Prishtinë, 31 maj 2017: (Endrit Binakaj, Ditari i një ushtari-dëshmori Valiant N. Ferizi) – Përkufizimi – Autori i monografisë, Ditari i një ushtari, kushtuar dëshmorit Valiant N. Ferizi, Endrit Binakaj, duke u mbështetur në ditarin e luftëtarit të lirisë, i cili ka mbajtur shënime rasti gjatë zhvillimit të luftimeve, gjatë kryerjes së detyrave të caktuara ushtarake, si dhe gjatë përballjeve me forcat pushtuese të Serbisë, në një mënyrë, apo në një tjetër, është bërë letërnjoftimi i ngjarjeve që janë zhvilluar në një pjesë të caktuar të gjeografisë sonë kombëtare ku po zhvilloheshin luftime për çlirimin e Kosovës.
Në fletët e ditarit të tij, janë shënuar ngjarje të caktuara, janë përmendur ushtarë të ndryshëm, emrat e të cilëve janë bartës të atyre ngjarjeve, si dhe janë shpërfaqur të gjitha aspektet e bazës së ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që ishte populli, në radhë të parë, familjet e ushtarëve të lirisë, pastaj të gjithë të tjerët, si pjesë e tërësisë së popullit shqiptar.
Prandaj, edhe në ditarin e Dëshmorit të Kombit, Valiant N. Ferizi, edhe në shënimet që ka dhënë autori, Endrit Binakaj, lufta del si pjesë e pandashme e popullit, sepse, në fund të fundit, ata luftëtarët e lirisë, ishin bijtë dhe bijat e tij.
Lufta është bërë pjesë e jetës së dëshmorit
Struktura e monografisë së Endrit Binakajt është ndërtuar në disa rrafshe. Të dhënat për jetëshkrimin e dëshmorit të kombit, autori i ka sistemuar që në fillim, edhe si një letërnjoftim për rrugën jetësore të tij dhe të familjes, të themeleve të edukatës së tij atdhetare, por edhe të rrugëve jetësore nëpër të cilat ka kaluar dëshmori. Ndërsa trungu i veprës së tij, pjesët që janë ruajtur të Ditarit të dëshmorit, bëjnë, siç thuhet, tharmin e veprës, edhe për faktin se ato janë rrëfime të drejtpërdrejta edhe nga frontet e luftimeve, por ajo që është më e rëndësishme, ato janë rrëfime për mënyrën e jetës dhe të qëndresës në kohë lufte. Kur lexohet ditari i dëshmorit, ato shënime të shkurtra pa shumë përshkrime, krijohet natyrshëm atmosfera e kohës kur janë zhvilluar luftimet, atmosfera e mënyrës së jetës në rrethana lufte, me të gjitha të papriturat dhe me të gjitha ngjarjet që kanë ndodhur brenda një harku kohor të caktuar. Po ashtu, e veçantë e shënimeve të ditarit janë edhe ngjarjet ku marrin pjesë bashkëluftëtarë, ata që hapin istikame dhe ata që bëjnë roje ditë e natë, ata që luftojnë në përballje me pushtuesin, por edhe ata që marrin plagë dhe bëhen pjesë e pavdekshme e lirisë sonë. Po ashtu, një pjesë të rëndësishme të ditarit e zë edhe atmosfera që ishte krijuar në vendbanimet e asaj ane, duke filluar nga fshati i lindjes së dëshmorit dhe në të gjitha anët e tjera, ku popullata ishte zhvendosur, apo bëhej gati të zhvendosej e deri të vështirësitë për të siguruar ushqimet e nevojshme për jetën e ushtarëve të lirisë.
Pjesë organike e veprës janë edhe intervistat që ka mbajtur autori me komandantë dhe bashkëluftëtarë të dëshmorit të Kombit, Valiant N. Ferizit. Dëshmitë që kanë sjellë eprorët e tij, Daut Haradinaj dhe Avdyl Mushkolaj që ishte eprori i drejtpërdrejtë i tij.
Jeta ushtarake si ideal jetësor për liri
Duke shfletuar me vëmendje ndërtimin e veprës së Endrit Binakajt, lexuesi krijon bindjen se të gjitha pjesët e saj kanë ardhur natyrshëm, pa u hetuar shumë dora e autorit, ngase, siç mund të vërehet, dinamika e ngjarjeve ishte shumë e ngarkuar, ngase, përputhet plotësisht rrafshi i rrëfimeve në ditarin e dëshmorit me rrëfimet e eprorëve dhe të shokëve të tij të luftës. Vetëm përballjet në pritën që i bëhet Batalionit të Tretë, të Brigadës 131 ‘‘Jusuf Gërvalla’’, të cilën e udhëhiqte komandanti Daut Haradinaj, në bjeshkët e Belegut, kur kjo njësi ushtarake ishte ngarkuar me bartjen e të plagosurve për t’i dërguar në Shqipëri për shërim, janë të denja për vepra madhore, edhe të kinematografisë botërore, janë të denja edhe për kujtesën shekullore të popullit tonë, por janë të denja për lavdinë dhe dhembjen e madhe të luftëtarëve të lirisë, që nuk kanë kursyer asgjë, as jetën e tyre, vetëm që të shpëtohen të plagosurit.
Kur në ditarin e dëshmorit Valiant N. Ferizi flitet për fshatin e lindjes, për Kodralinë e tij, apo edhe të fshatrave për rreth, atmosfera është shumë e zymtë, sepse ato janë boshatisur. Shtëpinë e mbetura shkretë janë djegur dhe janë rrënuar, që është një pamje e përgjithshme e Kosovës së vitit 1999.
Qoftë edhe vetëm për këto përshkrime, për këto pamje dhe për këtë atmosferë që ka arritur të krijojë me shënimet që ka mbajtur në ditarin e tij të luftës dëshmori i lirisë, janë të vlefshme edhe si përbërës të kujtesës sonë se rrugët e historisë për të ardhur deri të liria kanë kaluar nëpër gjakun e dëshmorëve të kombit.
Në një përshkrim që i bën komandanti i tij gatishmërisë së dëshmorit Valiant N. Ferizi, përveç të tjerash shalohen edhe këto të dhëna për strukturën ushtarake që ishte krijuar në Zonën Operative të Dukagjinit, por edhe për idealin e luftës për liri që karakterizonte luftëtarët e Ushtrsë Çlirimtare të Kosovës.
“Më 11 maj të vitit 1999 Batalioni i III-të shndërrohet në Batalionin Gardist, që mbante emrin e të madhit Shkëlzen Haradinaj dhe që udhëhiqej nga unë. Ky Batalion ishte njësi elitë në zonën e Dukagjinit dhe komandohej nga Komandanti i Zonës Operative të Dukagjinit, Gjeneral Ramush Haradinaj, Batalioni ynë ishte i gatshëm për të gjitha betejat, dhe mori pjesë në këto arena luftimesh: Ratishë, Dashinoc, Zhebel, Jabllanicë, Irzniq, Gllogjan dhe kudo tjetër ku ishte e nevojshme. Në të gjitha këto beteja dhe shumë të tjera, mori pjesë aktivisht luftëtari dhe tashmë dëshmori i kombit Valiant Ferizi”.
Të gjitha këto ngjarje janë dhënë edhe në ditarin e dëshmorit të Kombit Valiant N. Ferizi, jo vetëm si dëshmi, por edhe si përjetim, jo vetëm si rrjedhë e ngjarjeve, por edhe si pjesëmarrës në to. Kjo do të thotë, se në tërësinë e veprës së Endrit Binakajt, janë shkrirë natyrshëm edhe elementet e jetëshkrimit, duke filluar nga të parët e familjes, edhe dëshmitë nga ata që kanë folur dhe kanë rikujtuar dëshmorin dhe luftën e tij, por edhe nga përshkrimi ngjarjeve në ditarin e dëshmorit, që është bërthama e gjithë strukturës së kësaj vepre.
Përfundim
Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kishte karakter çlirimtar. Por, si proces historik ajo ka hapur rrugën e madhe të bashkimit kombëtar, që do të ishte ndreqje e padrejtësive historike që i janë bërë popullit shqiptar që sa shekuj. Në ditarin e dëshmorit Valiant N. Ferizi ky karakter i luftës së UÇK-së del i qartë, del i plotë dhe del frymëzues.
Qoftë edhe për këtë fakt të vogël, botimi i këtij ditari në tërësinë e veprës së Endrit Binakajt, ndihmon të kuptohet kjo frymë, ndihmon të qartësohen të gjitha dilemat se kur ishte apo kur nuk ishte koha për të bërë luftë çlirimtare, kurse, në fund të fundit, përkundër faktit se ditari është shkrim personal, aty janë dhënë aq shumë dëshmi për luftën dhe idealin e lirisë, sa dilemat nuk kanë vend në tërësinë e kësaj vepre.
Rënia e dëshmorëve të kombit në betejën tragjike të bjeshkëve të Belegut, duke bartur të plagosurit, plagosja e ushtarëve të lirisë, është një paraqitje e atmosferës që i ka hije secilës vepër që ka në strukturën e saj luftën për liri të popullit shqiptar, kurdo dhe kudo që ka ndodhur ajo, kurdo dhe kushdo që e ka bërë dhe e ka përjetuar, si dhe është dëshmia më e mirë e sakrificës së bijve më të mirë dhe bijave më të mira të këtij populli për lirinë e kësaj pjese të atdheut tonë.
Qoftë edhe vetëm për këtë fakt të vogël, botimi i kësaj vepre të autorit Endrit Binakajt, pasuron literaturën tonë për Luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, si dhe bëhet një e dhënë argumentuese e gatishmërisë së luftëtarëve të lirisë për sakrificë sublime.
Lavdi e përjetshme dëshmorit të kombit Valiant N.Ferizi!