MOIKOM ZEQO: LIBRI ‘OFELIA ME MJEKËR’ – SFIDA E GJITHËKOHËSISË DHE EKZISTENCËS

Pashtriku.org, 27. 07. 2013 – (Intervistë e MOIKOM ZEQOS dhënë kritikut FATMIR MINGULI*) – Shkrimtari vdes fizikisht. Por ai vdes më përfundimisht, më fatalisht dhe tërësisht kur vepra e tij nuk lexohet më. Kjo është e padyshimtë dhe kryesore. Kujtesa e emrit të shkrimtarit është rileximi në hapësirë dhe në kohë. Rileximi është sekreti i mbijetesës. Një sekret i ndërlikuar dhe i pushtetshëm. Çdo shkrimtar e ka këtë dilemë të pashmangshme. Sepse shkrimtari nuk e ka suksesin vetëm tek lexuesit bashkëkohorë. Suksesi i qëndrueshëm varet dhe përcaktohet nga lexuesit pasardhës, pra jo nga lexuesit e së tashmes, por nga lexuesit e së ardhmes. Kjo nuk kuptohet sa duhet sepse përbën një ambiguitet, ose një dyzim. Fama e shkrimtarit në të gjallë nuk është asgjë. Mund të jetë e alambikuar, e manipuluar nga shumë faktorë personalë dhe jashtletrarë ose mediatikë.
F.MINGULI – Libri “Ofelia me mjekër” (Botimet MORAVA, 2013) u bë subjekt i disa artikujve dhe eseve në shtyp. E kam rilexuar këtë libër me ngulm, kam bërë një skedë shënimesh, më tepër për të arsyetuar, në lidhje me pangjashmëritë, por edhe ngjashmëritë me dy librat e tu të tjerë të kolanës “Refuzimi i shkrimit” (Dituria, 2012) dhe “Vetullat Hyjnore” (Bota Shqiptare, 2012). Do ta vazhdosh me libra të tjerë këtë kolanë Moikom?
M.ZEQO –
Mendoj (shpresoj) se do ta vazhdoj me ndonjë libër tjetër. Por duhet t’i gjej pikën organizuese shkrimeve në hapësirë dhe në kohë, të gjej sekretin shpesh të pakapshëm të ngjizjes dhe të ftillëzimit. Më saktë: optikën dhe strukturën. Çdo libër kur e shkruaj e quaj një mundësi, por ende jo libër. Një mundësi paraprake, nistore por jo libër. Libri është diçka tjetër.
I rishikoj tërë shkrimet për të parë seriozisht se ç’i lidh me njëri-tjetrin, ose ç’i ndan. Nuk mund të ketë një përzierje mekanike si gurët e lojës së dominosë. S’ndodh kështu, as kaq lirshëm, ose kaq rastësisht. Ndjesia e së tërës së librit në vetvete më lind mbas këtij procesi vëzhgues të thukët. Duhet ose të heq, ose të shtoj motive që të mund ta rikonstruktoj librin. Të gjej boshtin e tij konceptual, vertikalitetin dhe horizontalitetin e subjekteve në një kuptimshmëri pllenuese.

Pra çdo libër është i dyfishtë: libri i fillimit të mbarimit dhe libri i mbarimit përfundimtar. Kjo është mënyra e punës time. Shkrimtarët e tjerë kanë mënyrat e tyre, ndoshta edhe më efikase, ose më të pakujdesshme. Secili bën atë që di.
F.MINGULI – Sigurisht. Ose secili s’duhet të bëjë atë që s’e di.
M.ZEQO –
Është e njëjta gjë.
F.MINGULI – Kohët e fundit akademiku i njohur Ali Aliu ka botuar një artikull për krijimtarinë tënde Moikom. Ai shkruan, ndër të tjera: “Bota letrare e pasur e Moikom Zeqos është nga më të çuditshmet, mbase më e çuditshmja në përvojën time të lexuesit… I veçantë? Një atribut që ne e konsumojmë shpesh edhe si mbulesë përkufizimi dhe specifikimi artistik, kur duam të veçojmë një vepër a një autor. Ndërkaq tërë bota letrare e Moikom Zeqos është vërtet e pangjashme. Në një rast Dritëro Agolli me të drejtë ka zënë ngoje një “fatkeqësi” të Moikomit: “vepra letrare e tij lexuesit do t’i ketë në të ardhmen”… Krijimtaria imagjinative, artistike edhe letrare (Moikomi është edhe piktor i pangjashëm), si frymëzim nuk është i lidhur vetëm me një hapësirë, as vetëm me një gjuhë dhe një komb, as vetëm pas një tradite. Imagjinata e tij krijuese mëton edhe përtej kufijve, përtej tavaneve të tillë… Bredhja e tillë e imagjinatës së Moikom Zeqos për të shtruar dhe pyetje e për të zhbiruar enigmave dhe mistereve pashëmëpashë hapësirës dhe kohës, është rrëfim i pakëputur, i palimituar as si fillim as si mbarim. Nuk të shqitet për asnjë çast ndjesia se, në krahët e kësaj imagjinate ke bindjen se çdo gjë në këtë botë është një mister, përkatësisht çdo gjë e qartë kristalisht. Cipa që ndan njërën nga tjetra sa përfundimisht e padepërtueshme sa lehtësisht e tejdukshme. Ta ofron këtë ndjesi dhe perceptimi rrëfimor i Moikomit me një lehtësi narrative të magjishme. Thjesht, subjekti narrativ i këtij autori shtrihet dhe është tërë ajo që ekziston, tërë ajo që përbën thelbin e universit, njeriu në kohë dhe në hapësirë. Prandaj narratorit në bredhje i është lejuar, – zgjidh dhe merr, – por ama me një kusht: ta shpirtëzojë lëndën e tërhequr. Dhe Moikom Zeqo në prozën e vet tregimtare i jep shpirt rrëfimit.” Citova qëllimisht disa ide shtjelluese të Ali Aliut. Janë interesante, me një sinqeritet të madh.
Përsa i përket mendimit të Dritëroit për një kuptim të vonuar të librave të tu, Moikom, s’kam qenë asnjëherë dakord dhe kam shkruar disa herë se përkundrazi ka vite që leximi i këtyre librave ka qenë cilësor dhe i reflektuar tek shumë autorë të kritikës dhe eseistikës.
Por vetë ju, ç’mendoni për proçesin e leximit?
M.ZEQO –
O, s’ka asnjëherë fund. Shkrimtari vdes fizikisht. Por ai vdes më përfundimisht, më fatalisht dhe tërësisht kur vepra e tij nuk lexohet më. Kjo është e padyshimtë dhe kryesore. Kujtesa e emrit të shkrimtarit është rileximi në hapësirë dhe në kohë. Rileximi është sekreti i mbijetesës. Një sekret i ndërlikuar dhe i pushtetshëm. Çdo shkrimtar e ka këtë dilemë të pashmangshme. Sepse shkrimtari nuk e ka suksesin vetëm tek lexuesit bashkëkohorë. Suksesi i qëndrueshëm varet dhe përcaktohet nga lexuesit pasardhës, pra jo nga lexuesit e së tashmes, por nga lexuesit e së ardhmes. Kjo nuk kuptohet sa duhet sepse përbën një ambiguitet, ose një dyzim. Fama e shkrimtarit në të gjallë nuk është asgjë. Mund të jetë e alambikuar, e manipuluar nga shumë faktorë personalë dhe jashtletrarë ose mediatikë. Mos harrojmë dhe interesat imediate të tregut letrar. Librat bestseller janë megjithatë mallra – shiten dhe blihen. Jo më kot letërsia kitsch është zotëruese për shkak të spekulimit masiv. Një trajektore butaforike dhe populiste e tregut, reklamës verbale dhe mediatike. Kjo dukuri e mbrapshtë është hiperbolizuar. Tepër shqetësuese. Gati një agresion dhe ndotje mendore. Nga ana tjetër dhe shkrimtarët e vërtetë nuk janë të tillë prej kritikës, qoftë edhe prej kritikës serioze dhe autoritative. Unamuno shkroi shkëlqyeshëm për Don Kishotin dhe Herald Bloom-i e sublimoi Shekspirin. De Santis për Danten. Philippe Sollers për James Joyce-in. Hanah Arendt për Walter Bienaminin. Emersoni për Whitmanin. Por edhe sikur të mos ishin shkruar librat e tjerë për kryeveprat botërore, kryeveprat do të mbeteshin përherë kryevepra. Pse ? Librat e mëdhenj u rezistojnë kohërave dhe i magjepsin lexuesit e shekujve. Sepse nuk u shter habia e të lexuarit. Habia e lind filozofinë thonte Platoni. Habia e letërsisë është pse shkrimtarët vdesin, por lexuesit e tyre nuk vdesin. Thuhet se për Hamletin janë shkruar dhe botuar 25 mijë libra, disertacione, teza doktorature etj. Lexuesit më mirë lexojnë tekstin me pak se 100 faqe të Hamletit, pa çarë kokën për të lexuar detyrimisht 25 mijë librat që s’janë teksti origjinal shekspirian. Kjo dallimshmëri është reale sa dhe konvencionale. Tekstet e mëdhenj nuk janë asnjëherë shterues. Fjala vjen në letërsinë tonë tekstet e Migjenit.
F.MINGULI – Po, Moikom. Tek “Ofelia me mjekër” i ke përfshirë edhe 14 analiza parabolike për Migjenin. Kjo tregon se Migjeni nuk ka as fillim dhe as mbarim, pavarësisht se krijimtaria e tij grafikisht është e limituar.
M.ZEQO –
Mbas 100 vjetësh të lindjes së Migjenit unë kam gjetur disa nga idetë e tij të jashtëzakonshme për t’i rilexuar ndryshe nga leximet e mëparshme. Ka qenë një proces i gjatë. Shumë i gjatë.
F.MINGULI – Moikom, libri “Ofelia me mjekër” e ka dhe një nëntitull “Proza të të jetuarit sëprapthi”. Ç’do të thotë të jetosh sëprapthi? Ti shkruan: “A është Post-modernizmi i sotëm një guidë grafike e konceptit marrëzisht enigmatik? A është karaoke arti “vox pox” i performancës? Po Zampping-u, ndërgjegjja zero e padurimit pa thellësi? A janë arti, feja, shkenca të avulluar nga arti tiranik i parasë? Vërtet stresi e menaxhon botën dhe kaosi menaxhon rregullin? A ekzistojnë dy të tashme: njëra reale dhe tjetra dematerializim i reales? Sa pamundësi mënyrash ke të jetosh sëprapthi? Të jesh Migjen dhe njëkohësisht Jezu Krisht? Të jesh në Golgota dhe akoma më përpara saj, në Hiroshimë? Të jesh njeri, pa qenë i detyruar të jesh biologjikisht të jesh më parë një majmun antropomorf? Të jesh metaforë, pa qenë send apo qenie? A jemi kopje të vetvetes, apo kopje të të tjerëve? Dhe ç’janë të tjerët? Thjesht projektimi ynë i fragmentarizuar? A ekzistojnë ende rrëfimet e mëdha të historisë? A jemi qytetarë të klonuar të virtuales absolute? A është eskatologjia “fundi i historisë”? A është transhistorikja natyra e sterilizuar? Kanë vdekur dyshimet? Shpresat? Poezia? A ka shpëtim? Ah, përbindëshi kolosal, shumëkokësh i mediave HD na ka përpirë të tërëve! Një kanibalizëm i përshpejtuar! Aleluja!” Ja tragjedia e qenies!
F.MINGULI – Pse një optikë e tillë Moikom, në këtë libër të fundit?
M.ZEQO –
Libri “Ofelia me mjekër” është i thurur me pyetje të thekshme të ekzistencës, ku skanohet e ardhmja. Pyetje, pyetje, sa shumë pyetje! Pyetjet janë! Përgjigjet s’janë! Në këtë kuptim ky s’është thjesht libri im, ose vetëm i imi! Shkrimtari është njeriu i përgjithësuar. Vetë njerëzimi! Pa kufizime! Pa emra!
F.MINGULI – Po rikthehem tek tregimi marramendës “Ofelia me mjekër” S’kam lexuar kurrë një tregim si ky. Arketipin e Ofelisë shekspiriane e lëviz pambarimisht. Shkruan një histori alternative të Ofelisë që u vetëvra, u mbyt mes zambakëve të ujit. Thua se kur e nxorën nga lumi trupi i Ofelisë peshonte aq shumë sa nuk e mbanin dot as njëzet burra. Në fytyrën përrallore të Ofelisë kishte mbirë një mjekër në ngjyrë okër, gati e artë. Mbase qe mjekra e vetë Jezu Krishtit. Pastaj ti Moikom flet për dymbëdhjetë kapitujt e dorëshkrimit të Makabe Zaharisë për Ofelinë. Këto dymbëdhjetë kapituj janë situata të ndryshme rrëfimore. Mëton të bësh një teori të personazhit në letërsi. Ofelinë e ndërlidh me shumë personazhe të tjerë të letërsisë apo të mitologjisë botërore. Ti shkruan Moikom se “meqenëse një subjekt janë të gjitha subjektet, kam arritur të kuptoj i habitur se shënimet e mia të padenja për dorëshkrimin e Makabe Zaharisë janë përafërsime më tepër emocionale se sa logjike”. Kjo është një hulli e re të shkruari. E qëllimshme?
M.ZEQO –
E vetëdijshme Fatmir. Liria e krijimit dhe intelektualiteti i epërm i shkallës krahasimtare të subjekteve. Tek Ofelia është edhe Magna Mater, amazonat, sirenat, Kalipsoja e Odiseut, magjistarja shqiptare e Mesjetës Melusina, Beatriçja e Dantes, Margarita e Gëtes, Madamë Bovaria e Floberit, Liza e Carrol-it, Hirushja e përrallave, Ajkuna e eposit shqiptar, Safoja e antikitetit, Nënë Tereza. Ky abstragim e emblematon personazhin. E shumëfishon. E përgjithëson. E strukturon si simbolikë. Heroinë semantike dhe kulturologjike. Brendësia e subjektit është tejkalimi i tij. E padukshmja është më shumë se sa e dukshmja.
F.MINGULI – Pra ti Moikom i jep rëndësi regjistrit të kuptimeve?
M.ZEQO –
Ky është thelbi. Teksti shkrimor i paraprin dhe përgatit leximin (leximet). Miku im, shkrimtari, eseisti dhe përkthyesi i shquar nga Shkupi Ahmet Selmani më dërgonte para ca të tij. Le të më lejohet ta bëj këtë letër publike me pëlqimin e autorit:
« I dashur Moikom.Gjatë leximit të librave të tu më ndodh një fenomen i çuditshëm : « Librin e Sinopseve » jam duke e lexuar vetëm në shtëpi, kurse « Vetullat hyjnore » vetëm në zyrë. Dhe kështu, pothuajse vetvetiu, e kam ndarë veten mëdyshas si ndonjë amebë ; gjysmën e vetes ia kushtoj njërit, gjysmën – tjetrit. Në të vërtetë, s’di si ta quaj veten ! Ndoshta një lexues dytëshor ?! Ndoshta një dashnor që flirton me dy gra duke i mbajtur larg njëra-tjetrës ?!Në shtëpi lexoj dhe mendoj për « Librin e Sinopseve », ndërsa në punë për librin « Vetullat Hyjnore ». Kështu përpiqem të krijoj një përjetim të veçantë, sikur lexoj dy autorë të ndryshëm, ose sikur qenia ime u përket dy lexuesve të ndryshëm që merren me të njëjtin autor. Ndoshta kjo vjen edhe për shkak se librat e tu gjithë kohën e lume mëtojnë të mos i ngjajnë fare njëri-tjetrit, sado që në esencë secili nga librat është vetëm një vazhdimësi e pashpallur, ose një palimpsest siç të pëlqen ta quash ti. Nuk e di nëse ka diçka të saktë këtu, por është thjesht një eksperimentim personal, një ndjesi e papritur, një spontanitet i çoroditur, një lojë e marrëzishme me veten, me kozmosin e quajtur lexim, një utopi e padefinueshme.Me një fjalë, kam bindjen se gjithçka ka të bëjë me fantazinë e pafrenuar cila është e plotësisht e pashmangshme ; ajo e bën krijuesin krijues dhe lexuesin lexues. Por, në fund, është fare e qartë se edhe krijuesin, edhe lexuesin i bashkon në një pikë të përbashkët.Mbase edhe në këtë rast teksti është vetë magjia, substanca e patjetërsueshme, materia që e ushqen njërin dhe tjetrin, që u jep jetë të mjaftueshme për të ekzistuar brenda kohës dhe hapësirës. Në fund të fundit, lexuesi është një vazhdues i krijuesit. Por edhe anasjelltas, krijuesi është një vazhdues i lexuesit. E kam fjalën për krijuesin dhe lexuesin model, siç do t’i quante Umberto Eko.Kërkoj ndjesë që po e bëj këtë lojë mbi kurrizin tënd si autor, mbi librat e tu që i solle në jetë, por që tani më përkasin mua si lexues. Thellësisht i ndiej si pjesë të qenies sime. Dhe sado që në këtë rast ti si autor dhe unë si lexues shëmbëllejmë si armiq ose si rivalë, prapëseprapë, ne jemi dyneq (binjakë) shpirtërorë të lindur nga Nëna e quajtur Letërsi.Pra, kjo do të thotë se, letërsia edhe kur ndan, në esencë ajo bashkon. Ne që në shikim të parë luajmë dy role të ndryshme, në fakt jemi vetëm dy pjesë të veçanta, dy qenie që kryejmë të njëjtin funksion ; e transformojmë letërsinë, i japim shijen personale. Thënë më shkurt, ky është uniteti kozmik i asaj që ne e quajmë thjesht letërsi ; ajo i përket krijuesit dhe lexuesit.Amen !Shkup, 17 dhjetor 2012.Ahmet Selmani »
F.MINGULI – Ahmet Selmani e ka përkthyer në shqip romanin e çuditshëm “Fjalori i khazarëve” të Milarad Paviçit?
M.ZEQO –
Po, ai e ka përkthyer – kuptohet shkëlqyeshëm. Por në libraritë tona ky libër i pazakontë pothuaj nuk është shitur. Është defekti i lexuesve. Mëkati i tyre. Paviçi është shkrimtar i jashtëzakonshëm. Unë e botova një esse për të, por mendoj se nuk është lexuar, ose është lexuar nga pak vetë. S’ke ç’i bën! Ç’trishtim!
F.MINGULI – Moikom, “Ofelia me mjekër” përveç tregimeve të mirëfilltë si “Torsi i pyllit dhe rrënjët”, “Guackat dhe eshtrat”, “Në orën pesë të mbasdites”, “Fuqia e Mujit”, “Koka”, “Gratë kalorëse”, “Perandori i Verdhë dhe Vajza e Kulluar”, “Makina e shkrimit”, “Feneri detar”, “Kuajt! Ah, kuajt!”, “Delfinët”, “Kuajt e vegimit”, “Sëmundja e përfytyrimit”, “Dasma e Kanës”, “Shndërrimi”, “Sinops për realitetet e padukshme”, “Relievet misterioze”, “Sinaksari”, “Shekspiri, shqiptari i palindur” ka edhe shumë parabola eseistike. Këto përfshihen në katër shtylla: Logosi dhe arti pikturik, përsiatjet inteligjente për Gjon Buzukun, Migjenin dhe Faik Konicën. Por janë edhe afri 100 proza të shkurtra, tri katër frazash., shumë lakonike dhe befasuese e të pashkruara ndonjëherë në letrat shqipe. Ti synon shkurtësinë, ngjeshjen e tekstit. Apo …
M.ZEQO –
Mbas përvojave të mundimshme dhe të sikletshme tani e kam jetike t’i shkurtoj dhe t’i koncentroj tekstet. Pak, për të thënë shumë! Por është një gjë tejet e vështirë. Deri në kufijtë e sforcimit maksimal. Ose të kënaqësisë intelektuale.
F.MINGULI – Diçka eksperimentale?
M.ZEQO –
Jo, thjesht eksperimentale. Është një gjë më e thjeshtë dhe njëkohësisht më e thellë. Por s’mund të artikulohet. As të kthehet në një formulë algjebrike. Po lexoj këto ditë një filozof antik kinez Çi Vu Lun. Ai ka vërejtur: “Meqenëse të gjitha gjërat janë një, cila hapësirë mbetet për të folur? Por, pasi tashmë kam folur për një gjë, a nuk është edhe kjo një e folur e dytë? Një plus një të folur përbëjnë dy. Dy plus një bëjnë tre. Po prej këtu nisemi më tutje. Por edhe matematikani më i shkathët nuk mund të arrijë deri në fund, aq më pak do të arrinin njerëzit e thjeshtë! Në qoftë se duke u nisur prej asgjëje shkojmë drejt diçkaje do të arrijmë më tepër në qoftë se prej diçkaje drejt diçkaje, duke mos e përllogaritur dot”. Ky arsyetim ka dialektikë. Për çdo tekst e zanafillon pikërisht dialektika. Çdo prozë është një përshtatshmëri, që ngërthen harmoninë. Kjo s’është e lehtë. Ndaj shkrimtari tendoset. Shpesh edhe dështon. Por kjo përvojë është pasuruese dhe këndellëse. Pra edhe e dobishme. Të shkruarit është hulumtim i vetvetes dhe kozmosit.
F.MINGULI – Ti Moikom shkruan në Pasfjalën e librit: “Pra si të jetosh sëprapthi? Vdekja s’është ikonë, por mungesa e ikonës! Dhe një trëndafil mund të nxjerrë thonj si një maçok i purpurt. A mund ta kurdis këtë shekull të ri si orën, për të më zgjuar nga gjumi i rëndë që vazhdon mbi tremijë vjet? Nëse Zoti, Zoti mund ta përpijë lehtësisht planetin si një gllënjkë ahere ç’duhet bërë? Kaq shumë muzikë memece! Kitsch-digjitalizimi a nuk është një shpëlarje truri? A mund t’i shkruash tekstet si tatuazhet simbolike të popujve prehistorikë që jetonin mes ujërave dhe drurëve dhe s’donin asgjë për estetikat totalitare, ideologjitë, censurat, klientelizmin morboz dhe plagjiaturat e rreme të librave? Pse rrjetat e Dyshimit janë nervat tona? Ku nis Përjetësia? Përtej nesh? Apo brenda nesh? A ka Fjalë-Lundërtare të Paepura në Oqeanin e Arsyes? Kujt t’i drejtohesh? Kë të grishësh mes ankthit? A mund të vijë Dashuria e Mbrame me të njëjtën saktësi si Apokalipsi? Nëse s’e duam veten tonë si mund ta duam letërsinë? A mund të ketë një Post-Scriptum për të gjithë librat e botës, qoftë edhe për librin që keni në duar?” Ngjajnë të tepërta komentet apo shtjellimet me fraza të gjata. Mua më duket Moikom se ky libër ndryshe nga librat e tjerë të tu fokusohet në raportin e reales me virtualen.
A është kështu?
F.MINGULI – Pse ky raport është shqetësues?
M.ZEQO –
Në epokën post-moderne është pasiguria e së ardhmes. Epoka delirante dhe e sofistikuar e kompjuterëve dhe e fantazisë kibernetike. Ngujuar tashmë tek koncepti “Cybarg”. Tani virtualja është mbi gjithçka, sepse administron mendjet, duke sfumuar profilet dhe individualitetet. Virtualja nuk përmbahet më. Virtualja klonon qeniet njerëzore. Politikanët e pushtetet të botës janë virtualë. Ka një zbehje të filozofisë dhe letërsisë botërore. Virtualja është kitsch-kultura. Kështu nga historia kalohet në kitsch-histori. Pasojat duken katastrofike. Por s’ka vend për fatalitet, as për pesimizëm të skajshëm. Brenda njeriut është tërë njerëzimi, tërë ankthet dhe shpresa, ndjesia e ripërtëritjes, e humanizimit të pandërprerë. Umberto Eco rrëfen një ngjarje fantastiko-shkencore: “Njerëzit kishin ndërtuar një kompjuter që i jepte përgjigje çdo lloj pyetjeje. Njerëzit mblidheshin rreth kompjuterit për t’i bërë të gjitha pyetjet e mundshme. Ata debatonin se cila do të ishte pyetja e parë, që duhet të bënin. Ata i bënë pyetjen më të rëndësishme që e ka torturuar njerëzimin që në lashtësi: “A ekziston Perëndia?”. “Tani po”, iu përgjigj kompjuteri “Nëse ju jeni në gjendje të sajoni ndonjë objekt, bibliotekë, apo makinë që ka të gjitha njohuritë e mundshme, do ta fitoni Perëndinë si një shumë të të gjitha njohurive të mundshme. Gjithashtu, nëse dëshironi, biblioteka, kërkesa për dituri, mund të bëhet metaforë e pranisë, e gjurmimit për të gjetur Perëndinë”. Prania e gjurmimit për të gjetur Perëndinë mund të bëhet metaforë e nevojës sonë për njohuri dhe hulumtime të thella, që, megjithatë, është e pamundur. Njeriu është e vetmja qenie që ka evoluar në këtë mënyrë dhe që ka atë aftësi për të bashkuar shqetësimin dhe gjurmimin e pandërprerë për njohuri, se evoluimi e ka bërë të tillë. Umberto Eco shton se biblioteka e zëvendëson Perëndinë. Pra alternohet koncepti teologjik i Perëndisë me konceptin kulturologjik. Po a mund të perceptohet biblioteka universale pa vlerën e librit si të tillë. Ka pandehma ogurzeza « për vdekjen e librit » si klithma e Niçes « për vdekjen e Perëndisë ». Shto edhe postulatin post-modernist « për vdekjen e njeriut ». Kemi kështu një « dialektikë negative », ose nga « estetikë e zezë ». Kjo problematikë është e tmerrshme dhe totalitare. Atë e cek, e subjektivizon si objektiv, ose e objektivizon si subjekt në shumë fragmente « Ofelia me mjekër ». Përgjithësisht letërsia shqipe aktuale është ende larg anktheve ekzistenciale të botës dhe njeriut. Por nuk mund t’u shmangemi, as t’i injorojmë. Ajo që dimë duhet të na bëjë, jo të na zhbëjë. Ajo që duam të dimë duhet të na ribëjë, kundër çdo lloj dekonstruktivizmi banal.
F.MINGULI – Ke shkruar një mori prozash shumë të shkurta, gati fragmente si p.sh. « Pinoku vajton e varri i Arlekinit, por Princi i Vogël i Ekzyperisë e ngushëllon », « Po i lëviz këto vjeshta, më saktë 100 vjeshtat e shekullit XII, si një zhvendosje tekstesh mistike nëpër libra të rëndomtë ». Ke një ngutje sëprapthi për t’i shkurtuar frazat.
Mos janë thjesht fragmente ?
M.ZEQO –
Janë të vetëmjaftueshme. S’ke asnjë arsye të zgjerohen, të mbufaten. Emil Siorani, mjeshtër i stilit, ka thënë se « mund ta shndërrosh fragmentin në gjini letrare. Shkruaj me fragmente, sepse asgjë, asnjëherë nuk është e përfunduar, ashtu si dhe jeta. Fragmentet janë rrëfime të fshehta ». Në një kuptim të abstraguar dhe të epërm edhe vepra më e plotë është fragmentare. Të tëra kryeveprat botërore janë fragmentare. Çdo art është fragmentar. Çdo shkencë. Në ç’kuptim? Në kuptimin se përfaqësojnë esencën e së tërës. Të plotërisë. Milosao e De Radës, kryevepër poetike e rrafshit të romantizmit europian, është fragmentare. Ose plot kapërcime pindarike. Prozat migjeniane, më konceptualet në letrat shqipe, janë fragmentare. Prozat e Faik Konicës, princ i vërtetë i stilit, janë akoma më fragmentare. Ungjijtë sinoptikë si rrëfime letrare janë fragmentare. Uliksi i James Joyce-it është monument semantik më i çuditshëm i letërsisë botërore i fragmenteve të ndërthurura si një qilim përrallor persian, por një qilim mendor, nocionesh, efektesh, metaforash, ironisë, tjetërsimit, imagjinatës së lirë. Ajnshtajni është fragmenti i munguar dhe i kundërt i Njutonit. Por janë pikërisht që bashkojnë, ngjizin, plotësojnë. Përfaqësojnë njëri-tjetrin. Simbolizojnë infinitin. Pra ndodh një situatë epifanike dhe sipas fjalëve të Aldons Huxley-it: “Edeni alternohet me Dodonën, Yggdrasil-i me Trandafilin mistik, koha zbulon manifestime të tjera të panjohura, shfaqen dyer tek muret e mbyllur.”
F.MINGULI – E mrekullueshme kjo që thatë Aldous Huxley-i.
M.ZEQO –
Po e mrekullueshme.
F.MINGULI – Çfarë po lexon kohët e fundit Moikom?
M.ZEQO –
Oh, shkrimtari është një Centaur, gjysmë njeri dhe gjysmë bibliotekë. Edhe pjesa prej njeriu kur vdes i kthehet në bibliotekë. Nuk lexoj sipas një programi bibliografik. E urrej rutinën, gjoja rregullin e leximit. Leximi është një lloj metabolizmi. Si funksionet arketipale biologjike. Sekret i madh dhe i patjetërsueshëm i trurit njerëzor. Është gjithashtu edhe sinteza e shqisave se leximi stimulon procesin e pandalshëm mendor, ashtu si vetë ky proces sublimon leximin. Të tëra leximet e kanë një strukturë të fshehtë, të përbrendshme, të padukshme. Pikërisht kjo strukturë është gjithçka dhe s’duhet të mungojë. Kjo strukturë në thelb e krijon, e ribën dhe e shpall personalitetin kompleks të shkrimtarit. Strukturë e koncentruar nocionesh dhe imazhesh. Strukturë e lidhjeve universale, e ndërthurjeve nga më të thjeshtat deri tek më të pabesueshmet. Mungesa e leximit dinamik i zbeh dhe i këput lidhjet, i rrëmujëzon. Leximi është stërvitje, gjimnastikë olimpike e mendjes. Ç’janë shkrimtarët e mirë? Lexuesit më të mirë, përftues, kërkues, zbulues dhe gjetës të ideve, astronomë që plotësojnë katalogët qiellorë të yjeve të rinj. Në ditët tona lexuesit e librave janë pakësuar. E pakonceptueshme! Urdhri Tempullar i Kalorësve të Leximit nuk është më në kohën e shkëlqimit, por të muzgut. Pse ka ndodhur kjo? Pse duhet të ndodhte? Arsyet janë të paqarta, turbulluese. Kibernetika e ka sfiduar librin? Apo shkrimtarët e sotëm nuk e kanë më madhështinë e paraardhësve? Atributet e fjalës së shkruar i ka rrëmbyer imazhi digjital? Duhet të rifunksionalizohet statusi i letërsisë? Ç’duhet bërë? A ka shpëtim? Në të vërtetë sekreti i letërsisë është brenda letërsisë. Kjo është plotfuqishmëria jetike e saj. Prova e shkrimtarit me kujtesën e njerëzimit! Ti më pyete Fatmir se ç’po lexoj këto ditë. Kam lexuar Lukianin e lashtësisë, librin e tij të para dymijë vjetëve për udhëtimin në Hënë, një trill subjektor të hatashëm, që do ta hutonte edhe Guliverin e Swiftit. Pastaj librat e H. G. Wells-it “The Island of Dr. Moreau” dhe “The Invisible Man” – libra gati kafkian, ose rabeianë, ndoshta edhe shvejkianë. Pastaj disa lirika të vërteta të Serembes së harruar. Përsëri Barletin, Pjetër Bogdanin dhe Frang Bardhin. Rilexova “Siddhart’ha” të Herman Hesse, që më mrekulloi, poezitë e Silvia Plath-it, autobiografinë e Darvinit, epigramet bizantine të “Antologjia Palatina”s, metodën e greqishtes së vjetër të Sotir Paparistos së ditur (kam vite që e mbaj në duar). Emra autorësh të kohëve të ndryshme, por në realitet pa kohësi, të çliruar nga kronologjitë, epokat. Ndjesinë eterne të kohës, pa fillim dhe pa mbarim, e jep leximi, më tepër se çdo akt tjetër perceptimi. Ata që nuk lexojnë nuk e kanë këtë fat. Janë të humbur. Të limituar.
F.MINGULI – Pyetja tjetër Moikom. Çfarë po shkruan?
M.ZEQO –
Çfarë po shkruaj? Edhe të shkruarit e kam pa rregulla. Në djall rregullat! E kam mbaruar një dorëshkrim që e kam quajtur “Madamë Testa dhe Poul Valery”. Kam nisur ta shkruaj korrikun e vitit 2012 në qytetin e vogël bregdetar Sete të Francës, ku isha ftuar në një Festival Mesdhetar të Poezisë. Sete është qyteti ku ka lindur dhe varrosur Poul Valery. E pashë monumentin e tij tek Varrezat Detare, për të cilat Valeria ka shkruar një kryevepër poetike. Borgesi ka shkruar për të: “Valery ka krijuar figurën e Edmond Teste, ky personazh do të ishte një prej miteve të shekullit tonë, sikur ne të gjithë të mos ta gjykonim si një Doppelganger (dmth një sozie, një kipc) të mirëfilltë të Valery-së. Por me Valery është Edmond Teste. Si me thënë, Valery është një derivat i kalorësit Dupin të Edgar Allan Poe-s dhe i Zotit të pahonepsshëm të teologëve.”
Valery qe më tepër mendimtar se sa poet. Dishepull i Mallarme-së e krijoi një “poezi të pastër”. Vlera e tij si mendimtar është më e zulmëshme. Valery është simboli i njeriut pambarimisht të ndjeshëm ndaj çdo fakti, e për të cilin çdo fakt është një ngacmim që ngjall (ringjall) një serë mendimesh pa fund.
Tekstet e tij të admirueshme nuk shterin, as nuk kufizojnë vrazhdë përsiatjet. Valery në shekullin XX që adhuroi idhujt kaotikë të gjakut, të tokës, të pasionit, të ideologjive totalitare qe njeriu që parapëlqeu përherë kënaqësitë e kthjellëta të mendimit dhe të një skepticizmi iluminues.
Kështu në Sete shkoja çdo mëngjes tek varri i Valery-së dhe në mbrëmje duke pirë verë Bordo-je shkruaja lirisht. Kisha parasysh jo më një burrë të shpikur Edmond Teste, por një zonjë akoma më të fantazuar: Madamë Testa-n. Një ndryshim i tillë metaforik nuk është aq profanizues as blasfemik. Askush nuk krahasohet me Valery-në. Por mund të meditojmë për shkak të tij. Ai është prijetari, që s’pyet ç’vjen pas. As për mua. As për të tjerët. Kjo është e qartë.
Pasioni për të shkruar diçka fluide për Valery-në mbase ka qenë i kahershëm, i fshehur. Po të mos ndodhesha në Sete (për herë të parë dhe ndoshta për herë të fundit) nuk do të shkruaja asgjë. Dorëshkrimin e kam mbaruar, por ende nuk guxoj (s’jam i bindur) ta çoj për botim. Nuk më ngut asgjë. Mund ta rishikoj përsëri. Kam botuar shumë libra. Kjo më bën të stepem, të jem më skeptik, nganjëherë edhe indiferent, relativisht.
Shkrimtari nuk ka nevojë për të shkruar shumë libra, në substancë ai shkruan vetëm një libër, madje pavarësisht faqeve, zhanreve. Ky libër unicum është në vetvete konceptualiteti krijues i shkrimtarit, individualiteti i tij origjinal, ose jo. Shumica e shkrimtarëve e kanë të vështirë ta arrijnë, ta profilizojnë këtë konceptualitet krijues. Është e vështirë, shpesh e pamundur për të arritur në këtë pikë sipërore. Shumica e shkrimtarëve rrëfejnë, ose shkruajnë ngjarje, parabola, çfarë kanë parë dhe dëgjuar, një lloj reportazhizmi të jetës, ose një memorialistikë personale, subjektive të jetës. Edhe këto lloje shkrimesh duhen, për një paraletërsi, ose mjedis letrar të dendur, të kultivuarit shkronjor e gjuhës fonetike të kombit, të mediave, të bisedave. Ndërkohë letërsia e vërtetë ngrihet mbi strukturimet e rëndomta rrëfimore, sepse nuk rrëfen, por zbulon. Është një formë më inteligjente e konceptualizimit të botës dhe kozmosit, shpirtit dhe lëndës, përkohshmërisë dhe amshimit.
Ka dy lagje shkrimtarësh: shkrimtarë që zotërohen nga lënda dhe shkrimtarë që e zotërojnë lëndën.
Shkathtësia e të dytëve është më e rëndësishme, më afatgjatë, më konkurruese, më vëmendjethithëse, më letërsi, më përgjegjësi.
F.MINGULI – Keni gati ndonjë libër për botim për këtë vit?
M.ZEQO –
Kam mbaruar prej kohësh një libër me prozë me titullin “Sinaksarët e Bizantit”. Do ta çoj besoj tek ndonjë Shtëpi Botuese. Shikoni, ka patur raste që librat m’i kanë mbajtur gjatë pa botuar. Shtëpitë Botuese kërkojnë para, jo më të japin para për botimin e librave dhe kjo është paradoksale dhe absurde. Por ja që kështu është. Veprën time “Libri i Sinopseve” ma mbajti për 3 vjet një Shtëpi e njohur Botuese, pastaj e tërhoqa dhe e botoi menjëherë dhe cilësisht “EUGEN”. Librin “Anima Mundi” e mbajti 2 vjet duke më premtuar se do ma botonte një tjetër shtëpi botuese. Ja dërgova “OMBRA”-s e cila e botoi menjëherë. Kurse Shtëpia botuese “MORAVA” ma botoi pa asnjë vonesë sa ja çova librin « Ofelia me mjekër ». Botimi i librave në Shqipëri është një katrahurë. E drejta e shpërblimit të autorit (copyright-it) nuk respektohet nga askush.
Të jesh shkrimtar në Shqipëri do të thotë të jesh i varfër materialisht, ironikisht, marrëzisht edhe për shkak të pasurisë shpirtërore.
Në tregun e librit shkrimtari nuk fiton as sa një mëditës i rëndomtë. Shpresoj në të ardhmen të ndryshojë kjo situatë. Shkrimtarët nguten të vdesin, pa arritur ndoshta ta përjetojnë këtë ndryshim emancipues.
F.MINGULI – Faleminderit
18-20 korrik 2013


*) Fatmir Minguli, autor i disa librave shkencorë, me krijimtari letrare, kritikë dhe eseistikë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura