Tiranë, 21. 10. 2016: 1. (Mbi disa botime të motshme) – Me emrin e Durrësit, si një metropol antik i kulturës së lashtë në brigjet e Adriatikut, lidhen edhe botime e shkrime të motshme. Ja disa:
Një libërth me fletë dylli i shekullit të dytë
Në të vërtetë nuk ishte fjala tamam për një libër ose libërth në kuptimin e mirëfilltë të sotëm. Para afro dhjetë vjetëve u zbuluan në inventarin e një urne monumentale të shekullit II (që i takonte një vajze) edhe pesë pllakëza dylli në formë katërkëndëshe e korniza ebaniti. Pllakëza e tabelëzat ishin të shkruara imët. Ky zbulim është i një rëndësie të veçantë dhe unike në vendin tonë, si dhe i rrallë në Ballkan (janë hasur raste analoge në Daki). Për këtë libërth, që fsheh misterin e enigmën e shekujve, (në literaturën shkencore quhet Tabela e Ceratae që lidhet me ritin mortor, me lajmërimet e ngritjes së kolegjit funerativ, të ndonjë kontrate juridike ose me epigrame etj.), është vonuar procesi për zbërthimin e botimin e përmbajtjes së informacionit që përfaqëson. Vlerat unike e dokumentare të padiskutueshme të tij e bëjnë këtë libërth të parin e këtij lloji në historikun e dokumenteve shkrimore në Shqipëri. Interesant është të vihet në dukje se pikërisht në shekullin II, në Durrës ekzistonte biblioteka publike, e ngritur nga L. Flav Tell Getulis. Ndoshta në këtë bibliotekë do të kenë qenë përdorur edhe 45 librat e enciklopedistit Filonid Dyrrahjeni, dijetarit të madh e të lashtë të Durrësit.
Një traktat i shekullit XIV i Dedë Shqiptarit nga Durrësi
Sipas dokumenteve, burimeve shkrimore, një traktat, i cili ndodhej në bibliotekën nacionale të Parisit me nr. 3161, ka qenë i shkruar, i shtyrë nga një Dedë Shqiptari (Domenicus Albanensis), nga Durrësi. Koher, në analizën që i bën dorëshkrimit të traktatit, flet për fratin shqiptar të quajtur Dedë, të ardhur nga Shqipëria në Gjenevë. Gjithashtu, Galvani na siguron se ishte “gjak shqiptari”. Po Kohler, e identifikon Dedën me birin e Sevast Topisë, princ i Shqipërisë e zot i Durrësit më 1336. Dorëshkrimi i traktatit është shkruar nga një figurë e njohur: Galvani, i cili dëshmon se e shkroi veprën e tij i nxitur nga Deda. Ky traktat i porositur qe “ad Principes Albaniee”, pra për princërit shqiptarë, për përdorim të jetës së tyre intelektuale të kohës.
Libri “Apotheosis” dhe shtypshkronja e Epidamnit në 1584
Ka disa të dhëna, që natyrisht duhen saktësuar deri në fund: Jemi para një fakti të shkruar e zezë mbi të bardhë: në një katalog të G. Millerit të vitit 1592 shënohet edhe vepra “Apotheosis”, e cila është shtypur në Epidamn Durrës) më 1584 dhe bile ky libër është paraqitur në ekspozitën ndërkombëtare të librave në qytetin Frankfurt mbi Majn. Ekzistencën e këtij libri e vërteton edhe P. Deschamp në veprën e tij “Diksionari i gjeografisë antike e të re”, Paris 1870, f. 80.
“Apotheosis” është një libër filozofik i botuar nga Polidor Korgiumi (tipograf i shtypshkronjës së Epidamnit). Ky subjekt ka ngjallur diskutime shkencore. Ka studiues që s’e pranojnë dhe e hedhin poshtë këtë fakt, duke e justifikuar mohimin me klandestinitetin e disa shtypshkronjave evropiane të kohës, që lëviznin nga një vend në tjetrin ose vinin emra të rremë vendbotimesh, për t’i shpëtuar inkuizicionit të shekullit XIV. Por, sidoqoftë, ka edhe fakte të tjera, të cilat përforcojnë faktin e ekzistencës së shtypshkronjës në Durrës. Sipas burimeve, edhe Shkodra më 1563, dmth., 21 vjet më parë se Durrësi, ka pasur një shtypshkronjë dhe tipografi i saj, që njihet me emrin Shtjefën Shkodrani, ka shtypur në këtë shtypshkronjë një triod.
2. DORËSHKRIME TË VJETRA DHE VEPRA ARTI NGA BERATI
Nga një dokument që mban datën 8 nëntor 1399 mësojmë për një numër dorëshkrimesh të vjetra dhe vepra arti mesjetar nga qerthulli i Beratit, pra për një koleksion të tërë mjaft interesant e të çmuar. Këtë koleksion e dorëzon Danieli, jeromonak dhe igumen i manastirit të Shënkollit në fshatin Perondi, nga “frika e turkut” (siç theksohet veçanërisht në dokument) princit mesjetar shqiptar Teodor II Muzaka.
Koleksioni është i përbërë nga dorëshkrime në pergamen (lëkurë) dhe letër (prej kallami). Janë 10 libra në pergamene dhe 10 të tjerë në letër. Ndërsa 20 librat janë edhe të tillë nga autorë si Anastasi (në pergamen), Zonara (në letër, por i veshur me lëkurë të kuqe), Antiohu, Efremi. Siç shihet, veç librave të kultit ka edhe libra të kronikëhistorianëve bizantinë të njohur. P.sh., Zonara, i cili jetoi nga fundi i shekullit XI dhe në gjysmën e parë të shekullit XII, përmendet se në veprën e tij të madhe historike jep të dhëna me interes për Shqipërinë, për kryengritjen e viteve 1040-1041, si dhe për tri kryengritjet, atë të Gj. Maniakut të N. Brientit dhe të Vasillaqit (dy të fundit me pikënisje nga Durrësi, kundër Konstandinopojës) si edhe disa fakte për luftërat normano-bizantine të zhvilluara në krahinat e tokat shqiptare.
Kurse Efremi, historian bizantin i fundit të shekullit XIII dhe fillimit të shekullit XIV ka qenë poet dhe ka shkruar një histori të madhe me 10392 vargje. Ai është mbështetur edhe te Zonara, Akropoliti e Honiati etj. dhe jep të dhëna për viset shqiptare në periudhën gjatë luftës së Despotatit të Epirit dhe Perandorisë së Nikesë etj.
Librat e mësipërme dëshmojnë për një bibliotekë të pasur dhe për një kulturë të gjerë të vendësve. Ajo që të tërheq vëmendjen veçanërisht është edhe përmendja e dy teksteve me nota muzikore, d.m.th. e një hormologji dhe katekizmi me dorëshkrime muzikore, natyrisht bizantine. Në këtë lak kohe muzika bizantine kishte si sistem regjistrimi sistemin kukuzelik, i cili dominoi për afro 5 shekuj. A ka pasur në këto tekste muzikë nga Kukuzeli, muzikologu ynë i madh mesjetar me origjinë nga Durrësi? Ka shumë mundësi.
Së fundi, në koleksionin e Perondisë bënin pjesë edhe disa tekstile mëndafshi, si p.sh., një përparëse e kuqe, një tjetër atllasi e verdhë e gjithë endur me zogj, shami të holla, gjerdanë të Perondisë dhe Mbreshtanit në dy qese, si dhe pëlhurë të dhuruar nga Gjergji II Balsha dhe një manal prej bronxi të dhënë nga një person i quajtur Haxhi (ndoshta një vendës me influencë, që pavarësisht se ka emër të islamizuar, i ka bërë dhuratë manastirit).
Tani disa fjalë për mjedisin historik të epokës. Shekulli XIV është shekulli i fuqizimit të princërve mesjetarë shqiptarë. Muzakajt kishin si kryevend të tyre Beratin. Topiajt dhe Balshat luftuan më 1385 në fushën e Savrës në Myzeqe, ku Topiajt përdorën për herën e parë mercenarë turq.
Gjergj II Balsha (1385-1403) me sa duket i dobësuar nga fuqia i bën dhuratë një fisi të muzakajve. Teodor II Muzaka merr pjesë me shqiptarët e tij më 1389 në betejën e popujve ballkanas kundër turqve në Fushën e Kosovës. Dhjetë vjet më vonë, më 1399, rreziku ogurzi turk kërcënon tërë Shqipërinë. Turqit shkatërruan, veç të tjerave, tërë monumentet kulturore, dorëshkrimet, veprat e artit. Në këto kushte, vendësit merrnin masa për ruajtjen e tyre.
A ekziston ndonjë gjë nga koleksioni i mësipërme? Muzakajt, kur vdiq Skënderbeu, shkuan e u venduan në Itali. Ata morën me vete gjërat më të çmuara, ka mundësi edhe librat. Njëri prej tyre, Gjon Muzaka, qe, veç të tjerave, një intelektual i spikatur i kohës, shkruan më 1510 një kronikë për familjen me vlera historike. Është e pamundur që ai të mos ketë trashëguar deri në atë kohë relike të vlerta midis të cilave edhe dorëshkrime të vjetra. Në këtë aspekt duhen bërë kërkime.
Prej Beratit janë edhe dy kodikët e lashtë, njëri i shekullit VI dhe tjetri i shekullit X, të njohur edhe në botë.
Dokumenti për të cilin folëm në këtë shkrim dëshmon për kulturën tonë në shekullin XIV, për nivelin e saj të lartë në periudhën paraosmane.
3.MATI DUDESI DHE POEZIA E TIJ E VITIT 1635
Një figurë e kulturës shqiptare e shekullit XVII është edhe Mati Dudesi. Për të flet për herën e parë Frang Bardhi, në një letër që mban datën 8 shkurt 1637. Bardhi e përmend Mati Dudesin së bashku me dijetarin durrsak Stefan Gaspëri, duke theksuar se të dy “anë njerëz që meritojnë dhe po shkojnë duke u rritur në virtyte, sikurse kishin nisur për së mbari”.
Si Stefan Gaspëri, ashtu edhe Mati Dudesi, janë marrë me poezi dhe kanë shkruar vargje apologjike për mikun e tyre të ngushtë Frang Bardhin. Këto vargje në latinisht janë botuar në vitin 1635 në fjalorin latinisht-shqip të Bardhit, me qëllim që të lartësonin veprën shkencore dhe patriotike të këtij të fundit. Në librin “Bibliographie albanaise” (Laipzig, 1973, faqe 27), Emil Legrandi, duke bërë përshkrimin e fjalorit të Bardhit të vitit 1635, flet edhe për vargjet e Mai Dudesit “tri distiktë të Mati Dudesit Dalmatin që i adresohen autorit” – d.m.th. Bardhit. Pra është fjala për gjashtë vargje të karakterit kushtimor. Ja përkthimi i tyre në gjuhën shqipe:
Në doni të hidhni një vështrim në fushëgjerat e Epirit,
Do të shihni qytetet që ngrihen jo larg botës Argolike,
Viset e gjeniut, luftëtar epirotas që dërrmoi kryeparët osmanë,
Duke i spërkatur me gjak anadollak gjysmëhënat e tyre.
Merreni këtë libër me dokumentet e gjalla të gjuhës arbërore,
Lexoni, rilexojeni e ruajeni si thesar përbrenda shpirtit tuaj!
Kjo poezi ka rëndësi për letërsinë e kulturën shqiptare të shekullit XVII. Ajo është me karakter patriotik dhe evokon figurën e gjeniut të lirisë, Gjergj Kastriotit –Skënderbeut, të cilin, sipas cilësimit të kohës, e quan “epirotas”. Ajo lartëson gjuhën arbërore, gjuhë e cila është shenja kryesore e kombit, siç do të shprehej edhe vetë Bardhi. Aty bie në sy krenaria e madhe për gjuhën kombëtare, të cilën e ka folur Skënderbeu, gjuhë që u quajt e denjë si gjuhë kulture nga Frang Bardhi, duke i kushtuar një fjalor, vepër me vlera leksikografike, një ndër të parit e këtij lloji në Evropë, ndërkohë kur shumë kombe nuk e kishin ende një vepër të tillë.
Tani le të tregojmë diçka më shumë rreth figurës së Mati Dudesit. Mbiemri Dudesi lidhet me shqipen Dudë. Më 1493 përmendet një Aleks Duda, kanonik i Drishtit. Prof. Dh. Shuteriqi e shpjegon Dudë, Duda me emrin e një lloj mani të zi, ose të mishit të dhëmbëve (“Studime filologjike” Nr. 1, 1981, f. 174). Kurse emri Mati është i përdorur shumë nga shqiptarët në mesjetë, sidomos në Veri. Sipas studiuesit kosovar, M. Tërnova, ndër antroponimet më karakteristike në Kosovë është emri Mati, i cili në defterët osmanë del i shënuar gjithmonë si emër edhe si mbiemër. Më 1427 përmendet një Mati nga Ulqini, më 1430 një Mati Spani etj.
Mati Dudesi ndoshta ka qenë moshatar me Stefan Gaspërin, i cili ka lindur dy vjet më pas Bardhit, në vitin 1608 e vdiq në vitin 1680. Mati Dudesi, si dhe Stefani, ka kryer kolegjin e Loretos. Ka mundësi të ketë vazhduar edhe studime më të larta në Romë.
Ç’u bë më vonë me Mati Dudesin? A shkroi ai edhe poezi të tjera? A shkroi edhe dokumente e shkrime që lidhen me Shqipërinë e kulturën tonë në shekullin XVII? për fat të keq, të dhënat për Mati Dudesin janë të pakta.
Mati Dudesi, ashtu si Frang Bardhi, Pjetër Budi, Pjetër Bogdani, Gjergj Vlladanji, Stefan Gaspëri, Daniel Korteze, Lukë Bogdani, Lukë Suma, bën pjesë në bashkësinë e dijetarëve e të poetëve shqiptarë, që dhanë kontribut për zhvillimin e kulturës kombëtare shqiptare, për fuqizimin dhe ngritjen e saj në një hip të ri cilësor.
POEZI ANTIKE NGA DURRËSI
Dijetari i lashtë Pauzania (shek. II e.s.) ka shkruar mbi monumente të qyteteve ilire Epidamn, Apolonia etj. Pauzania tregon se qytetari i Epidamnit i quajtur Kleosten u shpall kampion olimpik në olimpiadën e 66-të, në garën me kuadriga (karroca me katër kuaj). Me këtë rast fituesi në tempullin e Zeusit në Olimp të Greqisë qe i pari që dhuroi portretin e tij në skulpturë, së bashku me atë të karrocierit të tij e të karrocës, ku qenë gdhendur edhe emrat e katër kuajve. Kjo vepër arti u skulpturua nga skulptori i quajtur Ageladi. Pauzania shton se “mbi karrocë lexohet:
“Detari Kleosten nga Epidamni këtu më vuri,
mbasi me kuaj fitoi garën fisnike të Zeusit”.
Siç shihet, kemi të bëjmë me një poezi të tipit epigramë. Epigramat e shkurtra e lakonike ishin të kohës. Olimpiada e 66-të ka ndodhur në vitin 516 para erës sonë. Pra poezia për Kleostenin i takon kësaj date të motshme. Kjo është dëshmia më e hershme që njohim deri më sot për kultivimin e poezisë që lidhet me një banor të një qyteti të vjetër në brigjet e Ilirisë. Krijuesi i epigramës për Kleostenin do të ketë qenë, mendojmë, ndonjë i njohur apo i afërt i kampionit olimpik, ndoshta nga vetë Epidamni, sepse është me kuptim fakti që në poezinë trivargjëshe theksohet jo pa krenari vendlindja e fituesit. Poezitë e tipit epigramë duhet të kenë qenë kultivuar edhe në vetë Epidamnin në këtë lak kohor, për personalitetet e banorët e shquar të tij. Gjithashtu Pauzania tregon edhe për një monument të banorëve të Apolonisë, ku ishte skalitur një poezi me katër vargje. Pavarësisht se këto poezi kanë qenë shkruar në greqisht, që ka qenë gjuhë kulture e kohës, ato kanë të bëjnë me mjedisin ilir, me jetën qytetase ilire e me ndikimin e kulturës antike greke.
Në portikun e muzeut arkeologjik të Durrësit ndodhet një monument reliev, ku është skalitur një grua e shtrirë në shtrat, sipër saj një efeb me hark e shigjetë në duar, kurse poshtë ky mbishkrim poetik në latinisht:
Andila C. L. Hic
Amphila requiescit.
Hospes ndi admirare quod sic me in lecte vid
recubante dormen mortua sum. sm.
Dormire puta filias Pia e Ama
Laetor quod vidi filias.
Dhe ja përkthimi:
Andila liberte e Kajit Amfilës – që – pushon këtu.
O kalimtar, mos u habit që më shikon kështu
të shtrirë në shtrat sikur të flija se e vdekur jam.
Mendo se një fjetje të tillë kanë dhe bijat e mia Pia e Ama
Gëzohem që i pashë bijat.
Kjo poezi mortore na flet se si e ëma e vdekur e quajtur Amfila ka pasur edhe dy vajza, Pian e Aman. Monumentin Amfilas ia ka bërë libertja e quajtur Andila, ndoshta vajz e tretë e saj, ose një njeri i afërt i familjes. Ky monument i shekujve të parë të erës sonë është me vlerë të dyfishtë edhe për poezinë, edhe për skalitjen mjeshtërore të relievit.
Hecquard në librin e tij “Histoire et description de la Haute Albanie ou Guegarie” (Paris, 1858) në faqen 262 ka kopjuar gjatë vizitës së tij në Durrës edhe një mbishkrim të një monumenti mbivarror. Monumenti i kushtohej Kalocer Gubernit nga gjashtë persona “në kujtim miqësie”, duke mos harruar të shënojnë se monumenti u ngrit me shpenzimet e tyre.
Në këtë mbishkrim lexohet edhe vargu latinisht: Ortus in alia Ephyra. Ky varg përkthehet: Të lindur nga një Efyrë e dytë.
Studiuesit që janë marrë me këtë mbishkrim, si Momseni, Sestieri etj., thonë se ky varg ishte fillimi i një karmi (poezie). Vargjet e tjera të poezisë nuk janë deshifruar dot, sepse janë të dëmtuar në mbishkrim.
Teodor Momseni shënon se me “alia Ephyra” duhet kuptuar Akrokorinti. Dihet se një emër i vjetër i Korintit ishte edhe Efyra. Por ne kemi mendimin se pikërisht cilësimi “një Efyrë e dytë” ose më saktë “një Efyrë tjetër” tregon qytetin Efyra të Epirit ilir, pra jo Akrokorintin. Stefan Bizantini në leksikonin e tij thekson se Efyra është “qytet i Epirit, i quajtur kështu prej Efyrit, që ishte bir i Amarakut të Thespretit, të Pelazgut..”. Shekuj më parë se Stefan Bizantini; kronikhistoriani i motshëm Tukiditi shkruante se “larg detit në Eleati të Thesprorisë është qyteti Efyra”, kurse Akrokorinti dihet se ishte ishull në detin Jon. Pra Efyra, si qytet i Epirit, është në krahinën e qerthullin e thesprotëve, fis i madh e i rëndësishëm ilir i jugut. Si përfundim, mendojmë se vargu që analizuam më sipër dëshmon për origjinën etnike të personave kushtimtarë, të ardhur nga thesprotët e të vendosur me sa duket si banorë në qytetin e Durrësit.
Fakti që në monumentet skaliteshin vargje e poezi, shpreh njohjen dhe kultivimin e poezisë antike në Durrës, pra jo vetëm poetët e krijuesit vëndas, të cilët kanë mbetur anonimë, por edhe publikun që i lexonte këto poezi, të shkruara në latinisht, si një gjuhë tjetër kulture bazë e motshmërisë. (Kujtojmë se latinishtja si gjuhë kulture u përdor deri në shekullin e 17-të po me këtë funksion edhe nga Barleti i madh, po askush nuk dyshon se kryeveprat barletiane nuk i takojnë kulturës humaniste shqiptare e se autori i tyre nuk është shqiptar, ngaqë shkroi latinisht).
Poezia e monumenteve mortorë nuk ka qenë gjithashtu diçka në vetvete. Ajo ka qenë pjesë e poezisë së jetës së gjallë, e kultivimit të letërsisë. Durrësi në shekullin e dytë të erës sonë ka pasur një bibliotekë të madhe. Në këtë bibliotekë, natyrisht, do të ketë pasur libra, traktate e poezi, por që nga shkatërrimet e kohërave nuk na kanë mbërritur. Ose, për shembull, një figurë e madhe dijetari enciklopedist është ajo e mjekut Filonid Dyrraheni, që, siç dëshmojnë burimet e shkruara antike, bëri 45 libra të ndryshëm. Pra kemi të bëjmë me një kulturë të lashtë të të parëve tanë në trojet e Durrësit. Në këtë kuadër poezitë antike, për të cilat folëm në këtë shkrim, së bashku me poezitë e tjera të gjetura në monumentet e Apolonisë, Ballshit e ndonjë qendre tjetër antike të Shqipërisë, mund të përbëjnë një objekt studimi me interes mbi historinë e poezisë e traditave kulturore.