SHQIPE HASAJ: ME MALLIN E PASHUAR PËR TROJET AMTARE

Tiranë, 25. 07. 2016: 1. Tashmë, është e njohur nga të gjithë, se mërgimarët shqiptarë, kudo që ata ndodhen nëpër botë dhe sado që të jenë mirë me familjet e tyre, me punë e çdo gjë jetësore, me mendje e zemër janë kurdoherë në vendlindje, në trojet e të parëve të tyre.
Në këto pak radhë, do t’u tregoj edhe për njërën nga këto bashkatdhetare, që jeton tash sa vjet në Zvicër, bashkë me tri vajzat e saj. Ajo ka një emër të bukur e domethenës, sikur do t’u shprehë të gjithë shtetasve të tjerë, se është nga vendi i shqiponjave. Pra, ajo quhet Shqipe Hasaj.
Me mallin e pashuar për vendlindjen, Gjakovën e Kosovës, por dhe për tokën-amë, siç e quan Shqipërinë, shpesh ajo ulet e thurë vargje. Ato janë të mbushura plot mallëngjim e dhimbje të natyrshme. Një plagë e pambyllur për të është pikërisht edhe ndarja përgjihnjë nga nëna e saj e dashur dhe e paharruar. Në vargjet e poezisë së saj, ajo shkruan:
Bashkë me rrezen e parë lind dhe kujtimi për ty.
Nëna ime e dashur, përse më le në vetmi,
dy krahët e mi, mua, sikur m’i ke thyer?!

Më tej, ajo pyet yjet, diellin e hënën, se mos e kanë parë nënën e saj, atje lart në qiell. Sepse ka frikë që është zemëruar me bijën e vetë. Ndërsa ajo i përgjigjet:
Jo, ty vajza ime, aspak nuk të kam harruar,
edhe pse dheu i zi mua më ka mbuluar;
as ky dheu i zi mua kurrë nuk më tretë,
po as Parajsa në kët’ të bardhën jetë…

– Shqipe Hasaj –

Siç e ndeshim në krijimet e mjaft poetëve, edhe Shqipja shkruan për djaloshin mërgimtar, i cili jeton në dherat e huaja. Te poezia “Si litari në fyt”, ajo shprehet me dufin e zemrës, që është lodhur, duke pritur kthimin e tij:
Vitet ikin një e nga një, por si valët e detit,
kthimin tënd e pres kahmot, me anë të tragetit,
po ti nuk po dukesh askund, humbe pa lënë asnjë gjurmë!?
Atij i dërgon një porosi, me anën e dallëndyshes në fluturim:
Kur të shkosh në shtegtim, ma dergo këtë porosi,
diku larg, atje në mërgim, të vinë deri te ti.
Lajmin tim ty, për ta prurë: a thua, djalë, më ke harruar?
2.
Një tipar dallues i poezive të Shqipe Hasajt është dashuria e pakufishme për Atdheun, nderimi për luftëtarët e dëshmorët, të clët nuk e kursyen as gjakun e tyre për lirinë e pavarësinë e vatanit. Ajo nuk di të vejë “vizë ndarëse” ndërmjet vendlindjes-Kosovës martire dhe Shqipërisë. Prandaj shprehet me sinqeritet:
Ka disa kohë, që e pyes veten: Nënloken ku e kam?
Atje pertej detrave, në të lashtin Ballkan;
atje në t’ bukurin vend, emri i saj shkruhet me nëndë germa,
ajo është Shqipëria ime, që shumë ma don zëmra.
Unë i pyeta edhe shqiponjat në fluturim,
përgjigjen e mora vetëm te shpirti im:
Kosoven- vendlindje e Shqipërinë –amë.
(Poezia “Dy pyetje ia bëra vetes”)
Ndërsa në mbyllje të kësaj poezie shkruan:
Shqip me rrahë zemra e më vlon gjaku në vena,
e kemi simbol Flamurin e kuq si gjaku,
e shqiponjen e zezë me dy krena.
Unë, që te dyja, i dua pa i ndarë me pafundësi:
Vendlindje e kam Kosove-nënë,
Mëmedhe,të bukuren Mbretershë-Shqipëri.

Poetja i ndjek me vëmendje e shqetësim të natyrshëm ngjarjet, që zhvillohen, si në Kosovë e Shqipëri. Ajo dëshiron e shpreson që ditë më të bukura do të vijnë për bashkatdhetarët e saj. Por, ndërkaq, shqetësohet e brengoset në shpirt, kur lexon në gazeta e dëgjon në radio ose sheh emisione televizive, që nga disa bëhen krime të shumëllojshme, si për mbjelljen e shpërndarjen e narkotikëve, trafikimin e qenjeve njerëzore etj. Prandaj ajo bën thirrje, me shpirt:
Mos të harrojmë ne, o vëllezër shqiptarë,
Jemi në vëmendje të botës mbarë;
turp Shqipërisë, ne kurrë mos t’i sjellim,
po drejtësinë, n’vend të narkotikut, ta mbjellim!
Duke përfunduar, po në këtë poezi, ajo u drejtohet bashkëkombësve të saj:
Jam aq e mbushur me mllef e shumë fjalë u shkrova,

por helmin nga gjoksi im, si motër e nënë, sot e nxora.
…Mund të flisnim edhe për poezi të tjera modeste të autores emigrante, Shqipe Hasaj. Sepse në vargjet e saj rrahë fort pulsi i ndjenjave të pastra atdhetare, i shqetësimit qytetar për t’i parë Kosovën e Shqipërinë, gjithnjë në udhë të mbarë e të renditura përkrah shteteve më të përparuara, si të Evropës e më gjerë.
E përshëndesim dhe e urojmë përzemërsisht këtë poete emigrante, në Zvicër, për krijimtarinë poetike dhe dëshirojmë që të jetë sa më e gëzuar, vetë dhe me fëmijët e saj, të cilët gjithashtu i ka edukuar me dashuri të pakufishme për trojet amtare të të parëve.
Nga: Prof. Murat Gecaj – publicist e studiues. Tiranë, 24 korrik 2016.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura