SHERADIN BERISHA: GJENOCIDI I PLANIFIKUAR DHE TRIBUNALI POLITIK I HAGËS!

Pashtriku.org, 29 prill 2017: (“Tribunali i Hagës (ICTY) pa dyshim më shumë se cilido gjyq tjetër ishte paramenduar t’i shërbente në rend të parë politikës, e jo drejtësisë” – Florence Hartmann, ish-zëdhënëse dhe këshilltare e Prokorisë së Tribunalit të Hagës)
***
GJENOCIDI I PLANIFIKUAR!
Ashtu sikurse në ekonomi që çdo ecuri zhvillimore planifikohet paraprakisht, edhe në politikë shkaktimi i ngjarjeve dhe krizave të ndryshme planifikohen, nuk ndodhin aksidentalisht, pra nuk zhvillohen spontanisht. Presidenti i 32’të i SHBA’ve Franklin D.Roosvelt (1882-1945) ka një thënie epokale. Ai thotë (po citoi): “Në politikë asgjë nuk ndodh aksidentalisht! Në qoftëse diçka ndodh duhet të jeni të sigurt se ajo është planifikuar në atë mënyrë”.
Prandaj, krimet në masë, vrasja e shqiptarëve të paarmatosur, pleqë, gra e fëmijë, plaçkitja e pasurisë, djegja dhe shkatërrimi i vendbanimeve, dhunimet e femrave shqiptare, spastrimi etnik dhe shpërngulja e popullatës shqiptare nga Kosova (1998-1999) nuk ishin vepra aksidentale – spontane, por të organizuar e palnifikuar mirë që të ndodhin në atë mënyrë siç kanë ndodhur. Pra, krimet dhe gjenocidi në Kosovë u krye në emër të një politike, të një plani kolektiv shtetëror, të cilin Shtabi kriminal i Millosheviqit e kishte emërtuar “Potkovica” – Plani “Patkoi”.
Në realizimin e këtij plani famëkeq, Serbia si shtet mobilizoi të gjitha resurset njerëzore dhe teknologjike, administratën shtetërore, transportin publik, mjetet financiare, mediat, gjyqësinë, dhe mbi të gjitha strukturën e gjerë ushtarake – policore e paramilitare, duke filluar nga Korpusi ushtarak i Prishtinës, që përbënte superstrukturën e Armatës së tretë serbe në Kosovë, Korpusin 21 të Nishit, Korpusin 37 të Uzhicës, Korpusin 24 të Kragujevcit, Korpusin special dhe armatën e parë të Beogradit, Korpusin 2 të Podgoricës, strukturat e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë, si: policia e rregullt e Kosovës, Forcat speciale të policisë, Forcat e ashtuquajtura antiterroriste, Shërbimi i Sigurimit serbë (UDB-a), njësitë paramilitare, “Shkorpionët”, “Tigrat e Arkanit”, “Beli Orlovi” (Shqiponjat e Bardha) të Voisllav Sheshelit, “Beretat e Kuqe”, njësitë kriminale të serbëve lokalë etj…

Florence Hartmann, ish-zëdhënëse dhe këshilltare e Prokorisë së Tribunalit të Hagës, (tetor 2000 – tetor 2006) dhe krimi serb i kryer në Kosovë (1998 – 1999)

KUR DREJTËSIA E DIKTUAR NGA POLITIKA I ‘AMNISTON’ KRIMINELËT E LUFTËS NE KOSOVË!
Në shkrimet e mia për krimet dhe gjenocidin serb të kryer në Kosovë shumë dëshmitarë i kanë identifikuar edhe emrat e kriminelëve, por deri më sot askush nga përgjegjësit e sigurisë në Kosovë, as policia apo prokuroria e UNNMIK’ut as këta të EULEX’it, por as policia e Kosovës apo prokuroria vendore, madje as institucionet tjera ndërkombëtare apo ato vendore (Qeveria, presidenca, Kuvendi apo shoqëria civile), nuk kanë treguar gatishmëri, për t´i ndjekur e arrestuar këta kriminelë.
Për çudi as Tribunali i Hagës, i cili aktet e dhunimit të femrave në Kosovë i specifikonte si krime kundër njerëzimit, shkelje të ligjeve të luftës, torturë, etj., asnjëherë nuk është interesuar t’i trajtoj në gjyq, dhe prandaj asnjë dëshmitare e dhunuar nuk ishte ftuar në gjykim për të dëshmuar kundër kriminelit Millosheviq dhe gjeneralëve të tij. Në mënyrë selektive janë trajtuar edhe krimet dhe gjenocidi, që kryen forcat ushtarako’policore e paramilitare serbe në mënyrë të planifikuar, kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Këtë fakt e ka pranuar edhe vetë Prokurori i kësaj gjykate Richard Goldston, i cili ka deklaruar se “për krimin e përdhunimit, komuniteti ndërkombëtar nuk ka qenë kurrë i interesuar”!
* * *
Për më tepër, ky tribunal as që është munduar ndonjëherë t’i ndjek kriminelët e organizuar në nivelet më të ulëta të sistemit shtetëror serb, që kryen krime dhe gjenocidë në Kosovë!
Për këtë fakt flasin vetë hetuesit e OKB-së për krime të luftës.
Pas përfundimit të luftës në Kosovë, në një raport për masakrën e Qyshkut (14. 05. 1999), të publikuar nga Michael Montgomery dhe Stephen Smith, hetuesi i OKB-së për krime të luftës, Dennis Milner – ka deklaruar (po citoi): “Puna e ekipit të tij do të vazhdojë të fokusohet thuaja tërësisht në rangun e lartë të regjimit të të kryeakuzuarit për krime lufte, kryetarit jugosllavë Sllobodan Millosheviq”. “Mund të thuhet se Tribunali (i Hagës – sh.b) as që është themeluar ndonjëherë ose kurrë nuk ka pasur për qëllim të vihet pas gjykimit të akterëve të krimeve në nivelet e ulëta… Ne do të insistojmë”, – thotë Milner – “në atë se ata në krye janë personat përgjegjës, dhe se ata, duke qenë të implikuar, kanë tërhequr këmbëzën.”
Edhe M. Cherif Bassiouni, një tjetër hetues i OKB-së për krime lufte në Kosovë, mbështet fokusimin e Tribunalit të Hagës vetëm mbi Sllobodan Millosheviqin dhe bashkëpunëtorët e tij të lartë. Madje Z. Bassiouni, për çudi deklaron (po citoi): “Çështja themelore, nuk është në dënimin e krimeve të kaluara, por në parandalimin e krimeve të ardhshme”!!! Ndërsa Florence Hartmann, Zëdhënëse dhe këshilltare e Prokorisë së Tribunalit të Hagës, nga tetori 2000 deri në tetor 2006, në librin e saj “Paqja dhe ndëshkimi”, ka shkruar (po citoj): “Tribunali i Hagës (ICTY) pa dyshim më shumë se cilido gjyq tjetër ishte paramenduar t’i shërbente në rend të parë politikës, e jo drejtësisë”.
(Florence Hartmann: Paqja dhe ndëshkimi, Koha – mars 2011, f.30)
Si përfundim!
Duke u bazuar në deklarimet e përgjegjësve ndërkombëtarë të hetuesisë, del se vrasësit e mijëra shqiptarëve dhe dhunuesit e femrave shqiptare, nuk do të dalin kurrë para drejtësisë, dhe se ky krim do të mbetet përjetësisht i pandëshkuar!!!
___________________
SHERADIN BERISHA: KRIMI SERB DHE ZHDUKJA E DËSHMIVE NGA PROKURORËT DHE HETUESIT E TRIBUNALIT TË HAGËS (QERSHOR 1999)!!! (FOTO+VIDEO
https://pashtriku.org/?kat=63&shkrimi=6420

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura