Tetovë, 20. 09. 2016: Keni vënë re, sot, kush e ngre zërin për patriotizëm e çështje kombëtare, të gjithë ata shfrytëzuesit e jetës së mirë, të gjithë ata që ia kanë parë hajrin këtij pushtetit të prishur të Gruevskit e të Alisë. Të gjithë ata që para se të vinte demokracia dhe Alia askund s’ishin, as shkolla të mesme s’kishin, e sot jo vetëm që kanë mbaruar fakultete, po sa me lehtësi i kanë marrë dhe titujt shkencore, ashtu rrjedhshëm pa një pikë pengesa, tani punojnë këndshëm nëpër institucionet e ndryshme shtetërore e universitare, me rroga të majme e të lezetshme dhe pa një sekond sakrifice. Këta janë ata më të flaktit e më të zëshmit patriotë dhe dashamirë të popullit shqiptarë. Keni vënë re, ata kurrë nuk merren me politikën defanzive, nënçmuese, poshtëruese, kurvërore të pushtetarëve shqiptarë, me politikën skandaloze të Ali Ahmetit e Musa Xhaferit, sepse frikohen mos t’i humbin benificionet e ëmbla që ua ka dhënë partia, po në anën tjetër keni vërejtur sa të mençur e patriotë bëhen këta intelektualët e Ali Ahmetit për çështje të tjera dytësore e të pavlefshme ndaj kësaj situate amorfe e vdekjeprurëse.
Po e dini ku është dallimi i këtyre intelektualëve të Alisë prej intelektualëve të Rilindjes Kombëtare?
Dallimi është se ata për shkak të patriorizmit të sinqertë e të flaktë, për shkak të rreziqeve pushtetareske u larguan nga vendlindja, Shqipëria, për të vepruar lirshëm për çështjen kombëtare, kurse këta të Alisë rrinë afër prehërit të tij; gjersa populli me të madhe shpërngulet e ik për shkak kushteve të vështira jetësore në shtetet perëndimore. O sa mirë me qenë shqiptar, intelektualët nëpër ahenge partiake, qeveritare, universitare, e popullata në zbrazje të tokave shqiptare. Keni vërejtur sesa të zëshëm e sa dashamirës janë ndaj shqiptarëve ortodoks, bile bëhen më të flaktë se vet Manojllovskat dhe Sinadinovskat, a në anën tjetër me qindra mijëra, thuajse një milion shqiptarë për shkak të politikës shkatërruese kombëtare janë larguar nëpër shtetet e ndryshme perëndimore, situatë shumë më e trishtueshme se e shqiptarëve të ikur në turqi gjatë ishjugosllavisë komuniste. Keni vënë re sa të zëshëm ishin edhe ndaj të Shejtës Nënë Terezë, që e gjithë bota e di se është shqiptare, e këta intelektualët e Alisë me dinakëri në vend që ta ngrejnë zërin për situatën politike katastrofike, po zihen me maqedonasit se ajo paskërka qenë shqiptare. Në vend që ta kritikojnë politikën amatoreske shqiptare-maqedonase, merren me kritika fetare, e turke. Qesharake. Intelektualët e Alisë jo vetëm që gjinden kudo, po edhe janë kryesorë në çdo institucione ekonomike, shëndetësore, juridike, universitare, akademike shtetërore. Lum ne shqiptarët me këta intelektualët e Alisë, e jo të shqiptarisë.