Pashtriku.org, 15. 01. 2017: Jusuf Gërvalla sprovat e para poetike i bëri si gjimnazist. Nëse nuk i llogarisim këtu tekstet e këngëve dhe pak poezi e tregime të tij, të botuara në gazetën “Flaka e vëllazërimit, fillimet e poezisë së mirëfilltë të Jusuf Gërvallës datojnë nga viti 1974, kur para lexuesit paraqitet me poemat “Baladë për shavarin” dhe “Kalon pran meje” që të dyja të botuara në gazetën e studentëve “Bota e re”. Gjatë këtij viti Jusufi ia ofron për botim një cikël poezish edhe revistës letrare “Jeta e re”. Pasi që poezitë ndahen për botim, ende pa dalë revista në qarkullim, Rexhep Qosja, asokohe kryeredaktor i revistës në fjalë, e fton Jusuf Gërvallën dhe me një ndjenjë të fuqishme kënaqësie dhe gëzime, me fjalët më të mira, i uron këtij sukses në fushën e krijimtarisë artistike. Poezitë u botuan me titull të përbashkët, “ Çaste poetike”.
Në recensionin që këtij numri të revistës “Jeta e re” i bëhet nga e përditshmja “Rilindja”, si karakteristike e poezisë së këtij numri theksohet dhe ndahet për shqyrtim mu ky cikël. Mehmet Kraja, autor i shkrimit, në këtë poezi sheh një origjinalitet, një botë të pasur dhe të pastër ndjenje e mendimi, një poezi idesh dhe përgjithësimesh të mëdha, të karakterizuara nga gjuha e pasur, nga narracioni poetik, asociacioni, muzika, ritmi i brendshëm dhe i jashtëm etj. Gjatë vitit 1974 Jusuf Gërvalla e përgatiti për shtyp librin e parë me lirika me titull “Shtëpia në rrugë”, të cilin para se ta dorëzonte në redaksi e pagëzoi Fluturojnë e bien, titull simbolik që mbi supet e veta e mbartë e idenë dhe porosinë e mbarë librit. Libri u botua në kuadër të Redaksisë së Botimeve të “Rilindjes” në Prishtinë, në fillim të vitit 1975.
Ky libër, siç shprehej edhe vetë Jusuf Gërvalla gjatë bisedave dhe në ndonjë intervistë, vinte si një borxh ndaj së kaluarës, si shkarkim i poetit nga barra e rëndë e kujtimeve të fëmijërisë, të kujtimeve të hidhura dhe të ëmbla për vendlindjen e tij, e cila duke ecur tehut të greminës dhe ekzistencës së saj mbahej gjallë nga përpjekjet dhe dështimet, nga ngritjet dhe rëniet, nga dëshirat dhe ëndrrat, nga dashuria dhe urrejtja… Libri u prit mirë nga lexuesi dhe nga kritika letrare. Brenda një kohe të shkurtë botimin e këtij libri e shënuan pjesa dërmuese e gazetave dhe revistave tona. Botimi i këtij libri u shënua edhe në shtypin jugosllav. Gjatë vitit dhe më vonë për këtë libër u botuan mbi dhjetë ese, recensione dhe vështrime letrare. Për të shkruan Ali Aliu, Teki Dërvishi, Jusuf Buxhovi, Resul Shabani, Sylejman Syla, Januz Fetahaj, Bajram Sefaj, autori i këtij shkrimi, etj. Në vështrimin kritik për këtë libër dr. Ali Aliu ndër të tjera pohon se Jusuf Gërvalla me veprën e parë poetike provon të sjellë “një ton të ri në rrjedhat e poezisë së sotme te ne.”
Sipas kritikut vargu i poetit është “i qartë në konceptimin dhe përcaktimin tematik dhe poetik”, ndërsa “bota e poetit është e pasur shtresash të shumta kuptimore”. Në brendinë e kësaj poezie kritiku “heton degëzimin e dy linjave: zëri që shpreh mishërimin dramatik të poetit pas ambientit që tani është vetëm një vizion i tretur i së kaluarës dhe, ambienti real që e step disi ndjenjën e tij edhe atëherë kur ajo ka arsye të shpërthejë deri në pakufi.” Në këtë poezi të pasur “refleksionesh jetësore” kritiku sheh “ballafaqimin dramatik të dy ambienteve – atij rustik që e ruan esencën e natyrës së njeriut dhe, atij urban që përherë tëhuajsohet nga kjo natyrë.” Prandaj, konstaton Aliu: “në vend që të shpërthente përmes patosit revoltues, alarmues, lidhur me fenomenin e shqetësimit që, në këtë vëllim është nxitësi, embrioni i frymëzimeve dhe shqetësimeve poetike, ai duke e strehuar nën një vel të padukshëm diskret po sugjestiv, e shton intensitetin e brendshëm… Dhe, duke u strehuar, poeti ofron edhe një imazh ngjyrash të gjalla dhe të fuqishme të njeriut dhe të botës, natyrës së këtij ambienti…” Duke e përfunduar këtë shkrim për poetin Jusuf Gërvalla, dr. Ali Aliu shton edhe këtë konstatim: “Po, është e sigurt se fjala është për një botë dhe për një sensibilitet tejet të pasur, të ndjeshëm dhe të nuancuar poetik që disponon aftësi dridhjeje edhe nga ngacmimet më të padukshme, nga disonancat më të lehta në jetë e te njeriu. Dhe, pikërisht kjo është ajo që lë të besohet dhe të shpresohet për të nesërmen e këtij poeti…”
Lidhur me shënimin e dritësimit të këtij libri dhe pritjes së mirë të tij nga lexuesit Qerim Arifi e zhvilloi edhe një intervistë me Jusuf Gërvallën, e cila u botua në revistën “Zëri i rinisë”. Pra, ishte konstatim i përbashkët: parabola krijuese poetike e Jusuf Gërvallës po fillonte aty ku shumë krijues do të donin ta përfundonin. Si poet i fuqishëm dhe sugjestiv Jusuf Gërvalla do të gjendet edhe në vëllimin Antologjia e poezisë së sotme shqipe në Jugosllavi të Ali Aliut (Shkup, 1977) në mesin e njëzet poetëve të tjerë.
Libri i parë poetik i Jusuf Gërvallës mbeti vazhdimisht i dashur dhe i freskët për lexuesit, meqë doli në dritë në kohën më të thirrshme, kur një pjesë e poezisë sonë, sidomos e krijuesve të rinj, po vritej nga hermetizmi, nga steriliteti i figurave, nga pagjakësia dhe nga monotonia. Kësaj tendence Jusuf Gërvalla i kishte shpallur luftë qysh në vitin 1968 edhe nëpërmjet të këtyre vargjeve të këngës protestuese “Njeri, ku je”:
njeri, ku je
t’lënduan rëndë me poezi
e arte abstrakte
të kanë mbërthy
n’regjistra e akte
se je njeri
s’u shkon ndërmend
Poezinë e këtij vëllimi e karakterizonte drita, jeta, freskia, lëvizja dhe optimizmi, ndonëse ajo fund e krye ishte poezi e dhembjes, pikëllimit, vuajtjes, ashpërsisë së jetës dhe të tragjikes individuale dhe kombëtare.
Në vitin 1978 Jusuf Gërvalla e boton vëllimin e dytë të lirikave me titull Kanjushë e verdhë. Ky libër është vazhdim i të parit, ndonëse shquhet për zgjerimin e rrethit tematik dhe për thellimin e mendimit poetik. Edhe këtë libër e përcollën një varg vështrimesh dhe kritikash letrare të shkruara nga Mehmet Kraja, Xhemail Mustafa, Emin Kabashi, Halit Fetahu, Bajram Sefaj, autori i këtij shkrimi, etj. Me rastin e botimit të këtij libri dhe të tre librave të tjerë gjatë atij viti, redaksia e “Zërit të rinisë” e organizoi një tryezë diskutimi të frytshëm. Përveç autorëve të librave, në këtë tryezë morën pjesë edhe disa kritikë letrarë të tjerë, si dr. Ali Aliu, Beqir Musliu, Sabri Hamiti, Mehmet Kraja, Emin Kabashi, Arif Demolli, Xhemail Mustafa, Ramadan Musliu, etj. Sipas Mehmet Krajës komponentet e realizimit të kësaj poezie janë: “frymëzimi, idilika, imazhi, si pjesë e saj, tabloja impresioniste, narracioni” etj. Dhe në fund vjen ky konstatim: “Poezia e Jusuf Gërvallës është komunikative, është poezi-frymëzim, observimet mbështeten mbi tablo dhe imazhe, i jepet hapësirë asociacionit dhe, në ndërtimin e ligjëratës së vet poetike, mbështetet te metafora.” Xhemail Mustafa këtë vëllim poetik e sheh si “shumësi kreative, ai kufizon me njësinë poezi, por që intencionalisht këto bashkëjetësohen në nivelin libër duke ruajtur gjithnjë pavarësinë e vet brenda një poezie të caktuar.” Ndërsa Emin Kabashi lidhur me këtë libër e jep këtë mendim: “Me kualitetet që sjell në poezinë tonë të re, mendoj që libri i Jusuf Gërvallës është një prej realizimeve më të suksesshme të kohës së fundit te ne.”
Në dhjetor të vitit 1979 del nga shtypi edhe libri i tretë me lirika të këtij poeti me titull Shenjat e shenjta. Libri botohet në Shkup në kuadër të bibliotekës “Valët” të “Flakës së vëllazërimit”. Botimi i këtij libri përkon me kohën e arratisjes së Jusuf Gërvallës, prandaj libri mbyllet dhe i ndalohet qarkullimi. Vetëm pak ekzemplarë të këtij libri që kishin arritur të shohin dritën mbetën të qarkullojnë ilegalisht nga lexuesi në lexues.
Krahas poezisë Jusuf Gërvalla shkroi edhe në prozë. Tregimet e para ai i botoi në gazetën “Flaka e vëllazërimit” e më vonë edhe në revistat “Jeta e re”, “Fjala”, “Zëri i rinisë”, etj. Sidomos tregimet “Vazhdim…”, “Barziloku i trimit”, “Lindja e Cufës”, Sharkia me dymbëdhjetë tela”, “Rrum tetë”, “Abdylrezakhalimi”, “Sporteli”, “Katrahura qindrakëmbëshe”, qenë sprova të sigurta që Jusuf Gërvalla të kalojë në shkrimin e prozës së gjatë, romanit. Përpjekjet e para për shkrimin e romanit Jusuf Gërvalla i bëri gjatë vitit 1975. Romani “Dy florinj të një dashurie” atë vit hyri në planin botues të “Botës së re”, në kuadër të bibliotekës “Dituria”, në mesin e gjashtë romaneve të shkrimtarëve tanë të gjeneratës së re. Nga kjo ndërmarrje arriti të botohet vetëm vepra “Romani pa kornizë” e shkrimtarit Musa Ramadani. Si romanin e botuar ashtu edhe pesë veprat tjera që gjendeshin në shtyp i pezulloi censura.
Romani i parë i Jusuf Gërvallës që mbeti i pabotuar trajtonte një temë nga e kaluara jonë, ngjarja e të cilit zhvillohet diku menjëherë pas pavarësisë sonë kombëtare. Edhe romanin e dytë të Jusuf Gërvallës me titull Rrotull e përcolli një fat pikëllues, i ngjashëm me atë të disa veprave të këtij autori. Ky roman kishte hyrë në planin botues të Redaksisë së Botimeve të “Rilindjes” dhe gjendej në fazën e fundit të shtypjes kur Jusuf Gërvalla qe i detyruar të arratisej nga atdheu. Prandaj, me këtë rast edhe kjo vepër u pezullua nga botimi. Megjithatë, në saje të kujdesit të familjes së Jusuf Gërvallës dhe të mirëkuptimit të Shtëpisë Botuese “Naim Frashëri” të Tiranës, ky roman do të botohet pas pesë vjetësh, më 1983, një vit pas vrasjes së autorit. Po kjo shtëpi botuese, më parë, më 1982, e kishte botuar vëllimin me poezi të zgjedhura nga opusi poetik i Jusuf Gërvallës me titull Bekimi i nënës .Po kështu Jusuf Gërvalla la në dorëshkrim edhe dramën Procesi, e cila, pas vrasjes së tij,u botua në Zvicër më 1984, në kuadër të bibliotekës “Liria” të “Zërit të Kosovës”. Të theksojmë këtu se gjatë vitit 1979, deri sa ende gjendej në Kosovë, Jusuf Gërvalla e ka pas projektuar dhe e ka pas filluar të shkruante edhe një roman me temë nga baladat tona të rinjohjes së vëllait me vëlla.
Në një bisedë me poetët Agim Mala dhe Shaip Beqiri të botuar në gazetën “Bota e re” më 1 prill të vitit 1977, lidhur me orientimet dhe parimet e tij krijuese në poezi dhe në prozë Jusuf Gërvalla shprehet kështu: “Po trumbetohet me të madhe se ka perënduar koha frymëzimit, se frymëzim as që ka pasur… ekziston laboratori i artistit, thonë. Dhe, u mor vesh që këtu ka diçka që mban. Por, mbi të gjitha, më bëhet se është qëndrimi ynë ndaj frymëzimit ai që ka ndryshuar: nuk e mendojmë më si pozitë të jashtme e të brendshme emfatike – larg kësaj. Edhe kjo është në rregull. Megjithatë, mendoj se frymëzimi është një akt i domosdoshëm, të cilit krijuesi nuk i shmanget dot. Dhe, ky farë akti – solemn (por me transformime e varietete të gjendjes solemne ndër kohë e frymë), merr atribute të ndryshme, varësisht nga koha në të cilën trajtohet. Po qe kështu, e kështu më bëhet se është, meqë kështu disi ngjan tek unë, atëherë momenti i tillë të thuash se nuk gjurmohet në kuptimin e plotë të kësaj fjale; imponohet fuqishëm, më së shpeshti. Është me rëndësi që të kapet menjëherë, pastaj, sa për “përpunimin në laborator”, ka kohë dhe për këtë gjë nuk duhet ndonjë kohë e posaçme. Në kushte të sotme përpunimi mund të bëhet ndonjëherë edhe mes punëve të tjera, të ditës – po deshëm, ndoshta pa ndonjë rrezik serioz nga keqtrajtimi. Sa më përket mua, koha e poezisë është gjithë koha që e kemi përpara, prandaj nuk është vështirë ta zësh.
Do të thosha se projeksione absolutisht të pastra, në të cilat s’e heton dot gjurmën e gjendjes së rrëmujës para projektimit konkret – kemi vetën në letër, në inkarnimin sado-kudo material të formave e të përmbajtjeve të tyre të përfytyruara. Unë për vete nuk rresht dot nga rrëmuja, që shkaktohet me hapjen e themeleve, kur grumbuj dheu ende kanë mbetur rreth godinës që ke marrë të ndërtosh. Dhe, të thuash se nuk çaj kokë t’i mënjanoj domosdo gjurmët e rrëmujës nga të gjitha fazat e ndërtimit. Më mjafton që, sipas mundësisë, punimet finale rreth pikave kryesore të projeksionit të marrin shkëlqimin e vet të domosdoshëm, e kështu të bëjnë që edhe unë, edhe lexuesi, ndjenjën e rrëmujës ta harrojmë spontanisht për ta shijuar rezultatin final.
Do të pajtohemi ndoshta se sot këtu ndër ne mbretëron të shumtën një kohë eksperimentimesh. Dhe burimet e njohurive dhe preokupimeve, që po bëhen shtytje për prozatorin tonë – në vend që burim i vetëm të jetë trualli ynë konkret, me të gjitha atributet, mbi të cilat mund të ndërtohen projeksione origjinale e autoktone – te ne po vijnë me erëra drejtimesh të ndryshme. Ndonjëherë, pamundësia që ta përkufizosh e ta radhitësh prozën tonë, këtu, në vend të caktuar unik dhe me mjete të caktuara, prapë unike, ka zënë e po zgjon edhe neveri. Është e vërtetë se nuk kemi nevojë për tradicionalizëm të ngurosur, se ndoshta do të gjendeshim në rrugë edhe më të gabuar. Por, s’do mend se largimi total nga tradita (dinamike – me rrotullimin e saj ndër varietete e rrjedha që e shpien përpara) nuk do të na damkoste; përkundrazi, ndoshta kjo do të jetë e vetmja rrugë e shëndoshë për krijuesi tonë.”
Lidhur me preokupimet e veta letrare në një bisedë me Qerim Arifin të botuar më 4 tetor 1975 në revistën “Zëri i rinisë”, Jusuf Gërvalla pohon: “Ajri është përplot klithje, që shprehia na i ka bërë memece. E di një dhembje, di shumë dhembje, që nuk do t’i dija po të mos distancohesha pak prej tyre; e di gëzimin e jetës, që nuk do ta dija, po të mos e shikoja pak me syrin e atij që nuk e ka bukë të përditshme. Po kështu, duke u përpjekur që në momente t’i bëjë pak të huajat edhe bardhësitë, edhe pezmin e jetës, në mënyrë që më vonë të më kthehen të sheshuara, të ndara – ëmbëlsia nga e amshta – me kohë kanë zënë të më bëhen më të qarta konturat e njeriut me etje për sende të imta dhe për gjakime të shumta, po edhe të njeriut me një shpresë të patundshme të varur për ndërgjegjen e vet e të sojit të vet.”
Duke shkruar për Jusuf Gërvallën, shkrimtari ynë i madh, Ismail Kadare, thekson: “Krijimtaria letrare e Jusuf Gërvallës, poezitë e tij, si dhe proza artistike e publicistika përbëjnë një kontribut të rëndësishëm në rrugën e zhvillimit të artit e të mendimit shqiptar. Poet, prozator, publicist militant, Jusuf Gërvalla kishte të gjitha cilësitë dhe dimensionet që e bëjnë të shquar një personalitet të letrave e të kulturës. Për fat të keq mundësitë e tij mbetën të pashprehura plotësisht.”
Thënë me pak fjalë, Jusuf Gërvalla në krijimtarinë e tij letrare me një invencion të rrallë kapi dhe trajtoi probleme të kohës me të gjitha idetë dhe idealet e saj, duke i pasqyruar në to dhembjet, vuajtjet dhe shpresat e njeriut konkret, i cili pandërprerë gjendet në luftë për të mirën dhe për të bukurën njerëzore. Shkrimtarët e çmuar të Jusuf Gërvallës: Ismail Kadare, Teki Dërvishi, Jakov Xoxa, S. Beket, F. Kafka, M.A. Asturias, G. Markes, etj.
Pos krijimtarisë origjinale Jusuf Gërvalla ka përkthyer edhe një numër të konsiderueshëm të materialeve të ndryshme letrare, si poezi, skica poetike, tregime, romane, drama, ese. Jusuf Gërvalla përktheu nga gjuhët e huaja në gjuhën shqipe si dhe anasjelltas nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate.
Ndër përkthimet më të rëndësishme të Jusuf Gërvallës nga letërsia jugosllave dhe ajo botërore vlen të ceken këto: një pjesë nga romani “Kështjella” të Mesha Selimioviqit, botuar në revistën “Jehona” të Shkupit; pjesë nga romani “Uliksi” të shkrimtarit Xhems Xhojs botuar në “Bota e re” të Prishtinës; një cikël tregimesh poetike të shkrimtarit Franc Kafka, botuar në “Bota e re” të Prishtinës, pjesë nga romani “Dielli lind përsëri” të shkrimtarit Ernest Heminguej, botuar në “Flaka e vëllazërimit”, etj. Për nevoja të Teatrit Popullor Krahinor në vitin 1975 Jusuf Gërvalla përktheu dramën “Gloria” të Ranko Marinkoviqit, të cilën e botoi edhe Redaksia e Botimeve “Rilindja” e Prishtinës, në vitin 1978. Me përkushtim të madh Jusuf Gërvalla e përktheu edhe romanin “Klepsidra” të shkrimtarit Danilo Kish, të cilin e botoi Redaksia e Botimeve “Rilindja”, Prishtinë, 1977. Poashtu nga opusi poetik i poetit të shquar slloven Ciril Zllobec Jusuf Gërvalla bëri zgjedhjen dhe përktheu vëllimin poetik me titull “Amshimi im i shkurtër”, të cilin e botoi Redaksia e Botimeve “Rilindja”, Prishtinë, 1979. Gjithë talentin dhe vokacionin e tij prej përkthyesi Jusuf Gërvalla e shkriu në përkthimin e veprës madhore poetike “Legjenda e Guatemalës” të shkrimtarit latinoamerikan M.A. Asturias, poashtu e botuar nga “Rilindja”, Prishtinë,1979. Nga eseistika këtu vlen të ceket përkthimi i esesë “Filozofia e kompozicionit” e shkrimtarit Edgar A. Po lidhur me poezinë e tij “Korbi”, të botuar në revistën “Jehona”.
Ndër përkthimet më të rëndësishme të Jusuf Gërvallës nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate po i përmendim këto: pjesë nga romani Padrona të shkrimtarit Teki Dërvishi, botuar në një revistë letrare të Nishit; poema Frymëmarrjet e detit e Teki Dërvishit; romanin Halveti të Teki Dërvishit, me të cilin autori mori pjesë në një konkurs letrar me karakter jugosllav, përkthim që ka mbetur i pabotuar; dramën televizive Vdekja e Gjergjezit të Beqir Musliut, me të cilën autori mori pjesë në një konkurs letrar, por përkthimi nuk është botuar; esenë Moda e mallkuar të Rexhep Qoses të botuar në gazetën “Novi svet”,Prishtinë. Ndërsa për shkaqe të njohura e la të papërfunduar, në dorëshkrim, romanin Zanoret e humbura të Zejnullah Rrahmanit.
Një veprimtari të dendur në fushën e përkthimit Jusuf Gërvalla e zhvilloi edhe për nevojat e Televizioni të Prishtinës. Këtu po e përmendim vetëm përkthimin e filmit të Kinostudios “Shqipëria e re” Beni ecën vetë të regjisorës Xh. Keko. Ky film u përkthye nga gjuha shqipe në gjuhën serbokroate. Në gjuhën shqipe Jusuf Gërvalla i përktheu edhe disa filma dhe emisione dokumentare nga produksioni i shtëpive filmike dhe televizive të Jugosllavisë. Në bashkëpunim me dr.Shaqir Shaqirin Jusuf Gërvalla përktheu dhe shqipëroi nga gjuha angleze edhe një numër të konsiderueshëm filmash artistikë nga kinematografia botërore.
Jusuf Gërvalla shkroi edhe recensione, ese dhe kritika letrare, të cilat i botoi në periodikun e kohës. Ndër studimet e pabotuara të Jusuf Gërvallës vlejnë të përmenden Poetika e romanit “Lumi i vdekur” i shkrimtarit Jakov Xoxa, punim diplome, të cilin e mbrojti para komisionit në Katedrën e Albanologjisë të Fakultetit Filozofik të Universitetit të Prishtinës si dhe tezën e magjistraturës Poetika e poezisë së Nolit, punim i papërfunduar dhe i pambrojtur për shkaqe tashmë të njohura. Në revistën “Fjala” Jusuf Gërvalla botoi të panënshkruar edhe një recension për romanin Klepsidra të Danilo Kishit, me rastin e botimit shqip të kësaj vepre.
Me vlerë të theksuar janë edhe shkrimet kritike të Jusuf Gërvallës lidhur me filmat artistikë, dramat televizive si dhe me emisionet dokumentare të shfaqura nga Televizioni i Prishtinës. Këtu po i cekim vetëm këto shkrime të kësaj natyre: vështrimet mbi serialin e filmit televiziv Era e Lisi të Besim Sahatçiut, të atij Rrënjët, si dhe vështrimet lidhur me emisionet dokumentare për Arbëreshët e Italisë dhe ato për Lidhjen Shqiptare të Prizrenit.
Në këtë kuadër mund të inkuadrohen edhe disa biseda të Jusuf Gërvallës lidhur me disa ngjarje të shënuara kulturore në Kosovë, të cilat i realizoi në Programin Dokumentar të Televizionit të Prishtinës. Në mënyrë të veçantë vlen të theksohet këtu biseda impresive e Jusuf Gërvallës me rastin e hapjes së ekspozitës artistike Rilindja Kombëtare Shqiptare në Galerinë e Arteve në Prishtinë, në vitin 1978. Është me interes të veçantë të përmendet edhe një bisedë e Jusuf Gërvallës e zhvilluar dhe e shfaqur nga Televizioni i Prishtinës me rastin e Tetë Marsit – Ditës ndërkombëtare të Gruas, në vitin 1977.
Talentin e tij të gjithanshëm Jusuf Gërvalla e shfaqi edhe në përgatitjen artistike të kopërtinave të një morie librash të shkrimtarëve të Kosovës, si: Romani pa kornizë i Musa Ramadanit, Halveti dhe Kibla të Teki Dërvishit, Vdekja në ajër të pastër të Ymer Shkrelit, Gjurmë në trotuar të Mehmet Krajës, Dy florinj të një dashurie të Jusuf Gërvallës, Suzana të Ramiz Kelmendit, etj.
Kapitull i veçantë i krijimtarisë së Jusuf Gërvallës me temë politike do të botohet në shtypin revolucionar në Perëndim, kryesisht në revistat “Lajmëtari i lirisë” dhe “Zëri i Kosovës”, të themeluara dhe të drejtuara nga ai deri në vrasjen e tij tragjike nga plumbat e Serbisë.
Pjesë nga libri Kadri Rexha “Fati i luleve”, Buzuku, Prishtinë, 1993
SIMBOL I KOMBIT
PO NA THËRRET SHPIRTI I KOMBIT;
ËH, NA PËLCET O SHQIRTI I KORBIT!
KORBI KURRË NUK BEHËJ O SHQIPE;
KOMBI O BURRË TUK NGREHËJ PIPE!
KORB I ZI OH, TI QOFSHË MALLKUAR;
KOMBI PRIRË O ROFSHË GJALLËRUAR!
PRISHË VIKTIMËN OH, PËPRMBI TOKË;
TRISHE JETIMEM E TERË GRIE KROKË!
KORB I ZI QË KROKET HORË KROKAMA;
KOBI GRIE TEK TROKET O DRO DRAMA!
GJALLË A VDEKUR O, KE LOGU LUFTËS;
STRALLË A PREKUR TE MORGU FUTES!
GJËMA GJËMES GJËMIME ZËR LUFTËS;
NËMA NEMËS NËMËRIME TEK GULMËS!
VËRSHËLLON TOKE, GJAKU ÇLIRIMTARIT;
DËSHMON OJ LOKE PRAGU FLIJIMTARIT!
VULE TË GJAKUT SHTRESAT PREJ TOKËS;
LULE TË PRAGUT SHPRESAT HEEJ LOKES!
MBINË LULEGJAKU FUSHËS TË FLAMURIT;
SHKRINË VULE PRAGU PRUSHE ATË GURIT!
FLAMUR GJAKU OOOJ SHQIPE DYKRENARE;
PRAGUR PRAGU OR SHKRIPE HYE DRENARE!
IDOL I LOBIT PRORE ORE, HYEREGJENDARIT;
SIMBOL I KOMBIT TI HERO KRYEGJENDARIT!.
MANI N.J. USA REFUGJATË I LUFTËS 1998/99