MSc.ALBERT ABAZAJ: FESTIVALI I PARË RAJONAL I POEZISË DHE PROZËS LETRARE GOJORE NË VLORË

Vlorë, 28 prill 2017: (“GURRA FEST”, Vlorë, 2017, traditë, arritje, probleme, sugjerime) – Bukuria e pranverës në qytetin bregdetar të Vlorës bëhet më tërheqëse, e kënaqëshme, zbukurohet më hijshëm dhe na shfaqet më fisnikërisht qytetare, kur rinia shkollore e plotëson Princeshën e stinëve me freskinë e saj. Qe ideja e Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare, (DRKK), Sektorit të Trashëgimisë Kulturore Jomateriale, Vlorë për stafetën e traditave etnofoklorike tek brezi i ri, e cila na mblodhi me miqtë e Folkorit në Vlorë, me bartësin traditës së këngës labe dhe marrësin e shkëlqyer të këngës smokthinjoçe Hysen Ruka dhe me krijuesin e studiuesin e njohur Llambro Hysi për të ndjekur një veprimtari mbresëlënëse dhe me mesazhe jo vetëm për Vlorën e Labërinë. Më datat 29 dhe 30 Mars 2017, në mjediset e Pallatit të Kulturës “Labëria”, u zhvillua Festivali Rajonal i Poezisë dhe Prozës letrare gojore “GURRA FEST” me shkollat 9 vjeçare dhe të mesme të qytetit, që u organizua në formën e një takimi letraro-artistik për gurrën popullore dhe transmentimin e vlerave folkorike dhe etnologjike shqiptare e të trevës ndër brezat e rinj. Nisma ishte e një intelektuali të mirëfilltë dhe të guximshëm të qytetit, siç është ing. Agim Haxhiraj, njëkohësisht drejtor i DRKK, si dhe e specialistëve përkatës Thanas Çaçi e Neritan Mehmetaj. Morën pjesë pothuaj të gjitha shkollat e mesme dhe ato nëntë vjeçare të qytetit dhe masiviteti pati efekt të dobishëm, se u sensibilizua horizontalisht opinioni i grupmoshës shkollore, opinioni i mësuesve, sidomos i drejtuesve të arsimit parauniversitar dhe, ç’ka ëshëtë më pozitive, kjo ngjarje kulturore ende ka vlagë te opinioni i gjimnazistëve. Juria e këtij festivali e ndjeu detyrim, që, nëpërmjet gazetës “Telegraf”, për dashamiërsit dhe lexuesin e kulturës popullore, mendimet e përfundimet e këtij takimi t’ua paraqisim si më poshtë të botuara, për hir të rëndësisë së këtij festivali rinor dhe mesazheve që bart e përcjell tutje:
1. Veprimtaria u zhvillua në një atmosferë e normalitet shembullor dhe, për këtë rizgjim të vlerave shpirtërore jomateriale të popullit tonë ndër brezat e rinj dhe grupmoshën shkollore, ka meritë të padiskutueshme DRKK, Vlorë. Ajo ç’ka binte më shumë në sy ishte interesimi dhe entusiazmi i brezit të ri për artin popullor të të parëve. Thjesht: nuk është e vërtetë se ndjeshmëria dhe interesi për kulturën popullore qenkërka shuar. Pati interes nga mësues e drejtues të shkollave, siç qe rasti i drejtoreshës së gjimnazit “Halim Xhelo”, zj. Adelina Ibrahimi me stafin e saj pedagogjik, që vlen për t’u përgëzuar, por, ndërkohë pati shkolla me emër në shkallë qarku apo dhe më gjerë që nuk u paraqitën fare, apo u paraqitën me një pjesëmarrës recitues, fakte që tregojnë mospërfillje, lënë shije negative në komunitetin e arsimit 9 vjeçar dhe parauniversitar. Ndoshta, me një punë më të mençur, të përgjegjshme e më të vullnetshme, në të ardhmen, rezultatet do të jenë spektakolare.
2. Aktiviteti evidentoi talente premtues në recitime, aktrime, valle e këngë. Disa prej tyre, me aftësitë e lindura (të pakultivuara), që natyra u kishte falur, ishin gati të ngjisnin edhe skena më të larta e më prestigjioze. Do të veçonim nxënësen Graciela Gjoni të Shkollës së Mesme “Internacional”, që me zërin e saj të ëmbël, të qartë e shumë të bukur, krijoi një atmosferë të këndshme rinore me Grupin polifonik të shkollës dhe shkëlqeu si bashkëmarrëse në stilizimin e këngës së mbarënjohur piluriote “Tundu Bejkë e bardhë, tundu!” të Mjeshtrit të Madh Lefter Çipa. Emocione të veçanta pruri sidomos nxënësja e Shkollës Tregtare Stela Kapo në interpretimin shumë tjetësor e të mrekullueshëm të pjesës së saj nga “Vajtimi i

Ajkunës”, duke u futur si artiste e vërtetë liriko-elegjiake në lëkurën e personazhit të eposit shqiptar, të shoqes së kryekreshnikut Gjeto Basho Muji. Po asht edhe nxënësi Marsel Beqiraj në rolin e djalit, Omerit, shfaqi zë aktori dhe mund të ketë të ardhme artistike, nëqoftë se do të vijojë në këtë fushë. Të dy këta artistë amatorë krijuan një situatë vërtetë dramatike tronditëse në sallë me aktrimin e tyre. Iu lumtë! Po kështu, Gjimnazi “Halim Xhelo” futi një element të ri, në interepretimin e këngës arbëreshe. Gjatë recitimit të vajzës u fut djali me fyell, duke e bërë më prekës, më tërheqës, më natyror e origjinal intrepretimin. Ndërkohë nuk po vëmë në dukje deri në imtësi të metat e dobësitë e vërejtura, se e shprehëm që në fillim që kjo punë është e falënderueshme dhe meriton përgëzim, por s’mjafton vetëm kaq. Duhet seriozitet më shumë, përgjegjësi, cilësi. Lënda e Folkorit dhe etnologjisë shqiptare apo Bazat e folkoristikës gjykojmë se duhet futur në programet e sistemit arsimor nëntë vjeçar dhe parauniversitar, ndoshta dhe pse jo si lëndë më vete. Për rastin konkret, ndoshta ky do ishte çasti, koha dhe vendi, ku institucionet, specialistët, menaxherët dhe sekserët e artit duhet të ishin të pranishëm në sallë për të parë, zbuluar, tërhequr, aktivizuar e inkurajuar këto talente. Por, fatkeqësisht asnjë prej tyre nuk u ndodh aty.
3. Shkollat dhe mësuesit që i shoqëronin këta nxënës në përgjithësi kishin punuar mirë. Do të ishte më e dobishme, që mësuesit, që kishin punuar me grupet e shkollave, të ishin këshilluar me specialistët e kulturës popullore të fushës.
Në repertorin e disa grupeve pati dhe pjesë nga krijimtaria e autorëve të njohur shqiptarë si Kadare, Agolli e Kuteli.
Por objekti i këtij takimi ishte “Gurra popullore”; “Gurra Fest” ishte dhe emërtimi i tij, ndaj dhe repertori mendojmë se duhej orientuar drejt këtij objekti.
4. Aktiviteti u zhvillua në Vlorë, me fëmijët dhe adoleshentët vlonjatë dhe kjo është punë shumë e mirë dhe e dobishme.
Si trevë, Vlora është pjesë e shëndetshme e Labërisë dhe Labëria pjesë e shëndetshme e Shqipërisë. Duke sjellur krijimtarinë burimore labe, edhe deti i madh i Kulturës shqiptare do të ishte më i larmishëm e më i pasur. Në repertorin e paraqitur në këtë skenë, kishte disa recitime, aktrime, biles dhe një ekspozitë me vizatime e piktura me motive nga “Cikli i Kreshnikëve”, nga “Legjenda e Rozafës”, etj.
Por, mësuesit e letërsisë të shkollave tona, nëpunësit e kulturës dhe artit, besojmë se duhet ta dinë dhe të orientojnë edhe nxënësit, se edhe Labëria ka “Ciklin e vet të Kreshnikëve”; ka dhe ajo “balozin e saj, që e quan “durdull”; ka edhe ajo “murimin”, veç jo në kështjellë, por në këmba urash. Kështjella simbolizon mbrojtjen me anë të fortifikimit, ndërsa ura simbolizon mbrojtjen me anë të bashkimit: “Si s’u bë një ur’ në lumë?/ Të shkojnë turq e kaurë…”. Pikërisht këtu duheshin orientuar: tek kërkimi, mbledhja, evidentimi, prurja dhe aktrimi i kulturës labe.
5. Organizatorët meritojnë vetëm përgëzime për organizimin e këtij aktiviteti, sepse me sa kemi dijeni, DRKK, Vlorë është e para në rang Republike, që realizon një festë rinore etnofolkorike. Shprehim besimin, se këtë nismë do ta ktheni në traditë, por edhe bashkitë, qarqet, prefekturata a rajonet e e tjera të vendit do të vihen në sedër të shëndoshë, që rinia shqiptare ta gjallërojë më dobishëm jetën, sidomos kohën e lirë, që jo rrallë herë, ua rrëmben monotonia e kafeneve. Të paktën për Vlorën, gjykojmë se këtë traditë do të duhej ta paraprinte një diskutim me pedagogë dhe mësues të linjës të trevës tonë për kulturën popullore në Labëri, ku do të diskutohej për:
– Ritet dhe motivet pagane në trevë;
– Si kanë ardhur ato deri në ditët tona, ndryshimet dhe “restaurimet”, që kanë pësuar gjatë rrugës;
– Ç’i bashkon dhe ç’i ndan këto thesare shpirtërore lokale me trevat e tjera shqiptare, ballkanike, mesdhetare apo më gjerë?
– Vajet, këngët e përvajshme, vallet, këngët, humori, elementët teatralë në valle dhe këngë. Legjendat, baladat, fjalët e urta, lojërat popullore të trevës, etj.
Juria e Festivalit Rajonal të Poezisë dhe Prozës letrare gojore “GURRA FEST” përbëhej nga: Llambro Hysaj, kryetar; Hysen Rukaj e Albert Habazaj, anëtarë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura