbëzimi vjen edhe nga brenda vetë familjes, në poezinë ironike “Ta kput krëët Noshi!”(127), ku vetë “fara e ligësisë” për të fituar me “moralin” dhe nderin e “parasë” nderi i vajzave as nuk diskutohet fare. “Drania hodhi tepsitë një mbi një,/ e shkundi fundin prej luspavet,/u la dhe i tha së bijës,/ duke e tërheqr për jaket/në skaj të lokalit, te qoshi:/ “Un ne Mhelli kena pun ke shpaja vjetër./ Te bania izmetin ataj klientit,/ne klientve qer, kur t’vin!/Po vre se ban noj marri,/se ta kput krëët Noshi!” (f,129) del qartë dhe zbuluar satira, nën “rrobën” e gjuhës së vendit. Nuk është gjuha që “tradhëton moralin” e ri të një shoqërie demokratike, por familja në shpërbërje dhe shthurje, një familje që copat i ka si gjymtyrë të çartura dhe të copëtuara, pa asnjë identitet, (përtej vetes dhe parasë) shikon hijet e shëmtisë së vetvetes, kur në talljen kolektive, satira shëndërrohet në një grotesk. Nuk është grotesku “gjuha” e poetit, që sjell nëprëmjet dialektit “Shuj, se Noshi ta kput krëët” (136) (ai është njohës i shkëlqyer i shqipes standarde), por autori denigron pa skrupuj “pasunarët e rinj” që shesin nderin në emër të parasë. Në poezinë “I plotfuqishmi” (f.159) dhe poezia tjetër “Pavioni i komisionerëvet” (f.211), poeti “ngjallmon” “Gomarin e Babatasit” të Fishtës 100-vjeçar. Fytyra të korruptura politikanësh mashtrues dhe injorantë, me një gjuhë sa moderne dhe demokratike, aq therëse dhe kritike, nëpërmjet personifikimit dhe simbolit, të plotfuqishmit… “Polici, i gjithëfuqishmi,/natyrisht, i di të gjitha vendet,/por ai, nga “mirësia” që karakterizon,/nuk i lajmëron thuajse kurrë organet e shtetit” (f.169), sjell akoma atmosferën e politikanë të shekullit tjetër, në një anasjellë pikëtakimëshe me Fishtën.
“Ju rrugaça sallahana /vagabonda shakllabana /rricna t’ndyet, mikrobe të kqi /qi të mjerës moj Shqipni
kthelltë hi i keni në mushkni /pa dhimbë gjakun tuj ia pi, /por der kur, bre batakçi!”Ç’ratësi fataliste të botës tonë shqiptare! Të fundit, jo pa qëllim lashë poezinë (unë dua ta quaj poemë) “Epidemia e njëpërdorimëshavet” (f.199), sepse jo vetem metafora e saj, por edhe kumti përçues deri tek lexuesi, qoftë ai i thjeshtë apo lexuesi model i Eco-s, tronditet kur lexon këtë “manifest të madh” të ndotjes së mjedisit. Dhimbja e natyrës dhe heshtja njerzore nuk ka nevojë për kumte, por për VEPRA. “Vetëm ambienti ku hidhen mbeturinat,/Është, hë për hë, në përdorim të përhershëm./Planeti ku jetojmë, hë për hë,/kosh i pazëvendësueshëm mbeturinash” (f.202).
Ndoshta, qëllimi im u krye, por mesazhi i këtij libri me përsiatje (sipas poetit) “udhëton” në vorbullën e çuditshme, të trazuar, të manipuluar nga armiqësitë, dhimbjet, mëritë, urrjetjet e vogla dhe të mëdha, pabesitë, “tradhëtitë” , imoraliteti dhe injoranca e një çerekshekulli, (vetëm përdorim vetveten) me ligësitë dhe xhelozitë, drejt një zvetënimi sa vetanak ashtu edhe socio-shoqëror, duke e bërë njeriun më të vrazhdë, me të egër, larg mirësisë, dashurisë, dhembshurisë dhe altruizmit. O Zot, na jep kurajon të DUAM dhe të na DUAN, të pranojmë VETEN dhe të TJERËT për një DASHURI të madhe, për VETEN TONË dhe ardhmërinë e ATDHEUT tonë të përbashkët SHQIPËRISË!
(P. S. Të më falë profesori, sepse nuk kam dashur ta “thyej profecinë” e tij poetike, por UNI im është përgjegjës për këtë dhembje kolektive, që çuditërish bashkëjeton me këtë tharm poetik tëndin. Faleminderit!)