PASHTRIKU: FAMILJA E TË BURGOSURIT REXHAIL QERIMI – LETËR DREJTUAR PARTIVE POLITIKE NË KOSOVË

(Pashtriku.org, 09. 09. 2012) – Letër e hapur prej familjes Qerimi nga fshati Opajë-Likovë (Maqedoni), drejtuar Partive politike në Kosovë, në mungesë të interesimit dhe impotencës së qeveritarëve shqiptarë në qeverinë e Maqedonisë! Ndihmë për të burgosurit e pafajshëm shqiptarë nëpër burgjet e Maqedonisë, si dhe ndihmë për vëllaun tonë Rexhail Qerimi.
Të nderuar kryetarë dhe staf udhëheqës i partive politike në Kosovë,
Po u drejtohemi juve për të kërkuar angazhimin e juaj maksimal edhe për shqiptarët jashtë Kosovës, e më konkretisht për vëllezërit në Maqedoni. Duke e pasur parasysh impotencën e faktorit politik shqiptar në Maqedoni, si dhe etnocentrizmin e theksuar sllavo maqedonas drejt nëpërkëmbjes së qenies shqiptare dhe dinjitetit kombëtar kërkojmë angazhim tuajin, në drejtim të lehtësimit të dhimbjeve tona.
Duke ju njoftuar për shqiptimet drakonike të dënimeve ndaj shqiptarëve të pafajshëm, të cilët dënohen pa kurrfarë argumentesh, ngase kanë qenë të burgosur politik, ish luftëtarë të luftës në Kosovë si dhe të konfliktit të vitit 2001, ne ju drejtohemi juve, për t`u angazhuar në kërkimin imediat për rishikimin e dënimeve të shqiptuara ndaj vëllezërve, bijve dhe djemve tanë më të mirë.

Rexhail Qerimi (41) nga fshati Opajë i Kumanovës më 30 prill 2010 u dënua me burgim të përjetshëm, pasi që mbi të rëndoi akuza nga gjykata maqedonase dhe MPB për pjesëmarrje në vrasjen e një polici të njësitit Alfa më 26 nëntor 2008 pranë Fakultetit të shkencave matematiko-natyrore në Shkup, ku mbetën të plagosur edhe tre policë të tjerë gjatë patrullimit të tyre. Rexhail Qerimi dhe avokatët mbrojtës përmes dëshmive kanë argumentuar për pafajësi dhe një rast të montuar ndaj tij, pasi që në ditën e vrasjes ai ka qenë në fshat dhe është parë nga shumë dëshmitarë në lokalin e tij në qendër të fshatit.

______________________

Gjykatat maqedonase, që kanë mbetur edhe më tutje peng i së kaluarës moniste, me një mendësi totalitare, pa kurrfarë argumente mban nëpër burgje shumë qytetarë të pafajshëm shqiptarë. Rasti më i freskët është rasti i qytetarit dhe vëllaut tonë, Rexhail Qerimi nga Opaja e Kumanovës, i cili dënohet me burgim të përjetshëm, pa kurrfarë argumenti, për gjoja vrasje me paramendim të një polici të forcave speciale, gjë që nuk u dëshmua kurrë, ngase në momentin e ndodhur të krimit, Rexhaili ka qenë së bashku me bashkëqytetarët e tij në vendin e tij të punës. Për këtë ekzistojnë edhe dëshmi, por gjykatat e politizuara maqedonase nuk marrin parasysh faktet, po shpifjet dhe montimet politike gjyqësore, me përkrahje të caktuar të qarqeve shtetërore dhe institucionale.
Andaj, kërkojmë nga ju angazhimin tuaj personal për këtë çështje, e kësisoj edhe për të tjerat, në mënyrë që t`i kontribuohet vetëm të vërtetës dhe askujt tjetër. Kërkojmë angazhimin tuaj direkt dhe rolin e duhur, ngase të ndier të braktisur nga institucionet shtetërore, ku bëjnë pjesë edhe parti të caktuara shqiptare, ndihemi të pambrojtur dhe të trajtuar në mënyrë joadekuate, prej gjykatave të shtetit që pretendon të jetë demokratik, por që me politikën e tij bizantine kontribuon në tensionim të marrëdhënieve ndëretnike, në ngrirje të raporteve ndëretnike. Këto veprime bien ndesh me një sërë konventash ndërkombëtare si dhe me praktikën e shteteve demokratike.
Të mos harrojmë pa potencuar se veprimet dhe shqiptimet drakonike të dënimeve për shqiptarët e pafajshëm, e në rastin konkret për Rexhail Qerimin, bien ndesh me Nenin 1 të Deklaratës së Përgjithshme për të drejtat e njeriut që thekson: “Gjitha qeniet njerëzore lindin të lira dhe të barabarta në pikëpamje të dinjitetit dhe të të drejtave. Ato janë të pajisura me arsye dhe vetëdije dhe njëri ndaj tjetrit duhet të veprojnë në frymën vëllazërore.”
Veprimet e tilla bien ndesh me Deklaratën e Kombeve të Bashkuara të aprovuar në janar 1942 në Uashington, në kundërshtim me Kartën e Kombeve të Bashkuara të miratuar më 26 qershor 1945, në kundërshtim me Deklaratën e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut 1948, në kundërshtim me Paktin Ndërkombëtar për të Drejtat Civile dhe Politike, në kundërshtim me proceset europiane dhe dokumentet kryesore të OSBE-së, Këshillit të Europës dhe UE-së, si institucione që gjenerojnë paqe, tolerancë dhe barazi.
Shpresojmë në angazhimin tuaj në lidhje me këto burgosje dhe besoj se do e merrni në konsideratë këtë letër apo kërkesë të drejtuar nga familja e Rexhail Qerimit.
Me respekte,
Familja Qerimi
Opajë-Likovë, 8 shtator 2012

…………………………………………………

REXHAIL QERIMI, (MAJTAS) LUFTËTAR I UCK-se NË VITIN 2001, SOT I DENUAR ME BURGIM TË PERJETSHËM, NGA GJYKATA E POLITIZUAR MAQEDONASE!

…………………………………………….

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura