Durrës, 04. 02. 2017: (Hiri i tij mbi Devoll, hiri im, në një të ardhshme, mbi Shestan. Nën të njëjtin qiell të Shqipërisë.)
Fragment kujtimesh
Më erdhi në shtëpi bashkë me Nasi Lerën. S’e di nga e kish marrë vesh që jetoja në Klos të Matit.
Edhe sot, mbas 30 vjetësh, familja ime ndjehet e nderuar prej asaj vizite të papritur, të një Dritëroi, sa të madh, aq edhe të thjeshtë e të zakonshëm.
Qeshë nisur për punë nxënësish në fshatrat Bel e Unjate, kur më vjen djali i madh, Dardani, i mbushur me frymë, dhe më thotë: “Kthehu se ka ardhur Dritëroi!” U ktheva.
…I kaluam bashkë 4-5 orë si 4-5 minuta. Pimë nga 2 gota Raki Klosi, nga ajo e famshmja që prodhonte Xhemal Kurti në kantinën e pijevet, dhe bëmë një bisedë KONSTRUKTIVE (siç i kish thënë vetë Dritëroi një mikut tone, mbasi qe kthyer në Tiranë).
Folëm plot, për Kombin e për Atdheun.
Folëm për poezinë. I lexova disa vargje nga krijimtaria ime. Ai, për ta demonstruar konkretisht procesin e krijimtarisë, improvizoi në çast një tufë vargjesh për kokrrën e orizit, duke aluduar tërthorazi që unë nuk dija të bëja poezi.
E kënduam disa herë këngën “Hajredinpsha po i vjen Radikës: Vallë, ku janë Malet e Dibrës!” Shoku dhe kolegu im, rapsodi Avni Hoxha, këndoi disa këngë, duke i shoqëruar me çifteli. Në ndërkohë, Dritëroi i thoshte nënës së Avniut, një gruaje zonjë, si nga pamja, ashtu edhe nga të folurit: “Po ti ku ishe më parë?! Të ishim takuar kur ke qenë më e re, do të ishe bërë dashnorja ime.“ Ne qeshnim. Ai shtonte krejt serioz: „ Ose gruaja ime, në vend të Sadies!”
Folëm për kooperativat bujqësore. Ai thoshte: “Është gabim që iu hoqën fshatarit tonë tufa e dhivet dhe keci. Fshatari, pa një kec e pa dy keca, nuk është më fshatar!”
Unë e lavdëroja poemën e tij ”Nënë, Shqipëri”, por i thashë: “Megjithatë, ti nuk i ke kënduar krejt Shqipërisë. Ajo Shqipëri, së cilës ti i ke thurur vargje aq të bukur, është vetëm çereku i Shqipërisë.” Ai e pranonte vërejtjen time, por ngulte këmbë që ish një patriot dhe që e donte njësoj krejt Shqipërinë, përfshirë aty edhe Kosovën dhe të gjithë vendet e tjerë ku flitet shqip.
Patëm pak debat edhe për Stalinin. Ai e akuzonte Stalinin dhe sillte një shembull kur Stalini, në një bisedë me Gjillasin e me Kardelin, e kish nënvleftësuar dhe ironizuar Shqipërinë. Unë, përkundrazi, e konsideroja Stalinin, në historinë e njerëzimit, si një nga udhëheqësit më të mëdhenj të popujvet (jo të shfrytëzuesvet, por të popujvet).
Duke dëgjuar të tilla biseda e të tillë debate, njëri nga fqinjët tanë, një intelektul që e adhuronte Dritëroin, qe çuar disi papritur, pat kërkuar ndjesë dhe qe larguar. Dritëroi i dha dorën dhe, sapo u mbyll dera, na tha ne të tjerëvet: „Po ky, a pat frikë se po e spiunojmë si pjesëmarrë në komplot?!“ Pastaj i vazhduam bisedat tona, nga më të çiltërat, deri vonë mbas mesnate.
Vizita e tij mbeti në biografinë e familjes sime si një nga datat më të shënuara. Fëmijët e mi e kujtojnë atë vizitë edhe sot, në të gjitha hollësitë e saja.
Gjokë Dabaj – Durrës, 4 shkurt 2017