BESIM CENGU: PLAGA E MËRGIMIT DHE ATDHEDASHURIA NË POEZINË E POETIT SERVET BYTYQI

Tiranë, 4. 11. 2016: Në fakt ndërtesën tonë poetike e ka ngritur poezia e mërgimit, sepse vetëm kur largohesh prej atdheut e ndjen deri në essencë domosdoshmërinë e tij, nevojën dhe madhështinë që ta jep vetëm vendlindja. De Rada, Naimi, Pashko Vasa, Thimi Mitko, Filip Shiroka e rilindas të tjerë nuk do të ishin kaq të mëdhenj në krijimtarië e tyre poetike nëse nuk do të ishin të mërguar.
Që të shijosh bukurinë e krenarinë e një mali duhet ta shikosh nga nga larg, ndërsa nëse do të dish se se sa e madhe është dashuria për atdheun duhet të jesh për një farë kohe larg tij për ta ndjerë realisht mungesën.
Në kushtet e mërgimit Naimi i madh, mësuesi moral i popullit shqiptar, na dhuroi vargjet e pavdekshme “Ti Shqipëri më jep nder / Më jep emrin shqipëtar / Zemrën ti ma gatove / Plot me dëshirë e zjarr.”
Poezia e letërsia e mërgimit ka luajtur rol të madh në Rilindjen tonë Kombëtare, duke ndihmuar e nxitur jashtëzakonisht shumë energjinë atdhetare dhe krijuese brenda kombit, por edhe më pas, nëpër valët e mërgimit më vonë. Mërgata jonë ka të veçantën se ndërthur kulturat, ndaj ka qenë dhe mbetet edhe sot frymëzuesja e bashkëkombasve që jetojnë në hapësirën shqiptare duke treguar mrekullisht se si duhet ta duam Atdheun, se si duhet të zhvillojmë vendin tonë e ta bëjmë njëlloj si të tjerët.
Sot e kësaj dite, ne kemi një numër të madh shqiptarësh që kanë emigruar dhe përveçse ndihmojnë e mbajnë gjallë familjet e veta, ata kontribuojnë me krijimet e veta në emancipimin e përparimin e popullit tonë.

Një prej librave më të spikatur që ka parë dritën e botimit kohët e fundit është vëllimi me titullin “Lulebozhuri i Dukagjinit” botuar nga poeti hasjan Servet Bytyqi. Hasi ka privilegjin të ketë traditën më të vjetër poetike në gjithë hapësirën shqiptare, pasi aty jetuan dhe shkruajtën, Pal Hasi, Pjetër Bogdani i madh, Andrea e Lukë Bogdani etj., të cilët vendosën gurët e themelit të poezisë moderne shqiptare që ishte dinjitoze po aq sa edhe poezia e kohës që botohej në perëndim. Ndoshta “sibilat” e Bogdanit i tejkalonin krijimet artistike të autorëve më me zë të Italisë e më përtej.
Duke e shfletuar këtë vëllim poetik mua më shkoi mendja te një thënie e çmuar e Gustav Floberit, autorit të romanit “Zonja Bovari”, i cili thoshte për tregimet e Gi dë Mopasanit se krijimet e tij “më ngjajnë si një shportë me qershi, të cilat duke i zgjedhur një nga një, nuk mbetet asnjë.” Kështu më ndodhi mua kur po lexoja vëllimin poetik të Servetit. E nisa vëllimin dhe duke i zgjedhur një nga një i lexova të gjitha krijimet. Dhe arrita në përfundimin se kemi të bëjmë me një shpirt artisti që vlon, me një poet vërtet entuziast që është i gatshëm të japë shumëçka për vendin e vet, për njeriun e tij të dashur, për prindin, për shokun, për bashkëkombasin e vet, për çdo gjë që frymon shqip.
Entuziazmi i poetit shprehet me shumëllojshmëri figurash artistike prej metaforës deri te ekslamacioni që është shprehje autentike e përjetimit dhe ndjeshmërisë poetike.
Nuk e ndjen veten rehat poeti në vendin e huaj sado i pasur dhe i civilizuar që të jetë ai. Ai vendin ku punon e jeton nuk e përbuz, por ama ngryset në darkë duke soditur muzgun që pushton majën e Gjalicës krenare dhe gdhihet bashkë me dritën e diellit që përflak në mëngjes majën e Pashtrikut dhe shkruan:
“…Qiejt më gërvishten nga një gradaçelë
Si i humbur sillem në shina e autostrada
Mu tret mendimi ndër male diku thellë
Tek lahuta ime që këndon balada…”
(Mëngjese në perëndim)
Në mungesë të komunikimit fizik apo në kohën kur e pllakos poetin vetmia si ndjenjë zemërdridhëse, ngushëllohet duke biseduar me hënën, me të cilën luan artistikisht për të arritur qëllimin e tij në mungesë të komunikimit me njerëzit e vet të shtrenjtë. Gradacioni i romantizmit rritet duke i dhënë thjeshtësi dhe bukuri vargut. Dhe pas komunikimit metaforik me një lirizëm delikat thotë:
“…Mes natës së freskët
Mes yjesh të larë
Hëna ngadalë u largua
Mu duk iku duke qarë…”
(Unë dhe hëna)
Servet Bytyqi përmes lulebozhurit kërkon të shkojë te rrënja, te origjina e tij dhe ndjehet i plotë në të gjitha drejtimet. Prandaj e ka zgjedhur këtë simbolikë kaq të gjetur përgjithësuese dhe kuptimplote. Ai nuk merr përsipër të argumentojë shumë, por ia lë këtë detyrë faktit të gjallë, ekzistencës së tij dhe të vendit që përfaqëson, vendit që rritë që në fillesën e tij lulebozhurin, por edhe atë vetë si qenie humane. Prandaj poeti shkruan:
“Të kam sjellë si shenj’ dashnije
lulen rritur buzë Shkumbinit
Si kujtim veç prej Shqipnije
Bukuroshe e Dukagjinit
Më fisniken që t’ka hije
Për Gjakovën e Bajram Currit
Ngjyrë e erë e gjak Shqipnije
Është veç lulja e Dukagjinit.”
(Lulja e Dukagjinit)
Krijimet më të ndjeshme janë këngët e mallit. Malli si ndjenjë karakterizon dhe shoqëron mërgimtarin kudo dhe kurdoherë, ndaj dhe poezitë me këtë tematikë janë thellësisht të ndjeshme dhe me nivel të lartë artistik. Autori është I kursyer në fjalë, por fjalët I përzgjedh për të fokusuar sa më mire e më qartë idenë e mesazhin që kërkon të përcjellë. Pikërisht përmes mallit kemi të shprehur sintetikisht dashurinë pa përmasa për vendlindjen. Ai fton zogun për të marrë pjesë në mallin e tij dhe shprehet poetikisht:
“…Ndalu pak e rri pa frymë,
Vështro në degë të blinit,
Kur del dita plot me brymë,
Mbulue malet bregut të Drinit…”
(Fluturim zogjsh)
Mbi të gjitha malli për babain nuk e lë të qetë poetin dhe e mbat të trazuar. Gjithçka lind dhe vdes në këtë figurë sa reale, autoritare, e pranishme kudo, por edhe aq artistike. Në fakt rrënja gnosologjike ku mbahet dhe gjen identitetin autori nis dhe mbaron tek figura e “shtyllës” së shtëpisë e fisit, prej të cilit i dedikon ekzistencën dhe formimin e vet. Këshillat e babait janë të shenjta ndaj autori fjalët e tij të urta e të mençura i ka si udhërrëfyes i përhershëm:
“…bir, më tha, duhet të më ngjasosh mua
Por t’i ngjash kohës, do të jetë më mirë…”
(Unë dhe babai)
Shumë domethënëse kjo këshillë prindërore që mbart “Porosinë e Madhe” që mbart idenë zhvillimit e ndryshimit të jetës. Prandaj Serveti ka vetëm trupin në mëgrim, ndërsa mendja i fluturon e i punon aty ku ka origjinën, aty ku ka lënë ëndërrat e përgjysmuara, ku i flenë kujtimet e fëmijërisë të parealizuara, ëndërrat e rinisë të saponisura e më në fund aty ku ndjehet i lirë, ndaj i rikthehet përsëri porosisë jetësore të babait:
“…bir ngado që të sillesh, kurrë mos e harro
As bukën, as kripën dhe vendin që të lindi kokën…”
(Hasit tim)
Vëllimi merr vlera më të mëdha e frymëmarrje më të gjerë kur autori u përkushtohet figurave të shquara që aq shumë dhanë për Atdheun për të cilët përulet. Përulet para Adem Jasharit e Mic Sokolit, ashtu sikurse përulet me të njëjtin respect para madhështisë së artit të artistëve Dervish Shaqja e Fatime Sokoli, Vaçe Zela e Sali Mani, Anton Çeta, Ukshin Hoti e Bajazit Cahani.
Vëllimi poetik “Lulebozhuri i Dukagjinit” i poetit Servet Bytyqi, padyshim është një prej botimeve më të veçantë që përcjell mesazhin e madh se Atdheun nuk ta zëvendëson askush dhe se dinjiteti, ëndërrat, dashuritë e kuptimet e jetës realizohen vetëm në vendin tënd.
I urojmë autorit suksese me krijime të reja artistike.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura